Paskësh qenë kollaj
Artan Lame
Që jemi fukarenj e dinim. Por që të na bëjnë edhe për budallenj, kjo është ca si shumë. Dje doli një artikull "i pavarur", i cili gjithë pafajshmëri na shpjegonte se nga dhënia e dyshtetësisë minoritarëve përfituakemi të gjithë, pasi kështu, të paktën një pjesë e tyre (e shqiptarëve) hykërkan në BE. Të jetë kaq e thjeshtë vallë kjo dava? Demek me këtë metodë hyjnë në BE 50000 minoritarë shqiptarë, pra i shpëtuam 3% të tyre dhe i thanë sikter fukarallëkut. Po sikur t‘i ngatërrojmë letrat, e të themi që nuk janë 50000 po janë 200000, e kështu i bie që të shpëtojmë jo më 3%, por gati 10% të shqiptarëve me një dorë. Hë edhe një yrysh, edhe ca karta të tjera false dhe ia hodhëm. Po paska qenë shumë e lehtë! Mjaft të këmbejmë ca letra e certifikata, që me ustallëkun e Olldashit mund të bëjmë sa të duam false dhe hop, hyjmë në Evropë e shpëtuam nga fukarallëku, po jo nga maskarallëku. Po sikur ta bëjmë ndryshe dhe t‘i vëmë kapak këtij muhabeti njëherë e mirë? Sikur ne shqipot, ca me gjyshin Kamber e Muhamet e ca me gjyshin Llesh e Preng, të lidhim besën e të themi se gjyshi e kishte emrin Harallamb e gjyshja Ksanthipi. Pas kësaj, grekët do na jepnin të gjithëve nënshtetësinë greke dhe ja që, për rrjedhojë, të gjithë do të gdhihemi në Bashkimin Evropian. Po qe se bëhej kjo punë kështu, edhe unë i pari do ta bëja hashá gjyshin Qemal për një të ri Harallamb, paçka se, kur të mos më shihte korofillaqia, do t‘i kërkoja ndjesë gjyshit në varr e Perëndisë në qiell. Ka vetëm një të keqe kjo punë. Se mos, Zoti na ruajt, korofillakët e grekut për t‘u siguruar që jemi kaurrë, mund të kërkojnë të na kontrollojnë në jemi bërë synet apo jo. Po qoftë larg, këtë nuk jua këshilloj, se po të ulin brekët Nduet e Prengët e maleve tona, do t‘u shihnin sytë ca alamete, që grekut t‘i vinte festja rrotull një javë rresht, ca nga lebetia e ca nga...
E dini atë barsoletën e lebërve, që kishin mbetur keq për bukë e thanë: "Po sikur t‘i biem Amerikës, ajo do na mundë, e kështu do detyrohet të na mbajë me bukë". Kur të gjithë u gëzuan, se thanë se e zgjidhën davanë, u ngrit më i mençmi i tyre e tha: "Daleni, daleni një herë. Po sikur ta mundim ne Amerikën, hajde ta mbajmë ne me bukë pastaj!" Edhe kjo metoda e grekëve, që duan të na fusin në Evropë kështu allasoj, më ngjan me zarar, se vërtet mund të na i bëjnë të gjithëve letrat për grekë, por atëbotë bëhemi ca si shumë, e mos i kthejmë ne pastaj grekërit në shqiptarë. Nejse, t‘i lemë shakatë.
Ajo që më së shumti më tremb në këtë histori, është terminologjia. Nga grekët u shpikën termat "kartë e homogjenitetit" dhe "përkatësi etnike", ndërsa në artikullin e djeshëm pashë edhe terma si "zona të pastra minoritare", "familje homogjene", "martesa mikse" e të tjera. Tmerr, tmerr, tmerr! Ka mbi 60 vjet që terma të tillë nuk vërtiten më nëpër Evropë. I shpiku një burrë i shkurtër me mustaqe spic dhe e çoi botën në zgrip të greminës. Është e vërtetë që grekët nuk kanë b... ta çojnë tërë dynjanë në greminë, por sa për ne të varfrit dalin e teprojnë. Mbetet, që tani shqiptarëve t‘u qepin nga një yll me 6 cepa në xhaketë, që të dallohen kur të kalojnë nëpër zonat e pastra minoritare, se mos ndotin me praninë e tyre ajrin minoritar. Madje, ato yjet mos na i qepni të verdhë, siç ua vinin gjermanët çifutëve, por të kaltër, që helbete të jetë me ngjyrën e flamurit famëmadh të Eladhës.
Pastaj të na vënë rregulla e ndalime në martesa, për të mos përzier racën e pastër ariane greke, me racën tonë gjithë gunga e bollogunga. Kjo masë mua nuk më zë, se jam i martuar. Ore, meqë ra llafi, si i konsideroni ju grekët, ortodoksët e Përmetit, se unë e kam gruan kaurrkë Përmeti. Bëni sevap e futini edhe përmetarët në Megalidhe, e kështu edhe unë me gjithë time bijë të ngrysem shqipo e të gdhihem në Evropë, o që më mirë u gdhifshi e mos u ngrysshi, se të tilla manovra i bëjnë turp shekullit të XXI, që erdhi për hesap të vet, se po të qe për mendjen tuaj të mykur, do ishim akoma në Mesjetë; i bëjnë turp orthodhoksisë, se Krishti nuk e ka thënë gjëkund që helenët le të hyjnë e shqipot të rrinë te dera; i bëjnë turp edhe dhimokracisë, që duan të thonë se ka zënë fill në tokën tuaj.
Vranicki, më ‘97-ën, kur na pa na tha: "Ju shqiptarët, do të mund të hyni në Evropë vetëm si shqiptarë". E mbani mend? Ne të shkretët e mbajtëm mend këtë llaf, e u bë kaq vite që po përpiqemi të bëhemi të denjë. Po del sot greku mbi Vranick e do të na mbushë mendjen se u hyka edhe ndryshe në Evropë, ca sot e ca mot. Ata me kartën e homogjenitetit sot, e kusuri mot shohim pa të bëjmë. Historia pa zbukurime, është shumë e thjeshtë. Raportet mes fqinjëve në Ballkan kanë qenë e janë të llojit "o ma hip, o ta hipa". Sot, në fukarallëkun e në hallin që na ka zënë, greku na i ka hipur, e nuk na mbetet veç të ulim qafën e të punojmë që të shpejtojmë ditën kur do ngremë kokë e të bëhemi edhe ne vend i ndrituar e i përparuar. Nëse deri atë ditë, do kemi rezistuar e do kenë mbetur ende shqiptarë që nuk kanë ndërruar e këmbyer fe e atdhe, Shqipëria shpëtoi e mund të hyjë ballëlart në Evropë. Nëse kur të vijë ajo ditë do e kemi ndërruar besën që të gjithë, na rrofshin të gjitha pastaj.
Megjithatë, unë inatin nuk e kam me grekët. Ata kanë 150 vjet që kanë shkruar e caktuar një politikë për t‘u sjellë me shqiptarët dhe kanë po 150 vjet që i mbahen kësaj politike. Ndërrojnë sistemet, qeveritë e kohët, ata nuk luajnë nga istikami dhe për këtë bravo u qoftë, na pëlqen a s‘na pëlqen. Inatin unë e kam me të mijtë, me qeverinë time, e me të parin e saj, me Kryeministrin. Na poqi e na dogji sa e si deshi; po na shtyp si miza të gjithëve; po u shet të vetëve ç‘të mundet e ç‘na ka mbetur; na tha edhe në Parlament ç‘deshi e ç‘i nxuri goja; dhe tani po na bën të fundit: për hir të karriges së vet, a të dreqi e di se të kujt, po na shet për dhjamë qeni te fqinji.
E kam inatin edhe me opozitën, se mirë pozita nuk bën gëk se ka frikë nga lugati i Vuçidolit, po opozita nga kush ka frikë? Amani, në kini Perëndi, mos më tregoni përralla me integrim, e historia, se demek një ditë kufijtë nuk do kenë më vlerë, e se të gjithë do hyjmë në Evropë. Kjo do të bëhet nesër e u bëftë një orë e më parë, por sot këtu i thonë Shqipëri e dua të ma mbroni si Shqipëri. Sot është e premte, kisha ca punë të miat dhe meqë do të ikja nga Tirana nuk do dilja dot pasdite para Kryeministrisë, e të thërrisja si gjithë dynjaja. Pas kësaj të fundit që dëgjova e lexova, i lashë punët e mia e do të jem mes shqipove atje në shesh me gjithë kaurrkën time të Përmetit dhe çupën time, që dua ta rris këtu në këtë dhe.
Krijoni Kontakt