RD
--

Shkrirja e Ministrisë së Drejtësisë dhe e Avokatisë dhe zëvëndësimi i tyre nga shtabi i diktaturës së proletariatit dhe "drejtësia popullore"


Si u godit drejtësia shqiptare 40 vjet më parë


Nga Femi SUFAJ*


Niveli arsimor i të gjithë prokurorëve dhe hetuesve në v.1953 dhe 1958.

Niveli Arsimor 1953 1958

Fillore 52 13

Unike 56 65

Mesme 18 21

Lartë 23 45

149 144

Dobësimi i pozitave të shtetit shqiptar si rezultat i prerjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, e detyruan udhëheqjen politike të vendit tonë të ndërmerrte disa hapa të domosdoshëm për të mbijetuar. Në politikën e jashtme siç dihet, kursi i ndërmarrë konsistonte në zgjedhjen e një padroni të ri. Në politikën e brendshme masat e marra janë njohur me emërtimin për revolucionarizimin e jetës së brendshme. Këto masa ishin për forcimin e rolit udhëheqës të partisë, luftën kundër burokratizmit, reduktimin e aparatit administrative, lidhjen me prodhimin zbatimin e vijës së masave etj. Në thelbin e tyre të gjitha këto masa kishin vetëm një qëllim rritjen e kontrollit të partisë dhe të diktatorit mbi të gjitha pushtetet dhe mbi individin. Në këtë fushatë që e udhëhiqte partia dhe personalisht udhëheqësi i saj Enver Hoxha, më 06.09.1966 në mbledhjen e Byrosë Politike i vjen radha për t'u suprimuar Ministrisë së Drejtësisë dhe institucionit të avokatisë. Kjo mbledhje nuk kishte qëllim për të bërë shkurtime në një kabinet ministror apo reformim siç ndodh zakonisht, por të godiste drejtësinë nëpërmjet futjes së saj nën kontrollin absolut të partisë.

Për ta kuptuar më qartë po japim pjesë nga fjalimi i E.Hoxhës në këtë mbledhje.

"Ne po diskutojmë çështjen sot se duhet të ekzistojë Ministria e Drejtësisë, apo jo? Në se duhet të ekzistojë, vihet pyetja, të mbahet me kopetencat që ka, apo t'i rriten, dmth t'i jepen të tjera. Apo ndoshta nuk na nevojitet fare dhe duhet ta suprimojmë? Kjo çështje na vihet për diskutim sot. Si një vend socialist në dinamizëm, në bazë të parimeve të M-L, të eksperiencës që kemi fituar, për Ministrinë e Drejtësisë, ne sot kemi arritur në disa konkluzione që i quajmë të drejta, në bazë të të cilave do të duhet të marrim masat përkatëse. Po të kaluarën, anën pozitive të këtij institucioni nuk e hedhim poshtë, pse edhe kjo përbën pjesë të së tërës. ……Kushtetutën dhe dhënien e drejtësisë i kemi drejt. Në rast se ngrihet problemi se nuk e kemi drejt bazën, d.m.th., parimin duke pranuar shkarazi që Gjykata e Lartë ka të drejtë të marrë vendime, po mbi to nuk mund të ndërhyjë askush, as qeveria që udhëheq gjithë jetën politike ekonomike, kulturore të vendit, kurse kjo sipas kësaj pikëpamje duhet të udhëheqë edhe drejtësinë, atëherë sipas kësaj pikëpamje del që edhe Ministria e Drejtësisë që është një pjesë e qeverisë duhet të ketë kompetenca në këtë drejtim. Sipas një gjykimi të tillë qeveria duhet të drejtojë edhe gjykatat. Një shtrirje e tillë e problemit atakon legjislacionin tonë, atakon ligjet dhe Kushtetutën. Ministria e Drejtësisë gjatë kohës së vet ka luajtur rol pozitiv, kjo jo se në krye të saj ka qenë njëri apo tjetri person, por se drejtësia jonë popullore shpreh vijën e drejtë të partisë dhe aspiratat e popullit, pse si çdo sektor edhe drejtësinë kurdoherë e ka udhëheq partia… Nëqoftë se mendojme se po u prish Ministria e Drejtësisë na u dobësoka diktatura e proletarjatit, do të thotë se nuk kuptohen, cilat janë funksionet e njërit apo të tjetrit organ të diktaturës së proletariatit. Ministria e Drejtësisë nuk është shtabi i diktaturës së proletariatit. Ky shtab përbëhet nga Kongresi, dhe Komiteti Qendror. Partia dhe Komiteti Qendror u kanë dhënë kompetenca Byrosë Politike, Qeverisë, Presidiumit te Kuvendit Popullor, Gjykatës së Lartë dhe Ministrisë së Drejtësisë, që të veprojnë në bazë të direktivave të tyre. Pra, koka e diktaturës së proletariatit është Kongresi i Partisë dhe Komiteti Qendror jo Ministria e Drejtësisë.

Të mendosh gjithashtu se gjykatat dhe Gjykata e Lartë janë të pavarura nga kërkush dhe të thuash nga ana tjetër se, duhet të jenë të varura nga qeveria, kjo do të thotë të mohosh drejtimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor mbi Gjykatën e Lartë dhe aq më keq të mohosh rolin e partisë për të ndërhyrë për korigjimin e vendimeve të marra nga gjykata, kur ato nuk janë të drejta, të mohosh pra rolin e partisë dhe të Presidiumit të Kuvendit Popullor, për drejtimin e drejtësisë. Si duhet t'i kuptojmë kompetencat e Byrosë Politike e të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në rast se Byroja Politike do të marrë një raport mbi gabime në veprimtarinë e Gjykatës së Lartë, ajo s'mund të marrë vendim drejtpërsëdrejti. Çështja duhet të shtrohet në rrugë shtetërore se jemi shtet dhe bazohemi në ligje. Në një rast të tillë, Byroja Politike, pasi shqyrton çështjen ngarkon anëtarët e saj që janë njëkohësisht edhe anëtarë të Presidiumit të Kuvendit Popullor, që kur të venë në mbledhje të Presidiumit ta ngrenë këtë çështje, pasi të kenë folur më parë me Kryetarin e Presidiumit që është edhe ai antarë i K.Q të Partisë, në emër të Byrosë Politike të shtrojnë çështjen. Është Presidiumi i Kuvendit Popullor, ai që ka të drejtë të thërrasë Gjykatën e Lartë dhe të kërkojë llogari për një vendim të padrejtë. Presidiumi ka të drejtë gjithashtu edhe të revokojë ligjin dhe të propozojë të shpërndahet Gjykata e Lartë. Vendimin e merr Kuvendi. Në bazë të frymës së partisë dhe Kushtetutës të ligjeve të pushtetit popullor, duke përfituar edhe nga eksperienca e B.Sovjetik dhe mësimet e Leninit, këtyre organeve ne u kemi dhënë kompetenca që ato duhet t'i zbatojnë. Ne kemi caktuar që gjykatat të jenë të pavarura në vendimet që marrin. Por dihet se Gjyka e Lartë zgjidhet nga Kuvendi si dhe organet e tjera të larta. Edhe gjykatat poshtë nuk i zgjedh ministri i Drejtësisë, por populli. Prandaj s'mund të thuhet se gjykatat janë të pavarura dhe të paprekura nga askush. Asnjë nga ne nuk është i pavarur nga vija e partisë dhe çështjes së popullit, dhe Kushtetuta këtë çështje e ka zgjidhur drejt. Gjykatat poshtë nuk janë të pavarura. Gjykatësin kur ta shoh të nevojshme mund ta thërrasi sekretari i partisë apo kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe këto t'i shqyrtojnë atij situatën që ka krijuar në parti e në popull një vrasje, dhe cili është opinioni i partisë dhe popullit për këtë çështje. Nuk mund të mendohet që gjykatat të mos influencohen nga opinioni i partisë dhe i popullit për këtë çështje.


Diktatura: Drejtësia të dëgjojë zërin e masave!


Gjersa gjykatësi pranon zërin e një dëshmitari dhe kjo është e detyrueshme, atëherë ca më tepër duhet të dëgjohet zëri i gjithë masës dhe aq më tepër i partisë. Mbi bazën e këtij opinioni, gjykatësi duhet të vendosë drejt dhe në mënyrë revolucionare. Mund të qëllojë që një ligj nuk është i plotë, këtë boshllëk gjykatësi duhet ta vërtetojë pikërisht me opinionin e partisë dhe të masave. Një gjyqtar duhet të marrë kurdoherë vendime në përputhje me frymën e partisë dhe të interesave të popullit. Kur bëhet një vrasje, ne nuk kemi si japim një vendim të drejtë pa e shqyrtuar çështjen, prandaj pyesim më parë partinë dhe ajo na jep të dhëna dhe mendimin e saj. Edhe Gykata e Lartë deri sa ka të drejtë rekursi nuk mund të privohet për të vajtur poshtë që të kontrollojë, ndihmojë dhe frymëzojë gjykatat në vijën e partisë. Edhe qeveria duhet të kontrollojë gjykatat. Kryetari i Këshillit të Ministrave është anëtar i Byrosë Politike, pra në linjën e partisë.

Është e vërtetë se ne nuk kemi kryer studime në drejtësi, por kemi 25 vjet që merremi me zbatimin e politikës së drejtë të partisë, bëjmë edhe ligje, prandaj shkolla 25-vjeçare e partisë që kemi bërë ne nuk mund të krahasohet me 25 universitete juridike.

Përsa i përket avokatisë, unë prej kohësh kam qenë i mendimit që ky funksion të suprimohet. Kë mbron avokati tek ne? Kundër kujt lufton ai? Kundër drejtësisë sonë popullore. Në esencë tek ne parashikohet që drejtësia popullore të mbrojë fill e për pe interesat e popullit, pa harruar edhe interesat e atij që është i pandehur. Kur është kështu përse ne të lëmë njëfarë avokati Suat Asllani ose Koço Dilo, që të dalin dhe të mbrojnë një kriminel, ose vjedhës para gjykatave popullore. Ç'na duhen njerëz të tillë. Në Perëndim është ndryshe, avokati atje mbron njerëz që politikisht dhe ekonomikisht janë të shtypur nga pushteti borgjez. Kushdo e di se partia i zgjidh çështjet pa avokat, bile probleme shumë më të rëndësishme e delikate, pa i çuar fare njerëzit në gjyq. Atëherë gjersa në gjykatat tona kemi organizata dhe njerëz partie, të vendosur e revolucionarë, për të zbatuar drejtësinë popullore, përse është e domosdoshme të kemi avokatë? Këta një krimineli që nuk i duhet zbutur faj, përpiqen ta nxjerrin të pafajshëm, pra nuk veprojnë drejt. Kurse po të jetë puna për ta zbutur fajin, atë e zbut gjykata jonë popullore me frymë partie dhe ndërgjegje të pastër. Atëherë përse t'i dëgjojmë në gjyq zërat e avokatëve borgjezë si ato që përmenda? Në vendet borgjeze, p.sh. në Francë ligjet janë një pyll i madh. Në radhë të parë atje është në fuqi kodi i Napoleonit, po në fuqi atje ka akoma shumë ligje të tjera të hartuara shekuj më parë, nga ato të shek 16 dhe 17. I pandehuri në Francë nuk ka si të ketë dijeni për këto ligje, që të jetë në gjendje të mbrohet, të dalë nga ky pyll i dendur e të shpëtojë nga akuza. Sa ndryshe është gjendja në vendin tonë. Ne luftojmë së pari, që ligjet të jenë të thjeshta. Për njohjen e tyre pastaj bëhet punë e propagandë e madhe që të kuptohet esenca nga të gjithë njerëzit. Tek ne bëhet gjithashtu përpjekje për ngritjen politike, ideologjike të masave. Plus gjithë këtyre, nën drejtimin e partisë i themi edhe gjykatës që këtë ose atë ligj ta zbatojë në mënyrë revolucionare, me drejtësi të plotë, në interes të popullit. Gjithë këto gjëra nuk ekzistojnë në vendet borgjeze, prandaj këto që them janë të tëra në disfavor të avokatisë. Siç del nga diskutimet, të gjithë janë dakord që Ministria e Drejtësisë të suprimohet, vetëm duhet menduar çfarë organizmi duhet krijuar prane Kryeministrisë dhe Kuvendit Popullor.

Me Vendim nr. 144 të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH datë 06.09.1966 u suprimua Ministria e Drejtësisë dhe kopetencat i kaluan Gjykatës së Lartë. Në këtë mënyrë u finalizua goditja kundër institucionit të drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të individit. U vendos kontrolli i plotë i partisë mbi gjyqësorin dhe liritë dhe të drejtat e njeriut. Ky proces kishte filluar që me instalimin e Partisë Komuniste në pushtet. Janë të dokumentuara me dhjetëra raste të ndërhyrjes së partisë dhe vetë diktatorit mbi gjyqësorin, me urdhëra konkretë për dënime të ashpëra ndaj kundërshtarëve të tij, të cilët ishin etikuar armiq të popullit. Më 1 tetor 1946, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare me një urdhër që është firmosur nga Enver Hoxha me cilësinë e Komandantit suprem të fuqive të armatosura u drejtohet gjykatave ushtarake ku thuhet: "Të gjithë ushtarakët e arrestuar nëpër divizione të kalojnë menjëherë para gjyqit ushtarak dhe vendimi i dënimit të njoftohet brenda datës 5 tetor 1946. "Brenda kësaj date u dënuan qindra ushtarakë të niveleve të ndryshmë me dënime të gjata dhe me vdekje. Kështu, Gjykata Ushtarake Gjirokastër njoftonte Ministrinë e Mbrojtjes se ka dënuar 33 ushtarakë, 8 me vdekje, 24 me burgim dhe 1 shpallet i pafajshëm. Njoftime vijnë nga të gjitha gjykatat ushtarake.


Institucioni i avokatisë thuajse kishte pushuar së ekzistuari


Institucioni i avokatisë thuajse kishte pushuar së ekzistuari shumë kohë para kësaj mbledhje të Byrosë Politike. Avokatët e kishin ushtruar profesionin e tyre nën një presion të paimagjinueshëm, jo vetëm nga pengesa artificiale që nxirreshin nga administrata e burgjeve, hetuesit dhe punonjësit e degëve të Punëve të Brendshme e Sigurimit, por edhe nga kufizimet ligjore. Në raportin e Këshillit të Ministrave më 27.08.1956 mbi kriminalitetin dhe veprimtarinë e gjyqësorit thuhet se, në gjithë Republikën ishin afërsisht 140 avokatë "shumica dërrmonjëse e tyre janë elementë me kulture të shkollave borgjeze dhe me mjaft mbeturina nga e kaluara" AQSH F.890 D.64 V.1956 fq 28. Me vendim nr. 57 datë 22.04.1967 të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH "Mbi suprimimin e avokatisë" u hoq institucioni i avokatisë, me motivin "se gjykatat dhe prokuroritë, si organe të popullit e të diktaturës së proletariatit mbrojnë ligjet e ligjshmërinë socialiste dhe të drejtat e qytetarëve, dhe se avokatia si profesion, në kushtet e vendit tonë nuk shihet e nevojshme". Shumica e avokatëve u dënua, u persekutuan dhe u dërguan në prodhim në punët më të vështira, ndërkohë që shumica e punonjësve të drejtësisë ishin të paarsimuar, thjesht militantë. Në një statistikë të muajt dhjetor 1947 mësohet se ndodheshin të burgosur 22 avokatë, 8 gjyqtarë, 4 noterë, krahas kategorive të tjera të nëpunësve të të gjitha specialiteteve. Kujtojmë se në vitin 1957, prokurori i përgjithshëm ishte me lice (arsim i mesëm i përgjithshëm) dhe z/prokurori me arsim fillor. Në këtë nivel ishin edhe punonjësit e tjerë të këtyre institucioneve. Indoktrinimi i punonjësve të drejtësisë synonte përdorimin e tyre si armë për të mbrojtur sundimin e diktatorit. Ja se si është shprehur një prokuror në Konferencën e prokurorëve më 06.08.1952: "….ne ndodhemi në një det paligjshmërie dhe se në këtë det jemi futur të gjithë, po për të dalë duhet të orientohemi nga politika e Partisë, se ajo të jetë kompasi i punës sonë, ne duhet të orientohemi dhe përvetësojmë shkencën dhe eksperiencën sovjetike…."AQSH F.492.V1952 D 6

Diskutimin e diktatorit para anëtarëve të Byrosë Politike, nuk ka ndonjë vlerë filozofike apo juridike, por të kujton rolin e monarkut të mesjetës së hershme që vendoste për gjithçka.


* Master në Histori Moderne

Z/Drejtor IEDP Vaqarr





Historia tragjike e poetit Havzi Nela, të varur në litar me vendim të Fehmi Abdiut


"Lamtumirë, atdhe i dashtun, po të la, po zemërplasun…"


Më 24 qershor 1988, në një sallë gjyqi në Kukës u zbatua urdhri i vendimit të partisë- shtet të asaj kohe. U lexua ajo që kishte urdhëruar Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë. Që kishte urdhëruar Sekretariati i këtij Komiteti.

Për tradhti e terror, Havzi Nela, dënohet me vdekje në bazë të Kodit Penal të kohës (lexo në bazë të urdhrit të ardhur nga Sekretariati i KQPPSH). Havzi Nela në gjyq tha: Ju vetëm sa përshpejtuat vdekjen time. Kërkoj drejtësi e jo mëshirë nga ju.

Pas gjyqit një orësh (sa për të lexuar urdhrat e partisë-shtet), atë e fusin në makinën e burgut. Njerëzit kujtojnë se ai zgjati kokën për të parë për herë të fundit diellin e njerëzit e shumtë që ishin në atë vend. Por një polic ia goditi kokën dhe ia futi në xhipin e burgut…

10 gusht 1998. Liria u var në litar, bashkë me të fjala e poetit antikomunist.

Në sheshin para agjensisë së udhëtarëve në Kukës lëkundej trupi i pajetë në agun e mëngjesit. Qindra sy e panë në trekëmbëshin e ndërtuar për varjen e tij, njerëzit lexuan tabelën e kartonit me mbishkrimin: "Havzi Nela, armiku i partisë dhe i popullit". Fjalët "partisë" dhe "popullit" ishin shkruar me bojë të kuqe. U tronditën. Skenë të tillë s'kish parë kurrë askush në Kukës. 54-vjeçari Havzi Nela, i varur, i shihte të gjithë në sy të dalë. Një palë pantallona doku të hollë kinez, një këmishë të hollë të zbërthyer krejt, kërthiza e barku përjashtë, opingat e llastikut veshur. Kjo ishte pamja që fiksuan të tronditur qindra njerëz që e panë, për të mos e harruar kurrë disidentin e poetin, të varurin e fundit nga diktaturat në gjithë Evropën Juglindore.

Partia urdhëroi shumëkënd të shkonte ta shihte të varurin. Që të zinte mend populli dhe të mos guxonte të shante diktaturën e sistemin komunist.

Një grua shtatzënë, sapo e pa kufomën që lëkundej në litar, dështoi foshnjën që mbante në bark. Edhe kjo një vrasje tjetër e diktaturës komuniste.

Vetëm familjarët e tij nga fshati i tij i lindjes, Kollovoz, nuk u lanë të vinin për ta parë trupin e varur të Havziut.

Havziu qëndroi gjatë në litar. Në orën 0.2 të natës së 10 gushtit ia vunë litarin në qafë dhe qëndroi ashtu i varur në shesh.

Në këtë orë, trupin e pajetë të disidentit e poetit e përplasin në karrocerinë e një makine tip "Zis", ashtu të zbuluar, dhe e shëtisin nëpër qytet që ta shihnin sa më shumë njerëz. E dërgojnë për ta varrosur disa kilometra larg qytetit, afër liqenit të Kukësit.

Kështu ia morën jetën Havziut, që mendonte ndryshe e që fliste ndryshe. Havziut që edhe pse kanë kaluar shumë vite, ende vazhdojnë ta dënojnë e persekutojnë, duke e tallur e përqeshur për krijimtarinë e tij.

Ai shkruante vjersha, këndonte mrekullisht këngë e rapsodi, ishte lirik i lindur, por nuk ishte dhe nuk synoi kurrë të shpallej mbret i poetëve, siç e shpallin ata që e kafshojnë duke e lëpirë dhe puthur…

Vjershat e tij që thurte në burg, ia dërgonte shpesh gruas së tij, Lavdies, ishin vjersha kushtuar dashurisë dhe lirisë që ia vranë.


Kush ishte Havzi Nela


Havzi Nela u lind në 24 shkurt 1934 në Kollovoz të Kukësit. Shkollën e mesme për mësues e kreu në Shkodër. Filloi shkollën e lartë pa shkëputje nga puna. Por shkollimi, si jeta, iu ndërprenë në mes.

Më 26 prill 1967, ai bashkë me gruan e tij, Lavdije Nelën, arratisen për në Jugosllavi, për një jetë pa përndjekje e persekutime.

Më 6 maj 1967, Jugosllavia e kthen në doganën e Morinit, në këmbim të kosovarëve që Shqipëria duhet t'ia dorëzonte UDB-së.

Për këtë arratisje që iu konsiderua tradhti ndaj atdheut, edhe pse ia kishin sjellë rrethanat të tilla, sigurimsat që të arratisej, ai dënohet me 15 vjet burgim më 22 maj 1967. Iu konfiskua edhe pasuria.

Gruaja e tij, Lavdije Nela, bashkë me të u dënua me 10 vjet burg.

Por edhe më 8 gusht 1975, ai rëndohet edhe me 8 vjet burg, sepse sërish po arratisej i përzënë nga atdheu që nuk e donte birin e tij, mësuesin e fëmijëve, këngëtarin e vjershëtorin Havzi. Dënohet me 8 vjet, pasi plagosi një polic në kufi.

Më 19 dhjetor 1986 lirohet nga burgu.

Një vit më vonë, më 12 tetor 1987, internohet në fshatin Arrën.

Më 24 qershor 1988, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë firmos vendimin me vdekje për Havzi Nelën.

Më 10 gusht 1988, ekzekutohet vendimi. Disidenti e poeti varen në litar në një shesh të shumëpopulluar të Kukësit, ku do ta shihnin qindra e qindra njerëz. Varet natën dhe mëngjesi e gjen duke u lëkundur në litar.


Poeti nuk u varros, por e ngulën në gropën e një shtylle, vertikalisht


Konflikti i Havzi Nelës me shtetin komunist nisi në kohën kur në Shqipëri po kolektivizohej gjithçka. Të mos kishte më "është imja", por të kishte veç "është jona".

Në një mbledhje në Shishtavec, në prill 1967, ai shprehet se nuk duhet zhdukur prona private (kjo binte ndesh me urdhrat e partisë, kundërshtarët shpallen armiq… Kolektivizimi synonte të degjeneronte familjen, synonte që gratë dhe burrat, djemtë dhe vajzat të ishin të partisë, të komunistëve, synonte që pushtet mbi gruan apo vajzën të kishte jo më burri apo vëllai, por komunisti, brigadieri, sekretari i partisë. Havziu shprehet se nuk duhen prishur kishat dhe xhamitë. Kishte nisur në Shqipëri shkatërrimi i objekteve të kultit, shndërrimi i tyre në magazina e furra buke, dënimi dhe përndjekja e priftërinjve dhe hoxhallarëve, pasi diktatori Hoxha synonte të shndërronte në fe komunizmin dhe në Zot veten e tij… S'lejohej më të bëhej be për Zotin, apo pash Zotin, por duhej të bëje be e të betoheshe për "ideal të partisë". Ndryshe ishte herezi, armiqësi… Havzi Nela, gjithashtu shprehet se "nuk duhen mohuar traditat, nuk duhet ndërruar veshja tradicionale e grave (synimi i diktaturës ishte krijimi i njeriut të ri të tipit Lejfen me veshje të njëjta, me sjellje të njëjta, me tru të shplarë… që të zhdukej identiteti i individit, tradita që dallon shqiptarin).

Kjo ka qenë gjithë herezia dhe disidenca e Havzi Nelës, derisa ndaj tij të fillonte kalvari i burgjeve dhe internimeve. Burgje që ia poqën plotësisht disidencën, ia bënë të qartë dhe të vetëdijshme luftën dhe qëndresën për idetë e tij…

Duke parë reagimet e partisë, pëshpëshet e shumta, përgjimet e përndjekjet që i bëheshin Havzi Nela, bashkë me gruan e tij, Lavdijen, më 26 prill 1967 ua lexon dhe reciton nxënësve të tij poezinë "Dallëndyshet", të Filip Shirokës, në orën e mësimit dhe niset për në Jugosllavi.

Në kufi shkruan këto fjalë në një letër. "Lamtumirë, atdhe i dashtun, po të la, po, zemërplasun…" Dhe letrën e vendos në një degë lajthie që ta gjenin kollaj ushtarët e kufirit. Ushtarë që ruanin kufirin për mos të ikur kush në Jugosllavi e për mos me ardhur kush prej Jugosllavie.

Pak ditë i mbajnë në Prizren në burg dhe i kthejnë në Morinë, pasi po këmbeheshin me disa kosovarë.

Lavdije Nela tregon se në Prizren na thoshin "jeni agjentë të Shqipërisë".

Në vitet e fundit të burgut, kur po ndiheshin erërat e ndryshimit të sistemit dhe të burgosurit politikë e ndjenin si sizmografë ndryshimin e motit, Havzi Nela i thotë bashkëvuajtësit Ismail Didës: "Ma ka nie zemra se kena me dalë prej këtij ferri. Por kena me mbyll shumë gjana dhe kena me veprue si u ka hije njerëzve me mend. Përndryshe, nuk e merr vetin kurrë Shqipëria".

Gjaku me gjak nuk lahet, se bahet një pellg tjetër gjaku, që s'e lan e s'mundet me e la kurrë të parin"…

Asnjëherë Havzi Nela nuk bëri kompromis me diktaturën e kasnecët e saj.

Ismail Dida, bashkëvuajtës që nga dita e kthimit nga Prizreni në të njëjtin autoburg, si dhe Mahmut Peposhi, rrëfenin se Havzi Nela ishte në hall edhe në burg, edhe jashtë burgut.

Kur ishte në burg, nga fjalët e guximshme që thoshte, nga akuzat e drejtpërdrejta kundër regjimit, se shumë të burgosur dyshonin tek Havziu. Edhe ndokush thoshte për të se mos është i sigurimit ky që nuk ka hiç frikë. Mos e ka futur sigurimi të provokojë të burgosurit e tjerë.

Kur ishte jashtë burgut, të gjithë e shihnin si armik të popullit e të partisë dhe nuk e kishte vendin askund.

Havzi Nela nuk pati të drejtë për një varr. Nuk pati të drejtë të varrosej si gjithë njerëzit e vdekshëm në varr, i shtrirë. Atë, policët, varrmihësit e diktaturës, nuk e shtrinë në varr horizontalisht. Nuk çelën varr për të, por e ngulën në gropën e një shtylle, vertikalisht. Në gropën e një shtylle që nuk dihej se pse e kishin shkulur. Pasi e shëtitën gjithë ditën e lume nëpër qytet për të trembur njerëzit, në mesnatë, rreth 24 orë, pasi ia vunë litarin në qafë dhe pasi e shëtitën, e ngulin në gropën e një shtylle vertikalisht…

5 vjet qëndroi në këmbë në varr. Nuk e lejuan të shtrihej e prehej si gjithë të vdekshmit.

Pasi iu gjet varri, afër fshatit Kolsh, 3 km larg Kukësit, më 20 gusht 1993, Havzi Nelës iu dha titulli i lartë "Martir i Demokracisë" nga Presidenti i atëhershëm, Sali Berisha.

Prej asaj kohe, ai prehet në fshatin e tij të lindjes, në Kollovoz.

Por prehet edhe në kujtimet dhe shpirtin e të dashurës së tij të zemrës, të gruas që e ndoqi kudo e kurdo, të gruas që diktatura synoi ta deformonte nëpër burgje e kampe përqëndrimi, prehet në shpirtin e kujtimet e Lavdie Nelës, e cila nuk rreshti së treguari e së foluri asnjë çast për burrin e saj, Havzi Nela, për burrin, i cili i shkroi dhjetra e dhjetra letra dashurie nga qelitë e burgjeve të diktaturës, për burrin që i dha jetë ëndrrave të saj, për burrin që ia varën, që ia morën nga gjiri dhe nuk i lejuan të lindnin as edhe fëmijë…

Vetëm letra nga burgu që ia ka dërguar gruas të tij, Lavdijes, Havzi Nela ka shkruar 100 copë. Pa llogaritur vjershat e shumta. Të gjitha janë, thotë Lavdija, por i ka marrë dikush që t'i përdorë për publikun.

Letrat dhe vjershat e Havziut ia kanë ruajtur me shumë zor, nëna e tij, gruaja Lavdija, vëllai Shukriu, edhe pse sigurimi i shtetit ia ka kërkuar e gjurmuar shumë ato letra.

Vëllezërit e Havzisë, duke zbatuar amanetin e besën, ia ruajtën gjithë letrat e vjershat në bahçen e shtëpisë në Kollovoz, poshtë një peme dhe shumë të mbështjella e të siguruara, për të mos u prishur. Kur ra diktatura, ata i nxorën në dritë. I pari, që është marrë me sistemimin e dokumenteve të Havzi Nelës, është Nazif Dokle, studiues.

Havzi Nela është vlerësuar shumë edhe nga autoritetet letrare të vendit. Poeti Xhevahir Spahiu shprehet: "Jam gati të dal në mes të natës e të bërtas: Nuk vriten poetët, o të marrë…"

Halit Shamata thotë se, "Havzi Nela është i pari që i kushtoi poezi Helsinkut, që në vitet 1970". Teodor Laço e cilëson si "vrasje të përjetshme të ndërgjegjes që vrau Havzi Nelën". Visar Zhiti shton: "Spanja shpreh pendim për vrasjen e Lorkës, kurse tek ne vrasësit janë krenarë".

Më 20 gusht 1993, Presidenti i atëhershëm i vendit, Sali Berisha, i jep titullin e lartë "Martir i Demokracisë".

Këtë titull ia solli në familje, në Kollovoz të Kukësit, shoku i qelive të burgut, shoku i idealeve, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Pjetër Arbnori. Ishte akti i parë i vlerësimit të figurës së Havzi Nelës në epokën e lirisë.


Rexhep Shahu

(Marrë nga Antalogjia e plagëve nën terrorin komunist)

rd