Gazeta Sot, 17 Nentor, 2006

Amerika i kërkon Greqisë respektimin e minoritetit shqiptar

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin minoritetin shqiptar në Greqi. Bëhet fjalë për të gjithë emigrantët që jetojnë e punojnë në vendin fqinj, minoritetin që jetojnë prej kohësh dhe ata që janë larguar me forcë, çështja e Çamëve dhe minoritete të tjera siç janë maqedonasit. Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmon deklaratën zyrtare të dhënë nga përfaqësuesi diplomatik i këtij vendi në Athinë, Thomas Countryman, pak ditë më parë, i cili mbrojti interesat e shqiptarëve në shtetin Helen.

Zëdhënësi i DPA-së, Sean McCormack, deklaroi gjatë një konference zyrtare për shtyp ditën e djeshme se ishte në dijeni të kësaj deklarate dhe se autoritetet greke, përfaqësuar nga Ministrja e Jashtme, Dora Bokajanis, kishin rënë dakort për dhënien e më shumë të drejtave minoriteteve dhe njohjen e tyre. Megjithëse Bokajanis kishte deklaruar kohë më parë se në Greqi nuk kishte minoritete, reagimi i përfaqësuesit amerikan, Countryman, ka qenë i menjëhershëm. Ai madje ka shkuar më tej duke konstatuar hapur se në Greqi kishte minoritet shqiptar dhe maqedonas dhe se autoritetet vendase duhet të respektonin këtë pakicë dhe t’u jepnin më shumë hapsira vetvendosjeje.

Këto deklarata nuk janë pritur mirë nga Greqia dhe media vendase që ka akuzuar zyrtarët amerikanë se nuk veprojnë drejt dhe japin deklarata të paqarta në këtë drejtim, sepse duhet të shohin edhe problemin e Meksikës. Gjithsesi zëdhënësi McCormack ka pohuar se ka një grup të përbashkët pune për këtë problem që po dialogon rreth çështjes. Pyetjes së gazetarit ai i është përgjigjur se : “Vendimi amerikan për minoritetet është i ndryshëm nga vendimi i përdorur nga Greqia dhe disa vende të tjera të Evropës. Në diskutuam këtë çështje të veçantë si pjesë të dialogut me miqtë tanë grekë, përfshi edhe ministren Bakojanis, e cila pati një vizitë të shkëlqyer në SHBA shtatorin e fundit. Ne besojmë se Greqia shënon një rekord të fuqishëm përsa i përket emigrantëve të punësuar dhe integrimit. SHBA dhe Greqia duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku për të ndjekur interesat e tyre të ardhshme në rajon dhe më gjerë”.

Madje zëdhënësi ka shkuar më tej duke bërë të qartë se marrdhënies mes dy vendeve janë në kulmin e tyre dhe nuk kishin qenë kurrë më parë kaq të mira. Një prej gazetarëve grekë ka kërkuar shpjegime nëse ndonjë nga minoritetet në çdo vend të botës kishte të drejtë për vetëvendosje. Por McCormack ka deklaruar edhe një herë qëndrimin amerikan për mbështetjen që u jepej minoriteteve shqiptare dhe maqedonase në Greqi. Diplomati amerikan në Athinë ka përmendur edhe Traktatin e Luizanës për të drejtat e minoriteteve dhe respektimin e tyre.