Në një nga mbledhjet e qeverisë, Këshilli i Ministrave ka vendosur të mos ndryshojë ditët e festave zyrtare, ku përfshihet 28 dhe 29 Nëntori
Dita e Çlirimit: Qeveria lë në fuqi 29 Nëntorin
Protokolli parashikon se ditën e Çlirimit të Shqipërisë, duhet të kryejë homazhe edhe Kryeministri i vendit
Shekulli
TIRANË
- Qeveria “Berisha” tërhiqet nga përpjekjet e saj disavjeçare për të mos festuar ditën e 29 Nëntorit, që në histori njihet si dita e Çlirimit të Shqipërisë. Ndryshe nga një vit më parë, ku përmes një vendimi, qeveria vendosi heqjen e ceremonialit zyrtar të datës 29 Nëntor, këtë vit në një nga mbledhjet e qeverisë, është vendosur që paragrafi që parashikon ceremonialin zyrtar të datës 29 Nëntor, të mos ndryshoje. Burime zyrtare nga qeveria, deklaruan dje për “Shekullin” se ceremoniali zyrtar nuk ka ndryshuar, edhe pse nuk shpjeguan qartë se çfarë ishte bërë me vendimin e një viti më parë, ku qeveria vendosi heqjen e ceremonisë zyrtare ditën e 29 Nëntorit. Pikërisht në këtë vendim, 28 Nëntori ishte përcaktuar si festa kombëtare dhe se për këtë ditë do të kishte një ceremonial të caktuar, ku në veçanti do të ishte edhe pritja që do të organizohej në mbrëmje në Pallatin e Brigadave, nga Presidenti Alfred Moisiu. Ndërkohë, data 29 Nëntor u la pushim, sepse kështu parashikohej në “Ligjin për festat zyrtare”, por në këtë ditë nuk u zhvillua asnjë ceremoni zyrtare. Pikërisht në këtë ditë, një vit më parë, kryeministri Sali Berisha zhvilloi një vizitë të rëndësishme në Bruksel, duke lënë pas edhe një urdhër të veçantë, që administrata të dilte në punë. Ndërsa këtë vit, qeveria ka lënë gjithçka si më parë.
Ceremoniali
E vetmja ndërhyrje që është bërë në ceremonialin zyrtar, është shtimi i një dite feste, që do të quhet Dita e Rinise. Ndërsa, kapitulli i VII, pika e I-rë, nuk ka ndryshuar. Në këtë pikë thuhet ndër të tjera se, “në ditët e festave zyrtare nuk punohet dhe angazhimi i organeve të shtetit në ceremoni, i jep festës një natyrë solemne”. Në festat zyrtare janë përfshirë të dyja datat, 28 Nëntori, që është Dita e Pavarësisë dhe 29 Nëntori, Dita e Çlirimit të Shqipërisë, që është respektuar çdo vit nga forcat e majta, veteranët etj. Duke iu referuar pikërisht kësaj pike, duket qartë se qeveria është tërhequr, edhe pse burimet nuk sqaruan nëse kryeministri Sali Berisha, me lënien në fuqi të kësaj date, do të zhvillonte homazhe ditën e 29 Nëntorit, ashtu siç e parashikon në fakt edhe Protokolli i Shtetit.
Protokolli
Me rastin e Ditës Kombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës jep një pritje shtetërore, e cila organizohet në Pallatin e Brigadave më 28 Nëntor, ora 19:30. Ndërsa një ditë më pas, në bazë të Protokollit, në nderim të Dëshmorëve të Kombit, ditën e festës së Çlirimit të Shqipërisë, me 29 Nëntor të çdo viti, Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Ministri i Mbrojtjes, Prefekti, Kryetari i Bashkisë, Kryetari i Këshillit të Qarkut, si dhe organizatat e veteranëve, vendosin kurora në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë. Ceremonia në përmendoren "Nëna Shqipëri" si zakonisht, fillon në orën 10:00 të paradites. Debati për festat e Nëntorit u ndez pas ardhjes në pushtet të demokratëve, të cilët prej vitesh, edhe gjatë kohës në opozitë, kishin respektuar vetëm një datë, atë të 28 Nëntorit, si Dita e Pavarësisë dhe e Çlirimit. Festimi në një ditë i të dy festave, një vit më parë, solli shumë diskutime edhe nga historianët. Ndërsa këtë vit, me një tërheqje të butë, kryeministri Sali Berisha duket se ka vendosur të mos hapë sërish debat, jo vetëm me politikën, por edhe organizatat e veteranëve, ç’ka nuk do të ishte aspak e favorshme në këtë prag fushate.
27/11/2006
---------------------------------------------------------
Bënë namin për kaq e kaq vjet për 29 Nëntorin Salixhinjtë dhe si përfundim, 29 Nëntorin lanë për ditë të çlirimit.
Qyfyre që kanë... lol.
Aty ku pështyjnë aty lëpijnë prapë.
Krijoni Kontakt