
Postuar më parë nga
dodoni
Këshilli Ndërakademik për Çështje të Shqipes Standarde arrin konsensus
Pajtim për çështjen e “ë”-së
Akademikët nga Prishtina e Tirana kanë arritur pëlqimin për disa ndryshime të përdorimit të ë-së pastheksore dhe për mospërdorimin e ë-së fundore te disa emra mashkullorë. Ata janë pajtuar edhe për çështje të tjera
SHPEND ÇOÇAJ
Akademikët këndej e andej kufirit ia kanë dalë që, pas diskutimesh të gjata, t’i zgjidhin disa prej telasheve që kanë të bëjnë me shkronjën “ë”. Në takimin e Këshillit Ndërakademik për Çështje të Shqipes Standarde, që u mbajt të premten në Prishtinë, akademikët nga Prishtina e Tirana kanë përcaktuar kriteret në bazë të cilave do të reduktohet përdorimi i ë-së paratheksore dhe pastheksore.
“Është arritur pëlqimi për disa ndryshime të përdorimit të ë-së pastheksore dhe për mospërdorimin e ë-së fundore te emrat mashkullorë të tipit djalë, burrë, lumë, kalë etj. Po ashtu, është arritur marrëveshja që mbiemrat që shkruhen me ‘nj’ të shkruhen me ‘j’, si për shembull i drujtë, i florijtë, i pejtë etj”, tha për “Lajm” Besim Bokshi, zëvendësbashkëkryetar i Këshillit...
Propozimi për heqjen e ë-së së patheksuar pat nxitur debate të ashpra në takimin e kaluar të Këshillit..., mbajtur më 12 maj. Te premten, ndërkaq, pëlqimi është arritur falë konsensusit të të gjithë anëtarëve të grupeve punuese nga akademitë e Prishtinës dhe Tiranës.
“Në takimin e të premtes u shqyrtuan çështjet e drejtshkrimit dhe raporti i punës së Komisionit për Çështje të Leksikut. Për çështjen e parë, Këshilli... kishte përpara propozimet e të dy grupeve të Komisionit për Çështje të Drejtshkrimit. Grupet drejtoheshin nga Emil Lafe dhe Fadil Raka”, tha Bokshi.
Sipas akademikut Bokshi, në takimin e së premtes ka ekzistuar një angazhim më i madh për t’u marrë vesh dhe për të arritur disa rezultate.
“Në drejtshkrim problemet ishin rreth përdorimit të shkronjës ë të patheksuar. Kishte mjaft probleme, diskutime, mospajtime eventuale derisa të bindeshin me ndonjë kriter shkencor se a duhet ose nuk duhet një ndryshim specifik. Edhe në pikat tjera ka pasur ca probleme, por janë gjetur disa zgjidhje”.
Në takim është arritur pajtim që sa më shpejt komisionet të sjellin edhe një propozim të zgjidhjes së problemit të përdorimit të shkronjave të mëdha. “Këshilli... mendon se ka probleme që duhet shqyrtuar dhe mbase duhet vënë një rregull tjetër në përdorimin e tyre”, thotë Bokshi. Po ashtu, është sinjalizuar edhe fillimi i përgatitjeve për formimin e Komisionit për Çështje Morfologjike.
Këshilli Ndërakademik për Çështje të Shqipes Standarde është krijuar më 27 tetor të vitit 2004 në Tiranë dhe përbëhet nga tetë anëtarë nga Shqipëria dhe shtatë të tjerë nga Kosova dhe Maqedonia.
Ndër ndryshimet që janë arritur me konsensusin e të gjithë anëtarëve të Këshillit... është edhe që shumësi i emrave që mbarojnë me “nj”, të bëhet me mbaresën “j”, si arij, barij, mullij, lumej, priftërij etj. Po ashtu, të mos pranohet ambigjenia te emrat me shumësin “r”, si për shembull jo “leshrat e dredhura”, por “të dredhur”, jo “mishra të pjekura”, por “të pjekur”.
marre nga gazeta Lajm e Prishtines
PS: Moderatoret e ketij forumi mendoj qe duhet ta bejne kete teme, kryeteme, per vet rendesine e saj dhe ketu mund te sjellim edhe ndryshimet tjera qe mund te behen ne te ardhmen.
Krijoni Kontakt