Brenda një jave shkrimtari Ismail Kadare deklaron se Shqipëria duhet t’iu kërkojë falje atyre shteteve të huaja, shtetaset e të cilave u dënuan në vendin tonë gjatë diktaturës së Hoxhës. Në vitin 1985 ai boton tregimin “Vdekja e gruas ruse”, një histori për fatin e këtyre grave të ish-Bllokut komunist
Kadare: Të kërkohet falje për gratë e huaja të burgosura
Elsa Demo
Shkrimtari Ismail Kadare veçon një kategori tjetër e shumë të brishtë në radhën e viktimave të krimeve të komunizmit. Gratë e huaja dhe persekutimi i tyre në Shqipëri. Ruse, polake, a bullgare qofshin, që u martuan me burra shqiptarë të famshëm a individë të thjeshtë intelektualë që kishin studiuar në Lindje. Paranoja e spiunazhit, sidomos pas vitit 1961 kur Enver Hoxha prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, preku tragjikisht edhe familjet me martesa të përziera ku bashkëshortja dhe nëna e re me kombësi nga një vend i ish- Lindjes komuniste, shihej me gjasë si spiune me mision në Shqipëri. Të dënuar të huaj në Shqipëri kanë qenë 12 1538 gra dhe burra, pa llogaritur format e tjera të persekutimit, internimet, puna e detyruar. Enver Hoxha, ishte autor i këtyre historive. Askush nuk do të marrë vesh se çfarë ka ndodhur, madje kam frikë se shumë të huaj nuk e kuptojnë as sot se çfarë ka ndodhur në Shqipëri.
Dhe sigurisht edhe në këtë pikë, në qëndrimin që mbajti regjimi i Hoxhës ndaj këtij grupi të shoqërisë ishte i ndryshëm nga ai i regjimeve të tjera komuniste, si në Bullgari për shembull ku nuk ndodhi që gratë e huaja të dënoheshin.
Kadare bën një kategorizim më të prerë kur komenton krimet e komunizmit. “Ka krime për të cilat përgjigjet regjimi, ka krime që duhet të përgjigjet shteti. Dhe unë mendoj se shteti shqiptar duhet t’iu kërkojë ndjesë atyre shteteve prej nga vinin gratë e huaja që u dënuan në Shqipëri. Sigurisht ky është një krim i vogël në raport me krimet e komunizmit në Shqipëri, por është nga më të shëmtuarit, është hakmarrje e pastër ndaj atyre grave që i cilësuan spiune”.- komentoi dje për “Shekullin” shkrimtari.
Kjo është deklarata e dytë që Ismail Kadare bën brenda javës për të njëjtën çështje.
Vetëm të enjten kur në emisionin “Opinion” e gazetarit B.Fevziu, ai u pyet për hapjen e dosjeve, dënimin e krimeve të komunzimit dhe sigurisht për të vërtetën e historisë së familjes Rrapi dhe sidomos gruas Janulla Rrapi që rezulton të ketë denoncuar gra të huaja që përfunduan në burg. Kadare pohoi: “Ka qenë një nga shëmtitë më të mëdha të shtetit shqiptar, nuk po them më të regjimit por të shtetit shqiptar, që gratë e gjora të huaja, të mbetura në Shqipëri, pas prishjes, pas shkëputjes së Shqipërisë nga kampi socialist, u futën në burg njëra pas tjetrës, ka qenë një hakmarrje burracake. Shteti shqiptar nuk kapte dot spiunët e KGB, nuk kapte spiunët e Gjermanisë, Hungarisë, dhe në mënyrë burracake kapi gratë e tyre, i futi në burg, iu la fëmijët rrugëve. Ishin krime të regjimit, por ka disa krime që shteti merr përgjegjësi në vazhdimësi historike.”
Është apeli i përsëritur i Kadaresë për ndjesë ndaj këtyre grave. Historinë e njërës prej tyre ai ka bërë tregim me titull “Vdekja e gruas ruse” të cilin po e ribotojmë, të marrë nga vëllimi “Vjedhja e gjumit mbretëror”. I shkruar në dhjetor të vitit 1985, ky tregim do të botohej pak më vonë në revistën ruse “Novij Mir”.
05/11/2006
KATEGORIA: Politike
shekulli
------
Vdekja e gruas ruse
Ismail Kadare
Nina F. moskovite. Martuar më 1959 me një oficer shqiptar. Pas fjalëve “të dua”, erdhën shëtitjet në parkun Gorki, telefonimet nga kabinat e mbuluara me borë, dënesat s’do të më harrosh etj., etj., gjer te: qytetare Nina F. e pranon për burrë A. D. Dhe pastaj nënshkrimet, këmbimi i unazave, ardhja dhe muaji i mjaltit në Shqipëri.
Tani ajo është e shtrirë në arkivol në mes të dhomës së apartamentit, mijëra kilometra larg vendit të saj. Ka vite që s’ka marrë letër nga të vetët, (letrat ishin të rralla pas prishjes së marrëdhënieve dhe vitet e fundit pothuajse janë prerë). Ajo nuk ka ditur saktësisht kush ka vdekur e kush është gjallë në familjen e saj, ashtu sikurse ata nuk do ta marrin vesh kurrë saktësisht nëse ajo ka vdekur vërtet e, aq me pak, vitin e vdekjes.
Rrotull arkivolit një grumbull grash e qajnë në gjuhë të huaj. Janë motrat e oficerit, plaka tashmë. Për shkak të shamisë me lule me të cilën ia kanë lidhur kokën, ajo ngjan edhe më shumë ruse dhe akoma më të trishtueshme e bën kjo të qarën në gjuhë të huaj për të.
Rrallë është vajtuar një grua nga kunatat e saj me kaq ngashërim. Ky është një mendim që edhe në qoftë se nuk thuhet me zë, ndihet menjëherë. Ashtu siç ndihet shpjegimi për të: qajnë në radhë të parë vetminë e saj. E me siguri, të tyren.
Në të djathtë të arkivolit, pas shpinës së grave ngrihet një raft librash. Midis titujve, spikasin librat që flasin për prishjen me Bashkimin Sovjetik, kryesisht librat politikë të udhëheqësit të vendit. Midis tyre dhe gruas ruse të shtrirë në arkivol është dënesa e grave.
Ora e varrimit po afron. Lëvizja në apartament bëhet më e dendur, sjellin mbulesën e arkivolit, gjëmojnë gozhdët që e mbërthejnë. Pas pak autobusët me njerëzit e përzishëm ecin drejt varrezës perëndimore të qytetit.
Është një ditë e lagët, me shi. Megjithatë askush nuk largohet para kohe nga gropa. Një grua, anëtare e kryesisë së Frontit të Bllokut, mban një fjalë fare të shkurtër, ku thotë se Nina F. ishte një nënë e bashkëshorte e mirë dhe një punonjëse e ndërgjegjshme, që në punën dhe jetën e saj kishte patur përherë parasysh mësimet e Partisë dhe të udhëheqësit të saj.
Asnjë fjalë për kombësinë e saj, atë kombësi që i kishte dhënë asaj vetminë më të madhe që mund të përfytyrohet.
Lamtumirë, Nina!
Këto janë të vetmet fjalë të natyrshme që thotë anëtarja e kryesisë së Frontit.
Po më e natyrshme se ato është zhurma e baltës dhe guriçkave që bien mbi arkivol, me një gjuhë universale, shumë më të kuptueshme se ajo e njerëzve, ndonëse varrin për gruan e vdekur nuk po e jep toka e gjerë ruse, por trualli i ngushtë shqiptar, i cili mezi mjafton për varret e të vetëve.
Dhjetor, 1985
05/11/2006
Krijoni Kontakt