30 komuna dhe bashki bregdetare, kanë përfituar më pak se 10% të financimit të gjithë lokalëve
Bregdeti, merr vetëm 10 % të investimeve lokale
Buxheti i vitit 2007, nuk trajton me përparësi komunat dhe bashkitë bregdetare dhe zonat turistike
Florian Papadhimitri
TIRANË
-Vetëm 10 për qind e fondeve që qeveria do të japë vitin e ardhshëm për komunat dhe bashkitë, do të shkojë në zonat bregdetare. Të dhënat zyrtare të Buxhetit 2007, dhe llogaritë e bëra tregojnë se zonat bregdetare, të cilat momentalisht kanë potencialin kryesor turistik të vendit, përfitojnë një financim të ulët nga buxhetit i shtetit. Kështu, duke nisur që nga komuna e Velipojës, deri të ajo e Xarrës në Jug, totali i shumave që parashikohet të kenë në dispozicion komunat dhe bashkitë bregdetare, si për investime ashtu dhe për qëllimet e tyre, nuk e kalon 10 për qind të shumës për lokalët. Nga 11 miliard e 793 milionë e 490 mijë lekë, për komunat dhe bashkitë që kanë në administrim vijë bregdetare, parashikohet të jepen 1 miliard e 169 milion e 262 mije lekë të reja, ose më pak se 10 për qind e shumës totale. Nga ndarja e fondeve për 372 bashki dhe komuna në të gjithë vendin, për 30 të tilla në bregdet, do të jepen fonde sa 10 për qind e shumës totale, çka lë të dyshosh për financimin e një prej sektorëve prioritarë, turizmin.
Fondet
Financimin e komunave dhe bashkive që ndodhen në bregdet, e kanë debatuar para pak ditësh dhe deputetët e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave. Më së shumti kanë qenë deputetet socialistë, të cilët kanë kërkuar një shtesë fondesh për zonat bregdetare. Ata u shprehën gjatë debateve, se transfertat e pakushtëzuara për investime në bregdet, janë ndër më të ulëtat. Fondet për lokalët ndahen në dy zëra; që janë transfertat e pakushtëzuara dhe transferuat e pakushtëzuara për investime. Zëri i parë, mund të përdoret nga njësitë vendore për çfarëdo qëllimi që ata kanë. Pra, janë para të cilat jepen nga qeveria dhe me to, njësitë vendore plotësojnë nevojat e tyre. Ndërkohë, transfertat e pakushtëzuara për investime përdoren për investime, dhe nuk lejohet tjetërsimi i qëllimit të përdorimit të tyre. Në tabelën e buxhetit, vihet re se shumat për investime janë disa herë më të ulëta, se ato për qëllime të tjera përdorimi. Shumat në fjalë variojnë nga 1.7 milionë lekë në komunën Aliko të Sarandës, e deri në 51.6 milion lekë për Bashkinë e Durrësit. Me këto fonde mundësohet financimi i projekteve lokale, dhe nuk përdoren për projekte të tjera që mbulohen nga qeveria. Shumat mund të përdoren për asfaltime të rrugëve urbane, atyre dytësore dhe qëllime të tjera në infrastrukturë dhe projekte të ndryshme.
Kundërshtimet
Sipas deputetëve socialistë, komunat bregdetare kanë marrë më pak shuma sesa komuna të tjera, të cilat ndodhen në zona të ndryshme dhe jo bregdetare. Në debatet që kanë pasur me zëvendësministrin e Brendshëm, deputetë socialistë i kanë bërë të ditur atij, se ka një ndarje të padrejtë të fondeve mes komunave, dhe se ndarja e investimeve nuk është bërë në mënyrë të drejtë. Në Komisionin e Ekonomisë, në takimin e së mërkurës, Ferdinand Pone u shpreh duke sqaruar se rreth 200 njësi vendore kanë konkurruar me grante konkurruese, dhe ka përfituar ajo komunë që ka pasur projektin më të mirë dhe më të nevojshëm. Përveç deputetëve, dhe drejtues lokalë kanë kërkuar më shumë financime për vitin e ardhshëm.
Krahasimi në total
Në total, transfertat e pakushtëzuara për komunat dhe bashkitë, në vitin e ardhshëm parashikohet që te jenë 11 miliard e 973 milion e 490 mijë lekë të reja. Prej kësaj shume, 8 miliard e 168 milion e 490 mijë lekëm do të jepet për transfertat e pakushtëzuara, ndërsa pjesa tjetër prej 3 miliard e 625 milion lekë, do të përdoret për investime. Për zonat bregdetare, që janë 30, në total do të jepen 1 miliard e 169 milion e 262 mijë lekë, prej të cilave 960 milion e 854 mijë lekë do jenë transferua të pakushtëzuara, ndërsa 208 milion e 410 mijë lekë për investime. Ndërkohë, fondet për investime për zonat bregdetare, zënë rreth 5.7 për qind të shumës së investimeve për të gjitha komunat dhe bashkitë e vendit.
18/11/2006
Shekulli
Krijoni Kontakt