gsh
--
Shkrimtarja pranon për herë të parë. Por kujton: S’jam unë fajtore për dënimin
Diana Çuli: Ndjesë familjes
së poetit të pushkatuar
“Ishte një kohë tjetër, isha vetëm 25 vjeç”
-------------
Për herë të parë pas shumë vitesh, shkrimtarja Diana Çuli ka pranuar përfshirjen e saj në çështjen e dy poetëve të pushkatuar nga regjimi komunist, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Pas publikimit në Gazeta Shqiptare të akt-ekspertizës letrare të kryer prej saj në vitin 1976 ndaj poezisë së Genc Lekës, deputetja Çuli ka publikuar dje një deklaratë ku kërkon ndjesë për mendimet e saj, sigurisht të kryera në një moshë dhe në një periudhë tjetër. Ndërkohë zonja Çuli ka kërkuar që të vërtetohet edhe fakti që ekspertiza e saj nuk ka qënë vendimtare për dënimin e poetit Leka, por thjesht një material që i është bashkangjitur dosjes si plotësues. Ja deklarata e saj e plotë:
Diana Çuli
Në një nga seancat parlamentare, zoti ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, në debatin rreth panairit të librit, më sulmoi duke më quajtur përgjegjëse për vrasjen e dy poetëve, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Ky sulm u pasua nga artikuj të ndryshëm në shtyp, ku u përsërit e njëjta gjë.
Me anë të kësaj deklarate dëshiroj të bëj të ditur se ky sulm është i përsëritur prej vitesh, në varësi të interesave të ndonjë grupi të caktuar njerëzish, por edhe nga persona të lidhur me viktimat, të cilët, të lënduar nga dhimbja dhe të ndikuar nga fushata mediatike, identifikuan akuzatorin me personin tim. Theksoj se, sidomos së fundmi, ky sulm është një spekullim politik, për shkak të detyrës, për të denigruar figurën time dhe për të më ngarkuar përgjegjësi të rënda morale. Sulmi është në vazhdën e sulmeve të maxhorancës ndaj opozitës për ta inkriminuar atë. Për fat të keq, disa media të shkruara që duhet të jenë më të përgjegjshme për akuzat që lëshojnë përmes faqeve të gazetave, nuk mendohen as edhe një sekondë se përmes tyre shpërndahet një deformim i së vërtetës. E vërteta është se nuk ka patur asnjë ligj në Kodin Penal të asaj kohe që të jepte dënimin me vdekje për poezi pesimiste apo të paqarta dhe askush nuk është ndëshkuar me atë dënim për këtë arsye. Kjo është fare e qartë për këdo. Recenca si ajo e shkruar prej meje tridhjetë vjet më parë - në redaksinë e gazetës dhe jo në hetuesi, - sepse unë nuk jam paraqitur asnjëherë në hetuesi, prokurori apo gjyq për këtë cështje - shkruheshin edhe për krijimet e mija dhe të kolegëve të tjerë, madje dhe shumë më të rënda. Në atë kohë, kur kam qenë vetëm 25 vjec, nuk mendoja si sot; ai ka qenë gjykimi im për letërsinë në atë moshë dhe në atë periudhë, ashtu sic mendonte dhe shkruante shumica e njerëzve të asaj fushe. Nuk e kam ditur kush ishte autori i poezive, ku jetonte apo cfarë bënte në jetë. Nuk e kam ditur as përse ma kanë kërkuar recencën. Dhe këto i them me përgjegjësi të plotë. Padyshim, që kur e kam marrë vesh tragjedinë , në fillim të viteve ’90, jam ndjerë shumë keq dhe vazhdoj të ndihem. Jam ndjerë keq për dogmatizmin e kohës që shprehet dhe në analizën time, për koincidencën që ajo analizë imja ka përfunduar në një dosje gjyqësore dhe për tragjedinë që ka pasuar. Por, e kam të qartë se ndjesa për atë veprim të rinisë, të kryer padashur, është pak për familjen e poetit. Vepra ime e mëpasme dëshmon të kundërtën. Sot, në njëe moshë të pjekur e gjykoj me hidhërim atë që ka ndodhur. Por nga ana tjetër, është krejt e pamoralshme që të hidhet mbi mua përgjegjësia e dënimit me vdekje dhe të përdoret si fushatë. Grupi i njerëzve që sot i fryn kësaj fushate, padyshim kërkon të fshehë të vërtetën, të mbrojë akuzatorët dhe organizatorët e vërtetë të gjyqit tragjik, akuzat e vërteta me anë të të cilave poetët u ndëshkuan me dënimin kapital. Ndoshta, dikush brenda këtij grupi kërkon të mbulojë mbulojë gjurmët e veta, duke përhapur tymnaja të këtij lloji. Ky grup i errët përdor të njëjtat metoda të dikurshme, për të shkaktuar viktima të reja. E përsëris se ky sulm më është organizuar prej vitesh dhe unë jam shprehur herë pas here në shtyp, pa e anashkaluar atë. Disa vjet më parë, në një nga periudhat aktive të këtij sulmi, ndonëse nuk kisha asnjë lloj posti zyrtar, i kërkova Komisionit të Verifikimit të Figurave të më verifikonte figurën dhe më vonë ky komision më dha dokumentin ku konfermohet se nuk kam patur asnjë lidhje me Sigurimin e shtetit.
Për të qenë në transparencë të plotë me publikun dhe me detyrën time si deputete unë do ta ndjek cështjen në të gjithë elementët e saj dhe do të mbaj mbi vete ato përgjegjësi që mund të më takojnë për recencën e vitit 1976.”
Krijoni Kontakt