Sipas raportit të KE-së, problemet kryesore në arsim janë braktisja, mospërfshirja dhe mungesa e kontrollit në privat

Shqiptarët, 5 vite shkollimi më pak se europianët



B.Prifti

Përqindje e lartë e braktisjes, mospjesëmarrje në arsimin e mesëm, vite shkollimi shumë më pak se europianët dhe mungesë kontrolli në arsimin privat. Këto janë vetëm disa nga pikat problemore, që Komisioni Evropian ka konstatuar në sistemin arsimor shqiptar. Sipas raportit të KE-së, një mesatare e fëmijëve shkojnë në shkollë për 9.6 vjet. “Kjo është kryesisht 5 vjet poshtë mesatares së OECD-së”,- thuhet në raport, ku preket një nga problemet e mëdha të arsimit. Kjo, sepse shumë prej të rinjve, nuk ndjekin arsimin e mesëm dhe mbeten vetëm me vitet e arsimit të detyrueshëm. “Përqindja e pjesëmarrjes në arsim, mbetet më e ulët sesa mesatarja e vendeve të BE-së dhe e vendeve të tjera të rajonit, në të gjitha nivelet e arsimit, por veçanërisht në arsimin e mesëm. Fëmijët në zonat rurale dhe vajzat, janë kryesisht të pafavorizuar”,- thuhet në raport, ku shtohet se përqindjet e braktisjes së shkollës, në vitet e fundit, në arsimin bazë, janë të larta dhe ekziston një përqindje e madhe e fëmijëve që braktisin shkollën pa marrë asnjë lloj kualifikimi. Pikërisht për këtë, Komisioni Europian ka nënvizuar se aftësitë e kufizuara, nuk duket se pengojnë zhvillimin ekonomisë shqiptare dhe mungesat e aftësive teknike po dalin në pah nga punëtorët në mjediset urbane, ku aktiviteti ekonomik është më intensiv. Në terma afatmesëm, sipas raportit, mungesa e aftësive cënon investimet, zhvillimin e industrive dhe shërbimeve me vlera të mëdha. “Përgatitjet e Shqipërisë në fushën e arsimit, janë në hapat e parë”,- thuhet më tej në të. Shqipëria, në fillim të tranzicionit kishte një përfshirje të plotë në arsimin bazë, por përqindje më të ulëta në arsimin e mesëm dhe të lartë, në rajon. Ndërkaq, në tre vitet e fundit, sipas KE-së, janë bërë përmirësime modeste për përqindjen e përfshirjes në të gjithë nivelet e arsimit. Natyrisht, në të shënohen edhe arritjet e fundit në reformën arsimore. Sipas ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, ka vlerësuar dje raportit, pikat problemore i ka cilësuar si sfida. Gjatë një komunikimi me mediat, ai ka nënvizuar mbështetjen e KE-së për reformat. “Reforma e Altertekstit , në arsimin bazë e të mesëm, e cila është metoda standarde evropiane për përgatitjen e furnizimin e shkollave, me tekste shkollore. U lanë pas tenderat monopoliste, u çel konkurrenca pozitive mes autorëve dhe mes botuesve, u rrit cilësia e librit dhe u ruajtën apo u ulën çmimet e tregut”,- tha ai, duke shtuar edhe suksesin e maturës shtetërore, që ktheu korrektesën në vlerësim.



18/11/2006

Shekulli