Qeveria shqiptare ka hedhur për herë të parë në treg, borxh me afat me më shumë se dy vjet. Ditën e djeshme, në tregun e letrave me vlerë janë hedhur 6.36 miliardë lekë, obligacione me afat pesëvjeçar. Hedhja në treg e obligacioneve është konfirmuar nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili deklaroi dje se zgjatja e maturimit të letrave me vlerë të emetuara nga qeveria, ka rritur nevojën dhe nxitjen për zhvillimin e tregut sekondar të tyre. “Likuiditeti i kërkuar nga Ministria e Financave duhet të tregtohet në treg dhe jo nga Banka e Shqipërisë, në kushtet e një tregu privat. Afati 5-vjeçar do ta mbajë tregun likuid dhe letrat me vlerë, të tregtueshme”,- tha guvernatori Fullani. Hedhja në treg e këtyre letrave me vlerë do të bëjë të rrisë fleksibilitetin e tregut sekondar të letrave me vlerë, ku pjesëmarrësit do të kenë mundësi të blejnë dhe shesin borxhin e qeverisë deri në afatin e maturimit. Investimet në bono thesari dhe obligacione të qeverisë janë bërë mjaft të leverdisshme kohët e fundit, për qytetarët dhe institucionet financiare, pasi interesat e tyre janë më të larta, krahasuar me format e tjera të investimit të ofruara nga bankat e nivelit të dytë. “Në këtë drejtim BSH po punon intensivisht për ngritjen e infrastrukturës së nevojshme për lehtësimin e veprimeve në tregun sekondar të letrave të qeverisë. Më konkretisht, zbatimi i sistemit të lëvizjes të njëkohshme të fondeve dhe të pronësisë (DVP) vitin tjetër, përbën një hap të rëndësishëm. Përveç kësaj, Banka e Shqipërisë po punon për informatizimin e regjistrit të letrave me vlere të mbajtura prej saj, gjë që do të ndihmojë njëkohësisht edhe zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të tregut të parasë”,-nënvizoi Fullani. Ndërkohë ministri i Financave, Ridvan Bode e konsideroi hedhjen në treg të obligacioneve mne afat pesë vjeçar si lajmin ekonomik më të rëndësishëm të vitit. “Duhet ta dini se ne kemi një deficit buxhetor kumulativ apo një borxh publik, i cili është i barabartë me dy herë e gjysëm PBB-së të Shqipërisë që do të realizojë vitin që vjen. Pra është një borxh i marrë gjatë viteve ’97-’01 nga ana e qeverisë dhe që na mbetet detyra për ta menaxhuar, për ta administruar, për ta shitur e për ta blerë. Janë letra me vlerë. Ju e dini që qeveria aktualisht nuk merr borxh të brendshëm. Sasia e borxhit të brendshëm që merr qeveria është më e vogël se shuma e interesave që paguhen për këto borxhe të vjetra të marra nga qeveritë e mëparshme. Ne mundësuam gjatë këtij viti dy elementë, ta menaxhojmë borxhin me një kosto më të ulët dhe sipas parashikimeve dhe programit që bëmë vitin e kaluar me Fondin. Ne mundësuam që këtë vit borxhi të shërbehet me 40 milion USD më pak”,- tha ministri Bode. Sipas tij, emetimi i këtyre obligacioneve do të zgjidhë përfundimisht problemet që kanë të bëjnë me deficitin që do të merrej gjatë muajve të fundit dhe impaktit të tij në inflacion.
Borxhi
Deri tani Banka e Shqipërisë ka shitur për llogari të qeverisë borxh me afat maksimal deri në dy vjet. Vitin e shkuar, nga vetë zyrtarë të qeverisë është hedhur ideja e emetimit të eurobonove, ku boxhi i qeverisë të tregtohej në tregjet financiare evropiane. Gjithashtu, parashikohet tregtimi i borxhit të qeverisë në valutë, duke kërkuar zgjerimin e tregut edhe me emigrantët shqiptarë. Aktualisht, interesat e bonove të thesarit janë më të lartë se vetë interesat e depozitave në lekë. Interesi mesatar i depozitave me afat 3-mujor në bankat e nivelit të dytë, është rreth 4.5 për qind, ndërkohë që në ankandin e javës së shkuar interesi ibonove me afat 3-mujor e kaloi nivelin e 6 për qindëshit. Që prej fillimit të vitit, Banka e Shqipërisë ka shitur rreth 367.22 miliardë lekë bono thesari, për llogari të Ministrisë së Financave, ndërkohë që vitin e kaluar ka shitur rreth 465.2 miliardë lekë.

Shekulli