Këshilli i Ministrave shpall bashki komunat e Paskuqanit, Bushatit, Milotit, e Shëngjinit
Qeveria bën bashki 4 komuna të PD-së
Qeveria krijon katër bashki para zgjedhjeve
N.Perndoj
TIRANË
- Në prag të zgjedhjeve lokale, Këshilli i Ministrave ka vendosur dje që të shpallë bashki katër komuna, Paskuqanin, Milotin, Bushatin si dhe komunën e Shëngjinin. Tri ish-komunat e para njihen si
bastione të Partisë Demokratike. Në zgjedhjet e fundit, por jo vetëm në këto zona, kanë fituar bindshëm kandidatët e demokratëve. Gjatë mbledhjes së djeshme, Këshilli i Ministrave vendosi propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8 653,datë 31.07.2000, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Sipas këtij ndryshimi, nga 65 bashki numri i tyre do të rritet në 69, ndërsa numri i komunave do të ulet nga 309 në 305. Arsyeja kryesore e shpalljes se tyre në bashki, sipas qeverisë, është rritja e numrit të banorëve, ndërkohë që dihet se tendenca e lëvizjes migratore këto 15 vjet ka qenë nga zonat rurale në ato urbane.
Shpallja e katër komunave në bashki. Pikërisht para zgjedhjeve lokale shton ndër të tjera dhe numrin gjithsesi të madh të bashkive të vendit. Kjo është ndërhyrja e parë që bën kjo qeveri në ligjin për ndarjen administrativo-territoriale, në një kohë kur vetëm dy vite më parë Partia Demokratike kundërshtoi me force projektligjin e përgatitur nga ish-ministri i Pushtetit Lokal, Ben Blushi, ku në thelb kërkohej bashkimi i disa komunave dhe bashkive të vogla. Sipas këtij projektligji që u miratua në një prej mbledhjeve të Këshillit të Ministrave gjatë qeverisjes socialiste, por që u la pezull me zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare, njësitë vendore që kishin më pak se 7 000 banorë, viheshin në rreth për t’u shkrirë. Drafti në fjalë, që kishte marrë edhe ekspertizën e ekspertëve të huaj, përcaktonte kriteret bazë mbi të cilat do të fillonte puna për të realizuar ndarjen e re administrative të vendit. Kështu njësitë vendore që kishin më pak se 7 000 banorë, që kishin kosto të administratës vendore për dy vitet e fundit mbi 40 për qind të buxhetit dhe kur nuk kishin siguruar të ardhura për buxhetin total, në më pak se 10 për qind, do të klasifikoheshin si të pafrytshme dhe si rrjedhojë do të shkriheshin. Sipas neneve të projektligjit të ish-qeverisë socialiste, ishte përcaktuar gjithashtu që bashkimi i detyrueshëm i njësive vendore nuk duhet të cenonte kufijtë aktualë të qarqeve. Ishte parashikuar gjithashtu se i gjithë organizimi i punës për procesin e ndarjes territoriale do të kryhej nga komisioni ndërqeveritar për reformën territoriale, puna e të cilit do të përfundonte në prill të vitit 2005, nga ku do të dilte edhe harta përfundimtare për ndarjen e re territoriale. Por afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme la gjithçka pezull bashkë me kontestimin e vazhdueshëm të opozitës së atëhershme, e cila shprehej se kjo bëhej për qëllime politike. Një vit pas ardhjes në pushtet jo vetëm që nuk mund të bëhet me fjalë për shkrirje bashkish, por për shtim të numrit të tyre, kryesisht të atyre zonave që me sa duket njihen si bastione te PD-së, një praktikë kjo që është ndjekur edhe më parë nga PD-ja, në vitet ’92-’97. Kështu, Paskuqani njihet si zonë bastion i PD-së, ku të paktën vitet e fundit ata kandidatët e kësaj zone kanë fituar bindshëm ndaj socialistëve. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Milotin e deri diku edhe për Bushatin.
12/10/2006
Shekulli
Krijoni Kontakt