Instituti i Sigurimeve nxit pagesën e kontributeve vullnetare, me anë të uljeve për personat që bëjnë një parapagesë
Të punësuarit jashtë vendit rrezikojnë të humbasin pensionin
Emigrantët shqiptarë, që punojnë në vende të ndryshme, rrezikojnë të mos përfitojnë asnjë pension gjatë pleqërisë së tyre. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Kontributeve, në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Naim Balluku, emigrantët vazhdojnë të tregojnë një interes të vogël për skemat e kontributeve vullnetare, duke rrezikuar dhe trajtimin e tyre me pensione në një kohë të mëvonshme. Sipas Ballukut, shumë persona të larguar nga Shqipëria kanë një vjetërsi pune në qendra të ndryshme prodhuese dhe joprodhuese, për periudhën e jetuar në vend. Për përfitimin e një pensioni të pjesshëm kërkohen 15 vite sigurimi në punë, ndërkohë që për një pension të plotë duhen mbi 35 vjet punë. Ai vazhdon të tregoj se, aktualisht ka shumë shtetas që janë në prag përfitimi, por që u mungojnë një ose disa vite sigurimi, në këto kushte, edhe periudhat e mbuluara humbasin. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Kontributeve, emigrantëve, por edhe personave të tjerë, nuk u lejohet sigurimi vullnetar pas lindjes së të drejtës për përfitim nga skema e sigurimit të detyrueshëm, çka do të thotë se me kalimin e kohës, shumë personave iu humbet mundësia për të derdhur kontribute në mënyrë vullnetare. Ndërsa si total i kontribuuesve vullnetar, jo vetëm për emigrantët, nga viti në vit, ka një rritje të lehtë të numrit të tyre, të cilët në total ngelen përsëri shumë pak, në krahasim me numrin që, sipas statistikave të ISSH-ës, duhet të kontribuonin. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në vitin 2004 kanë qenë të regjistruar vetëm 3655 persona dhe në vitin 2005 kjo shifër ka shkuar në 3676 veta. Ndërsa për këtë vit mendohet të kapi shifrën e 3700-3800 personave të regjistruar. Po sipas këtij instituti, nga statistikat rezulton se janë rreth 65000 persona që mendohet të jenë të interesuar të plotësojnë, të paktën, deri në 5 vite sigurim shoqëror për të përfituar një pension të pjesshëm.
Kontributet
Të gjithë pjesëmarrësit e skemës së kontributeve vullnetare që duan të përfitojnë duhet të paguajnë detyrimin prej 3140 lekë në muaj (ose 37680 lekë në vit), për gjithë periudhën e kohës së mungesës, shumë e cila është e përballueshme normalisht nga ata që janë të punësuar brenda apo jashtë vendit. Kjo shumë është vetëm për periudhat që kanë kaluar, ndërsa për periudhat që do vinë, kontribuesit mund të përfitojnë nga skontot që ISSH-ja ka bërë. Kështu për personat që parapaguajnë shumën vjetore prej 37680 lekësh ka një ulje prej 6 për qind, dhe ai për këtë periudhë paguan 35420 lekë, parapagimi i shumës gjashtëmujore prej 18840 lekë ka një zbritje prej 3 për qind, ndërkohë që ai i shumës tremujore, prej 9420 lekësh, ka një zbritje prej 1,5 për qind. Pagesa e kontributit kryhet në të gjitha zyrat bankare apo postare, dhe regjistrohet në sistemin informatikë të sigurimeve shoqërore. Ndërkohë, pagesat regjistrohen edhe në librezën e kontributeve, me të cilën punonjësit e sigurimeve shoqërore e kanë për detyrë të pajisin kontribuesit, dhe kur të vijë koha e duhur për pension kjo librezë paraqitet në zyrat e sigurimeve shoqërore.
Ervin Myftari - Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt