Raport tronditës për dhunën kundër fëmijëve: 150 milionë të mitur abuzohen seksualisht
OKB: Dhunohen 220 milionë fëmijë në botë
Mbi 220 milionë fëmijë janë pre e dhunës së ushtruar ndaj tyre. Kështu thuhet në statistikat e frikshme, të publikuara nga Kombet e Bashkuara. Nën nismën e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, është publikuar raporti i dhunës së ushtruar ndaj fëmijëve, për të cilin kanë kryer hetime katër grupe të specializuara. Rezulton se çdo vit, rreth 150 milionë fëmijë, ose 14% e popullsisë së brishtë në planet janë viktimë e abuzimeve seksuale. Shtatë për qind janë viktima të manjakëve seksualë. Po sipas studimit thuhet se rreth 80 - 93 % e fëmijëve dënohen fizikisht në shtëpi edhe pse shumë prej tyre kanë turp të tregojnë apo nuk flasin për shkak të mungesës së besimit te institucionet ligjore. Shtëpia është një vend i rrezikshëm për rreth 62 milionë vajza, të cilat martohen pa mbushur të 18-at dhe që më pas dhunohen edhe nga partnerët e tyre. Ndërsa ajo që është më e tmerrshme, sipas studimit Kombeve të Bashkuara, është fakti që në 106 vende të botës lejohen ligjërisht ndëshkimet fizike në shkollë. Në bazë të këtyre të dhënave duket qartë që dhuna ndaj minorenëve në botë është e pranueshme dhe shpesh edhe me bekimin e institucioneve, ndërkohë që duhej të ishte një akt ligjërisht i dënueshëm. “Shumë njerëz, edhe fëmijët e pranojnë dhunën si pjesë të paevitueshme të jetës”,- thuhet në “Corriere della Sera”. “Kjo dhunë e ushtruar,- nënvizojnë autorët e studimit,- mund të lërë shenja të rënda psikologjike për një kohë të gjatë në jetën e këtyre fëmijëve. I bëj thirrje shteteve që të parandalojnë çfarëdo lloj forme të dhunës, duke filluar që nga ajo e dënimit fizik, praktikat tradicionale si martesës që detyrojnë vajzat të martohen në moshën minorene, dhuna seksuale si dhe torturat dhe trajtimet apo ndëshkimet e pamëshirshme dhe diskriminuese”,- thuhet në raportin e Kombeve të Bashkuara.
Krijoni Kontakt