10 premtimet e përmbysura të Berishës
Shtyllat e fushatës së 3 korrikut rezultuan flluska sapuni. U bë e kundërta
Dardan Malaj
Kryeministri Berisha dhe qeveria që drejton rezulton të kenë dalë bllof në dhjetë prej premtimeve të mëdha të dhëna para 3 korrikut 2005. Mazhoranca e djathtë, në 15 muaj pushtet ka treguar se nuk arriti të realizojë ato çka u betua para votuesve. Madje, në shumicën e rasteve, qëndrimet janë krejt të kundërta dhe shumica
ka bërë të kundërtën e atyre që premtoi. Ndonëse ndryshimi i qëndrimeve mund të konsiderohet diçka normale, shefi aktual i qeverisë nuk ka pranuar asnjëherë se ka gabuar në konstatimet e tij në fushatë.
Kazino & Kakome
Në fushatën për zgjedhjet e 3 korrikut, lideri i opozitës së atëhershme premtoi se nuk do të lejojë ndërtimin e kazinosë në qendër të Tiranës. Tenderi i licencës për ushtrimin e aktivitetit të kazinosë, të fituar nga firma "Hyatt Regency Hotels & Turism", u anatemua nga Kryeministri në detyrë, kur ishte në opozitë, si një lavatriçe që do të pastrojë, sipas tij, paratë e pista të fituara nga Kryeministri i atëhershëm, Fatos Nano. Por krejt ndryshe ndodhi pas korrikut ndërsa kazinoja vazhdoi aktivitetin e saj në të njëjtin vend. Dhe qeveria veçse negocioi për të zhvendosur kazinonë, duke deklaruar se firma sipërmarrëse ka dhënë këtë premtim. Berisha, gjithashtu, gjatë premtimeve të tij elektorale kundërshtoi ashpër deri kërkoi anulimin e lejes së dhënë nga KRRTRSH-ja, për ngritjen e një kompleksi turistik, në Kakome. Duke hedhur gjithashtu, akuza se kjo iniciativë e ndërmarrë në qeverisjen socialiste ka si synim primar grabitjen e pronave legjitime. Ndryshe nga betimi i tij për anulim të kontratës së lidhur nga qeveria shqiptare me "Club Med", sapo ai të vinte në pushtet, Berisha tashmë ka ftuar këta investitorë të vijnë të zhvillojnë aktivitetin e tyre.
Telekom & EFT
Çështja tjetër ka të bëjë me privatizimin e Albtelekomit. Lideri i opozitës së atëhershme doli hapur kundër shitjes së kësaj kompanie shtetërore firmës turke "Calik Energie". Privatizimi i Albtelekom ishte në qendër të akuzave elektorale të opozitës, ndërsa u akuzua atëherë qeveria socialiste për një aferë me një korrupsion me miliona euro. Në vijimësi të kësaj, më 27 maj 2005, Berisha pohoi se procesi i privatizimit kishte një synim të dytë, pastrimin e parave. Në vizitën e fundit në Turqi, Kryeministri i tanishëm, Sali Berisha, ftoi investitorët turq të vinin në Shqipëri. Ndërsa premtoi se për privatizimin e "Albtelekom" do të rishikohet raporti i auditimit, çka u përkthye si mbështetje për "Calik Energie". Berisha akuzoi kompaninë zvicerano-serbe EFT se kishte lidhur marrëdhënie korruptive me ish-kryeministrin Fatos Nano. Sipas Berishës, 25% e fitimit nga kontratat që lidheshin për importin e energjisë mes KESH dhe EFT, kalonin në xhepat e shefit të qeverisë socialiste. Por krejt ndryshe, pas ardhjes në pushtet, të djathtët nënshkruan kontratë me këtë kompani me prokurim të drejtpërdrejtë për furnizimin me energji për vendin tonë në vlerë totale 4536000 euro. Kontrata filloi në janar dhe mbaroi në fund të marsit 2006.
Universitetet & bordet
Vendimi i qeverisë "Nano" për ngritjen e tri universiteteve përkatësisht në Durrës, Fier e Berat u kundërshtua nga opozita e asaj kohe. Ato universitete ndonëse filluan deri diku punën u detyruan të mbyllen. Por vetëm para pak ditësh qeveria miratoi hapjen e Universitetit të ri në Durrës. Gjithashtu, Berisha premtoi para shqiptarëve se nuk do mund të kishte njeri që të merrte nga dy-tri rroga në bordet e institucioneve shtetërore. Krejt ndryshe nga kjo, rasti i drejtorit të Aviacionit Civil, Gazmend Dibra, tregoi se merr disa rroga dhe ka katër vende pune.
Parku & prokurimet
Lideri i opozitës së para 3 korrikut pati kundërshtuar ashpër edhe ndërtimin e parkut energjetik në qytetin e Vlorës. Kjo duke dhënë edhe shumë argumente se pse një nismë e tillë nuk duhej të konkretizohej. Ndërsa pas ardhjes në pushtet, Berisha ka pohuar se nisma nuk ka asgjë të keqe, ndërsa tashmë është hapur një tender për të konkretizuar çdo gjë. Edhe premtimi tjetër se nuk do të realizoheshin më prokurime të drejtpërdrejta duket se deri tani nuk është realizuar. Mjafton të përmendet tenderi i hapur në vlerën 600 milionë $ për ndërtimin e rrugës Durrës-Morinë.
Çimento & Fjalimi
Kryeministri Berisha pak muaj më parë në një aktivitet të prezantimit të strategjisë së qeverisë për energjinë përsëriti fjalimin e Nanos. Duke mos ditur se po bënte një gjë të tillë, kreu aktual i ekzekutivit, kishte lexuar fjalë për fjalë të gjithë platformën e socialistëve për zhvillimin energjetik të vendit. Skandali u zbulua nga "Top Channel" pasi u ballafaqua fjala e Berishës me atë të ish-kryeministrit Nano. Dhe kjo u shoqërua vetëm me largimin nga puna të një drejtuesi nga stafi i kryeministrit. Lideri i opozitës së para 3 korrikut 2005 kishte dalë gjithashtu kundër ushtrimit të veprimtarisë së fabrikës së çimentos në Fushë-krujë. Por vetëm pak ditë më parë Berisha ushtoi drejt Fushë-Krujës për të përuruar fabrikën e çimentos, një investim prej 150 milion dollarësh, i kryer nga kompania "Seament Holding".
Krijoni Kontakt