Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    10-12-2009
    Postime
    489

    Sistemi Bankar Islam, Fitimprurës Për Të Gjithë

    SISTEMI BANKAR ISLAM, FITIMPRURËS PËR TË GJITHË
    SHKRUAN: LLOKMAN HOXHA


    Bankat konsiderohen si boshti kurrizor i ekonomisë dhe motori kryesor i saj, sepse ato ruajnë pasurinë, e lëvizin atë, e rrisin dhe lehtësojnë qarkullimin e saj, si dhe bëjnë planifikimet për investimin e saj. Bankat janë themeluar me qëllime legjitime dhe të lavdërueshme, por ato përdorin një shumëllojshmëri mjetesh, disa prej të cilave janë në kundërshtim me dispozitat e Sheriatit dhe nuk përkojnë me qëllimet dhe objektivat e tij.


    Bankat konsiderohen si boshti kurrizor i ekonomisë dhe motori kryesor i saj, sepse ato ruajnë pasurinë, e lëvizin atë, e rrisin dhe lehtësojnë qarkullimin e saj, si dhe bëjnë planifikimet për investimin e saj. Bankat janë themeluar me qëllime legjitime dhe të lavdërueshme, por ato përdorin një shumëllojshmëri mjetesh, disa prej të cilave janë në kundërshtim me dispozitat e Sheriatit dhe nuk përkojnë me qëllimet dhe objektivat e tij.


    Shërbimet bankare islame në aktivitetet investuese paraqesin një shtyllë të fortë në ndërtesën e ekonomisë islame dhe një mjet të rëndësishëm të efektivitetit të saj, si dhe një nga nuancat e aplikacioneve të saj në bashkësinë muslimane, për t’i shërbyer objektivave të saj, dhe për të kontribuuar në ndërtimin e realitetit ekonomik islam në të gjitha dimensionet. Bankat islame synojnë për të zgjidhur problemet ekonomike dhe sociale me të cilat ballafaqohet shoqëria në të gjitha vendet arabe dhe islame, madje dhe botës mbarë. Për këtë arsye dijetarët, juristët dhe intelektualët e kanë kuptuar qartë, se në këtë epokë domosdoshmërish duhet përfituar nga veprimtaria bankare, por me metoda legjitime. Bankat Islame llogariten si një nga frytet e zgjimit islam, që ka përfshirë të gjithë botën islame, dhe veçanërisht kur vendet islame provuan të gjitha zgjidhjet perëndimore dhe i gjetën ato të papërshtatshme. Nevoja për shërbimet bankare islame në botën muslimane është në rritje të madhe, prandaj bankat kanë filluar të garojnë për t’i ofruar këto shërbime për klientët e tyre, për të përmbushur shpresat dhe aspiratat e muslimanëve, se prania islame do të mbushë jetën e tyre, dhe do t’i marrë për dore, duke i lidhur transaksionet e tyre financiare dhe aktivitetet ekonomike me sheriatin islam.


    Duke u bazuar në këtë parim dhe për të realizuar këtë qëllim tashmë janë përhapur shërbime bankare islame edhe në disa banka konvencionale, si në vendet islame, por edhe në vendet perëndimore. Numri i institucioneve islame financiare në botë parashikohet të tejkalojë mbi 300 të tilla, që veprojnë në më se 47 vende të shpërndara në mbarë botën, me asetet totale të cilat i tejkalojnë 600 miliardë dollarë gjatë vitit 2008, ndërsa mbi 800 miliardë gjatë 2009 dhe deri në vitin 2013 pritet të rriten këto asete deri në 1,85 trilion dollarë, një normë rritje prej më shumë se 20% në vit, që është më i madh, se normat e rritjes në bankat konvencionale, duke i shtuar kësaj edhe më shumë se 250 banka konvencionale, të cilat u ofrojnë klientëve të tyre shërbime financiare islame. Zhvillimin e shpejtë të bankave islame dhe kërkesën e shtuar për to analistët ia atribuojnë faktorëve që lidhen me metodologjinë operative të bankave islame dhe larminë e shërbimeve të tyre, që e tejkalojnë numrin 20, shërbime bankare që të gjitha këto që rrjedhin nga ligji islam dhe veçohen nga shërbimet e ofruara nga bankat tradicionale. Sistemi financiar islam ka fituar një popullaritet në rritje sidomos gjatë vitit 2009 në sajë të imunitetit relativ, të cilin e gëzoi përballë pasojave të krizës financiare, që goditi komunitetin bankar tradicional përgjatë vitit të kaluar. Në një shkallë të gjerë ka mbizotëruar mendimi, se institucionet financiare aktivitetet e të cilave janë në përputhje me ligjin islam e kanë tejkaluar krizën kreditore në të gjithë botën, gati thuajse pa u prekur nga pasojat e saj, dhe kjo gjë ka bërë që industria financiare islame të jetë për shumë investitorë jomuslimanë një strehë e sigurt nga spekulimet e tepruara në lëmin e shërbimeve bankare tradicionale.


    Ekspertët vërtetojnë se të gjithë indikacionet ekonomike tregojnë vazhdimësinë e zhvillimit të industrisë bankare islame gjatë vitit 2010 me një ritëm të ngritur dhe me hapa të qëndrueshëm, si dhe me parashikimin, se nuk do të bjeri progresi në këtë industri nën 30% përafërsisht. Me gjithë bindjen e ekspertëve, se edhe bankimi islam sado pak është prekur nga kriza botërore, sidomos kur rasti i Dubait është ende i freskët, megjithatë ata pohojnë se kjo nuk do të jetë pengesë në rrugën e zhvillimit të kësaj industrie, e cila nuk mbështetet vetëm në një produkt sikurse “Sukuk-u”, por ajo është e pasur me produkte islame të llojllojshme. Sipas ekspertëve të industrisë financiare islame, rruga nuk do të jetë e shtruar me lule përballë kësaj industrie gjatë vitit të ri. Pa dyshim se ka disa sfida për t'u kapërcyer dhe për të gjetur zgjidhje rrënjësore të tyre, prej kryesoreve: shmangia e shumë e dyshimeve rreth disa produkteve, si dhe kthimi i besimit të humbur në mes të biznesit dhe popullit.


    Bankat islame kanë arritur të realizojnë suksese në disa realitete:


    E para: aftësia e bankave islame për të dëshmuar vlefshmërinë e formulës islame në transaksionet financiare.


    E dyta: vërtetimi se formula bankare islame është konkurrente e fortë në ofrimin e shërbimeve të ndryshme bankare dhe efikasitetin e saj të lartë.


    E treta: Bankat islame në vitet e fundit kanë futur në fjalorin e bankimit ndërkombëtar disa terma, që nuk kanë qenë të njohura më parë, sikurse Murabeha, Mudarebe, Sukuk etj.


    Suksesi i bankave islame është një dëshmi e gjallë kundrejt edhe më skeptikëve. Ai (suksesi) deri në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë tek disa njerëz ishte një iluzion, ndërsa për disa të tjerë ishte një ëndërr. Pas kësaj parathënie do të shtjellojmë në detaje se ç’janë bankat islame, çfarë aktivitete kanë ato dhe gjëra të tjera duke sqaruar dispozitat e sheriatit për to.

    Përkufizimi i bankave islame


    Edhe në shoqërinë islame të hershme, sikurse edhe në të tjerat sistemi bankar nuk ka qenë i njohur në atë nivel, sikurse në kohët e sotme, megjithatë një studiues gjatë shfletimit të historisë islame vëren disa nga modelet e transaksioneve bankare, edhe pse ato nuk janë të një niveli të lartë të sistemit bankar bashkëkohor. Si shembull do të përmendim “transfertën”, ku transmetohet nga Ibën Abasi, i cili merrte sasi argjendi në Meke, me kusht që ta shkruajë këtë në një letër, që bartësi i saj do ta merrte këmbimin e saj në Kufe. Rasti tjetër është, kur Abdullah ibën Zubejri merrte nga njerëzit në Meke dërhem, pastaj i shkruante atyre që ata t’i marrin tek vëllai i tij Musab ibën Zubejri në Irak. Pra, duhet theksuar se të gjitha transaksionet bashkëkohore i kanë burimet e tyre në argumentet e sheriatit, qofshin ato në mënyrë eksplicite apo të përgjithshme, si në lëmin e ndalesave, po ashtu edhe të të lejuarave.


    Ç’është banka islame?


    Është e vështirë të jepet një përkufizim i prerë për bankën islame. Ekspertët kanë dhënë përkufizime të ndryshme, ndër to edhe: “Banka Islame është një institucion financiar, që merret me transaksione bankare dhe fonde investuese në dritën e së drejtës islame, në mënyrë që të arrihet një përfitim maksimal ekonomik dhe social, për të rritur standardin e jetesës së popullit.”
    Rregullat që duhet të udhëheqin punën e bankave (islame): ku rregullat e përgjithshme të sheriatit janë: urdhra, ndalesa dhe gjëra të lejueshme.


    Urdhëresat janë: Motivimi dhe inkurajimi i biznesit (punës), dhe misioni i tyre është t’u sjelli interesa individit dhe komunitetit, nga këto urdhëresa janë: puna dhe prodhimi, respektimi i kontratave, zekati, shpenzimet etj...


    Ndalesat janë: frerët dhe vijat e kuqe, që nuk duhet shkelur. Misioni i tyre është shmangia e së keqes nga komuniteti dhe individi. Prej këtyre ndalesave është: mashtrimi, gënjeshtra, tradhtia, shfrytëzimi, kamata, shpenzimi i tepruar, monopoli e kështu me radhë.


    Të lejuarat janë: hapësira e lirë e lënë nga Ligjdhënësi i Urtë pa ndonjë urdhëresë apo ndalesë eksplicite, në mënyrë që njeriu të ketë lirinë e lëvizjes nëpërmjet saj për të arritur interesat e konsiderueshme legjitime.


    Qëllimet dhe objektivat e bankës islame


    Para se të flasim për qëllimet dhe objektivat e bankës islame do të përmendim se banka jo-kamatore e ushtron aktivitetin e saj në cilësinë e punëtorit, i cili paguhet për punën e tij, e cila në këtë rast është shërbimi i klientëve, pra, është një ndërmjetës në mes të investitorëve (pronarëve të kapitalit) dhe investitorëve (njohës të punës), madje ajo mundet edhe vetë të merret me investime të ndryshme, mbi të gjitha ajo ka nderin që i përmbahet rregullave, dhe dispozitave të sheriatit islam, dhe nuk i tejkalon kufijtë e saj. Pra, dallimi esencial në mes të bankës islame dhe asaj konvencionale është fryma filozofike dhe ideologjike. Për ta sqaruar më tepër do të përmend qëllimet dhe objektivat themelore të bankimit islam.


    1. Përshtatshmëria e transaksioneve bankare me dispozitat e sheriatit, si dhe gjetja e alternativave islame, me qëllim që të mënjanohen vështirësitë nga jeta e muslimanëve. Allahu thotë: “(Thuaj) A pos Allahut të kërkoj unë gjykatës (mes meje dhe juve)? Kur Ai është që ua zbriti librin në mënyrë të shkoqitur.” (Enam: 114)


    2. Kujdesi për të ruajtur të drejtën e Allahut të Lartësuar, Pronarit të vërtetë të pasurisë, si dhe kujdesi për të ruajtur interesat e njerëzve, plotësimin e nevojave të tyre, sigurimin e kërkesave të tyre dhe ofrimin e shërbimeve për ta.


    3. Nxitimi për t’i kultivuar vlerat e besimit duke ngulitur parimet e sjelljes islame tek punonjësit dhe klientët e bankës islame. Kjo bëhet duke e pastruar aktivitetin ekonomik nga ndotja e kamatës dhe e keqpërdorimit. Allahu thotë “A është më i mirë ai që ndërtesën e vet e themeloi me devotshmëri dhe mbi kënaqësinë e Allahut, apo ai që ndërtesën e vet e themeloi buzë bregut të shembur e bashkë me të bie në zjarrin e xhehenemit? Allahu nuk i udhëzon njerëzit zullumqarë.” (Teube: 109)


    4. Puna për të zhvilluar vetëdijen e kursimit, inkurajimin e investimit dhe mos depozitimit (të panevojshëm), duke krijuar mundësi dhe metoda për investime, të cilat përshtaten me individët dhe institucionet e ndryshme. Argument për investimin e pasurisë është fjala e Allahut të Lartësuar: “Allahu e ka lejuar shitblerjen”(Bekare: 275) dhe “O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, por duke bërë tregti në të cilën keni pajtueshmëri mes vete, dhe mos mbytni veten tuaj” (Nisa: 29)


    5. Sigurimi i kapitalit të nevojshëm i biznesit për individë dhe institucione për qëllime të projekteve financiare në përputhje me dispozitat e sheriatit.


    6. Motivimi i koordinimit, bashkëpunimit dhe integrimit midis njësive ekonomike brenda komunitetit musliman, Allahu i lartësuar thotë: “Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin e Allahut, e mos u përçani!” (Ali-Imran: 103) dhe thotë: “...bashkëpunoni në të mira dhe devotshmëri e mos bashkëpunoni në të këqija dhe armiqësi.” (Maide: 2)


    7. Ndihmesa në arritjen e zhvillimit ekonomik dhe social të popujve muslimanë, me të gjitha mjetet e ligjshme, mbështetja e bashkëpunimit islam, realizimi i ndërvarësisë ekonomike dhe solidaritetit social.


    Tiparet dhe karakteristikat e bankave islame


    Bankat islame punojnë për të përmbushur kërkesat e kohës dhe kërkesat e zhvillimit në komunitetet muslimane. Ato i përmbahen parimeve të shëndosha ekonomike që janë në përputhje me parimet islame dhe veçohen me disa specifika, prej tyre:


    1. Zbatimi i dispozitave të Sheriatit Islam në të gjitha bizneset, gjë me të cilën realizohet harmonia në mes besimit dhe ligjit, fesë dhe jetës, besimit dhe transaksioneve. Kjo i jep besimtarit një ndjenjë qetësie psikologjike dhe mirëqenie shpirtërore. Banka islame aktivitet e saj i konsideron si një mision të cilin e kryen në këtë jetë, si dhe i konsideron një adhurim me të cilin afrohet tek Allahu i Lartësuar për realizimin e ligjit të Tij në tokë dhe praktikimin e fesë së Tij, si dhe i largohet mëkateve dhe ndalesave, ku me këtë e ka shpëtuar umetin nga dënimi në këtë dhe në botën tjetër


    2. Mbështetja e sistemit të pjesëmarrjes në fitime dhe shmangia interesit kamatar.


    Çështja e kamatës nuk është çështje e kufizuar vetëm në ndalesën apo lejesën. Kjo çështje është, se si njeriu vepron me kapitalin, a është zotëri apo skllav i dërhemit dhe i dinarit. Në qoftë se është zotëri, atëherë ai është një partner me kapitalin në bazë të fitimit dhe humbjes. Nëse ka pasur një fitim ai ndahet sipas marrëveshjes. Nëse ka humbje punonjësi e humb punën, ndërsa pronari i kapitalit humb paratë. Vetëm kështu do të arrihej drejtësia në mes partnerëve.


    Kontakti në mes të palëve në interes kamatar ngrihet në marrëdhënien e "parave me qira", duke pasuruar të pasurin dhe duke e varfëruar të varfrin. Banka islame përpiqet për të afruar distancën midis palëve, për të hequr paragjykimet, si dhe lufton kundër urrejtjes së lindur prej pabarazisë së madhe midis shtresave dhe konflikteve klasore.


    Bankat islame veprojnë në bazë të pjesëmarrjes së përbashkët, e cila realizon fitimin proporcional me rolin aktiv të menaxhimit të parave në zhvillimin ekonomik, duke e çliruar muslimanin nga prirja negative me të cilën karakterizohet depozituesi me paratë e tij në pritje të interesit.


    3. Bankat islame karakterizohen edhe me aktivitete sociale dhe kulturore, si dhe duke marrë parasysh vlerat dhe etikën.


    Bankat islame janë të prira për t'u marrë me biznese të vogla, profesionet individuale, merret me tregtarët e vegjël me të njëjtin zell që merret edhe me të mëdhenjtë, sepse bankat islame bartin një mesazh, dhe hapin rrugën para qytetarit për zhvillimin e burimeve vendore, dhe rritjen e të ardhurave për banorë.


    4. Ekzistimi i një bordi sheriatik për monitorim dhe për t’u siguruar për zbatimin e dispozitave të sheriatit, siç e theksuam më sipër.


    5. Bankat islame i shpërndajnë fitimet në formë honorari për anëtarët e këshillit drejtues, si dhe shpërndan dividendët (fitimet) e aksionarëve dhe depozituesve, duke ruajtur një rezervë, brenda një proporcioni të caktuar dhe një rregullore të përpiktë.


    Në përfundim mund të themi: Njerëzit mund të mendojnë se banka islame (e cila nuk merret me kamatë) është e mangët në kryerjen e shumë aktiviteteve bankare. Por fakti është se banka islame bën shumë punë dhe ofron mjaft shërbime, madje ua tejkalon bankave tradicionale, duke hyrë thellë si një partner në sektorin e investimeve, gjë e cila reflektohet pozitivisht në rritjen e ekonomisë kombëtare, siç do të shohim në numrat e ardhshëm inshaAllah

  2. #2
    Aurum Venator
    Anëtarësuar
    30-01-2010
    Postime
    77
    Meqe jan banka, duhet ta nxjerrin fitimin dikun. Meqe spaska kamatku e nxjerrin fitimin, se pa fitim, as te punsuarit ne kte banka nuk mun me u majt me pare?
    Meqe jan banka, gjithashu duhet t japin borgj. A lejohet me dhan borgj me Kuran?
    Ky asht sistem i Dexhallit. Nuk ash bank islamike.

  3. #3
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    10-12-2009
    Postime
    489
    Pike se pari nje gje duhet ditur , hua lejohet, i pasuri ka per detyre te ndihmoj te varferin, ky sistem behet sipas Kuranit e Sunnetit, nuk eshte vec me fol.....

    2:278. O ju qe besuat, kini frike All-llahun dhe nese jeni besimtare te sinqert , hiqni dore prej asaj qe ka mbetur nga kamata.
    2:282. O besimtare, kur merrni hua prej njeri-tjetrit per nje afat te caktuar, shkruajeni ate. Dhe nga gjiu juaj le te shkruaje nje shkrues i drejte dhe te mos ngurroje nga te shkruarit ashtu sic e ka mesuar All-llahu. Le te shkruaje, e atij le t’i diktoje ai qe pranon borxhin, le t’i frikesohet All-llahut, Zotit te tij e te mos lere mangut asnje send nga ai. E ne qofte se ai qe ngarkohet me borxh eshte i paafte mentalisht, eshte i mitur ose nuk eshte ne gjendje te diktoje, atehere le te diktoje drejt kujdestari i tij. Kerkoni te deshmojne dy deshmitare burra nga mesi juaj, e ne qofte se nuk jane dy burra, atehere nje burre e dy gra, nga deshmitaret qe i pelqeni. (Dy gra ne vend te nje burri) Per ate se nese njera prej tyre gabon, t’ia perkujtoje tjetra. Deshmitaret te mos refuzojne kur te thirren. Dhe mos pertoni per ta shkruar ate dhe afatin e tij, i vogel qofte ose i madh, sepse kjo eshte me e drejte tek All-llahu, me e forte per deshmi dhe me afer mosdyshimit. Vetem nese eshte tregti e menjehershme (dora-doras) qe e praktikoni midis jush, atehere nuk eshte ndonje mekat te mos e shenoni. Por, kur beni shitblerje, deshmojnie. E ai (pronari i pasurise) nuk demton as shkruesit as deshmitaret, e nese beni (demtimin), ai eshte mosrespekt juaji (ndaj dispozitave te All-llahut). Kini frike All-llahun se All-llahu ju dhuron dituri (te jashtezakonshme), All-llahu eshte i gjithedijshem per cdo send.
    2:283. E ne qofte se gjendeni ne udhetim dhe nuk gjeni shkrues, atehere merrni peng (paradhenie ose kapar). E nese i besoni njeri-tjetrit, atij qe i eshte besuar le ta zbatoje ate (amanetin) qe i eshte besuar, dhe le ta kete frike All-llahun, Zotin e tij. Mos e fshehni deshmine, sepse ai qe e fsheh ate, ai eshte mekatar me zemren e vet, All-llahu di ate qe veproni.
    2:284. Vetem te All-llahut jane gjithecka ka ne qiej dhe c’ka ne toke, e per ate qe e keni ne shpirtin tuaj, e shfaqet haptazi ose e mbajtet fshehte, All-llahu do t’ju marre ne pergjegjesi, e Ai ia fal atij qe do dhe e denon ate qe do. All-llahu ka mundesi per cdo send.

  4. #4
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    10-12-2009
    Postime
    489
    VEPRIMTARIA E BANKAVE ISLAME


    SHKRUAN: LLOKMAN HOXHA


    Bankat islame ofrojnë të gjitha shërbimet bankare dhe investuese në përputhje me dispozitat e Sheriatit, si dhe i shmangen ushtrimit të të gjitha llojeve të padrejtësisë, si kamata, mashtrimi dhe ryshfeti.


    Në numrin e kaluar e kemi theksuar, se mund të shkojë mendja se banka islame (e cila nuk merret me kamatë) është e mangët në kryerjen e shumë aktiviteteve bankare, porse faktet tregojnë që bankat islame bëjnë shumë punë dhe ofrojnë shumë shërbime madje ua tejkalojnë bankave konvencionale, duke hyrë thellë si një partner në sektorin e investimeve, gjë e cila reflektohet pozitivisht në rritjen e ekonomisë kombëtare.


    Në vijim do të përmendim disa nga veprimtaritë dhe transaksionet kryesore të bankave islame në përgjithësi.
    a. veprimtaria e bankave Islame
    Bankat islame ushtrojnë një mori aktivitetesh të llojeve dhe natyrave të ndryshme, ekonomike shoqërore kulturore etj:
    Së pari: veprimtaria ekonomike
    Bankat islame ofrojnë të gjitha shërbimet bankare dhe investuese në përputhje me dispozitat e Sheriatit, si dhe i shmangen ushtrimit të të gjitha llojeve të padrejtësisë, si kamata, mashtrimi dhe ryshfeti.
    Së dyti: veprimtaria sociale
    Bankat islame janë prira për të ofruar shërbime sociale, me qëllim që ta zhdukin prapambetjen në shoqërinë arabe dhe muslimane, si dhe për të kontribuuar në ngritjen dhe zhvillimin e saj, duke bërë thirrje për kursime, duke inkurajuar në shpenzime, si dhe duke vetëdijesuar për mesatarinë në konsum. Aktiviteti social i bankave islame pasqyrohet në shumë gjëra, prej tyre:
    1. Qëndrimi në anën e klientit
    Duke mos ngritur padi ndaj tyre për shkak të pamundësisë së pagesës së kësteve të merituara, pritja e tyre deri sa të gjejnë zgjidhje, të cilat garantojnë vazhdimësinë e klientëve në veprimtaritë e tyre, duke praktikuar me këtë Fjalën e Allahut te ajeti 280 në suren Bekare: “Nëse e dini se borxhliu është ngushtë, shtyjani afatin (e shlyerjes së borxhit) derisa ta përmirësojë gjendjen. Por është më mirë për ju që t’ia falni borxhin, veç sikur ta dinit”.

    2. Huadhënia
    Për të ndihmuar nevojtarët në rregullimin e jetës së tyre pa asnjë interes kamator, për qëllime humane, si martesa, kurimi, fatkeqësitë e të tjera. Huadhënia pa interes është e pa imagjinuar në bankat konvencionale dhe në shoqërinë kapitaliste, përkundrazi kjo është e deklaruar në mënyrë eksplicite në Kuran dhe Sunet.

    3. Fondi i zekatit
    Bankat islame brenda tyre kanë të themeluara fondin e zekatit dhe këtë e kanë të rregulluar me norma të caktuara dhe ato monitorohen nga bordi sheriatik për t’u zbatuar në mënyrën më të drejtë.
    4. Kontributi në zgjidhjen e problemit të banimit
    Banimi është një nga problemet me të cilat përballen shumica e shoqërive bashkëkohore, veçanërisht në vendet islame, si të varfrit, nevojtarët dhe nëpunësit në detyra shtetërore, si dhe ata që kanë të ardhura të ulëta. Bankat islame janë ato që kanë dhënë kontributin e tyre për të zbutur këtë situatë të rëndë me anë të formave sheriatike të investimeve, si murabeha, istisna, partneriteti etj., të cilat do të sqarohen më poshtë
    5. Fondi i zhvillimit social
    Ky fond është i formuar nga donacionet vullnetare, të cilat anëtarët ia japin bankës dhe ky fond përdoret për sigurimin e fatkeqësive, që mund t’i godasin depozituesit.
    6. Financimi i familjeve të varfra me aftësi prodhuese
    Banka islame kujdeset për t’i ndihmuar me financime familjet e varfra, të cilat kanë aftësi produktive të ndryshme, shembulli më i qartë është ai Muhamed Junusit pronari i “Grameen Bank” i cili fitoi çmimin nobël në vitin 2006.
    Së treti: Veprimtaria kulturore dhe arsimore
    Bankat islame kanë marrë përsipër përgatitjen e kuadrove udhëheqëse në fushën e bankave islame, dhe kanë themeluar një mori qendrash për ekonomi islame, në Xhida, El Az’har, dhe në disa vende të tjera, ku ndër më të rëndësishmet është "Instituti Islamik për Studime dhe Trajnim" pranë Bankës Islamike për Zhvillim në Xhida. Prej aktiviteteve kulturore është edhe mbajtja e konferencave dhe seminareve të shumta për studimin e çështjeve më të reja në fushën e financave islame.
    Së katërti: veprimtari të tjera në bankat islame
    Bankat islame ushtrojnë edhe një mori aktivitetesh të llojeve të ndryshme:
    1. Themelimi i seksioneve të posaçme për gjininë femërore, gjë të cilën e ka bërë Banka Islame e Dubait dhe të tjera. Fatima Tamimi, drejtor i sektorit për zonja në Bankën Islame të Abu Dhabit, ka konfirmuar suksesin e punës në sektorin e saj, duke vërtetuar se gruaja është më e aftë në punë me motrën e saj, dhe se gratë janë mjaft të afta për ta udhëhequr dhe për ta vënë në funksion veprimtarinë bankare me sukses.
    2 - Administrimi i trashëgimisë, zbatimi i testamenteve në përputhje me Sheriatin në kontekstin e shërbimeve sociale.
    3 – Bankat islame kanë krijuar shumë mundësi pune për djem dhe vajza të reja të diplomuar rishtazi në universitete të ndryshme, si dhe për ekspertët dhe specialistët, duke u ofruar atyre punë të ndershme dhe të ardhura të mira.
    b. Transaksionet e bankave islame
    Së pari: burimet e bankave islame:
    Bankat islame burimet i kanë në radhë të parë nga aksionarët, së dyti nga depozitat dhe së treti nga fitimet që rrjedhin nga aktivitetet bankare.
    -Mjetet e aksionarëve, të cilat përbëjnë hiset e tyre të partneritetit në jurisprudencën islame konsiderohen si partneritet në kontratë (sherike anan), ku secili nga partnerët duhet të kontribuojë me pasuri dhe veprimtari, duke mos qenë e domosdoshme pjesëmarrja e barabartë e secilit në pasuri, punë apo kompetenca. Partneriteti i tyre mund të jetë edhe në atë formë partneriteti ku njëra palë merret me punë, ndërsa pala tjetër me financim (sherike mudarebe), si dhe nuk kërkohet shpërndarja e barabartë e dividendëve, por sipas marrëveshjes së tyre me përqindje, nëse ka humbje ajo bie mbi financuesin (pronarin e kapitalit), ndërsa punëmarrësi do të humbasë mundin dhe punën e tij.
    -Paratë e depozituesve, përdoren në dy mënyra:
    1- Depozitë jo investuese, në jurisprudencën islame quhet huadhënie (el-kard) nga pronari i parave për një afat të caktuar, duke qenë të garantuara, por pa ndonjë shtesë interesi apo dobi nga ajo.
    2- Depozitë investuese, e quajtur në jurisprudencën islame mudarebe, në të cilën pronari i parave i investon ato për të marrë pjesë në ndarjen e fitimit sipas marrëveshjes, me mundësinë e humbjes gjithashtu. Investimet mund të jenë nga më të ndryshmet pastaj mund të jenë afatgjata, por edhe afatshkurta me mundësi tërheqje të lirë apo të kufizuar, dispozitat e tyre do t’i sqarojmë në numrat e ardhshëm.
    Së dyti: format e financimit në bankat islame
    1. Partneriteti
    Feja islame e konsideron kapitalin, si faktor të rëndësishëm të prodhimit, si dhe lejon që me anë të tij të arrijë fitime, jo të garantuara paraprakisht, por pasi ato të realizohen nga suksesi i projektit të caktuar.
    Me partneritet nënkuptojmë: pjesëmarrjen e dy apo më shumë personave, në të holla ose punë, ose që të dyja së bashku për të kryer një veprimtari të caktuar mbi bazën e ndarjes së fitimit, që rezulton nga hisja e secilit, ose sipas marrëveshjes në përqindje, duke qenë pjesëmarrës edhe në humbje gjithashtu.
    2. Shitja me këste:
    Është ajo shitje, ku artikulli dorëzohet menjëherë pas kontratës, kurse pagesa (çmimi) vonohet në këste të caktuara me afat të caktuar, gjë e cila është e pranueshme për shumicën e dijetarëve.
    Rritja e çmimit përballë kësteve është e lejuar, me kusht që kjo marrëveshje të bëhet në kontratë, por nuk është e lejuar për të rritur çmimin për vonimin e pagesës pas afatit të caktuar, ose për paaftësinë e borxhliut për të paguar, për shkak se kësti tanimë llogaritet si borxh, dhe shtesa mbi të është kamatë e ndaluar, por në qoftë se vonesa vjen nga debitori (borxhliut) i pasur, ose ai që qëllimisht e zvarrit pagesën, në këtë rast disa mendime bashkëkohore përkrahin idenë, se duhet të ngarkohet me përgjegjësinë e dëmeve të shkaktuara, si pasojë e vonimit, si ndëshkim për të, por duke mos e marrë banka këtë gjobë për vete. (kjo e fundit shpresojmë se do të sqarohet në një nga numrat e ardhshëm)
    3. Letrat me vlerë (instrumentet negociuese )
    Letrat tregtare janë letra (mjete) që qarkullojnë në mes individëve sikurse paratë, vlera e tyre nuk është në vetvete, por në bazë të asaj që është e shënuar në to. Ato dallojnë nga paratë e rëndomta për nga forma, vlera, autoriteti i lëshimit të tyre etj.
    Këto lloj letrash janë disa llojesh, ku më të njohurat janë:
    a. Kambiale,
    b. Çeqe
    c. Certifikatat për depozitim, domethëniet dhe dispozitat e tyre do t’i sqarojmë në numrat ardhshëm inshaAllah.
    4. Murabaha: është ajo formë e shitblerjes, ku klienti kërkon nga banka për ta blerë një produkt të përshkruar, duke i premtuar bankës, se ai do ta blejë prej saj. Këtu banka paguan çmimin në para të gatshme (e blen produktin në emër të vetin), pastaj ia shet klientit në një kontratë të re me një çmim më të lartë me këste, duke mos qenë premtimi detyrues nga dy anët.
    5. Qiraja pronësuese: Është një qira (pronësi e shfrytëzimit), e cila përfundon me shitje (pronësim të produktit). Kur një produkt, i cili mund shfrytëzohet, por mbetet esenca e tij, banka ia jep klientit, me qira në mënyrë që nëse klienti i paguan me përpikëri këstet e qirasë, atëherë me një kontratë të re duke ia falur apo duke paguar një çmim simbolik, produkti bëhet pronë e tij. Pra, nëse klienti nuk mund t’i paguajë këstet produkti mbetet në pronësi të bankës, duke i zbatuar dispozitat e qirasë.
    6. Partneriteti që përfundon me pronësinë e njërës palë (partneriteti në rënie): Kur banka islame bie në dakord me një klient për të qenë partner në një pronë, me marrëveshje ndërmjet tyre që klienti t’i paguajë bankës një numër të caktuar të kësteve periodike, përballë të cilave banka heq dorë nga hiseja e saj në favor të klientit, ku përfundimisht ai bëhet pronar i plotë i pronës.
    7. Kontrata e prodhimit “Istisna”: Është një kontratë shitje, sipas së cilës Banka lidh një kontratë për ofrimin e një malli, ose ndonjë produkti (që nuk është prodhuar ende ose gjatë etapave të prodhimit) në një kohë të përcaktuar me një çmim të rënë dakord. Istisna përdoret gjerësisht në sferën e financimit të ndërtimit të ndërtesave, depove, panaireve, qendrave tregtare etj. Nëse pagesa bëhet në momentin e kontratës (parapagim) kjo në gjuhen e sheriatit quhet “selem”, ndërsa nëse pagesa bëhet pas dorëzimit të produktit quhet “istisna” dhe secila nga këto ka veçoritë dhe dispozitat saj, të cilat shpresojmë se do t’i sqarojmë në numrat e ardhshëm.
    8. Tevarruk: Është një kontratë tri palëshe, ku banka i shet klientit një produkt (zakonisht metale në sasi të mëdha) me këste dhe pastaj për të njëjtin produkt klienti e autorizon bankën për t’ia shitur një pale të tretë me para të gatshme, ku në fund paratë i merr klienti i parë duke i mbetur borxh këstet e caktuara bankës për kontratën e parë. Këtë formë shumica e dijetarëve bashkëkohorë e ndalojnë, përveç nëse klienti mund të ketë qasje në produktin e blerë dhe të veprojë në të, përndryshe kjo kontratë është vetëm formale sa për të ardhur tek paratë dhe kthimi i tyre me shtesë.




    Burimi: http://albislam.org/meso/hulumtime_s...fikh/3209.html

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •