Poezia e re bashkëkohore shqiptare u prezantua javën e kaluar në Gjermani. Katërshen e poetëve shqiptarë në turneun treditor e përbënin Lindita Arapi, Luljeta Lleshanaku, Arjan Leka dhe Parid Teferiçi.
Pika e parë e këtij itinerari ishte Südost Zentrum-i i Berlinit ku për prezantimi i poetëve u bë nga ambasadori ynë në kryeqytetin gjerman Gazmend Turdiu. Takimet u moderuan nga dr. Pandeli Pani dhe menaxherja për kulturën e Fondacionit “Robert Bosch”, Neviana Dosti. Pas Berlinit, në Bon dhe Frankfurt më pas, dr. Pani e paraqiti poezinë e re shqipe si një poezi që përmes përkthimit të pjesshëm apo të plotë të veprave të këtyre autorëve po e bëhet pak nga pak e njohur në kulturat perëndimore dhe për atë pjesë të publikut që e njohin pak ose aspak Shqipërinë.
Luljeta Lleshanaku është botuar tashmë në SHBA, pritet së shpejti të dalë në Itali një vëllim i saj poetik, përpos përkthimeve të pjesshme që i është bërë poezisë së saj gjermanisht, rumanisht, kroatisht etj. Edhe poezia e Lindita Arapit, e cila ka botuar në botën gjermanofolëse librin “Si u bë Shqipëria shqiptare”, është përkthyer pjesërisht në disa gjuhë. Arjan Leka i cili u përket shkrimtarëve produktivë të gjeneratës së tij, autor i 12 librave në poezi dhe në prozë, është bërë i njohur përtej kulturës shqiptare. Parid Teferiçin moderatori Pani e paraqiti si një multitalent që e ka filluar me pikturën, ka botuar dy libra poetike, i prezantuar në disa gjuhë, kurse që nga viti i kaluar është zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Në të tri takimet shkrimtarët shqiptarë lexuan në shqip poezitë e tyre, dhe më pas gjermanisht të përkthyera enkas për këtë turne nga dr. Zuzana Finger.
Bashkëbisedimi me publikun nxori në pah interesin e lexuesve të pranishëm për situatën e përgjithshme të letërsisë së re shqipe, për lirinë e krijuesve, marrëdhëniet e letërsisë së re me traditën, raportin e shkrimtarit dhe në përgjithësi letërsisë me politikën, sa është letërsia e re shqiptare e angazhuar etj. Shpjegimet dhe pikëpamjet që paraqitën shkrimtarët tanë si dhe lehtësia me të cilën komunikonin ata me pjesëmarrësit me kulturë letrare të këtyre takimeve bënë përshtypje të mirë.
Luljeta Lleshanaku tha se letërsia politike tipike për epokën e realizmit socialist ka marrë fund me rrëzimin e komunizmit, por letërsia shqipe natyrisht që nuk ka shkëputur çdo lidhje me politikën. “Ajo ndonëse apolitike si në çdo shoqëri tjetër demokratike të Europës nuk mund të jetë letërsi e paangazhuar.” Lindita Arapi komentoi kontinuitetin e letërsisë së re me atë të socrealizmit duke theksuar se nga ajo letërsi ka mbijetuar vetëm ajo pjesë që ka qenë më e mira dhe që në fund të fundit nuk ka qenë e shkruar për nevojat e partisë. “Ndonëse letrarët e ri shqiptarë nuk kanë zgjedhur kursin e atakimit të kolegëve më të vjetër në moshë, fakti që ata kanë zgjedhur një metodë tjetër të të bërit letërsi në fakt tregon se ky sulm ka ndodhur në një mënyr të tërthortë, por efektive”,- tha Arapi.
Parid Teferiçi foli për mundësitë e ndikimit të politikës mbi artistin dhe letërsinë. Poeti duhet të depolitizohet kur është në poezi, dhe të depoetizohet kur është në politikë. Arjan Leka në formë të replikës iu përgjigj një pyetjeje që e përjashtone letrarin e angazhuar. “Shkrimtari është i angazhuar per jetë dhe mot, tha ai, sepse ai është në anën e humanitetit, është ndiesia e para që reagon ndaj padrejtësisë dhe në qoftë se humbet kjo ndjesi atëherë shkon dëm shkrimtaria. Ajo kthehet në ushtrim stilistik dhe estetik.
Një aspekt tjetër që u prek në këto takime ishte çështja se a është e vonuar letërsia shqipe në integrimin e rrjedhave të letërsisë bashkëkohore europiane siç është e vonuar bie fjala politika dhe ekonomia shqiptare. Përgjigja edhe në këtë rast ishte unanime: letërsia shqipe e ka kaluar prej kohësh fazën e tranzicionit të tejzgjatur në të cilin vazhdon ende të vendnumrojë politika dhe ekonomia shqiptare.
Korrieri
Krijoni Kontakt