Mumiet e “Ujit të Tharët” të Likovës
Datojnë para 3000 vitesh, i takojnë fisit Dardan
Qerim Bajrami
Shkup, 30 mars - Gjatë punimeve ndërtimore, pikërisht në lokalitetin “Uji i Tharët” në Likovë, para një viti janë zbuluar edhe dy mumie, të futura në sënduqe prej bungu. Pronarët e tokës i marrin dhe sërish i fshejnë në thellësitë e tokës, mu aty ku kanë qëndruar më se 3 mijë vjet. Pronarët e kësaj toke, ndoshta i kanë fshehur ato për shkak se mumie të këtilla janë zbuluar edhe në vitin 1957.
Kur punëtorët ndërtimorë punonin në xhadenë që shpie për te panda e Likovës, gjatë gërmimit të dheut, atë kohë kishin dalë në sipërfaqe disa kufoma të mumificuara. Ato ishin në sëndukë prej bungu të gdhendur mjeshtërisht, kurse sipas gojëdhënave kufomat ishin me trupa të mëdhenj, kurse duart i kishin të paluara, flokët dhe mjekërrat e gjata. Për këto mumie ka dëshmitarë të shumtë në rajonin e Likovës. Ndër to isha edhe unë bashkë me vëllezërit, nënën dhe babanë, të dy të fundit tani të ndjerë. Atë kohë nuk kisha më shumë se katër vjet. Si sot më kujtohet se në xhadenë, pranë lokalitetit “Uji i Tharët” kishte disa trupa të futura në sëndukë bungu të punuar dhe gdhendur mjeshtërish, kurse baba im i prekte me shtagë. Atëherë shkonim te dajët në Hotël, jo fort larg Likovës. Në atë moment pamë disa sëndukë dhe baba e ndali kalin dhe të gjithë zbritëm nga çezja dhe pamë se aty kishte kufoma, të cilat dukeshin si të gjalla, ku shihej qartë se as trupi, por as fytyra nuk u ishin prishur.
Prej atëherë, deri më tani për këto mumie është shkruar vetëm njëherë. Shkrimi i pare që para 30 vjetëve është bërë në revistën “Danas” të Zagrebit, megjithatë jepte të dhina relevante për prejardhjen e këtyre kufomave. Kështu, sipas kësaj reviste zagrebase, qysh atëherë përmendej se këto mumie datojnë para 3 mijë vitesh. Kështu që dy kufoma ishin dërguar në Institutin e mjekësisë ligjore në Shkup, kurse dy të tjera në atë të Novi Sadit. Në kryeqendrën e Vojvodinës ishin dërguar me qëllim që të bëhet studimi i tyre, në studimin e të cilave patën marrë pjesë ekspertë të njohur të ish-Jugosllavisë dhe ata të Universitetit të Hajdelbergut të Gjermanisë. Sipas revistës “Danas”, Prof.dr. Hofman, i cili merrte pjesë në studimin e tyre, ka konstatuar se këto mumie zanafillën e kanë para 3 mijë vjetësh dhe i përkasin ilirëve, përkatësisht fisit dardan
Meqë del në shesh se këto mumie i takojnë fisit dardan, ekspertët e atëhershëm jugosllavë dy kufomat që qëndronin në Novi Sad i kishin hedhur në lumen Danub, vetëm e vetëm për humbur gjurmët.
Derisa Prof.dr. Hofman ka konstatuar se lashtësia e këtyre mumive është më se 3 mijë vjet, sipas dr. Ivan Nikolçiq nga Shkupi, i cili ka bërë vëzhgimin e tyre, del se kjo nekropolë i përket shekullit III ose II para erës së re.
Zatën, në shtator të vitit të kaluar, me lejen e kryetarit të komunës së Likovës, Beqir Saqipi, arkeologë të Qendrës nacionale për mbikëqyrjen e trashëgimisë kulturore, gjoja nuk janë lejuar të punojnë në lokalitetin, ku ka grumbuj kufomash të mumificuara. Sipas burimeve ne terren, jo vetëm pronarët e tokës, por edhe banorët e rajonit të Likovës nuk u lejojnë qasje që gërmimet të bëhen vetëm nga ekspertë maqedonas, sepse frikësohen se mos vallë do të ndodhë si me dy kufomat e hedhura në Danub, sepse frikësohen ndoshta mos e fshejnë lashtësinë e kufomave të mumificuara. .
Megjithatë, duhet të ndërmerret diç në këtë drejtim, sepse kufoma të këtilla dhe sot e kësaj dite janë prezente në xhadenë pranë Ujit të Thartë në Likovë. Por këtu, përpos ekspertëve maqedonas, prezentë duhet të jenë edhe ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë.
Krijoni Kontakt