Reagon shkrimtari pas deklaratës së ambasadorit grek në Tiranë
Godo kundër hapjes së shkollave greke
“S’na duhet greqishtja të merremi vesh me botën”
artemida Çollaku
a.collaku@gazetashqiptare.com
Presidenti i Nderit i Asamblesë së Republikanëve, Sabri Godo ka replikuar nga Korça për deklaratën e bërë nga Ambasadori grek për hapjen e shkollave greke edhe në qytetin e Korçës. “Ambasadori grek kërkoi që të hapet shkolla greke në Korçë. Ne nuk na duhet greqishtja që të merremi vesh me botën”, - u shpreh shkrimtari i njohur, Sabri Godo gjatë një forumi republikan të zhvilluar në qytetin e Korçës. Në konsideratën e republikanit Godo, gjuha greke nuk ka vlera dhe nuk i vjen në ndihmë popullit shqiptar në rrugën që ai ka nisur për integrimin në Bashkimin Evropian. “Greqishtja na duhet që të merremi vesh me grekët. Për të komunikuar me botën, na duhet të mësojmë anglishten”, - shprehet Godo.
Ndërhyrje?!
Shkrimtari i njohur duket se e ka shikuar si një ndërhyrje në punët e shtetit shqiptar deklaratën e bërë nga Ambasadori grek, për hapjen e shkollave në gjuhën greke edhe në zona ku nuk ka popullsi minoriteti. “Ne e dimë vetë se ç’shkolla na duhen, dhe çfarë gjuhe të huaj të mësojmë. Nuk është ambasadori ai që do të na mësojë se ç’të bëjmë me shkollat e ç’të mësojmë”, - nënvizoi republikani Godo gjatë fjalës së tij. Ai ka bërë të ditur se në qarkun e Korçës nuk ka pasur asnjëherë minoritet grek dhe grekfolës. Sipas tij, nisur nga një situatë e tillë, Ambasadori grek nuk ka asnjë arsye për të kërkuar hapjen e një shkolle ku të mësohet gjuha greke. “Në të tilla zona, Ambasadori grek s’ka ç’kërkon një shkollë greke”, - tha Godo.
Konfliktet
Nuk është hera e parë që kërkesat për hapjen e shkollave në gjuhen greke kanë sjellë reagime të forta nga politikanët shqiptarë. Për një periudhë, të gjatë në media u ngrit shqetësimi për hapjen e një shkolle pa leje në Himarë. Në Ministrinë e Arsimit ishte depozituar një kërkesë që në programin mësimor të një shkolle që do të hapej në Himarë, të ishte edhe gjuha greke. Dosja e paraqitur nga shoqata për hapjen e shkollës bazë ( 9-vjeçare) u shqyrtua nga Komisioni i Vlerësimit të Kërkesave për Licencim të Institucioneve Arsimore Private në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Por ende pa marrë një vendim ministria, shkolla në Himarë u hap. Sipas zv/ministrit të Integrimit, Albert Gajo, “në kushtet e integrimit nuk shoh ndonjë të keqe që fëmijët të dinë disa gjuhë dhe t’i përdorin më pas. Ata do të kenë nevojë t’i përdorin ato dhe Evropa e Bashkuar nënkupton ndër të tjera kompletimin e diturisë për të përballuar këtë bashkim”.
Deklarata
Dy ditë pasi kishte marrë detyrën si ministër i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj deklaroi se hapja e shkollave greke në vendin tonë ishte një çështje që po shikohej me shumë kujdes nga kjo qeveri. “Kam vetëm disa ditë në këtë detyrë, por do të studiojmë çështjen e shkollës në Himarë, por jo vetëm për Himarën, por do të studiojmë në mënyrë të përgjithshme çështjen e arsimit dhe shkollave të minoritetit grek, në mënyrë që të mbulohen boshllëqet dhe të hapen atje ku nuk ekzistojnë”, - tha ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj në një intervistë në agjencinë e lajmeve shtetërore greke “ANA”.
Krijoni Kontakt