Polemika Milo-Kadare : “ATDHEU ËSHTË PRONË E ATYRE QË NUK E BRAKTISIN NË DITË TË KËQIA”
Polemika Milo-Kadare / Historiani i përgjigjet akuzave për lidhjet me komunizmin
Milo: Kadare, kërkoju falje Janullës dhe djalit të saj, Renato Rapi
“ATDHEU ËSHTË PRONË E ATYRE QË NUK E BRAKTISIN NË DITË TË KËQIA”
Shkruan: Paskal Milo
Brenda një harku të shkurtër kohor, Ismail Kadare me një mungesë të theksuar etike, për kulturën dhe moshën e tij, është përpjekur të fyejë një numër personalitetesh të shkencës, të historisë e të politikës shqiptare. E kam fjalën për akademikët Kristo Frashëri dhe Rexhep Qosja, për prof.dr. Pëllumb Xhufi e shkrimtarin e ministrin e punëve të jashtme të Shqipërisë, Z. Besnik Mustafaj. Mllefit të tij të njohur karakteropatik tani së fundi dhe në mënyrë publike e të hapur, nuk i shpëtova as edhe unë.
Pyetja që unë kam shtruar është se përse ky njeri i letrave, shkrimtar me emër ka nisur një ofensivë të tillë shpifëse dhe ka hapur kaq “fronte lufte” kundër të tjerëve? Pse po përforcon namin e përhapur që shumë vite më parë se është një sherrxhi që zihet edhe me këmishën e vet? Unë mendoj se Ismail Kadare është në një krizë personale e morale. Ai ishte mësuar në periudhën e komunizmit të ishte në qendër të vëmendjes, i përkedhelur, i rrethuar jo pa të drejtë edhe me nderime. Ai ishte anëtar i Partisë së Punës, deputet, nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë, me një fjalë pjesëtar i nomenklaturës komuniste. Vepra e tij më e mirë letrare dhe që i dha emër dhe famë u prodhua pikërisht në këtë kohë, e nën atë regjim. Pasi braktisi vendin në vitin 1990, atje ku shkoi për një farë periudhe nuk e ndjeu boshllëkun, por shumë shpejt u pa se nuk mund të shkruante letërsi të madhe, konkurruese në një mjedis që kishte shije e kërkesa të larta për letërsinë bashkëkohore. Për rrjedhojë, në mënyre graduale filloi të largohej nga letërsia e mirëfilltë e të shkruante më tepër ese ose sprova siç ka qejf vetë Kadareja t’a thotë. Por kjo nuk mund t’i siguronte më atij atë kujdes e ato ndere që tregohej e bëheshin kur ai shkonte në Paris nga Shqipëria komuniste ose kur e braktisi atë. Atëherë e gjeti të udhës e më të lehtë që të bëhej gjykatësi suprem i politikës dhe i politikanëve shqiptarë duke prerë djathtas e majtas, u përpoq, herë mirë e herë keq, të bëhej referenca ekskluzive e nacionalizmit shqiptar dhe të ndërtonte njëfilozofi bashkëkohore të tij me sfond evropian ku ai të mbetej përsëri në qendër. Egocentrizmi është thelbi i qenies së tij. Ai ka filluar të rrënojë emrin që ndërtoi me talentin e tij letrar sepse nuk kontrollon pasionet e verbëra që e shtyjnë kundër gjithçkaje apo të gjithë atyre që mendon se i bëjnë hije për të qenë ai dhe vetëm ai i pari në letërsi, në histori, në politikë, në etnologji apo sociologji. Ky është thelbi i krizës së tij
***
Nga pikëpamja intelektuale, jam i zhgënjyer nga replika e Zotit Kadare. U ngjante pothuajse atyre zhgarravinave që janë botuar e botohen me bollëk kundër meje e kolegëve të tjerë të së majtës në gazetën e mikut të tij “55”. E ka shkruar me nervozizëm, ka anashkaluar argumenta, pa fakte dhe nuk u ka dhënë përgjigje çështjeve që unë vetëm se i përsëritja, se ato i dinë e i njohin një shumicë shqiptarësh. Po e përsëris dhe një herë se Kadare po bën gabime të rënda në fushën e historisë. Këshilla ime miqësore do të ishte: Rrini në letërsi, aty ku jeni shquar e lexoheni, mos u ngatërroni në histori se nuk është fusha juaj e studimeve. Mos diskutoni çfarë duhet e si duhet t’a bëjnë historianët punën e tyre dhe nuk jeni ju as dhe ndonjë pasues i juaj që do të vlerësoni historianët dhe nivelin e tyre. Të paktën, Kadare duhej të kishte dëgjuar akademikun e nderuar, enciklopedinë e gjallë të historisë, Kristo Frashëri, që i dha mësime elementare historiografike e sidomos, një nga parimet bazë të historiografisë si shkencë, raportin midis faktit historik dhe interpretimit të tij. Asnjë fakt historik, i mirë apo i keq, nuk mund të fshihet, të çbëhet, të varroset apo të harrohet. Liria në interpretimin e tij, shumëllojshmëria e këndvështrimeve në gjykimin e tij ka qenë në shekuj dhe mbetet a.b.c-ja e historiografisë, larmia dhe bukuria e saj. Përpjekja e Kadaresë për të më hedhur mua përgjegjësinë e Enver Hoxhës për marrëdhëniet e tij me Titon në vitin 1947 është foshnjarake. Eshtë një ngjarje që ka ndodhur dy vjet para se unë të shihja dritën e kësaj bote dhe është njësoj sikur të akuzohej Kadare që ka lindur në mesin e viteve 30 për marrëveshjen e Mbretit Zog me Pashiçin e Jugosllavisë në vitin 1924! Jam gati t’i ofroj Z. Kadare dokumente historike vendase e të huaja për t’a ndriçuar drejt në interpretimin e ngjarjeve historike që kanë qenë e mbeten objekt i studimeve të mia.
***
Varfëria e argumenteve në replikën e Kadaresë është aq e dukshme sa në ndonjë rast tjetër analog nuk do të kisha qëndruar të përgjigjesha. Por meqë ai është një autoritet në letra dhe për respekt të së vërtetës historike po i them edhe disa gjëra. I.Kadare e ka patur mik Mehmet Shehun dhe familjen e tij dhe kjo ka qenë puna e tij. Unë nuk e kam takuar asnjëherë dhe po të doja, nuk e kisha atë mundësi. Kadare spekullonte në kohën kur M.Shehu ishte gjallë. Ai vazhdon të spekullojë dhe tani që ai është i vdekur. Letra e vetëvrasjes së M.Shehut është e vërtetuar katërcipërisht që është origjinale dhe këtë duhet t’ia ketë thënë edhe ndonje mik i tij që e ka patur të administruar zyrtarisht. I.Kadare nuk gjen ndonjë argument bindës për të goditur veç përsërit shpifjen më ordinere të nxjerrë nga katakombet e miqve të tij të medias së verdhë se gjoja unë jam njeriu që i shërben familjes Hoxha! Unë do t’a kisha burrërinë dhe ndershmërinë që po qe se do t’a kisha takuar ndonjëherë Enver Hoxhën apo Zonjën Hoxha në atë kohë, nuk do t’a mohoja siç bën oborrtari shkrimtar dhe siç nuk bën Dritëroi popullor. Por për këtë çështje do të flasim më poshtë.
Kadare në stilin dhe metodën e tij të njohur të ndërrimit të kostumeve sipas stinëve politike, tani që në pushtet ndodhet maxhoranca e djathtë përpiqet që t’a përkëdhelë për ndonjë përfitim të rastit. Ai spekullon në mënyrën më banale kur thotë se jam kundër hapjes së dosjeve dhe se gjoja ky është shkaku i revoltës së tij kundër meje! Kadare, duke qenë larg, në Paris nuk e ndjek nga afër jetën politike dhe median shqiptare. Ai bën sikur nuk e di që unë jam deklaruar për hapjen e dosjeve hapur dhe pa ekuivok, ai nuk e di që si anëtar i delegacionit parlamentar shqiptar në Këshillin e Evropës, unë kam votuar në favor të Rezolutës për dënimin e krimeve të komunizmit. Kadaresë nuk i duhet e vërteta, atij i duhen një numër shpifjesh për të justifikuar një sulm të verbër dhe ku ai “zbulon” në mënyrë halucinante dhe me një imagjinatë të sëmurë se gjoja Milo kërkon të mbrojë “paratë e grabitura të popullit shqiptar të depozituara jashtë shtetit prej kupolës së diktaturës”. Kadareja për fat të keq, me çka thotë, është bërë për t’u mëshiruar!
***
Reagimi i Kadaresë, po e nënvizoj edhe një herë, është një përpjekje e dëshpëruar dhe inatçore për të fshehur të kaluarën e tij komuniste. Por ai nuk mund t’a bëjë këtë me shpenzimet e mia, me emrin dhe dinjitetin tim. Meqë Kadare nuk e di ose bën sikur nuk e di, po i them se unë i përkas, nga familja ime dhe ajo e gruas time, njerëzve që u përndoqën politikisht, se persona të familjeve tona kanë vuajtur në burgjet e komunizmit, se për vite të tëra jemi keqtrajtuar në punë e në jetën publike. Kadare ishte komunist, unë jo, Kadare ishte në qiellin e shtatë komunist kur babai im përjashtohej për herë të dytë nga P.P.SH me motivacionin më të rëndë “Armik i partisë dhe i popullit”. {shih dosjen në Ish-Arkivin Qendror të P.P.Sh-së. Komisioni i Revizionimit, viti 1975} dhe unë largohesha nga Tirana pas një gjyqi poshtërues në kolektivin e “Zërit të Popullit”. Për tetë vjet me rradhë, nuk m’u dha e drejta të shkruaja e të botoja me emër, ndërkohë që hija e dyshimit nga ana e regjimit më shoqëronte kudo që shkoja deri në fund të viteve 80. Nuk është këtu qëllimi që të bëj biografinë time, se në të ka dhe mjaft momente të bukura njerëzore në ato kohë, por për t’a këshilluar edhe njëherë, nëse pranon, Zotin Kadare, që të mos luajë me ndjenjat dhe jetën e njerëzve se ofendon një numër të madh prej tyre që kanë vuajtur, por që e kanë lexuar e respektuar si shkrimtar. Unë gjeta forcë e kurajo që i fala persekutorët e familjes time, ndërsa shkrimtari komunist Kadare asnjëherë nuk gjeti moralin që të paktën të heshtte për bamirësit dhe protektorët e tij. Aq më tepër t’i kërkonte falje Janullës dhe Renatos së gjorë që nuk është një histori e nxjerrë nga “Uzina e ndryshkur e ish-policisë së fshehtë shqiptare” sikurse përpiqet t’a fshehë Kadare, por një sjellje makabre që duhet t’i gryejë ndërgjegjen për tërë jetën.
***
Stalinizmi është varianti më i egër i komunizmit dhe një i përndjekur, jokomunist, si unë nuk mund të bëhet kurrë stalinist. Një komunist që i thote Andre Fontenit, Kryeredaktorit të gazetës më të madhe franceze “Le Monde” në vitin 1984 se për të shkruar romanin “Dimri i Madh”, “u përqëndrova kryesisht te dokumentet dhe stenogramet e takimit të Hrushovit me shokun Enver që i kam riprodhuar pothuajse pa i ndryshuar” dhe që i raportonte udhëheqjes më të lartë shqiptare të kohës se “Sipas konsultimeve në Komitetin Qendror u përpoqa dhe besoj se arrita të jap mendimin tonë për Hrushovin”, është një dëshmi e qartë për të parë e gjykuar se kush kishte mundësi të ishte stalinist dhe kush jo. Të paktën, Kadare të qëndronte në pozitat e Hrushovit që u deklarua kundër Stalinit! Në arkivat shqiptare, ka mjaft raporte të kësaj natyre apo të tjera nga i nderuari Kadare.
***
Aq lart ka hipur në fronin e vetëkënaqësisë dhe të megalomanisë ky njeri, saqe i jep të drejtën vetes të caktojë se kush duhet të jetë në opozitë ose jo, se cili duhet të jetë në pushtet, se cili duhet të jetë ministër i jashtëm i Shqipërisë dhe ka gjasa të na caktoje se cili do të jetë edhe rezultati i zgjedhjeve vendore pas pak kohësh. Per Kadarenë dhe një takëm njerëzish, politikanët shqiptarë duhet të kenë fytyrën dhe mendjen e tyre që të jenë të vlefshëm për Shqipërinë. Ismail Kadare ka ëndërruar të ishte Haveli i Shqipërisë, por nuk e arriti. Haveli u bë i respektuar në të gjithë botën jo thjesht se ishte shkrimtar i famshëm, të tillë ka me shumicë sot dhe i fundit që u nderua me çmimin Nobel ishte turku Pamuk. Haveli ishte luftëtar i madh i të drejtave të njeriut në vendin e tij, i burgosur politik, iniciator i “Kartës së 77-ve”, njeri me karakter të fortë e të qëndrueshëm që vuajti dhe luftoi në vendin e tij. Atdheu, i nderuar Kadare, është pronë e të gjithë shqiptarëve, veçanërisht i atyre që nuk e braktisin në ditë të vështira për të shpëtuar lëkurën e mirëqenien, i atyre që jetojnë e sakrifikojnë në Shqipëri dhe që kanë mundësi të kontribuojnë paçka se do t’u bëhen edhe këpucët me baltë, paçka se nuk do të kenë energji elektrike të mjajftueshme, paçka se nuk do të kenë 24 orë ujë e kondita të tjera për një jetë të rehatshme. Ka ikur koha kur shqiptarët dhe politika e vendit të tyre, e mirë apo e keqe, mund të marrin direktiva e të qeverisen nga kafenetë e Bulevardit “Saint-Michel” të Parisit. Së fundi, meqë reagimi i Kadaresë është bërë në një nervozizëm nëntë ballësh dhe nuk ka qenë në gjendje vetëkontrolli në përdorimin e fjalëve pa edukatë i rekomandoj që spjegimin e fjalës “horr” mund t’a gjejë në “Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe”, botim i Akademisë së Shkencave, faqe 692. I shkon shumë për shtat.
Krijoni Kontakt