Komunistë kishte shumë edhe tek PD-ja, dhe nuk është problemi se u kthyen komunistët se mbas tranzicionit u pa qartë se ata nuk kishin asnjë bindje komuniste, por donin pushtet ekonomik e politik. Mandej, kthimi në politikë e në pushtet është një proces normal në një demokraci, aq më shumë kur PS-ja e partitë që dolën nga PPSH-ja kishin mbështetje të ndjeshme në popull, struktura të konsoliduara dhe një grup cilësor zyrtarësh e specialistësh që e dinin se si funksionon shteti. Me thanë të drejtën, shumë nga këto specialistë që iu ngjitën PS-së e që u hoqën nga puna nqë vitet 1992, duhej të kishin mbetur në vendet e tyre se ata ishin investimi më i çmueshëm që ishte bërë në të shkuarën e afërt dhe ata duhej të ishin trajtuar me respekt si nëpunës e shërbyes publikë e jo të detyroheshin që të shisnin banane e misra rrugëve të Tiranës. Kthimi i tyre në pushtet ishte vetëm çështje kohe dhe atëherë, po të ndodhte si duhej, do të ishte shenja më e mirë se demokracia po funksionon, anipse si marrëveshje e parisë e jo si shprehje e vullnetit të mirëfilltë të popullit. Por, si edhe e kam analizuar në librin tim, kriza e vitit 1997 është njolla më e zezë për parinë politike shqiptare të të gjitha ngjyrave, si për ata ‘blue’ edhe për këto të partisë ‘pink’ apo rozë. Problemi i të gjithëve fillonte me mënyrën se si e lanë veten për me u përdorue nga interesa të caktuara, se si erdhën në pushtet, çka vendosën për me ba, kur erdhën në pushtet, si u tallën me popullin e vet, dhe se kujt vendosën me i shërbye. Fatos Nano, Pandeli Majko, Ilir Meta, triumvirati i djeshëm i socialistëve edhe pse e riktheu vendin në normalitet, shkaktoi megjithatë mjaft probleme. Konsideratat tuaja për ta dhe gjithë tetëvjeçarin rozë të socialistëve në pushtet.
Krijoni Kontakt