Një nënë 38-vjeçare është arrestuar dje, paradite, në Korçë, pasi është denoncuar nga e bija e mitur se e shtrëngonte të bënte prostitutën. "Nëna ime dhe njerku më shfrytëzuan për dy vjet si prostitutë në qytetin e Durrësit", u ka thënë 17-vjeçarja E. H. oficerëve të policisë së Korçës, që në fakt kishin shkuar ta shpëtonin nga një person tjetër, i cili dyshohej se abuzonte me adoleshenten. Policia e Korçës ka arrestuar pas kësaj akuze 38-vjeçaren Meliha Hyka dhe burrin me të cilin ajo bashkëjetonte, 63-vjeçarin Besnik Verteniku, të dy banorë të Shkozetit, në Durrës. Burrë e grua kishin shkuar në Korçë për të rimarrë vajzën 17-vjeçare, por u arrestuan me akuzën "shfrytëzim i prostitucionit në kushte të rënduara".
Burime zyrtare të policisë së Korçës, treguan dje për gazetën "Shqip", se 17-vjeçarja E. H. ishte shpallur e humbur që nga muaji shtator dhe policia e Korçës ishte vënë në lëvizje ditët e fundit, pas një informacioni të dhënë nga nëna e saj. Gruaja 38-vjeçare kishte njoftuar policinë se një qytetar i Korçës, Arben Rushiti, 40 vjeç, e mbante vajzën e saj me qëllim trafikimin.
Por, kur policia zbuloi vendndodhjen e 17-vjeçares prangosi 40-vjeçarin e akuzuar për abuzim, situata ndryshoi krejtësisht. Vetë vajza rrëzoi akuzat që nëna e saj kishte ngritur për korçarin Arben Rushiti, ndërsa ngriti një akuzë të re, tepër të rëndë ndaj nënës dhe burrit të saj. Sipas vajzës, ajo shfrytëzohej si prostitutë nga "njerku", ndërsa për këtë e ndihmonte edhe nëna, e cila e çonte te klientët apo në motele.
Në denoncimin e saj, 17-vjeçarja kishte treguar me hollësi se si ajo shfrytëzohej nga të dy personat si prostitutë në qytetin e Durrësit. Sipas vajzës, keqtrajtimi i saj seksual dhe shfrytëzimi kanë filluar që kur ajo ishte 15 vjeçe. Që nga viti 2004, 17- vjeçarja pretendon se është abuzuar me të për qëllime fitimi, ndërsa për faktin se nuk mund të duronte më një jetë të tillë prej prostitute, një ditë ka vendosur të shpëtojë nga zinxhirët.
Por, as 63-vjeçari, njerku i vajzës dhe as nëna e saj 38-vjeçare nuk e kishin menduar se mund të arrestoheshin sapo të vinin në Korçë. Ata e kishin mbajtur të fshehtë largimin e vajzës, nga frika se do të zbulohej shfrytëzimi i saj për qëllime fitimi. Sipas dëshmive të marra pas arrestimit të 38-vjeçares dhe bashkëshortit të saj, është mësuar se ka qenë vetë nëna, që e ka çuar vajzën në qytetin e Korçës, për ta larguar nga rruga. Por, pasi i ka gjetur asaj një shtëpi me qira dhe kanë qëndruar së bashku për pak kohë, Meliha Hyka është kthyer sërish në Durrës, pranë të dashurit të vet, të cilit i ka thënë se vajza është zhdukur dhe ka ikur nga banesa. E. H. ishte larguar dy muaj më parë nga shtëpia në Shkozet, e ndihmuar edhe nga nëna e saj. Ato kishin udhëtuar të dyja drejt Korçës, me një furgon, ku ishin njohur edhe me 40-vjeçarin Arben Rushiti. Ky i fundit më pas i kishte ndihmuar për të gjetur sa më parë një vend për t‘u strehuar. Nëna 38-vjeçare ka shkuar njëherë në Korçë për ta bindur 17-vjeçaren të kthehej në shtëpi, por ka hasur në rezistencën e vajzës, cila ka kundërshtuar fort që t‘i rikthehet jetës prej prostitute. Kjo ka bërë që dy prindërit të ngrenë një padi në polici kundër 40-vjeçarit Rushiti.
Por, vetë vajza ka thënë në polici se ajo ka ikur nga shtëpia me dëshirë, për shkak se nëna dhe i dashuri i saj, për dy vjet me radhë e përdornin si prostitutë. 17-vjeçarja, që është ndihmuar nga 40-vjeçari korçar gjatë kësaj periudhe, pas denoncimit ka dalë në mbrojtje të tij, duke hedhur poshtë pretendimet e dy të arrestuarve se ajo ishte marrë nga Rushiti për ta shfrytëzuar si prostitutë. Arben Rushiti, i cili është shoqëruar në polici, është përjashtuar nga akuza. Vajza 17-vjeçare, që ka qëndruar për dy muaj me korçarin, ka deklaruar se ai nuk e ka detyruar asnjëherë të kryejë marrëdhënie seksuale me persona të tjerë për qëllime fitimi. Kjo i ka mjaftuar policisë së Korçës ta lërë të qetë 40-vjeçarin, që është i martuar e me fëmijë.
Juliana Dhimitri, Gazeta SHQIP
Krijoni Kontakt