18/11/2006 - 09:30
• ARBËR ZAPODI
Kukes-Nuk kam para. Ju lutem më fusni në burg”. Duket si paradoks, por veç personave që i shmangen Drejtësisë e kërkohen me vite të tëra nga policia në përpjekje për t’i shpëtuar burgut, ka edhe nga ajo kategori të personave të cilët luten të futen në burg. Në fakt, ata i bën halli të zgjedhin qelinë, pas vendimeve të gjykatave, në rastet kur kjo e fundit vendos t’i dënojë me gjobë. Varfëria dhe mungesa e mundësisë për të shlyer gjobën i detyron qytetarët të pranojnë burgun, në mënyrë që të mos e paguajnë sasinë e parave që ka vendosur gjykata.
GJOBAT
Prej disa kohësh, zyra e përmbarimit në Kukës nuk ka vjelë gjobat e qytetarëve apo subjekteve të tjera, në zbatim të vendimit të gjykatës. Për shumëkënd, konvertimi i një gjobe 50 mijë lekë me 10 ditë burg, është më e leverdishme. Qarku i Kukësit është edhe më i varfri në vend, duke detyruar qytetarët të evitojnë në masë detyrimet fiskale, pagesën e energjisë, ndërhyrjet në rrjet, prerjen në mënyrë të paligjshme të pyjeve etj. Në momentin e zbulimit të veprimtarive të jashtëligjshme, ata përfundojnë në gjykatë, e kjo e fundit duke e cilësuar si kundërvajtje veprimin e tyre, i dënon veçse me gjobë, pa dashur t’i dënojë me burg. Por varfëria e tejskajshme në këtë zonë të largët malore, bën që qytetari t’i lutet prokurorisë e gjykatës për mëshirë: “Nuk kam para, të lutem ma konverto me dënimin me burg”.
KONVERTIMI
Pas vendimit të gjykatës, shlyerja e gjobës ka një afat të përcaktuar. Mirëpo në shumicën e rasteve, sipas burimeve nga zyra e përmbarimit në Kukës, gjobat nuk shlyhen brenda afateve. Pas kësaj, përmbarimi i dërgon shkresë prokurorisë dhe gjykatës. Ndërkaq, në bazë të legjislacionit, këto të fundit bëjnë konvertimin e gjobës në ditë burgu e cila njësohet sipas koeficientit, një ditë burg e barabartë me 50 mijë lekë të vjetra. Ky fenomen në rritje i shfaqur dukshëm këto muajt e fundit, është një tregues i qartë i varfërisë së kësaj treve e cila mban vendin e parë në shkallë vendi. Për gjashtë muaj janë shënuar 25 raste të tilla, ku qytetarët kanë shprehur “dëshirën” të bëjnë burg në vend që të shlyejnë gjobën.
PRECEDENTËT
Tre ditë më parë, policia e Kukësit pas një aksioni, arrestoi një person me inicialet Sh.P, 45 vjeç nga Kukësi, i shpallur në kërkim për lidhje në mënyrë të paligjshme të energjisë elektrike në lokalin e tij të vogël. Kërkohej nga blutë, sepse nuk kishte paguar gjobën e vënë nga filiali i KESH-it në masën e 40 mijë lekëve e kështu do të vuante tetë ditë burg për ta shlyer. Dy ditë më parë një ndalim i tillë në qendrën e qytetit të Krumës, në rrethin e Hasit, u bë nga blutë ndaj E. Tobli, i cili ishte gjobitur me 60 mijë lek për përdorim të një pasaporte të falsifikuar dhe që do të vuajë dënimin 12 ditë burg. Të dy këta persona janë arrestuar, pasi ata kanë kërkuar vetë një masë të tillë, në përpjekje për t’i shpëtuar vendimit të gjykatës për gjobë.
Krijoni Kontakt