Ligji që vetëm 2006-ën, merr 2.4 miliard lekë të vjetra nga fondet e ISSH

Ligji 8097, ose miliardat para dhe pas vdekjes, për pushtetarët tanë


Enkeleda Kurcani

Ndër letrat, e-mail-et, telefonatat, fakset që na kanë ardhur në redaksinë e “Shekullit”, për rubrikën “Kontakt”, kanë thyer rekord për numrin e tyre ato që kanë patur në brendësi të tyre probleme me pensionin… Natyra e problemeve ka qenë e ndryshme... një do të kalojë, nga pension pleqërie në pension familjar, një tjetër do të kalojë nga pension invaliditeti në pleqëri, një thotë përse ai tjetri merr 20 mijë lekë (të vjetra) më shumë se unë... etj., etj. Dhe me këto shifra mizerje, sigurisht që të gjithë do trokasin çdo ditë në zyrat e Drejtorive Rajonale të Sigurimit Shoqëror dhe atë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Të gjithë? Eh, jo të gjithë! Njerëzit me pushtet politik, nuk kanë përse të zihen në lidhje me qindarkat që mund t`u shtohen apo mund t`u hiqen, pasi e kanë problemin e zgjidhur... Nëse duhet që të zihen, ata mund të zihen për shuma me gjashtë shifra… Ndërkohë që, pensionet e gjyshërve tanë janë një mizerje. Një ish-oficer sot merr një pension prej 15 000 lekësh; një kooperativist 3 000 lekë, e një punonjës ndërtimi përfiton pension në masën 1 000 lekë. E ç’mund të bëjnë ata me këto lekë? Po t’u dalësh para e t’u bësh ndonjë pyetje (çfarëdolloj pyetje) ata kanë një përgjigje (të parën) për të gjitha: “Nuk na del pensioni, e bëjmë të gjithë pensionin ilaçe!”.

***
Të gjithë ata që e kanë plotësuar kushtet për të përfituar pension, marrin nga një pension pleqërie… E vërtetë? Jo! Ka edhe nga ata të cilët përfitojnë nga 2 pensione pleqërie. Kush? Ç’do të thotë 2 pensione?!
Po flasim për ligjin nr 8097, datë 21.03.1996.

Emërtesa e ligjit:
Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit.


Sipas nenit 2 të tij, “Qëllimi i këtij ligji është që të jepen përfitimi shtetërore suplementare, si të ardhura shtesë përmbi përfitimet që jepen nga sigurimi i detyrueshëm shoqëror… (Vini re “përfitime shtesë mbi përfitimet nga sigurimet shoqërore” - që marrim ne të tjerët). Nga ky ligj përfitojnë persona të 2 grupeve.
E kush bën pjesë në këto 2 grupe, në të cilën secili nga ne do të donte aq shumë të ishte?

Në grupin e parë:

a) Kryetari i Kryesisë së Kuvendit Popullor, Kryetar i Këshillit të Ministrave, Anëtarët e Këshillit të Ministrave, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Gjykatës së Kastacionit, Kryetari i Shërbimit të Kontrollit të Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm.
b) Deputetët e Kuvendit Popullor
c) Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese
d) Anëtarët e Gjykatës së Kasacionit


Ndërsa në grupin e dytë:

a) Sekretarët e Shtetit, Zëvendësministrat, Zv. Prokurori i Përgjithshëm, Drejtuesit Politikë të Presidencës, të Kuvendit Popullor, të Ministrive.
b) Persona të veçantë të administratës të caktuar nga Këshilli i Ministrave
c) Drejtorët e Drejtorive


***
Nenet e këtij ligji janë një mrekulli më vete. Ato parashikojnë jo vetëm pension të dytë për zotërinjtë e nderuar që cituam më lart, por edhe pagesë me rrogë mujore, edhe kur hiqen nga detyra: Ja se ç’parashikon neni 7, i pagëzuar me emrin “Pagesa kalimtare”: Sipas këtij neni, personave të grupit të parë, pas largimit nga pozicioni, (pra nga një prej detyrave që renditëm më lart) u jepet shpërblim në masën e tre pagave mujore të muajve të fundit, në atë funksion… Pra, marrin tre muaj rrogë njëherësh sapo lënë zyrat (dhe çfarë rrogash!!!). Mendoni se mbaroi me kaq gëlltitja e parave nga buxheti i shtetit? Jo! Pas këtij shpërblimi, marrin 50% të pagës referuese, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla (për 3 vjet maksimalisht nga momenti i largimit).
Që ta bëjmë më të thjeshtë: Një ministër, deputet a sekretar shteti, nëse merr, ta zemë 1 milion rrogë në muaj, vazhdon të paguhet edhe pasi nuk është në atë funksion. Ai merr 1 milion në muaj, për 3 muaj pas largimit dhe pastaj vazhdon të marrë 500 mijë lekë në muaj, për aq vjet sa ka qenë deputet, ministër etj.
Ndërsa për personat e grupit të dytë, ka pak ulje, u jepet një shpërblim në masën e 2 pagave mujore të muajit të fundit në atë funksion dhe mbas këtij shpërblimi, marrin 40% të pagës referuese, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla, (për një vit nga momenti i largimit nga ky funksion).

***
Bukur! Punojnë shumë, këtë vend e ndritën me aftësitë e tyre, kështu që u takon të marrin miliona edhe kur nuk janë më në karrige…
Por, nuk janë mjaftuar me kaq!!! Veç kësaj page kalimtare, ata i kanë përcaktuar vetes me ligj edhe “Pensione shtetërore suplementare”. Ja se sa janë masat për përfitimin e pensionit të pleqërisë: Për personat e grupit të parë: ata të pikës “a” (kryeministër, kryetar kuvendi, ministra etj.) 60% të pagës referuese; ndërsa ata të grupi “b” 50 % të pagës referuese. Grupi i dytë, merr 40% të pagës referuese. Pra, nëse ata marrin ta zemë 1.5 milionë lekë rrogë, do marrin pension suplementar rreth 850 mijë lekë të vjetra në muaj. Dhe mos harroni: Ky është pension, plus pensionit që duhet të marrin normalisht nga pagesat e Sigurimeve Shoqërore!!!
***
Ligji saktëson: pension normal + pension suplementar, grupit të parë i takon të marrë 90% të pagës referuese (duke llogaritur 40% të pensionit normal + 50% të pensionit suplementar), ndërsa grupi i dytë 80% të pagës referuese (duke llogaritur 40% të pensionit normal + 40% të pensionit suplementar). Pra, funksionarët e shtetit në detyrat e sipërcituara, i bie të marrin pension pleqërie thuajse sa rrogat që kanë sot.
Për sa kohë? Për gjithë jetën, sigurisht, por jo vetëm kaq?! Pasi bëjnë ditët e Zotit, ky pension nuk ndërpritet. Atë vazhdon ta përfitojë e veja, sipas njërit prej neneve të këtij ligji.
E dinë sa kohë duhet të punojë një funksionar në detyrën e tij (në postet e sipërcituara) që t’i përfitojë për gjithë jetën (dhe më pas) këto para? Dy deri në tre vjet, sipas funksioneve të ndryshme. Mjafton të kesh qenë në një nga funksionet e sipërcituara që mbulon ligji, për kaq pak kohë dhe mund të përfitosh të gjitha beneficet e këtij ligji të miratuar nga vetë ata që përfitojnë, e që qeverisin njerëz me pensione qesharake.
***
Sa për ilustrim, një deputet nuk merr vetëm këto para, por edhe disa të ardhura të tjera mujore e vjetore. Veç rrogës së tyre, rreth 1.4 milion lekë të vjetra (pensioni sipas ligjit të sipërcituar i bie të jetë 1 milion për gjithë jetën e më pas) ata marrin edhe
17 mije lekë për celularin, 300-400 litra karburant, 550 mijë lekë dieta, 60 në ditë + hotel dhe biletë avioni kur dalin jashtë Shqipërisë.
***
Po sa është fondi që jepet, pikërisht për këto pensione shtetërore suplementare për kategoritë që folëm më lart, për vitin 2006? Nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore e morëm këtë shifër. Kujdes! Mbahuni! Për ligjin nr 8097, datë 21.03.1996, pra për sigurimet shtetërore suplementare, shifra është 235 milionë e 470 mijë lekë, të reja normalisht.
Nejse, edhe për ne qytetarët e thjeshtë u bë një rritje, që do fillojë në fillim të vitit tjetër, gjynah të qahemi... Do marrim plot 10 mijë lekë… Urraaaaa! Të rrojë Partia!






07/11/2006
Shekulli