Selim Muça: Pronat nuk janë shitur
“Ish-myftiun do ta bëjmë imam në xhaminë e Shkodrës”
Trashgim Sokolaj
Vendimi për shkarkimin e myftiut të Shkodrës, Bashkim Bajraktari, është hedhur dje në votim në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm Drejtues.
Anëtarët e Këshillit me votë të fshehtë kanë miratuar vendimin e kryesisë së Komunitetit Mysliman për largimin nga detyra të myftiut të Shkodrës, Bajraktari. Ky i fundit ka qenë dje i pranishëm në mbledhjen e zhvilluar në ambientet e Medresesë në Tiranë. “Pas votimit që miratoi shkarkimin e tij, Bajraktari është pajtuar me këtë vendim. Megjithatë ne kemi nevojë për djem të arsimuar dhe unë i deklarova se ai do të emërohet imam në një xhami të Shkodrës”, kështu është shprehur Selim Muça, kryetar i Komunitetit Mysliman gjatë një prononcimi për gazetën “Panorama”. Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ka filluar rreth orës 08:00 të mëngjesit dhe është mbyllur në ora 18:24. Kreu i Komunitetit Mysliman tha se rendi i ditës së mbledhjes së djeshme ka qenë një raport i hartuar mbi arsimin fetar në Shqipëri lidhur me disa nga medresetë e gjithë vendit. “Një komision ka bërë një kontroll dhe ka hartuar një raport, i cili u shqyrtua në mbledhje”, tha Selim Muça. Në deklaratën e tij për gazetën, kreu i Komunitetit Mysliman pranoi se mbledhja e djeshme ka kaluar me tone të acaruara dhe tha se kushdo ka të drejtë të protestojë.
Z.Muça, gjatë mbledhjes së Këshillit Drejtues, para Medresesë u organizua një protestë ku u kërkua rikthimi në detyrë i myftiut të shkarkuar në Shkodër dhe u bënë akuza për menaxhimin e pronave, si e komentoni këtë?
Gjithkush ka të drejtë të protestojë. Mendoj se kjo është një situatë e fryrë nga disa shoqata që e quajnë veten Forumi Mysliman i Shqipërisë dhe Forumi i Intelektualëve Islamë. Këto shoqata hiqen sikur shqetësohen për pronat. Shitja e pronave të Komunitetit është e ndaluar në statut dhe nuk mund të bëhet. Janë dy troje tokë në Shkodër që janë dhënë për përdorim sipas rregullave që në kohën e drejtuesve të mëparshëm të Komunitetit.
Lidhur me rastin e shkarkimit të myftiut dhe kërkesën për kthimin e tij në detyrë, drejtuesit e protestës thanë se motivi i shkarkimit është arbitrar, si qëndron kjo çështje?
Myftiu i Shkodrës i shkarkuar nga detyra ishte i pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, të cilën ne sapo e përfunduam. Shkaqet e shkarkimit të tij kanë qenë se ai ishte i pabindur ndaj Komunitetit Mysliman, nuk zbatonte vendimet e Komunitetit. Për shkak të këtyre diskutimeve vendimi i shkarkimit të tij u hodh në votim dhe anëtarët e Këshillit me votë të fshehtë votuan: 63 pjesëmarrës, 39 vota pro shkarkimit, 27 kundër, 3 vota të pavlefshme. Pas këtij votimi myftiu i shkarkuar u bind. Megjithatë unë fola personalisht me të, i thashë se kemi nevojë për njerëz të arsimuar dhe se nuk duam ta largojmë, por do ta emërojmë imam në një xhami të Shkodrës. I kërkova të bëjë dorëzimet te myftiu i ri, pasi ata janë shokë mes tyre.
Protestuesit pretenduan se vendimi për shkarkimin e myftiut të Shkodrës është i padrejtë, si mendoni ju?
Ky pretendim është i pavërtetuar. Vendimi për shkarkimin e tij është marrë nga kryesia e Komunitetit Mysliman, e cila përbëhet nga tetë anëtarë. Pretendimet për shkarkimin e tij ngrihen nga disa shoqata që nuk kanë të bëjnë me ne dhe ne nuk kemi të bëjmë me to.
Le të kthehemi te pronat, protestuesit thonë se është abuzuar me to, si është e vërteta?
Pronat nuk janë shitur. Janë dhënë me përqindje. Eshtë një çështje e fryrë, pasi për çdo veprim që është bërë me pronat, ka dokumentacion të rregullt.
Nga votimi duket se 29 anëtarë të Këshillit, pjesëmarrës në mbledhje, kanë qenë kundër shkarkimit të myftiut. Si shkoi mbledhja në fakt, ka të dhëna se ka pasur acarime?
Po, kanë qenë të acaruara në disa momente tonet e diskutimit në mbledhje. Këto shoqata që i përmenda më sipër po ndikojnë. Pas votimit të Këshillit myftiu i shkarkuar i Shkodrës u bind, ai u takua me myftiun e ri të emëruar nga Komuniteti.
Një përfaqësues i protestuesve tentoi të hynte në Medrese dhe të dorëzonte dokumentim me kërkesat e tyre, ka ardhur në mbledhje kjo kërkesë?
Jo, nuk ka ardhur në mbledhje një kërkesë e tillë.
Bajraktari
Ish-myftiu i Shkodrës, Bashkim Bajraktari, u shkarkua me debate nga kryesia e Komunitetit Mysliman vetëm pak ditë më parë, për shkak të problemeve me pronat dhe qëndrimin ndaj Komunitetit dhe organeve qendrore.
Sulejmani
Menjëherë pas shkarkimit të Bajraktarit, kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë emëroi myftiun e ri të Shkodrës. Ai është Ndriçim Sulejmani, i cili ende nuk ka marrë dorëzimet e myftinisë.
Forumi Mysliman Shqiptar: Myftiu i shkarkuar i Shkodrës të rikthehet në detyrë
“Të hetohet Komuniteti për pronat”
Besimtarët, protestë para Medresesë: Të ikë kryetari Selim Muça
Besimtarët myslimanë kërkuan dje në një protestë para Medresesë në Tiranë largimin e kryetarit të Komunitetit, Selim Muça, dhe një hetim mbi mënyrën si janë përdorur e menaxhuar pronat e Komunitetit.
Përfaqësuesit e besimtarëve nga Shkodra dhe Lushnja kanë mbërritur në kryeqytet dhe kanë filluar protestën rreth orës 10:30, në kohën kur brenda Medresesë po zhvillohej mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Protesta ka qenë paqësore, ndërsa pjesëmarrësit mbanin në duar pankarta ku denonconin “shkarkimin e padrejtë të myftiut të Shkodrës Bashkim Bajraktari”, “abuzimin me pronat e komunitetit”, si dhe “mënyrën e drejtimit të Komunitetit Mysliman Shqiptar”. Duke iu referuar numrit të pjesëmarrësve dhe ecurisë së protestës, drejtuesit e saj e cilësuan në fund, aktivitetin si të suksesshëm.
Akuzat
Kryetari i Forumit Mysliman Shqiptar, Fisnik Kruja, i cili mbajti një fjalim para protestuesve, tha se Komuniteti Mysliman ka për detyrim statusor të përfaqësojë interesat e myslimanëve në Shqipëri, por me shqetësim konstatohet se shkarkimi i myftiut të Shkodrës është në kundërshtim me parimet morale të fesë islame. “Konflikte të vazhdueshme institucionale janë krijuar kohët e fundit në Myftininë e Durrësit, Lushnjës, Elbasanit dhe Shkodrës”, tha kryetari i Forumit, Fisnik Kruja. Ai pohoi para protestuesve se thellimi i krizës, keqmenaxhimi dhe veprimet e fundit me pronat e Komunitetit Mysliman, sjellin dëme të konsiderueshme morale dhe ekonomike të myslimanëve në Shqipëri. Në deklaratën e Forumit Mysliman të Shqipërisë, thuhet se punimet e fundit në pronat e Komunitetit Mysliman në Shkodër apo në Tiranë janë me humbje ekonomike, pasi Komuniteti përfiton vetëm 20 për qind, por përqindja është më e lartë. “Niveli i administratës së Komunitetit Mysliman, paraqet mangësi të theksuara”, pohoi Fisnik Kruja gjatë fjalës së tij.
Kërkesat
Duke iu referuar akuzave të bëra në adresë të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Fisnik Kruja në emër të protestuesve konfirmoi kërkesën për dorëheqjen e kryetarit të Komunitetit Mysliman, si autori kryesor i krizës institucionale në KMSH. Kërkesa e dytë e protestuesve ishte që Këshilli i Përgjithshëm Drejtues të marrë në analizë të thellë situatën e krijuar dhe të marrë masa konkrete ndaj përgjegjësve kryesorë. Kërkesa e tretë bën fjalë për anulimin e vendimit të Komunitetit Mysliman për shkarkimin e myftiut të Shkodrës, Bashkim Bajraktari, me qëllim rivendosjen e dinjitetit të tij në vend. Pika e fundit e kërkesave të organizatorëve të protestës së djeshme, ishte “të fillojë një proces transparence i plotë lidhur me mënyrën se si janë përdorur dhe menaxhuar pronat Vakef të Komunitetit Mysliman. Pas kryetarit të Forumit Mysliman të Shqipërisë kanë folur para protestuesve edhe përfaqësues të besimtarëve dhe shoqatave që kanë marrë pjesë dhe kanë mbështetur protestën e zhvilluar dje para Medresesë në Tiranë. Ata pretenduan se myftiu i Shkodrës, Bashkim Bajraktari, është shkarkuar pasi ka penguar tentativat e Komunitetit Mysliman për të abuzuar me pronat në qytetin e Shkodrës.
Reagon Komuniteti: Ata nuk u shërbejnë interesave kombëtare
“Të verifikohen burimet e financimit të OJQ-ve që nxisin përçarje në vend”
TIRANE – Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së djeshme të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues, Komuniteti Mysliman ka reaguar zyrtarisht ndaj shoqatave që kanë bërë akuza për abuzim me pronat. “Në përgjigje të akuzave dhe pretendimeve të ndonjë OJQ-je, që kërkon të tërheqë vëmendjen dhe të bëhen publike me deklarata dezinformuese përballë personit dhe pozicionit të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, dalim para jush të deklarojmë se detyra e kryetarit të KMSH-së është të vazhdojë në misionin e tij shpirtëror, moral dhe institucional, në përmbushjen me sukses të atij mandati që ia kanë dhënë institucionet legjitime të këtij komuniteti”, thuhet në deklaratën e KMSH-së. Sipas saj, duhet theksuar se kreu i KMSH-së nuk jep dorëheqjen kur atë ia kërkojnë organizata që kanë dëshmuar se nuk i shërbejnë interesave kombëtare, duke kërkuar nëpërmjet dhunës verbale të nxijnë imazhin e shqiptarëve dhe të islamit në vendin tonë, me ngjyrën false të ekstremizmit fetar, me qëllim që të dëmtojnë seriozisht besimtarët myslimanë në të gjitha trojet shqiptare”. Sipas deklaratës, kryetari i KMSH-së është kryetari i të gjithë besimtarëve myslimanë të Shqipërisë dhe jo i grupeve të veçanta, që sa herë të dëshirojnë ata të ndërrojnë kryetarin e KMSH-së. “U kërkojmë institucioneve më të larta shtetërore, që të përkrahin KMSH-në në zbatim të Kushtetutës, neni 10 dhe 24, dhe gjithashtu u kërkojmë organeve kompetente të rishikojnë ligjshmërinë dhe burimet e financimeve të këtyre OJQ-ve që bëjnë presion dhe nxisin përçarje mes popullit tonë, të cilin e ka karakterizuar ndër shekuj toleranca dhe dashuria për njëri-tjetrin”, thuhet në deklaratën e Komunitetit.
Gazeta Panorama
Krijoni Kontakt