Një rritje të konsiderueshme kanë pasur punonjësit e kredisë gjatë 2 viteve të fundit, kjo për shkak të rritjes së konsiderueshme që ka pasur kredidhënia gjatë vitit 2005 dhe e planeve për një rritje të mëtejshme në periudhat në vazhdim. Në shumë banka është vënë re një ristrukturim i Departamenteve të Kredive, duke pasur si qëllim një ndarje më të qartë të detyrave dhe përgjegjësive. Kredia gjatë vitit 2005 u dyfishua, duke vënë në punë një pjesë të mirë të bizneseve që kishin nevojë për investime. Por rritjen ka pësuar edhe numri i punonjësve që punojnë në banka. Kjo për shkak të investimeve të shumta që janë bërë në drejtim të zgjerimit të rrjetit. Në dallim me një vit më parë, në vitin 2005 numri i punonjësve për një njësi bankare ka pësuar një rënie. Kështu, në vitin 2005 bankat kanë 13,9 punonjës për njësi bankare, nga 15 që kishin në vitin 2004. Kjo rënie ka ardhur si pasojë e rritjes së numrit të degëve dhe agjencive me një ritëm më të lartë sesa rritja e numrit të punonjësve. Një pjesë e konsiderueshme e degëve dhe agjencive të hapura kanë qenë në zona me pak popullatë dhe, si rrjedhojë, edhe numri i punonjësve në këto degë e agjenci të reja ka qenë i vogël.

Shekulli