Dy filma italianë hapën dje konkurrimin në edicionin e dytë të Festivalit të Filmit për Fëmijë “Giffoni”, i cili këtë vit zhvillohet në qytetin e Shkodrës. Gjatë orëve të paradites u shfaq filmi italian "Sekreti i Shenjtorit", me metrazh të shkurtër 20 minuta, me regji të Herve Ducroux, skenar nga Massimo Guarducci dhe aktorë kryesorë Milena Vukotic, Pino Colizzi, Giolio Pampiglione, etj., si dhe 12 vjeçarët Camilla Dragoni dhe Pietro Cacciatoridhe. Seksionin e pasdites e vijoi filmi tjetër italian "Sekreti Ynë", me kohëzgjatje prej rreth 13 minutash me regji të Mauro Mancini, skenar nga Diogo Carmignani dhe Alesaandro Gaudenzi. Në rolet kryesore në të interpretonin aktorët Daniele Modiglione, Giarda Di Cuffia dhe Marta Lacopini. Edicioni i dytë i Festivalit të “Giffon-it” organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Mbrëmjen e kaluar, pjesëmarrësit në festival ndoqën koncertin e mirëseardhjes, të organizuar në sallën e Teatrit "Migjeni" nga Qendra Kulturore e Fëmijëve të Shkodrës. Në mesazhin përshëndetës të ministrit të MTKRS, Bujar Leskaj, drejtuar organizatorëve dhe pjesëmarrësve në të, thuhej se "rikthimi i këtij filmi mbetet një nga prioritetet tona si ministri, duke vlerësuar fëmijët dhe të rinjtë e talentuar në çdo gjini të artit si një promotor, jo vetëm të zhvillimit artistik, por edhe të mentalitetit të shoqërisë shqiptare, e cila ka të veçantë, moshën më të re mesatare në Europë". "Përkrahja e nismave të tilla kinematografike do të jetë një nxitje për edukimin kulturor në tërësi në radhët e fëmijëve dhe të rinjve tanë, ndërkohë që Festivali “Giffoni Shqipëria” do të jetë një hap më tej i përpjekjeve të brezave të rinj për t’iu afruar më shumë kinemasë dhe artit europian, si rruga më efikase për integrimin tone”.

Shekulli