Eduard Selami takohet me opozitën
Dreka dyorëshe në restorant "Piazza" në Tiranë. Konsultimi me të majtën për situatën politike
Ylli Pata
Eduard Selami i ka dhënë vizitës së tij private njëjavore në Shqipëri, një drejtim tejet politik, duke kontaktuar me të gjithë spektrin politik shqiptar. Në ditën e tretë të qëndrimit të tij në Tiranë, ish-kreu i Partisë Demokratike, i cili aktualisht jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka realizuar një axhendë tejet të fortë politikisht, duke takuar jo vetëm "miqtë e tij të vjetër" në Partinë Demokratike, por edhe përfaqësues të opozitës së majtë. Dhe ky përfaqësues, që është takuar me Eduard Selamin, nuk ka qenë as më pak e as më shumë, por një nga dy eksponentët më të fuqishëm të opozitës shqiptare, konkretisht, lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Madje, takimi Meta-Selami, nuk ka qenë thjesht një kontakt sipërfaqësor, për të shërbyer si shou politik, por një drekë e gjatë "pune", e cila është zhvilluar në ambientet e restorant "Piazza" në qendër të kryeqytetit shqiptar.
Në mënyrë diskrete, larg pranisë së mediave, ish-kreu i Partisë Demokratike, ka mbërritur i pari në vendin e takimit, rreth orës 12:25. Bashkë me shoqëruesin, që nuk i ndahet gjatë qëndrimit në Shqipëri, Eduard Selami ka hyrë në restorant dhe nuk ka vonuar shumë në ambientet e tij, kreu i LSI-së, Ilir Meta. Dreka e dy personaliteteve politike ka qenë tërësisht larg reflektorëve të medias, por gazeta "Shqip", ka arritur të sigurojë foton ekskluzive të takimit. Nuk dihen detajet e bisedës së gjatë rreth 150-minutëshe Meta-Selami, por duket se politika ka qenë objekt dominues i takimit mes politikanit që ka drejtuar të djathtën shqiptare për disa vite dhe një personaliteti më spikatës të së majtës. Dy ish-pjesëtarët e lëvizjes studentore të dhjetorit të vitit 1990, kanë pasur shumë se ç‘bisedojnë në lidhje me evenimentet politike të vendit.
Vetë ish-kreu i Partisë Demokratike, gjatë deklaratave të dhëna për mediat, nuk ka qenë aspak në rezonancë me mazhorancën, në lidhje me vlerësimet e saj për opozitën e majtë. Selami nuk ka dhënë asnjë vlerësim që do të favorizonte Partinë Demokratike në kuadrin e fushatës parazgjedhore dhe luftës së saj politike me opozitën. Vetë kontakti i djeshëm me kreun e LSI-së, është një sinjal i qartë politik i Eduard Selamit, që aspirimi i tij në politikën shqiptare mund të përfshijë edhe opozitën e majtë, për të cilën ai jo vetëm që nuk e përjashton, por ruan raporte tejet normale. Ndërkaq, në restorant "Piazza", në fund të drekës ndërmjet kreut të LSI-së, Ilir Meta dhe ish-kreut të PD-së, Eduard Selami, ka mbërritur edhe një nga drejtuesit e PDR-së dhe pasuesi në drejtimin e PD-së në vitin 1995, Tritan Shehu. Ky takim nuk ka zgjatur shumë, por të dy palët kanë vijuar dialogun politik për zhvillimet e fundit.
Olldashi
Dje pasdite, ish-kreu i Partisë Demokratike, ka zhvilluar dhe një takim me ministrin e Brendshëm, i cili njëkohësisht është dhe kandidati i mazhorancës për kryebashkiak të Tiranës, Sokol Olldashi. Takimi është zhvilluar në barin e hotel "Rogner" dhe është zhvilluar nën reflektorët e telekamerave dhe fotoreporterëve të medias shqiptare. Por, pas takimit, Eduard Selami, nuk ka dhënë ndonjë deklaratë mbështetëse për Olldashin, por ka theksuar se takimi ishte thjesht privat. Eduard Selami, ka zhvilluar një takim edhe me ish-kolegun e tij në PD, ish-shefin e diplomacisë shqiptare, Afred Serreqin, si dhe ish-zv.kryeministrin dhe aktualisht kreun e LZHK-së, Dashamir Shehi.
Gazeta SHQIP
---
Po ky xhajo paska nis me takimet e tij, me duket se paska mendje prap me ju fut lojes....![]()
Krijoni Kontakt