Një nga veprat më të bukura feliniane. Një gjysmëautobigrafi që rrëfen për shkollën e një prej mjeshtrave më të mëdhenj të kinemasë italiane. Shkolla e Filmit dhe Multimedias “MARUBI” vazhdon projektimin e filmave të së enjtes. Çdo të enjte, në orën 19.00, të gjithë të apasionuarit pas filmit kanë mundësinë të shohin falas në kinemanë “Marubi” filma që kanë bërë histori. Prodhimet janë në gjuhën origjinale dhe të subtitruara në gjuhën angleze. “Amarcord” nga Federico Fellini, është filmi që vazhdon traditën e “Marubit”. Filmi i cili zgjat 127 minuta është një bashkëprodhim italo-francez i vitit 1973 dhe konsiderohet një nga veprat më të mira të regjisorit italian. “Amarcord” në dialektin romanjol do të thotë “më kujtohet” dhe në të vërtetë në këtë film Fellini bën një panoramë të qytetit të tij të lindjes, Riminit, ashtu si e mban mend ai në vitet ’30, gjatë viteve të rinisë së tij. Aty gjen mitet e kohës, vlerat, të përditshmen, paradat fashiste, shkollën, vajzën “që shkon me të gjithë”, prostitutën sentimentale, ëndërrat me sy hapur, babain antifashist, etj. Filmi komedi me një skenar nga Tonino Guerra zbulon karaktere të gjalla, interesante dhe plot humor mesdhetar. Në botën Fantastike të Fellinit interpretojnë aktorët Pupella Maggio, Armando Brancia, Magali Noel, Ciccio Ingrassia, Nando Orfei, Luigi Rossi, Bruno Zanin, etj. Sipas kritikës, mrekullia feliniane qëndron në zotësinë për të çuditur me asgjë. Nga hiçi Fellini mund të nxirrte një kryevepër. Në vitin 1974 ky film është fitues i Çmimit “Oscar” si filmi më i mirë i huaj. Është fitues i “Shiritit të argjendë” për regjinë më të mirë në të njëjtin vit, “Davidit të Donatelos” si filmi më i mirë. Në vitin 1996 shpallet “BBC Best films of all time”.
Shekulli
Krijoni Kontakt