17/11/2006 - 09:15
• Brikena Shllaku
Shkoder-Këshilli i Myftinisë së Shkodrës kundërshton shkarkimin e myftiut Haxhi Bashkim Bajraktari dhe kërkon që Kryesia e Komunitetit Mysliman Shqiptar të tërheqë vendimin e marrë një ditë më parë. Pas një mbledhjeje maratonë prej 9 orësh, ku ishin të pranishëm dhe gjithë imamët e Shkodrës si dhe intelektualë të këtij qyteti, është lexuar deklarata për shtyp, ku të gjithë pjesëmarrësit kanë shprehur indinjimin e tyre të thellë për largimin e Bashkim Bajraktarit. Vetë ky i fundit ka lexuar tekstin, në të cilin thuhet se vendimi i marrë nga Kryesia e Komunitetit Mysliman Shqiptar është i padrejtë, i pabazuar në status dhe që shkel në mënyrë flagrante parimet hyjnore të Islamit. Sipas Këshillit të Myftynisë, myftiu Haxhi Bashkim Bajraktari ka mbrojtur interesat e përgjithshme të myslimanëve në Shkodër dhe në veçanti të pronave të Vakëfit. Ata janë shprehur se qëndrimi korrekt i myftiut, kryesisht në mbrojtjen e pronave, ka bërë që institucioni i Myftinisë të ballafaqohet me presione të vazhdueshme nga ana e Kryesisë së Komunitetit Mysliman Shqiptar. Madje, ata shprehen se këto presione të vazhdueshme kanë pasur si qëllim lëkundjen e kësaj Myftinie nga pozicionet mbrojtëse të interesave të myslimanëve.
Deklarata
Lajmi për shkarkimin e myftiut Haxhi Bashkim Bajraktari ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm jo vetëm të institucionit fetar që ai drejtonte prej vitesh, por edhe të të gjithë imamëve dhe disa intelektualëve shkodranë. Hezitimi për të dalë me një qëndrim të caktuar mbrëmjen e së mërkurës në lidhje me vendimin e marrë nga Kryesia e Komunitetit Mysliman Shqiptar në Tiranë, ka pasuar dje me një takim maratonë në Myftininë e Shkodrës. Mbledhja ka nisur në orën 10.00 dhe është mbyllur në orën 19.00. Pas plot 9 orësh diskutime, Këshilli i Myftinisë së Shkodrës ka dalë me një deklaratë të fortë, në të cilën nuk mungojnë as akuzat indirekte për KMSH-në. Deklarata është lexuar nga i saposhkarkuari Haxhi Bashkim Bajraktari. “Myftinia Shkodër me në krye myftiun e saj si dhe Këshillin e kësaj Myftinie, kanë mbajtur gjithmonë një pozicion korrekt në mbrojtje të interesave të përgjithshme të myslimanëve dhe të pronave të saj. Një pozicionim i tillë ka bërë që myftiu me gjithë institucionin e tij të përballet me presione të vazhdueshme nga ana e KMSH-së”, - shkruhet në deklaratë. Ndërsa thuhet se pikërisht këto presione kanë përkeqësuar marrëdhëniet mes palëve, duke arritur kulmin me shkarkimin e Haxhi Bashkim Bajraktarit.
Pronat
Gjatë takimit të djeshëm ka dalë në pah se përplasja më e fortë që çoi në shkarkimin e myftiut të Shkodrës, ka qenë çështja e pronave të saj. Vetëm pak ditë më parë, tre shoqata myslimane në kryeqendrën e Veriut deklaruan se pronat e Myftinisë po shiten. Ata kërkuan që myslimanët shkodranë të mos lejonin që Komuniteti Mysliman Shqiptar në Tiranë të tjetërsonte pronat e tyre. Edhe pse për këtë nuk pati një deklarim zyrtar nga Myftinia e Shkodrës, tani rezulton se myftiu Bajraktari ka qenë për mostjetërsimin e pronave, ku sipas shoqatave myslimane aty po ngriheshin pallate.
Kërkesa
Me anë të deklaratës së dhënë për shtyp, në mënyrë unanime, Këshilli i Myftinisë, imamët e xhamive dhe intelektualët shkodranë, i kërkojnë Komitetit Mysliman Shqiptar në Tiranë që të tërheqë vendimin për shkarkimin e Haxhi Bashkim Bajraktarit. Pasditen e së mërkurës, kryesia e këtij komiteti vendosi lirimin nga detyra të myftiut të Shkodrës dhe në vend të tij emëruan imamin e Xhamisë së Madhe (në Shkodër), Ndriçim Sulejman
Krijoni Kontakt