Vetëm për tre muajt e fundit, autoritetet e Kosovës riatdhesuan 296 persona nga Shqipëria, midis tyre 9 femra.
SHPK: Të mbyllet kufiri për adoleshentët shqiptarë
Shërbimi Policor i Kosovës i kërkon policisë të mos lejoj adoleshentët shqiptarë të hyjnë në Kosovë
Bashkim SHALA
Kukës
- KFORI dhe SHPK-ja e Kosovës i kanë kërkuar dje policisë shqiptare që të mos lejojnë adoleshentët shqiptarë që të kalojnë kufirin, edhe kur ato janë të pajisur me pasaporta. Kjo kërkesë është bërë gjatë një takimi mes KFOR, SHPK dhe policisë së Kukësit në Prizëren. Policia e Kukësit ka hedhur poshtë këtë kërkesë. Takim i përbashkët mes të KFOR-it, Shërbimit Policor të Kosovës dhe policisë së qarkut të Kukesit është zhvilluar dje në Prizren, me objekt prandalimin e kalimit të klandestinëve përmes kufirit të gjelbërt Shqipëri-Kosovë. Shërbimi Policor i Kosovës ka kërkuar që personat e mitur dhe adoleshentët të pengohen për të hyrë në Kosovë edhe pse ato janë të pajisur me pasaporta të rregullta. Kjo kërkesë e autoriteteve të policisë së Kosovës nuk është pranuar nga pala shqiptare, pasi bie ndesh me të drejtat dhe liritë e njeriut që i garanton Kushtetuta e Shqipërisë dhe rregullat e vendosura në qarkullimin midis Shqipërisë e Kosovës. “Të miturit dhe adoleshentët janë të pajisur me pasaportë dhe kanë të drejtë të kalojnë në Kosovë. Kalimi i paligjshëm i kufirit vetëm me pasaportë quhet kalimi Kosovë-Serbi dhe jo Shqipëri-Kosovë. Me këto ligje që janë aktualisht në Shqipëri, ne nuk mund t’i pengojmë të miturit dhe adoleshentët për të hyrë në Kosovë”, sqaron Petrit Axhami, shef i Luftës kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Kukësit. Megjithatë bëhet e ditur se në disa raste, Shërbimi i Policisë Kufitare në pikë-kalimin e Vermicës në Kosovë ka kthyer mbrapsh të rinj nga Shqipëria që ishin me pasaporta të rregullta dhe që tentonin të kalonin në Kosovë. Sipas Axhamit, Kosova është një zbulim i ri i trafikantëve të klandestinëve për në vendet perëndimore, ku numri i tyre është shtuar sidomos tre muajt e fundit. “Trafikantet kanë gjetur hapësira në ligjet shqiptare në fuqi për të depërtuar duke i kaluar klandestinët në Kosovë me pasaporta të rregullta. Në tre muajt e fundit janë riatdhesuar nga Kosova 296 klandestinë, midis tyre 9 femra . Klandestinët janë të moshave 16-18-20 vjeç dhe janë kapur kryesisht në Serbi apo në kufijtë e saj me Kosovën, por edhe në territorin e Kosovës” thotë në vazhdim Petrit Axhami. Ai thotë se janë marrë masa edhe nga drejtoria e Policisë së Qarkut të Kukësit për parandalimin e kalimit të klandestinëve për në Kosovë. “Të miturit dhe adoleshentët kalojnë kryesisht përmes pikë-kalimit kufitar të Morinit të pajisur me pasaportë . Në këtë vendkalim janë ngritur grupe punë që intervistojnë të miturit dhe adoleshentët që udhëtojnë kryesisht me autobusë, por është mjaft e veshtirë që të zbulohet qëllimi i vërtetë i udhëtimit të tyre për në Kosovë”, pasi klandestinët janë të instruktuar mjaft mirë nga trafikantët para se t’i nisin për në Kosovë”, thotë Petrit Axhami. Autoritetet e Shërbimit Policor të Kosovës janë në dijeni të linjave që përdorin klandestinët nga Shqipëria për kaluar në destinacion që janë vendet përendimore. Sipas zyrtarëve të SHPK-së klandestinët hyjnë kryesisht në mënyrë legale në Kosovë nga Shqipëria për mes vendkalimit kufitar Morin-Vermicë dhe fillimisht ndalohen në Prizren. Nga Prizreni ato dërgohen në Mitrovicë dhe më pas përmes magjistrales së Ibrit që shkojnë për në Serbi, duke hipur nëpër automjete me pronarë serbë. Më pas ato udhëtojnë rreth 45 kilometër në veri të Mitrovicës në vendkalimin kufitar të Rudnicës për në territorin e Serbisë. Klandestinët nga Shqipëria dhe trafikantët përdorin edhe pikë-kalimet e tjera të veriut të Kosovës në kufi me Serbinë në Jarinjë të Leposaviqit dhe në Berrnjakë të Zubin Potokut. Në muajin qershor të këtij viti 18 klandestinë shqiptarë dhe katër shoferët serbë që I shoqëronin janë kapur nga policia serbe në vendin e quajtur Rudnicë ku dhe janë keqtrajtuar. Klandestinët nga Shqipëria rrugëtimin e tyre e fillojnë nga vendlindja për në Kosovë, ku i presin kontrabandistët shqiptarë e serbë, për t’i dërguar në Serbi. Prej aty, një pjesë e tyre i shfrytëzojnë kanalet ilegale nëpërmjet Hungarisë, ndërkaq një pjesë tjetër Kroacinë drejt Sllovenisë dhe Italisë. Ka mbi dy vjet që bregdeti i Vlorës nuk përdoret nga trafikantet e qenieve njerëzore për t’i depërtuar keto të fundit në Itali. Klandestinët nga Shqipëria mblidhen në Kosovë apo Mal të Zi për të kaluar më pas Itali përmes aeroportit të Prishtinës apo për në Serbi, Mal të Zi, në Bosnje Hercegovinë, në Kroaci e Slloveni e më pas në Itali. Për këtë lloj udhëtimi klandestinëve u duhet të paguajnë shuma që shkojnë edhe nga 3300-4000 Euro për secilin. Nëse ata nuk mbërrijnë në destinacion, paratë duhet të kthehen, por në të shumtën e rasteve nuk ndodh kështu.
08/10/2006
Shekulli
Krijoni Kontakt