Revista “The Banker” e shpall fituese në 17 banka që operojnë në vend
Banka Kombëtare Tregtare është vlerësuar me çmimin “Banka e vitit” për Shqipërinë. Ky vlerësim prestigjioz është akorduar nga revista “The Banker”, që është ndër më të njohurat në tregun bankar ndërkombëtar.
Ky vit shënon edicionin e 7-të të dhënies së çmimeve bankare më prestigjioze në botë, çmimit “The Banker”. Kompanitë që nderohen me këtë çmim janë biznese që vlerësojnë konkurrencën dhe zhvillimin. Ky çmim është një nga evenimentet më të rëndësishme në sektorin bankar dhe krijon mundësinë e takimit të bankave më të mira nga 140 vende të botës, si dhe festimin e sukseseve të institucioneve financiare në botë.
Çmimi
E vlerësuar nga një ekip ndërkombëtar, Banka Kombëtare Tregtare sh.a. është shpallur fituese e çmimit “Banka e vitit” për Shqipërinë, ndër 17 bankat që operojnë aktualisht në këtë vend. Në zgjedhjen e BKT-së si fituese janë marrë në konsideratë tregues sasiorë si kapitali rregullator, totali i aktiveve, fitimi neto, kthimi mbi kapitalin, si dhe tregues cilësorë që lidhen me strategjinë e zhvillimit dhe instrumentet e përdorur për të qenë konkurrent në tregun bankar shqiptar. Për zgjedhjen e fituesve të çmimit, “The Banker” merr në konsideratë rezultatet më të fundit si dhe zhvillimet e arritjet e bankave kryesuese në të gjitha vendet e botës. Bankat e të gjitha vendeve të botës i nënshtrohen një procesi seleksionimi në mënyrë që të konsiderohen si konkurrentë për të fituar çmimin “The Banker”.
Ceremonia
Në ceremoninë e dhënies së çmimeve “Banka e vitit”, që u zhvillua në Londër më 30 nëntor, drejtorit të Përgjithshëm dhe anëtarit të Bordit Drejtues, z. Seyhan Pencapligil, iu dhurua Bracken (trofe në formën e statujës së Brendan Bracken, themeluesit të revistës) dhe certifikata e meritës. Ky çmim është i dyti vlerësim i rëndësishëm që BKT-ja merr nga institucionet ndërkombëtare për vitin 2006.
Revista
Revista “The Banker” është pjesë e grupit “Financial Times”. E themeluar në vitin 1926, “The Banker” është më e njohura dhe e para revistë e vlerësimit të sektorëve të investimeve, kredive për individë dhe aktivitetit tregtar bankar. Prej shumë vitesh tashmë, Banka Kombëtare Tregtare u ka shërbyer nevojave financiare të bizneseve të vogla dhe të mesme, investitorëve të pasurive të patundshme, korporatave publike, private dhe individëve.
GAZETA PANORAMA
Krijoni Kontakt