Reportazh mes të dënuarve në Burgun e Sigurisë së Lartë, Peqin. Një udhëtim në kampin ku dikur ligjin e bënin të “fortët” dhe jë thikë apo celular shitet për 2000 euro

Burgu i Peqinit, bashkejetesa mes kapove te krimit dhe boseve te piramidave

Si i shtyjnë ditët, disa nga emrat më të dëgjuar të botës së krimit, apo dhe ish-bosët e piramidave. Pendesa dhe shpresa për të dalë në liri e 800 të dënuarve

Kujtim Boriçi

Saimir Shehri (Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve):
Problemet në burgje janë të shumta, por ne jemi në zbatim të projekteve konkrete për kushte sa më të mira për të dënuarit dhe rehabilitim sa më të shpejtë të tyre, në përputhje me standardet bashkëkohore. Në këtë drejtim, Burgu i Sigurisë së Lartë në Peqin, që është më i madhi në 12 kampet tona të riedukimit, ka krijuar një traditë të mirë dhe po punohet me përgjegjësi e përkushtim, për pasurimin e mëtejshëm të saj.
Skënder Haluca (Komisioner i Avokatit të Popullit): Kohët e fundit, në burgun e Peqinit, po punohet më mirë në drejtim të respektimit të të drejtave të të dënuarve, por duhet thënë se ende ka mjaft probleme. Por, në krahasim me burgjet e tjera, këtu situata është më e mirë, e unë mendoj se mbi këtë bazë, kjo eksperiencë shpresëdhënësë që ka filluar në Peqin, të njihet e zbatohet dhe në kampet e tjera të riedukimit, gjë që mendoj se duhet ta bëjë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Shkëlqim Kalemi (Drejtor i Burgut të Peqinit): Konstatuam se problemet serioze me të cilat përballeshim kohë më parë, deri sa në shumë raste ligjin e bënin “kapot”, kishin si shkak vetëm paaftësinë, komprometimin dhe neglizhencën e administratës dhe strukturave të policisë. E nisëm që këtu, duke zëvendësuar pothuaj 100% administratën, me njerëz profesionistë e të përkushtuar, ndëshkuam deri me lirim e ndjekje penale 223 punonjës e policë, shpërblyem 225 të tjerë, krijuam kushte të mira akomodimi dhe këmbëngulëm në respektimin rigoroz të të drejtave të të dënuarve, gjë e cila po jep frytet e kërkuara.
Statistika
- Burgu i Peqinit ka 796 të dënuar
- 60 banorë të tij, janë të dënuar me burgim të përjetshëm
- 37 të dënuar janë ekstraduar nga burgjet greke e italiane
- Mbi 30 të dënuar të këtij kampi, janë nga emrat më të njohur të aktivitetit kriminal në Shqipëri, gjatë 16 viteve të fundit
- Burgu i Peqinit ka gjithsej 413 rrogëtarë, ku 57 prej tyre janë civilë e 356 policë.

Një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë në të dalë të qytetit të Peqinit, në të majtë të rrugës nacionale Durrës-Elbasan, rrethuar me mure të lartë betoni, tela me gjemba e vendroje me gardianë në çdo pikë dominuese, përmbledh “qytezën” më të populluar të të dënuarve në Shqipëri, e që quhet Burgu i Sigurisë së Lartë të Peqinit. Brenda kësaj hapësire, siç mësojmë nga drejtuesit e këtij institucioni, shtyjnë ditë-netët rreth 800 të privuar nga liria, ku 60 prej tyre, janë dënuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit me burgim të përjetshëm. Është burgu, ku nën masa të forta sigurimi, vuajnë dënimin pothuaj të gjithë emrat më të njohur të aktivitetit kriminal, që nga bosët e firmave rentiere, deri tek ish-kapot e bandave të njohura të 1997-ës, e emra të njohur të trafikut ndërkombëtar të drogës. “Kemi, sigurisht, shumë probleme, nga vetë kontingjenti i këtij kampi, mbipopullimi, përballja e paevitueshme e një kategorie të dënuarish, që kanë patur probleme mes tyre kur ishin në liri, etj., por, prej kohësh, në këtë kamp nuk e bëjnë ligjin të fortët, por rregulli, ku zbatimi i të drejtave të të privuarve nga liria merr përparësi, ku përsosja e kushteve të akomodimit, së bashku me aplikimin e metodave bashkëkohore, po japin rezultate sa më të mira drejt rehabilitimit sa më të shpejtë të tyre, na obligon që të intensifikojmë më tej punën e përpjekjet tona”,- pohon për gaztën Shkëlqim Kalemi, drejtor i këtij burgu, i cili ende nuk e ka mbushur vitin në këtë detyrë.

Si e bënin ligjin të fortët

Para se të futeshim në qelitë e mjediset e burgut të Peqinit për të kontaktuar banorët e kësaj qyteze, Zija Teferiçi, drejtor i Policisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, na kishte treguar se jo shumë kohë më parë, në këtë burg, e bënin ligjin ish-kapot e krimit. Ishin ata, që jo vetëm komandonin, fyenin e deri torturonin të dobëtit, por nuk përfillnin, përçmonin e shanin dhe gardianët. U krijua një situatë e tillë, sa shumë nga të burgosurit, nga frika e kapove, nuk guxonin që të dilnin dhe në ajrim, duke qëndruar me javë e me muaj pa dalë nga qelia e tyre. “Edhe unë nuk kam dalë deri në disa javë, me thënë të drejtën, pasi na rrihnin, na shanin, e nuk kishim ç’bënim”,- thotë H.N., 47-vjeç, nga Shkodra, që vuan dënimin prej 12-vjet burg në këtë kamp. Shkëlqimi, drejtori i burgut, na thotë se, që në emërim u përball me këtë situatë skandaloze që duhej përmbysur. Tregon se verifikoi situatën, e arriti në konkluzionin se shkaktarë ishin gardianët, deri tek shefat kryesorë të policisë në administratën e burgut. Ata, në disa raste, shton më tej ai, ishin tulatur para presionit të “kapove”, në disa raste ishin kompromentuar, e në raste të tjera, si pasojë e neglizhencës e përfitimeve të policëve të veçantë, të dënuarit pajiseshin deri dhe me thika e celularë. Në këto kushte, nisën ndëshkimet. Në pak kohë, sipas statistikave që afrojnë drejtuesit e këtij burgu, u ndëshkuan 223 policë, ndërsa, pothuaj e gjithë administrata e shefat e drejtorisë së institucionit, u zëvendësuan me të tjerë persona. “Kapot janë tulatur, u janë minimizuar hapësirat për të bërë ligjin, por ne kemi ende punë, pasi ka ende mes punonjësve tanë të paaftë, deri dhe të korruptuar, që abuzojnë me detyrën, punonjës e gardianë, që për përfitime personale, vihen në shërbim të të dënuarve që kërkojnë hapësira e mundësi për rrëmuja e trazira”,- shton drejtori Kalemi.

Të ekstraduarit ndjehen te harruar

Kujtim K. 32-vjeç, nga zona e Belshit Elbasan, është një nga 36 të ekstraduarit nga Greqia që vuajnë dënimin në burgun e Peqinit. Teksa e takojmë në një nga mjediset e sigurisë së zakonshme të kampit, ai na tregon se ai dhe shokët e tij, ndjehen më të diskriminuarit e burgut, jo nga kushtet apo trajtimi që u bëhet, por nga neglizhenca e strukturave shtetërore, që sipas tyre, nuk u krijon mundësitë e ndreqjes së padrejtësisë së dhënë nga drejtësia greke. “Ne, pothuaj të gjithë jemi dënuar në Greqi për trafik bimësh narkotike, por jemi dënuar pa përkthyes, e për 1 kg kanabis jemi dënuar deri 15 vjet burg, kur bashkëpunëtorët tanë, shtetas grekë, janë lënë të lirë”,- shton ai. 32-vjeçari, tregon se është dënuar 11-vjet, pasi së bashku me punëdhënësin e tij në Selanik, po dërgonin në shitje, tek një klient në periferi të qytetit, një kilogram e gjysëm hashash. Në gjyqin që nuk zgjati as 10 minuta, pa përkthyes, greku u la i lirë, ndërsa ai u dënua 11 vjet burg. “Shpresuam që me ekstradimin në Shqipëri, të gjenim drejtësi, të konvertohej dënimi, të ulej ai, por asgjë nuk po bëhet për ne, ndonëse ka mbi dy vjet që kemi bërë dhjetëra letra e telegrame tek krerët e drejtësisë dhe të shtetit”,- shton ai. Në ato mjedise ku është dhe Komisioneri i Avokatit të Popullit, Skënder Haluca, pothuaj të gjithë të ekstraduarit nga Greqia ngrenë këtë shqetësim. Teksa të dënuarit thonë se ndjehen të diskriminuar, të neglizhuar nga drejtësia shqiptare, për specialistët mendohet se përballë hapësirave të kufizuara ligjore, për rishikim të vendimit të drejtësisë greke, një nga mundësitë mbetet një amnisti apo falje e mundshme e Presidentit të Republikës që pritet të aplikohet nëntorin që vjen. Në listën me rreth 400 emra përfitues të kësaj kategorie, që po përgatitet të hartohet në sistemin e burgjeve, pohojnë burimet për gazetën, mendohet të përfshihen dhe një pjesë e mirë e të ekstraduarve nga burgjet greke, aktualisht banorë të qelive të Peqinit.

Një thikë në qeli, 1500 Euro

Një mjet i ndaluar i futur në qeli (thikë) paguhet deri 1500 Euro, ndërsa një celular i futur ilegalisht nga gardianë të korruptuar, shkon deri në 2000 apo më shumë Euro. Drejtori i Burgut të Peqinit, na tregon se ditë më parë, një nga gardianët tentoi të fuste në qeli një thikë, por u kap nga kolegët dhe u denoncua. U zbulua gjithashtu, se gardiani e kishte ndërmarrë këtë veprim në këmbim të 1500 Euro-ve. “Gardiani u nxor në lirim dhe i është dhënë drejtësisë”,- shton Kalemi. Që nga fillimi i vitit, shtojnë drejtuesit e burgut, janë bllokuar rreth 40 celularë të futur në qeli, e në të shumtën e rasteve, futja e tyre është bërë me dijeni apo nga neglizhenca e gardianëve, apo dhe nëpërmjet ushqimeve që sjellin familjarët. Në listën e gardianëve të nxjerrë në lirim, shumë prej tyre e kanë pësuar nga futja në qeli e mjeteve ilegale të komunikimit.

“VIP-at” e djeshëm, të barabartë me bashkëvuajtësit e tjerë

Vehbi Alimuça, ish-bosi i njohur i firmës “Vefa”, kohët e fundit është transferuar nga një mjedis i spitali të burgut të Peqinit, në një kthinë të mjedisit të observimit. I kanë mbetur rreth 6-vjet, që të shlyejë dënimin e dhënë nga drejtësia, por tashmë i duhet të përballojë jo vetëm vetminë e qelisë, por dhe shqetësimin e vazhdueshëm të sëmundjes së diabetit. Rrinte deri vonë në një dhomë me nipin e tij, por, për teka të moshës e sëmundjes, kërkoi të rrinte vetëm e ja plotësuan dëshirën. Në mjediset e burgut të Peqinit, janë rreth 30 të dënuar të tjerë “VIP”, por që kanë statusin e barabartë me të dënuarit e tjerë të thjeshtë. “Gjeneralë” apo “të tmerrshmit” e djeshëm, bosët e piramidave “Gërxhalliu”, “Kamberi”, të tjerë si, “Gaxhai”, “Kartela”, Kateshi, Koçiu, Bërballa, Arben Grori etj., nuk dallohen nga të tjerët. Na thonë se jetojnë nga dy vetë në një dhomë, ndërkohë që privilegji i vetëm i tyre, është se familjarët u sjellin ushqime të bollshme e cilësore. Një prej të dënuarve me burgim të përjetshëm, poeti Taulant Balliu, ndryshe nga të tjerët, në dhomë ka dhe kompjuterin. Ka botuar deri tani katër libra e ka në përfundim të pestin. “Jeta e burgut është ferr, sado masa të merren për kushte e zbatim të të drejtave, por na mban gjallë shpresa e besimi tek Zoti”,- shton ai. Ai është një nga 58 të burgosurit e Peqinit, që këto ditë agjëron. Ka mundësi gjithashtu, që në një mjedis të veçantë, ai dhe shokët e tij të kryejnë ritet e faljes.

Rreziku që mund të sjellë një pakujdesi

Mes të dënuarve me burgim të përjetshëm në qelitë e Peqinit, është dhe K.T., 40-vjeç. Është në një dhomë me një bashkëvuajtës, dhe ky me të njëjtën masë dënimi, në mjediset e sigurisë së lartë të burgut të Peqinit. Nuk dëshiron të bëj foto e t’i përmendet emri i plotë në gazetë, por në bisedë e sipër, pohon një realitet konkret, neglizhenca e të cilit mund të kushtojë shumë. “Unë nuk kam shpresë të dal që këtej, pasi gjithë shkallët e gjyqësorit shqiptar më kanë lënë në burg të përjetshëm, por shpresoj, pasi shpresa vdes e fundit”,- shton ai. Nuk mungon gjithashtu të konfirmoj dhe se ku e ka këtë shpresë: “Unë nuk kam ç’humbas, por po gjeta rastin të iki, do të arratisem, qoftë duke bërë dhe një mëkat tjetër”,- shton ai. Drejtuesit e burgut të Peqinit, na konfirmojnë gjithashtu, se emra të njohur të krimit që vuajnë dënimin këtu, ndonëse me mundësi të kufizuara e nën kontroll të gardianëve e punonjësve të shërbimit, përpiqen që të diktojnë dhe në mjedise jashtë qelive, të japin deri dhe urdhra për aktivitet kriminal. “Ka dhe ndonjë rast që aktivitete kriminale që ndodhin jashtë burgjeve, projektohen e urdhërohen dhe nga të burgosur të qelive”,- na pohon drejtori Kalemi. Bashkërendimi i punës me organet e specializuara, shton më tej ai, ka bërë që në disa raste të parandalohet aktiviteti kriminal i planëzuar nga brenda qelive të burgut.

Gazeta në qeli

Nuk ka shumë kohë, që në qelitë e burgut të Peqinit futet dhe gazeta. “Ne nuk kemi punë tjetër, e lexojmë rresht më rresht gazetën, njihemi me ç’ndodh jashtë telave me gjemba, por me thënë të drejtën, në të shumtën e rasteve, në vend të që gjejmë pak optimizëm, përballemi me kronikën e zezë, me problemet e shumta e të vështira që përballen shqiptarët”,- na thotë Naimi, një ish-mësues që vuan dënimin 7-vjet për trafik bimësh narkotike. Drejtues të burgut, na thanë se në këtë kamp, për të dytën herë rresht, bëhen abonime në gazeta. “Radhën e parë kishim pak abonime, ndërsa për gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, kemi më shumë se 100 abonime të të burgosurve në gazetë”,- na tregon drejtori Kalemi. Në statistika mësuam se më e preferuara e abonentëve të qelive, ishte gazeta “Shekulli”. “Unë kam bërë tre letra me problemet tona në gazetën tuaj, e dy prej tyre janë botuar. Na pëlqejnë shumë shqetësimet që ngrini në letrat e popullit, por dëshirojmë që dhe për ne të burgosurit të shkruani më shumë, se ne jemi të harruar, të nëpërkëmbur nga shteti e shoqëria, që mesa duket i ka larë duart me ne, pasi jemi mbyllur brenda mureve të betonit”,- pohon Florin Çupi.

Drama e familjarëve

Që në orët e para të mëngjesit, në mjediset e jashtme të Burgut të Sigurisë së Lartë të Peqinit, shikon me dhjetëra apo dhe qindra familjarë me çanta ushqimesh në duar, që presin takimet e planëzuara me njerëzit e tyre. “Minimalisht, çdo ditë, realizohen 100 takime të të dënuarve me familjarët, por ka raste që ky numër shkon dhe 150 apo 200 në ditë. Pa bërë fjalë këtu për takimet speciale. Sigurisht, kemi probleme, pasi kontrollet dhe siguria kërkojnë kohë e forca, por ne kemi marrë masat që gjithçka të shkojë normalisht”,- shton drejtori Kalemi. Por burgun e të afërmve të tyre, në njëfarë mënyre e vuajnë psikologjikisht dhe ekonomikisht dhe familjarët. “Unë kam dhe dy fëmijë të tjerë, por në shtëpi rrimë me bukë thatë, e djalit që më është dënuar për drogë 11-vjet, i sjellim çdo javë ushqime. Shes qumështin e lopës së vetme, që kemi e sjellë ushqime këtu”,- shton e moshuara Naile K., nga Manza e Durrësit. Mësojmë gjithashtu, se ende norma ushqimore e të burgosurve është ajo e 20 viteve më parë, e se vetëm më 1 janar të vitit 2007, për të dënuarit, do të nisë kuota e re ushqimore. Një pjesë e mirë e të dënuarve të burgut të Peqinit, për shkak të kuotës së ulët të ushqimit, mezi arrijnë të ngopen me bukë.

Shpresa

“Po të isha në të njëjtat kushte sot, kurrë nuk do të vrisja, nuk do të bëja krimin që bëra, por koha nuk kthehet më; unë tani po vuaj atë që bëra, e shpresoj vetëm tek Zoti”,- na tha mes të tjerave N. Halimi, një i dënuar me 25-vjet burg, pasi ka vrarë para 8 vjetësh një lypës për t’i marrë paratë. Ndërsa një 38-vjeçar nga Rrogozhina, që ka vrarë të dashurin e gruas e vazhdon të vuajë dënimin, ka një “merak”: nuk arriti që të vriste dhe ish-gruan, e cila mundi t’i shpëtojë. Por, gjithsesi, edhe ai thotë se shpreson të prekë një ditë lirinë. Janë rreth 800 të dënuar në këtë kamp të sigurisë së lartë, që vuajnë ditë-netët në qeli, për krime nga më të rëndat, por që gjithsesi, shpresojnë...




22/10/2006

Shekulli