Andrea Stefani: "Përse shkrova një libër publicistik -Albanistan-" (Toena, qershor 2005), marrë nga www.trepça.net
Prej 14 vjetësh Shqipëria zgjatet nga brigjet e saj për të arritur një Evropë që duket sikur i largohet, sikur e refuzon. Ndërkaq parashikime të trishta thonë se nuk do ta arrijë edhe për shumë vite të tjerë. Përse vendi që për 40 vjet e refuzoi Evropën nëpërmjet një vetizolimi të rreptë tani që u hap, po refuzohet thuaj po aq rreptësisht nga Evropa? Përse sot, si për çudi, është Evropa që “mbyllet” kundrejt Shqipërisë?
Shumë argumente mund të sillen për shpjegimin e këtij ngërçi, por është vetëm njëri që mbizotëron: Politika e vjetër, mekanizmi i saj i ndryshkur që këmbëngul ende të rrotullohet me kërkëllima. Eshtë kjo politikë me mungesën e devocionit publik, me ligësinë, konfliktualitetin, makiavelizmin e deri bolshevizmin e saj të fshehur, faktori kryesor që po e mban Shqipërinë larg Evropës. Dhe palca e kësaj politike fajtore janë liderët e saj me aureolat e kulteve në kokë dhe skeptrat e padukshëm të sundimit në duar.
Këta faraonë të rinj lindorë të politikës, që pa kaluar ca pak vjet nga dita e përmbysjes së faraonit të bronxtë komunist, u fanepsën si nga mjegulla e një magjie të keqe, janë pengesa kryesore për perëndimorëzimin e Shqipërisë. Dhe nuk është fjala thjesht për ca emra. Pra nuk është fjala vetëm për Fatos Nanon apo Sali Berishën si individë. Eshtë fjala për ato piramida sa të shëmtuara aq edhe të frikshme kultesh, që ata kanë mundur të krijojnë. Eshtë fjala edhe për ata qindra mijë shqiptarë, që ashtu sikundër skllevërit e faraonëve të lashtë flijonin jetët, kanë flijuar liritë nën themelet e këtyre piramidave.
Dhe kur flasim për gjëra të tilla si piramidat, kemi parasysh struktura që për nga qëndrueshmëria trembin edhe vetë kohën. Ndaj s’ka rëndësi se në emër të kujt ato lartohen sot. S’ka rëndësi emrin e kujt oshëtijnë turmat e marrosura. S’ka rëndësi se cilit individ të plakshëm i blatohen lulet, lavditë apo urrejtjet. Duartrokitjet frenetike, ovacionet, përuljet dhe mëritë bëhen - në klimën e thatë dhe të ashpër të fanatizmit dhe një shkretëtirë institucionale - lëndë e parë e piramidave që përjetësojnë mendësinë e sundimit. Dhe për më zi edhe psikologjinë e nënshtrimit masiv. E si mund të jetësohet demokracia, si mund të bëhet i trashëgueshëm sistemi i lirisë në praninë e një mendësie të tillë tipike për sisteme antiliri?
Ndërsa përmbysën komunizmin, shqiptarët nuk arritën të përmbysin raportet e vjetra të liderit me institucionet. Sistemi i vjetër u shkul, por metastazat e tij mbetën në limfën sociale. Prijësi mbeti përsëri një soj idhulli, At, krijues institucionesh, por jo bir i tyre. Shqiptarët vazhdojnë t’i falen “Atit të shenjtë të demokracisë”, ndërkohë që demokracia njeh vetëm bij të saj. Ky patriarkalizëm politik është një nga veçoritë e zhvillimeve në Shqipëri në këtë më shumë se 1 dekadë, veçori që rrezikon ta devijojë vetë tranzicionin nga ylli i vet polar, që është demokracia.
Pikërisht ringritjen e piramidave të kulteve dhe rinderjen hijerëndë të sundimit të tyre mbi shtet dhe shoqëri, janë përpjekur të denoncojnë artikujt e përmbledhur në këtë libër, artikuj që ndonëse më së shumti të shkruar në periudhën 2000-2005, kanë zanafillë që nga viti 1991, atëherë kur nisi edhe tranzicioni i dytë shqiptar. Ato orvaten të japin përsëri alarmin për dërrmimin e filizave të demokracisë (të shpirtit të lirë qytetar, të demokracisë nëpër partitë politike, të pavarësisë së drejtësisë dhe institucioneve të tjera) në mokrrat e blloqeve të gurta të piramidave që po lartësojnë kultet e zotave të rinj të politikës.
Ato përpiqen të mbajnë në ajër alarmin edhe për rrezikun vdekjeprurës që mund t’i vijë demokracisë nga rivaliteti armiqësor dhe konfliktual i liderëve dhe fanatikëve mbështetës, të cilët, ka vite që po përpiqen ta kaukazojnë Shqipërinë duke e shndërruar në një Albanistan. Të bëjnë njerëzit të kuptojnë sa s’është vonë se po aq vdekjeprurës për demokracinë do të qe edhe nga triumfi i njërit prej prijësave, i njërit krah. Do të qe triumfi i “Mesias” dhe vdekja e pluralizmit. Se triumfet pjellin vetëm tiranë.
Se Evropa do të mbetet e pakapshme për sa kohë shqiptarët nuk do të arrijnë të përmbysin kultet e gjalla të “demokracisë”, ashtu sikundër përmbysën 15 vjet më parë kultet e bronxta të diktaturës. Se Evropa do të mbetet përjetësisht larg nëse shqiptarët do të vazhdojnë ta vëzhgojnë lirinë publike nga larg, ashtu siç rëndom kundrojnë një fabrikë shtetërore të braktisur, pra, si një gjë që nuk ka të bëjë me jetën e tyre private. Se Evropa do të largohet nëse shqiptarët vazhdojnë ta grabisin lirinë publike (po ashtu siç grabisin tullat e një ish-magazine shtetërore të braktisur) për hir të egotizmave privato-partiake.
Se Evropa nuk bëhet nëse liria publike braktiset si një mall pa zot. Dhe se Evropa nuk do të bëhet kurrë në Shqipëri, nëse shqiptarët do të vazhdojnë të investojnë shpresat e tyre jo te institucionet dhe aktivizmi i tyre qytetar, por vetëm te Prijësi “shpëtimtar”. Që Evropa nuk është dhuratë por meritë. Që Evropa duhet ndërtuar. Por që Shqipëria të bëhet Evropë, shqiptarët duhet të bëhen evropianë. Dhe më në fund, në rast se shekujt kanë dëshmuar dhembshëm që “Shqipëria nuk bëhet me shqiptarë” koha duhet të dëshmojë se Shqipëria do të bëhet me “evropianë”. Këto kërkojnë të thonë këto shkrime.
Nga parathënia e librit të Andrea Stefanit, botuar nga “Toena”, qershor 2005
Krijoni Kontakt