Vandalët dëmtojnë Kishën e Shën Gjergjit në Libofshë
L. Çeçoaliaj
Kisha e Shën Gjergjit në Libofshë të Fierit ka rënë pre e veprimeve vandale nga persona ende të paidentifikuar. Policia e Fierit tha se Kisha është dëmtuar në disa vende, por në brendësi të saj nuk është vjedhur asgjë, çka çon në dyshimin se qëllimi ka qenë thjesht dëmtimi i Kishës. Policia tha se autorët e paidentifikuar kanë thyer dyert e parme të Kishës duke i shkatërruar dhe më pas kanë hyrë në brendësi të saj. Aty kanë dëmtuar disa objekte kulti. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, një ndër objektet më të dëmtuara është Ikonostasi i Kishës. Roja e Kishës ka vënë re i pari dëmtimin e saj dhe ka parë edhe objektet e dëmtuara. Ai ka njoftuar menjëherë policinë, e cila ka shkuar në vendngjarje. Gjatë kryerjes së ekspertizës, policia është ndeshur me një fakt të ndryshëm nga radhët e tjera që ishte detyruar të shkonte tek kjo Kishë që kishte rënë pre e grabitësve shpesh herë. Aty nuk mungonte asnjë objekt. Në Kishë duket se nuk ka pasur as para për t’u grabitur. Policia e ka klasifikuar veprën penale si “dëmtim të objekteve të kultit”. Çështja është dërguar në prokurori dhe po hetohet për të zbuluar autorët e këtij akti vandal. Kisha e Shën Gjergjit në Libofshë ndodhet në një kodër dhe është shumë e dukshme. Ajo është grabitur disa herë nga ana e personave që kanë mbetur të paidentifikuar.
25/10/2006
Shekulli
Krijoni Kontakt