Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 10
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,346
    Postimet në Bllog
    17

    SPIRITUALITETI: Kapitualli V - Lutja, agjërimi dhe lëmoshë-dhënia

    Lutja

    Të gjitha virtytet dhe fuqitë e Perëndisë arrihen, kryesisht, nga lutja. Pa lutjen, nuk ka jetë shpirtërore. Ashtu si thotë peshkopi rus, Theofan i Mbylluri: "Nëse ju nuk jeni të suksesshëm në lutjen tuaj, ju nuk do të jeni i suksesshëm në asgjë, sepse lutja është rrënja për çdo gjë" (Theofan i Mbylluri, shek. 19, Arti i Lutjes, bot. Igumen Haritoni).

    Dhe kur ti lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, në mënyrë që njerëzit t'i shohin; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë publikisht (Matheu 6:5-6).

    Lutja duhet të jetë e fshehtë. Ky është rregulli i parë i dhënë nga Krishti. Personi që lutet duhet ta bëjë në një mënyrë të tillë që të mos shihet nga njerëzit kur lutet.

    Në traditën shpirtërore të Kishës, fjala e Krishtit "futu në dhomën tënde" është interpretuar në dy mënyra. Para së gjithash, ata e kanë kuptuar si një urdhërim fjalëpëfjalshëm. Personi që lutet duhet ta mbyllë veten fizikisht gjatë kohës së lutjes me qëllim që të lutet në fshehtësi dhe që të mos shihet nga të tjerët.

    Së dyti, këto fjalë janë kuptuar të thonë se personi që lutet duhet të hyjë brenda vetes, duke u lutur në fshehtësi në mendjen dhe zemrën e tij në çdo kohë, pa e shfaqur lutjen e tij të brendshme tek të tjerët. Kështu "dhoma" në të cilën ai duhet "të futet" është "dhoma e zemrës."

    Dhoma e shpirtit është trupi; dyert tona janë pesë shqisat trupore. Shpirti hyn në dhomën e tij kur mendja nuk endet këtu dhe atje, duke bredhur nëpër gjërat dhe problemet e botës, por qëndron brenda, në zemrën tonë. Shqisat tona mbyllen dhe mbeten të mbyllura kur ne nuk i lemë ato të lidhen me pasion në gjërat e jashtme shqisore dhe në këtë mënyrë mendja jonë mbetet e lirë nga çdo lidhje e botës dhe nga lutja e fshehtë mendore bashkohet me Perëndinë Atin e saj.

    Perëndia që sheh në fshehtësi çdo gjë e sheh lutjen mendore dhe e shpërblen haptazi me dhurata të mëdha. Sepse kjo lutje është e vërtetë dhe e përsosur që e mbush shpirtin me hirin hyjnor dhe me dhurata shpirtërore (Shën Grigor Pallamai,
    shek. 14, Si Duhet Të Luten Pa Pushim Të Gjithë Të Krishterët).

    Kështu, në traditën shpirtërore të mësuesve të krishterë të lutjes, njësimi i mendjes dhe i zemrës brenda shpirtit është parë si përmbushja e kushtit themelor të lutjes, ashtu si është urdhëruar nga Krishti (kr. Arti i Lutjes).

    Por kur ju luteni, mos përdorni përsëritje të kota siç bëjnë paganët, sepse ata mendojnë se do t'u plotësohet lutja se kanë përdorur shumë fjalë. Mos u bëni, pra, si ata, sepse Ati juaj i di gjërat për të cilat keni nevojë, para se ju t'i kërkoni (Matheu 6:7-8).

    Perëndia i di nevojat e popullit të Tij. Njeriu lutet për të bashkuar mendjen dhe zemrën e tij me Perëndinë. Ai lutet me qëllim që të bëhet vullneti i Perëndisë në jetën e tij. Ai lutet kështu që t'i jepet çfarëdo që ai ka nevojë nga Perëndia. Ai Iutet kështu që ai të shprehë, me ndërgjegje dhe vetëdije të plotë, faktin që gjithçka që ai është, ka dhe bën varet në Perëndinë. Është njeriu ai që ka nevojë të lutet. Perëndia nuk ka nevojë për lutjet e njeriut.

    Lutja e vërtetë e krishterë duhet të jetë e shkurtër. Duhet të jetë e thjeshtë dhe normale. Nuk duhet me shumë fjalë. Me të vërtetë, nuk ka nevojë aspak për fjalë. Ajo mund të jetë qëndrimi i brendshëm, krejtësisht i heshtur i shpirtit para Perëndisë, përmbushja e fjalëve të psalmistit:

    . . . mendohuni shumë në zemër tuaj dhe qëndroni në heshtje (Psalmi 4:4, 46:10).

    Mësimi rreth shkurtësisë dhe heshtjes në lutje gjendet në të gjithë mësuesit shpirtëror. Shën Dimitri i Rostovit e përmbledh këtë mësim kur thotë se tagrambledhësi u lut vetëm "Perëndi ki mëshirë për mua mëkatarin" dhe u drejtësua; kusari i penduar u lut vetëm "Kujtomë . . ." dhe mori parajsën; dhe biri plangprishës dhe taksa-mbledhësi Zake, nuk thanë pothuaj asgjë dhe morën mëshirën e Atit dhe faljen e Krishtit (Lluka 15:20, 18:13, 19:5, 22:42; kr. Shën Dimitn i Rostovit, shek. 17. Arti i Lutjes, bot. Igumen Haritoni).

    Lypni dhe do t'ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t'ju hapet. Sepse kushdo që lyp, merr, kush kërkon, gjen dhe do t'i hapet atij që troket. (...) Në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t'u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t'u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë (Matheu 7:7-8,11; shih Lluka 11:9-10,13).

    Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin. Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj (Joani 14:13-14).

    Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se çdo gjë që t'i kërkoni Atit në emrin tim, Ai do t'jua japë. Deri tani ju s'keni kërkuar asgjë në emrin tim; kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë(Joani 16:23-24).


    Çfarëdo që një kërkon në emër të Jisuit do t'i jepet. Kjo nuk do të thotë aspak se njeriu mund t'i kërkojë Perëndisë çdo gjë. Ai nuk mund të kërkojë për çfarë nuk nevojitet ose për çfarë është e keqe. Por, ai mund të kërkojë dhe duhet të kërkojë për "dhurata të mira", për gjithçka që mund të kërkohet në emrin e Krishtit, për gjithçka që është e shenjtë, e pamëkat dhe e mirë. Nëse një kërkon për gjëra të mira me besim, ai, sigurisht, do t'i marrë ato, nëse Perëndia mendon se ai duhet t'i ketë ato për jetën dhe shpëtimin e tij. Ky është premtimi i Vetë Zotit.

    Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t'ju bëhet (Joani 15:7).

    Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke patur besim, do të merrni (Matheu 21:22, kr. Lluka 18:1-8).


    Çdo lutje e drejtuar tek Perëndia me besim ka përgjigje. Kjo nuk do të thotë se gjithçka që kërkohet jepet gjithmonë, sepse Perëndia e di më mirë se njeriu që lutet se çfarë është e mirë për atë. Për këtë arsye mësuesit shpirtërorë e paralajmërojnë njeriun që të mos jetë këmbëngulës dhe të mos qëndrojë gjatë në kërkesat e tij konkrete ndaj Zotit. Perëndia e di më mirë çfarë nevojitet dhe për t'ia provuar këtë shërbëtorëve të Tij, Ai mund nganjëherë të dorëzohet ndaj kërkesave të tyre këmbëngulëse dhe t'u japë çfarë ata këkojnë, që nuk duhej, për t'ua bërë atyre krejtësisht të qartë, se duhet të kishin besim në diturinë e Tij. Kështu, gjithmonë është më mirë të jesh i heshtur dhe i shkurtër në lutje dhe jo shumë specifik në kërkesa. Lutja më e mirë është gjithmonë: "Jepna çfarë nevojitet, o Zot. U bëftë dëshira Jote."

    Sa shumë herë jam lutur për çfarë më dukej e mirë, duke mos ia lënë atë Perëndisë, sepse Ai e di më mirë, çfarë është e dobishme për mua. Por, mbasi e merrja atë që kisha kërkuar e gjeja veten në rrezik, sepse nuk e kisha kërkuar atë sipas vullnetit të Perëndisë... (Shën Nili i Sinait, shek. 5, Tekste mbi Lutjen).
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 07-10-2006 më 18:58

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,346
    Postimet në Bllog
    17
    Lutja e Zotit


    Kur po i mësonte nxënësit të luteshin. Krishti tha:

    Ju, pra, lutuni kështu: Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë dëshira jote si në qiell ashtu edhe mbi dhe. Bukën tonë të përditshme jepna neve sot. Dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë. Dhe mos na shtjer në ngasje, por çlirona nga i Iigu (Matheu 6:9-13), kr. Lluka 11:2-4).

    Ky është, zakonisht, përkthimi i lutjes së përdorur në Kishën Orthodhokse. Ajo fillon me një kërkesë drejtuar Perëndisë si "Ati ynë". Nuk kishte lutje të tillë para këtij mësimi të Krishtit. Populli i Dhiatës së Vjetër nuk i drejtohej Perëndisë si "Aba: Atë" (Romanët 8:15, Galatianët 4:6). Ky emër "Atë" për Perëndinë është dhënë nga Krishti, Biri hyjnor i Perëndisë. Njerëzit mund të guxojnë "pa ndrojtje dhe pa dënim" të thërresin emrin "Atë" vetëm kur ata janë bërë të denjë nga Krishti për ta bërë këtë. (kr. Liturgjia e Shën Joan Gojartit). Në Kishën e hershme lutja "Ati Ynë" u mësohej vetëm anëtarëve të pagëzuar të kishës.

    Pohimi sc Ati është "në qiej", do të thotë se Ai është kudo dhe mbi gjithçka. Qiejt janë mbi gjithçka dhe përfshijnë gjithçka. Kudo që njeriu të shkojë në tokë ose në ajër, ose edhe në hapësirë, qiejt janë rrotull tij dhe mbi atë. Të thuash se Ati është "në qiej" do të thotë se Ai nuk është i kufizuar në asnjë vend çfarëdo qoftë - si ishin perënditë e paganëve. Perëndia qiellor është "Perëndi i perëndive" (Ligji ' Përtërirë 10:17, 2 Kronikat 2:5), "Atë i të gjithëve ne, që është përmbi të gjitha, në mes të të gjithëve dhe në ju të gjithë," (Efesianët 4:5) ai në të cilin "ne jetojmë, lëvizim dhe jemi" (Veprat 17:28). Të thuash se Perëndia është "në qiej" nuk do të thotë ta vendosësh Atë diku; por, do të thotë se Ai i kapërcen të gjitha gjërat dhe përsëri është i pranishëm në të gjitha.

    "U shenjtëroftë emri Yt" do të thotë se emri i Perëndisë është i shenjtë dhe duhet trajtuar me respekt dhe devocion. Në besëlidhjen e vjetër ishte zakoni që hebrenjtë kurre nuk e thonin emrin e Perëndisë: Jahve, Unë Jam (kr. Eksodi 3:13-15). Kjo bëhej për të ruajtur të pastër emrin hyjnor dhe për të mos shkelur urdhërimin: "Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e Tij" (Eksodi 20:7).

    Në Dhiatën e Re Perëndia i jep Jisuit [B]"një emër që është përmbi çdo emër" [/B](Filipianët 2:9) dhe duke e bërë emrin e Atit të shenjtë, të krishterët e bëjnë këtë në emrin e Birit të Tij.

    "Ardhtë Mbretëria Jote" në lutjen e Zotit është, para së gjithash, lutja për mbarimin e kohës. Të krishterët duan që bota të mbarojë, kështu që Mbretëria e Perëndisë të mbushë tërë krijimin me jetën dhe lavdinë hyjnore. "Eja Zoti Jisu; Maran-atha!" është lutja e besimtarit, lutja e fundit e Shkrimit (Zbulesa 22:20, kr. 1 Korinthianët 16:22). Është thirrja për shfaqjen finale të Zotit.

    Në traditën shpirtërore të Kishës, lutja "ardhtë Mbretëria Jote" është kuptuar si një thirrje për Shpirtin e Shenjtë për të banuar në popullin e Perëndisë. Në komentin e tij mbi Lutjen e Zotit, Shën Grigori i Nisës thotë se ka një lexim tjetër për këtë kërkesë që thotë: "Shpirti Yt i Shenjtë ardhtë mbi ne dhe na pastroftë." Kështu, thotë ai, duke ndjekur shkrimet, prania e Shpirtit të Shenjtë në njeriun është prania e Krishtit dhe e Mbretërisë së Perëndisë.

    Sepse mbretëria e Perëndisë është... drejtësia, paqja dhe gëzimi në Frymën e Shenjtë (Romanët 14:17).

    ... është Perëndia Ai që na themelon neve bashkë me ju në Krishtin ... i cili edhe na vulosi dhe na dha pengun e Frymës në zemrat tona (2 Korinthianëtl:22).

    Në të edhe ju ... u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit, i cili është pengu i trashëgimisë tonë, për shpengimin e plotë të zotërimit të blerë, për lëvdim të lavdisë së tij.

    . . . Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit (Efesianët 1:13-14,4:30).


    Vula e Shpirtit të Shenjtë në zemrën e njeriut është zotimi dhe dorëzania e Mbretërisë së Perëndisë, akoma për të ardhur, me të gjithë fuqinë dhe lavdinë. Në lutjen "ardhtë Mbretëria Jote", besimtarët në Jisuin kërkojnë që Mbretëria e Perëndisë, e cila "nuk vjen në mënyrë dhe shenja të jashtme" që mund t'i shohin të pabesët, të mund të banojë fuqimisht dhe fshehtësisht brenda besimtarit (kr. Lluka 17:20-21).

    "U bëftë dëshira jote si në qiell ashtu edhe mbi dhe" është qendra e Lutjes së Zotit, dëshira qendrore e të krishterëve. Tërë qëllimi i lutjes, vetë qëllimi i jetës së njeriut, është të bëjë vullnetin e Perëndisë. Këtë bëri dhe u lut Jisui (kr. Matheu 26:42). Dhe për këtë duhet të luten dhe të bëjnë ndjekësit e Tij. Nuk është veçse një qëllim në lutje, thonë mësuesit shpirtëror, të mbahen urdhërimet e Perëndisë në mënyrë që të mos mëkatosh, duke shkuar kështu në hyjnizimin dhe birësimin hyjnor me Krishtin.

    E vetmja gjë që Perëndia kërkon nga të vdekshmit është që ne të mos mëkatojmë. Por kjo . . . është thjesht të mbash të pacënuar imazhin dhe rangun që ne kemi nga natyra. Të veshur kështu me rroben e ndritshme të Frymës, ne banojmë në Perëndinë dhe Ai në ne; me anë të hirit ne bëhemi perëndira dhe bij Perëndie dhe ndriçohemi nga drita e diturisë së Tij... (Shën Simeoni Teologu i Ri, shek. 10, Porosi Praktike dhe Teologjike).

    Të lutesh "u bëftë dëshira Jote" sipas mësuesve shpirtërorë, është një akt i guximshëm dhe i rrezikshëm. Kjo është kështu, pikësëpari, sepse kur një e bën këtë lutje, ai duhet të jetë gati, si Krishti, ta ndjekë atë kudo që ajo të çon. Perëndia do t'i përgjigjet kësaj lutje dhe do ta bëjë të njohur vullnetin e tij. Personi që lutet duhet të jetë gati të bindet, çfarëdo qofshin pasojat. Kur u pyet përse shumë të krishterë janë të mërzitur dhe të acaruar, të pakënaqur dhe të rëndomtë dhe nganjëherë edhe disi të "çekuilibruar", një mësues shpirtëror u përgjigj se arsyeja është e qartë. Ata luten "u bëftë dëshira Jote" dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë përditë, ndërsa në të njëjtën kohë ata e kundërshtojnë dëshirën e Perëndisë në jetën e tyre dhe kështu janë gjithmonë jo mirë. Pastaj fillojnë të justifikojnë qëndrimet dhe veprimet e tyre, të shpjegojnë dhe të arsyetojnë sjelljen e tyre, para ndërgjegjes së tyre dhe të tjerëve. Një person në një gjendje të tillë nuk mund të jetë kurrë në paqe, sepse "është diçka e tmerrshme të biesh në duart e Perëndisë së Gjallë" (Hebrenjtë 10:31).

    Arsyeja e dytë përse është thënë që lutja "u bëftë dëshira Jote" - dhe lutja në përgjithësi - është e guximshme dhe e rrezikshme, është, sepse djalli e sulmon furishëm personin që lutet. Me të vërtetë një nga provat më të mëdha të tundimit demoniak dhe të realitetit dhe fuqisë së djallit, është të jesh i zjarrtë në lutje. Sepse djalli nuk do gjë tjetër më shumë për njeriun, sesa kur ai dështon të përmbush vullnetin e Perëndisë, që është qëllimi i çdo lutje.

    Nëse ju jepeni pas lutjes, përgatite veten për sugjerimet djallëzore dhe priti me durim sulmet e tyre; sepse ata do t'ju sulmojnë si bisha të egra . . . Përpiqu sa më shumë që të mundesh qe të jesh i përunjur dhe kurajoz . . . Ai që do të rezistojë do t'i jepet një gëzim i madh (Shën Nili i Sinait, shek. 5, Tekste mbi Lutjen).

    Lutja për "bukën e përditshme" është kuptuar normalisht të tregojë në përgjithësi të gjitha nevojat tona trupore dhe çfarëdo tjetër që na duhet për të mbajtur jetën tonë në këtë botë. Por, në traditën shpirtërore, kjo kërkesë, meqenëse fjalë për fjalë ajo thotë bukën tonë "të domosdoshme" ose "mbi të domosdoshme", është kuptuar shpesh në kuptimin shpirtëror për të treguar ushqimin e shpirtrave tanë nga Fjala e Perëndisë, Jisu Krishtin që është "Buka e Jetës"; "Buka e Perëndisë që zbret prej qielli dhe i jep jetë botës" (Joani 6:33-36); buka e cila "një mund ta hajë e të mos vdesë", por "të jetojë përjetë" (Joani 6:50-51). Kështu lutja për "bukën e përditshme" bëhet kërkesa për ushqimin shpirtëror me anë të kungimit të qëndrueshëm me Krishtin, që të mund të jetohet përjetësisht me Perëndinë.

    Lutja "falna fajet tona sikundër edhe ne ua falim fajtorëve tanë" është theksuar në mënyrë të veçantë nga Zoti.

    Sepse, në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t'jua falë edhe juve; por, në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t'ua falë juve gabimet tuaja (Matheu 6:14-15).

    Këtë do që të tregojë parabola e Krishtit për shërbëtorin që nuk fal (Matheu 18:23-35). Të gjithë njerëzit i detyrohen Perëndisë për gjithçka dhe ata nuk i ofrojnë Atij falënderimin, lavdërimin dhe drejtësinë, që ata duhet t'i ofronin. Perëndia do t'i falë fajet dhe detyrimet e shërbëtorëve të Tij, vetem nëse ata vetë do t'i falin vëllezërit e tyre, jo vetëm me fjalë dhe me gjeste formale, por sinqerisht dhe vërtetësisht "nga zemrat e tyre" (kr. Matheu 18:35)-Në lutjen e mësuar nga Krishti kjo tregohet qartë.

    "Mos na shtjer në ngasje" nuk duhet kuptuar sikur Perëndia e vë popullin e tij në provë ose i sjell ata në ngjarjet e këqia.

    Askush kur tundohet të mos thotë: "Jam tunduar nga Perëndia", sepse Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja, dhe Ai vet nuk tundon asnjeri. Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakmia e vet. Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si të kryhet, ngjiz vdekjen (Jakovi 1:13-15).

    "Mos na shtjer në ngasje" do të thotë që ne i kërkojmë Perëndisë të mos na lejojë që ne të gjendemi në situatat në të cilat ne mund të mundemi nga mëkati. Ajo është një lutje që ne të ruhemi nga ata njerëz dhe vende ku mbretëron ligësia dhe ku ne, në dobësinë tonë, sigurisht që do të biem. Është një lutje që ne të çlirohemi nga mashtrimi dhe kotësia e mendjeve dhe zemrave tona, nga epshet mishore që banojnë në trupat tanë. Është një lutje që Vetë Perëndia të bëhet streha dhe mbrojtja e njeriut (kr. Psalmi 91).

    "Çlirona nga i ligu" thotë fjalë për fjalë "shpëtona nga i ligu", domethënë nga djalli. Kuptimi është i qartë. Për njeriun ka vetëm dy rrugë: Perëndia dhe jeta ose djalli dhe vdekja. Çlirimi nga djalli do të thotë shpëtim dhe çlirim nga çdo fallsitet, marrëzi, mashtrim, ligësi dhe paudhësi që të çojnë në shkatërrim dhe vdekje.

    Kështu, si e ka shpjeguar Kryepeshkop Andon i Surozhit, Lutja e Zotit tregon tërë kuptimin e jetës së njeriut (kr. Kryepeshkop Andon Blum (Bloom), Lutja e Gjallë). I çliruar nga i ligu, njeriu është i shpëtuar nga tundimi, duke qenë kështu, ai është i mëshirshëm ndaj të gjithëve dhe merr faljen e mëkateve të tij. Duke qenë i falur nga mëkatet e tij, prej mëshirës së tij ndaj të tjerëve, ai ka gjithçka që i
    levojitet për jetën - "bukën e përditshme" të tij; dhe duke e i ushqyer nga Perëndia, ai përmbush vullnetin e tij.

    Mbasi ka përmbushur vullnetin e tij, Mbretëria e Perëndisë eshte e pranishme, emri i Tij është i shenjtëruar dhe Ai tregohet Ati i atij që e tregon veten me të vërtetë bir i Perëndisë, i cili mund të thotë "Ati ynë".

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,346
    Postimet në Bllog
    17
    Lutja Ndërmjetuese

    Duke iu lutur Atit të Tij, Jisui u lut për popullin e Tij, (kr. Joani 17) Ai Vetë është i vetmi ndërmjetues i aftë për njerëzit para Perëndisë.

    Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jisu njeri, i cili e dha veten si çmim për të gjithë (1 Timotheu 2:3).

    Jisui në lavdinë e tij të ngjalljes, lutet përjetësisht te Ati i Tij për të gjitha krijesat e Tij.

    ... Ai, mbasi qëndron për jetë të jetës, ka priftëri të patjetërsueshme, prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta.

    Sepse Krishti nuk hyri në një shenjtërore të bërë me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e asaj të vërtetë, por në vetë qiellin për të dalë tani përpara Perëndisë për ne (Hebrenjtë 7:24-25, 9:24).


    Në dhe më anë të Krishtit, të krishterët bëhen të aftë të ndërmjetojnë para Perëndisë. Në emrin e Jisuit, të krishterët urdhërohen dhe fuqizohen të luten për njëri-tjetrin dhe për gjithë krijimin: "për të gjithë dhe për të gjitha" (Mesha e Shën Joan Gojartit).

    Të bëj thirrje, pra, para së gjithash, që të bëhen përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime për të gjithë njerëzit, për mbretërit e për të gjithë ata që janë në pushtet,... Sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, i cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t'ia arrijnë njohjes të së vërtetës (1 Timotheu 2:1-4).

    Rrëfeni fajet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni; shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt. Elia ishte një njeri me të njëjtat pasionet tona, dhe u lut intensivisht që të mos binte shi, edhe nuk ra shi mbi dhe për tre vjet e gjashtë muaj. Dhe u lut përsëri dhe qielli dha shi edhe dheu dha frytin e vet (Jakovi 5:16-18).


    Lutjet ndërmjetuese mund të bëhen për çdo "dhuratë të mirë" prej Perëndisë për hir të shpëtimit të të tjerëve. Lutje të tilla mund të përfshijnë kërkesa për çdo lloj bekimi, si për trupin, ashtu edhe për shpirtin. Ato mund të bëhen për frymëzimin dhe mësimin e njerëzve, si edhe për shërimin dhe shpëtimin e tyre. Çfarëdo që një i kërkon Perëndisë për veten e tij, duhet t 'i kërkojë për të gjithë njerëzit. Çfarëdo që një i kërkon për vete duhet të lutet për të gjithë. "Është e drejtë të lutesh jo vetëm për pastrimin tënd, por për pastrimin e të gjithë njerëzve..." (Shën Nili i Sinait, shek. 5, Tekste mbi Lutjen)

    Të kuptosh lutjen ndërmjetuese, duhet të kujtosh përkujdesjen e përjetshme të Perëndisë. Duhet të kapet fakti se Perëndia i di të gjitha përjetësisht dhe e merr në konsideratë çdo veprim të njeriut në planin e Tij të përgjithshëm. Në këtë perspektivë mund të shihet, pra, se edhe para krijimit të botës, Perëndia ka dëgjuar, ose më mirë, më saktë, dëgjon përjetësisht, thirrjet e popullit të Tij. Ai e konsideron lutjen e njeriut në gjithçka që Ai bën në marrëdhëniet e Tij me njerëzit. Kështu është e vërtetë se Perëndia nuk pret të shikojë se çfarë ne do të bëjmë apo si do të lutemi. Ai i konsideron veprimet dhe lutjet tona nga perspektiva e përjetësisë. Dhe në aspektin e dëshirave dhe veprave tona Ai shikon se "të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që duan Perëndinë" (Romanët 8:28).

    Nëse ne e kuptojmë këtë, ne mund të shohim sesi lutjet tona konsiderohen nga Perëndia, për vetet tona dhe për të tjerët. Ne mund të kuptojmë, gjithashtu, sesi ne mund të lutemi edhe për ata që kanë vdekur, jeta e të cilëve mbi tokë ka mbaruar. Sepse Zoti nuk i dëgjon lutjet tona "mbasi" diçka ka mbaruar, sepse për Perëndinë nuk ka aspak "mbas". Perëndia e di çfarë ne kërkojmë para se ne ta kërkojmë, sepse Ai e njeh të gjithë jetën e njeriut në një veprim hyjnor të vizionit dhe njohurisë gjithpërfshirëse. Kështu, të gjitha lutjet tona, edhe ato për të vdekurit, janë dëgjuar dhe konsideruar nga Perëndia para se ne t'i bëjmë ato. Nëse ne dështojmë të lutemi, edhe kjo është e njohur te Perëndia dhe ajo ka efektin e saj në planin e shpëtimit të Perëndisë. Prandaj, ne duhet "të lutemi për njëri-tjetrin" dhe lutjet tona do të kenë "fuqi të madhe në efektet e tyre" nëpërmjet veprimit përkujdesor të përjetshëm të Perëndisë.

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,346
    Postimet në Bllog
    17
    Lutja e Pandërprerë


    Në letrën e tij drejtuar Romanëve, Shën Pavli i mëson të krishterët të "qëndrojnë në lutje" (Romanët 12:12). Në letrën e tij të parë drejtuar Selanikasve ai thotë thjesht, "lutuni pa pushim" (1 Selanikasit 5:17).

    Këto dy urdhërime të apostullit janë interpretuar në traditën orthodhokse në dy mënyra të ndryshme. Mënyra e parë, e përmendur nga Shën Joan Gojarti dhe Shën Dimitri i Rostovit, është që të krishterët duhet të kenë kohë të rregullta për lutjet, të cilat kurrë nuk duhet t'i lënë pas dore - "në mbrëmje, në mëngjes dhe në mesditë" (Psalmi 55:17) - dhe ndërmjet tyre, ata duhet gjithmonë të kujtojnë Perëndinë dhe të bëjnë çdo gjë për lavdinë e Tij (kr. 1 Korinthianët 10:31), duke i ofruar lutje dhe kërkesa sipas nevojave, duke lavdëruar dhe falënderuar kur e kërkojnë rrethanat. Kjo është mënyra normale që të gjithë të krishterët duhet të jetojnë.

    Përgatitu për kohët e caktuara të lutjes me lutje të pandërprera në shpirtin tënd dhe shpejt do të përparosh (Shën Joani i Shkallës, shkalla 28).

    Caktimi i kohëve për lutjet është shumë i rëndësishëm dhe nuk duhet lënë mënjanë për asnjë arsye, edhe kur një lutet vazhdimisht në zemrën e tij. Ky është mësimi dhe praktika e shenjtorëve. Çdo person që dëshiron të jetojë jetë shpirtërore duhet ta ketë këtë rregull lutje. Ai duhet të jetë i shkurtër dhe i rregullt, që mund të mbahet në të gjitha kushtet dhe rrethanat. Në këtë rregull të caktuar lutje, duhet të përdoren lutjet e Kishës, Lutja e Zotit dhe ato të librave të lutjes. Kjo jep një disiplinë në lutje dhe siguron mësirn dhe frymëzim në lutje, e cila është e besueshme dhe e shëndoshë, fuqia e të cilës është treguar në jetën e shenjtorëve. Një person që nuk e ndjek këtë rregull të caktuar lutje që përdorin lutjet tradicionale të Kishës, përballet me rrezikun e madh të varferimit të lutjes së tij dhe të zvogëlimit të përmasave dhe qëllimit të saj në perspektivën e kufizuar të dëshirave dhe nevojave të tija individuale.

    Kur lutesh me një rregull lutje të caktuar, na tregojnë mësuesit shpirtërorë, duhet vënë e gjithë mendja dhe zemra jonë në kuptimin e fjalëve të lutjes, jo thjesht "të thuash lutje", gjë që nuk është lutje aspak, por të lutesh vërtetësisht me zjarr dhe vëmendje personale. Ata na tregojnë që të mos e lejojmë mendjen tonë të endet nga fjalët e lutjes, por të përdoren fjalët e dhëna si bazë për përkushtimin tonë personal, madje edhe ta lejojmë mendjen tonë të shkojë përtej fjalëve të dhëna tek fjalët tona, ose tek jo fjalë në lutjen e qetësisë, nëse Zoti na drejton në këtë rrugë. Ata u tregojnë, gjithashtu, fillestarëve - dhe Shën Dimitri i Rostovit thotë se ne jemi të gjithë fillestarë - që kurrë të mos kthehen dhe të përsërisin lutjet e bëra varfërisht. Ata na thonë më mirë ta lemë veten në mëshirën e Perëndisë dhe të përpiqemi ta bëjmë më mirë herën tjetër. Kjo metodë e pakëson mundësinë e mendimit se Perëndia na i dëgjon lutjet sipas përsosmërisë së kryerjes së tyre nga ana jonë dhe jo sipas mëshirës së Tij dhe na ruan si nga krenaria, ashtu edhe nga dëshpërimi. Ajo jep përunjësi dhe shpresë dhe na mban gjithmonë të shkojmë përpara (kr. Lluka 9:62, Filipianët 3:13-15).

    Kështu, kur një e mbaron rregullin e lutjes, sado varfërisht ta ketë bërë, duhet të thotë Amin dhe të vazhdojë punën e tij të jetimit në Krishtin, duke kujtuar Perëndinë dhe duke bërë vullnetin e Tij derisa të vijë hera tjetër për t'u bërë rregulli i lutjes. Atëherë ai duhet ta bëjë atë sa më mirë që të jetë e mundur, duke filluar edhe një herë prej fillimit.

    Mënyra e dytë e interpretimit të mësimit rreth lutjes së pandërprerë është që njerëzit duhet të luten aktualisht me vetëdijen e ndërgjegjëshme në çdo moment të jetës së tyre madje, edhe në gjendjen e pandërgjegjshme kur trupat e tyre janë në gjumë. Ky kuptim i "lutjes së pandërprerë" u zhvillua në traditën murgërore, pastaj u përhap shpejt në të gjithë anëtarët e kishës. Ai u bë shumë popullor në kohët e fundit, sidomos me shfaqjen e librit nga një fshatar anonim rus të quajtur "Rruga e Pelegrinit".

    Kërkimi për "lutjen e pandërprerë" e ka burimin jo vetëm në mësimin e Shën Pavlit, por edhe në interpretimin drejtpërdrejt të fjalëve të tilla të psalmistit.

    Do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lavdërimi i atij do të jetë gjithnjë në gojën time(Psalmi 34:1).

    Dhe Kënga e Salomonit:

    Unë flija, por zemra ime përgjonte (Kënga e Këngëve 5:2).

    Metoda e "lutjes së pandërprerë" është të kesh një varg të shkurtër lutje, zakonisht Lutjen e Jisuit (shih më poshtë), e cila përsëritet e përsëritet pa pushim, fjalë për fjalë qindra herë gjatë ditës dhe natës, derisa mbillet vazhdimisht në mënyrë të përherëshme në zemër si një "burim gurgullues", një prani e vazhdueshme në shpirt që thërret tek Zoti (kr. Theofani i Mbyllur, shek. 19, Arti i Lutjes). Shpesh, por jo domosdoshmërisht, është lidhur me frymëmarrjen, kaq shumë saqë thuhet "në çdo frymëmarrje" (Shën Grigor Theologu, Shën Joan Gojarti). Ajo fillon duke u thënë me zë, vazhdon qetësisht me buzë dhe pastaj bëhet tërësisht mendore. Pohohet se kjo "lutje e pandërprerë" mund të vazhdojë edhe ndërkohë që je i angazhuar në aktivitetet normale të jetës, duke lexuar ose shkruar, madje edhe duke fjetur, kështu që "trupi fle", por "zemra përgjon". Për më tepër, sapo vëmendja e dikujt ndaj çështjeve të jetës pushon, ai sheh se lutja po vazhdon vetë.

    Lutja njihet, gjithashtu, të depërtojë në ndërgjegjen e dikujt në kohët e tundimit ose të stresit, duke u shfaqur, si të thuash, nga dëshira e saj (kr. Arti i Lutjes, Igumeni Hariton).

    Ne nuk jemi urdhëruar të punojmë, të vigjëlojmë ose të agjërojmë pa pushim, por ne jemi urdhëruar të lutemi pa pushim. Sepse... lutja e pastron dhe e fuqizon mendjen që është krijuar të lutet... dhe të luftojë demonët për mbrojtjen e të gjitha fuqive të shpirtit (Evagri i Pontit, shek. 4).

    Ai që ka hyrë në dhomën e tij (d.m.th. zemrën e tij) dhe lutet pa pushim e ka përfshirë në këtë të gjithë lutjen kudo (Shën Marku Asketi, shek. 4, Porosi nga Predikimet).

    Asnjë të mos mendojë, o vëllezërit e mi të krishterë, se është detyra vetëm e priftërinjve dhe murgjërve të luten pa pushitn dhe jo e laikëve. Jo, jo; është detyra e të gjithë të krishterëve që të jenë vazhdimisht në lutje.

    ... mbarte në mendje metodën e lutjes - si është e mundur të lutesh pa pushim, që do të thotë duke u lutur në mendje. Dhe këtë ne mund ta bëjmë gjithmonë nëse dëshirojmë. Sepse kur ne ulemi të punojmë me duart tona, kur ecim, kur hamë dhe kur pimë, ne mund të lutemi mendërisht gjithmonë dhe ta praktikojmë këtë lutje mendore - lutja e vërtetë e pëlqyer nga Perëndia.

    Lum ata që e fitojnë këtë zakon qiellor, sepse nga ajo ata do të kapërcejnë çdo tundim ...

    Kjo praktikë e lutjes së brendshme i zbut pasionet. . . nga ajo vesa e Shpirtit të Shenjtë sillet brenda në zemër ...

    Kjo lutje mendore është drita që ndriçon shpirtin e njeriut dhe flakëron zemrën e tij me zjarrin e dashurisë për Perëndinë. Ajo është hallka që lidh Perëndinë me njeriun dhe njeriun me Perëndinë. Oh, bekimi i pakrahasueshëm i lutjes mendore. Ajo e lejon një njeri të bisedojë vazhdimisht me Perëndinë.

    Dhe çfarë shpërblimi tjetër dhe më të madh mund të dëshirosh se sa këtë, kur . . . ti je gjithmonë para faqes së Perëndisë, vazhdimisht duke biseduar me Atë, pa të cilin asnjë njeri nuk mund të bekohet ndonjëherë, si këtu apo në jetën që do të vijë (Shën Grigor Palamai
    , shek. 14, Si Të Gjithë Të Krishterët Duhet Të Luten Pa Pushim).

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,346
    Postimet në Bllog
    17
    Lutja e Jisuit


    Forma më e zakonshme e lutjes së pandërprerë në traditën orthodhokse është Lutja e Jisuit. Lutja e Jisuit është një formë lutje e përdorur prej atyre që praktikojnë lutjen mendore, e quajtur, gjithashtu "lutja e zemrës." Fjalët e lutjes më zakonisht janë: "Zoti Jisu Krisht, Bir i Perëndisë, mëshiromë mua mëkatarin." Zgjedhja e këtij vargu të veçantë ka një kuptim teologjik dhe shpirtëror.

    Para së gjithash, ajo është përqëndruar në emrin e Jisuit, sepse ky është emri i Atij të cilin "Perëndia e ka lartësuar madhërisht", emër i dhënë Zotit nga vetë Perëndia (Lluka 1:31), "emër që është përmbi çdo emër" (Filipianët 2:9-10, kr. Efesianëtl:21).

    ... sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi (Veprat 4:12).

    E gjithë lutja për të krishterët duhet të bëhet në emrin e Jisuit: "Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj" (Joani 14:13-14).

    Fakti që lutja i drejtohet Jisuit si Zot dhe Krisht dhe Bir i Perëndisë është se kjo është qendra e gjithë besimit të zbuluar nga Perëndia në Shpirtin.

    Ai u tha atyre: "Po ju, kush thoni se jam unë?".

    Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: "Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë".

    Dhe Jisui duke u përgjigjur tha: "I lumur je ti.

    . . sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi, as gjaku, por Ati im që është në qiej . . . dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time . . ." (Matheu 16:16-18).


    Që Jisui është Krishti dhe që Krishti është Zoti është esenca e besimit të krishterë dhe themeli i Kishës së krishterë. Ta besosh dhe ta shpallësh këtë kjo jepet nga Shpirti i Shenjtë.

    . . . asnjë nuk mund të thotë "Jisui është Zot", veçse në Shpirtin e Shenjtë (1 Korinthianët 12:3).

    çdo gjuhë të rrëfejë se Jisu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë (Filipianët 2:11).


    Në thirrjen e Jisuit Bir i Perëndisë do të thotë ta njohësh Perëndinë si Atin e Tij. Ta bësh këtë është, në të njëjtën kohë, të kesh Perëndinë si Atin tënd dhe kjo, gjithashtu jepet nga brenda-banimi i Shpirtit.

    Por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birësinë. Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: "Abba, Atë!" (Galatianët 4:4 - 6).

    Kur ne thërrasim: "Aba, o Atë!" Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë ...(Romanët 8:15-16).


    Kështu, të lutesh "Zoti Jisu Krisht, Biri i Perëndisë" është të jesh tashmë një bir i Perëndisë, dhe të jesh tashmë i sigurtë se Shpirti i Shenjtë është tek ty. Në këtë mënyrë, Lutja e Jisuit e sjell Shpirtin e Perëndisë brenda zemrës së njeriut.

    "Mëshiromë mua mëkatarin" është lutja e tagrambledhësit. Kur thuhet me besimin e përunjur ajo sjell drejtësimin hyjnor (kr. Lluka 18:9-14). Duke folur, në përgjithësi, mëshira hyjnore është ajo për të cilën njeriu ka nevojë më shumë se çdo gjë tjetër. Për këtë arsye përsëritja e panumërt e kërkesës për mëshirën e Zotit gjendet kudo në lutjet e Kishës.

    Dhe së fundi, të gjithë njerëzit janë mëkatarë. Ta njohësh këtë është një fakt dhe ta rrëfesh atë me besim është të drejtësohesh dhe të falesh nga Perëndia (kr. Romanët 3:10-12, Psalmi 14:1-3).

    Lutja e Jisuit përdoret në parim në tre mënyra. Së pari, ashtu si vargu i përdorur për "lutjen e zemrës" në qetësi në metodën hezikaste të lutjes. Së dyti, si lutja mendore e pandërprerë dhe e vazhdueshme e besimtarëve jashtë traditës hezikaste. Dhe së treti, si lutja e shkurtës britëse përdorur për të shmangur tundimet. Natyrisht, në jetën aktuale të një njeriu të tre përdorimet e lutjes janë shpesh të ndërlidhura dhe të kombinuara.

    Në metodën hezikaste të lutjes personi ulet vetëm në një pozicion trupor me kokën e ulur dhe më sytë e drejtuar drejt gjoksit ose stomakut. Ai e përsërit vazhdimisht lutjen në çdo marrje fryme, duke e vendosur "mendjen në zemër" me anë të vëmendjes së përqëndruar. Ai e zbraz mendjen e tij nga çdo mendim racional dhe arsyetim të kotë dhe, gjithashtu, e zbraz mendjen e tij nga çdo pamje apo imazh. Pastaj, pa mendime apo imagjinata, por me të gjithë vëmendjen dhe përqëndrimin e duhur ai përsërit ritmikisht Lutjen e Jisuit në qetësi - hezikia do të thotë qetësi - dhe me anë të kësaj metode të lutjes medituese bashkohet me Perëndinë nga brenda-banimi i Krishtit në Shpirtin. Sipas etërve, një lutje e tillë, kur praktikohet besnikërisht brenda jetës tërësore të Kishës, sjell përvojën e dritës hyjnore të pakrijuar të Perëndisë dhe gëzimin e parrëfyer në shpirt. Qëllimi i saj është ta bëjë njeriun një shërbëtor të Perëndisë.

    ... mendja kur bashkohet me zemrën mbushet me një gëzim dhe kënaqësi të parrëfyer. Atëherë, një njeri c shikon se Mbretëria e qiellit është me të vërtetë brenda nesh.

    Kur hyn në vendin e zemrës . . . falënderoje Perëndinë dhe lavdëroje mëshirën e Tij, mbahu gjithmonë tek kjo veprimtari dhe ajo do të të mësojë gjëra, të cilat nuk mund t'i mësosh dot në asnjë rrugë tjetër.

    Sepse kjo praktikë, të ruash mendjen nga ëndërrimi, e bën atë të pathyeshme kundër çdo sugjerimi të djallit dhe çdo ditë të çon tepër e më tepër në dashurinë dhe dëshirën e zjarrtë për Perëndinë (Shën Niqifori,
    shek. 14, Predikim mbi Vetë-përrnbajtjen).

    Të praktikosh metodën hezikaste të lutjes kërkohet gjithmonë dhe pa përjashtim drejtimi i një drejtuesi shpirtëror, një nuk duhet ta përdorë këtë metodë po të mos jetë një njeri me mendje të shendoshë dhe me përunjësi të vërtetë, mbushur me urtësi dhe paqe. Ta përdorësh këtë metodë pa drejtim ose urtësi të përunjur, do të thotë të kërkosh një katastrofë shpirtërore, sepse tundimet që vijnë prej saj janë shumë. Me të vërtetë, shpërdorimet e kësaj metode u bëne kaq të mëdha në shekujt e fundit saqë përdorimi i saj u pakësua shumë. Peshkop Theofani tregon se qëndrimet trupore dhe teknikat e frymëmarrjes, pothuaj u ndaluan në kohën e tij, sepse në vend që të fitonin Shpirtin e Perëndisë, njerëzit arritën vetëm të "shkatërronin mushkëritë e tyre" (kr. Arti iLutjes, bot. Igumeni Hariton).

    Një përdorim i tillë shpërdorues dhe dështak i metodës - ajo në vetvete e vërtetë dhe shpërblyer pasurisht - njihej tashmë në Bizantin e shekullit të katërmbëdhjetë, kur Shën Grigor Palamai e mbronte traditën. Ekzistojnë evidenca qysh prej shekulJit të katërt që tregojnë se edhe atëherë njerëz po e përdornin lutjen marrëzisht dhe pa dobi, duke e reduktuar në një "gjë në vetvete" dhe duke qenë të robëruar nga forma e saj, pa interes në qëllimin e saj. Me të vërtetë, interesimi idhujtar në teknikën shpirtërore clhe në përfitimet tërheqëse nga "spiritualiteti" dhe "misticizmi" janë tundime të përhershme të jetës shpirtërore - dhe armët më të fuqishme të djallit. Peshkop Theofani e quante këtë interesim "hedonizëm shpirtëror"; Shën Joani i Kryqit (shek. 16, Spanjë) e quante "grykësi shpirtërore" dhe "luks shpirtëror." Kështu, nëpërmjet shembujsh nga kohë dhe vende të ndryshme, vijnë paralajmërimet e mëposhtme.

    Ata që refuzojnë të punojnë me duart e tyre nën pretekstin se një duhet të lutet pa pushim, në realitet as nuk luten. Me anë të përtacisë ... ata e ngatërrojnë shpirtin në një labirinth mendimesh . . . dhe e bëjnë të paaftë për lutje (Shën Nili i Sinait, shek. 5, Tekste mbi Lutjen).

    Përsa i kushtoni vëmendje vetëm pozicionit trupor për lutje dhe mendja juaj kujdeset vetëm për bukurinë e jashtme të tabernakullit (d.m.th. vetëm fonnave), dijeni se ju nuk e keni gjetur akoma vendin e lutjes dhe rruga e saj e bekuar është akoma shumë larg jush.

    Dije se në mes të çdo gëzimi dhe ngushëllimi shpirtëror, është akoma më e nevojshme t'i shërbesh Perëndisë me përkushtim dhe frikë (Shën Nili i Sinait, Tekste mbi Lutjen).

    Eshtë e natyrshme për mendjen të kundërshtojë çfarë ka pranë dhe të ëndërrojë për të ardhur diçka tjetër . . . të ndërtojë fantazira dhe të imagjinojë arritje para se t'i arrijë ato. Një njeri i tiilë është në një rrezik të konsiderueshëm për të humbur çfarë ai ka dhe të bjerë në vetëmashtrim dhe të zhvishet nga sensi i mirë. Ai bëhet vetëm një ëndërrues dhe jo një njeri i lutjes së vazhdueshme (Shën Grigori i Sinait, shek. 14, Tekste mbl Urdhërimet dhe Dogmat).

    Nëse po e praktikon me të vërtetë lutjen e vazhdueshme të qetësisë, duke shpresuar të jesh me Perëndinë dhe shikon diçka shqisore apo shpirtërore, brenda ose jashtë, qoftë edhe imazhi i Krishtit, ose i një engjëili, apo i një shenjti, ose nëse një imazh drite e pushton mendjen tënde, mos e prano këtë në asnjë mënyrë... gjithmonë ji i pakënaqur me imazhe të tilla dhe mbaje mendjen e pastër pa imazh ose formë . . . dhe nuk do të pësosh ndonjë dëm. Ka ndodhur shpesh që gjëra të tilla, edhe kur dërgohen nga Perëndia si provë para fitores, janë kthyer në dëm për shumë . . . të cilët kanë dëmtuar të tjerë, të paditur si ata ... duke i drejtuar në krenari dhe vetëmashtrim.

    Sepse etërit thonë se ata që jetojnë drejtësisht dhe janë pa qortim në sjelljet e tyre me njerëzit e tjerë . . . që e kërkojnë Perëndinë me bindje, pyetës dhe me përunjësi të urtë ... do të jenë të mbrojtur gjithmonë nga dëmtimi me anë të hirit të Krishtit (Shën Grigori i Sinait, Instruksione Hezikastëve).

    Përdorimi i Lutjes së Jisuit, jashtë metodës hezikaste, për lutjen e pandërprerë, është përsëritja e lutjes pareshtur dhe vazhdimisht, në çfarëdo gjëje që një po bën, pa përdorimin e ndonjë pozicionimi trupor të veçantë ose teknikave të frymëmarrjes. Kjo është mënyra e mësuar nga Shën Grigor Palamai në ligjëratën e tij të shkurtër rreth mënyrës sesi lutja mendore e pandërprerë është detyrë e të gjithë të krishterëve (shih më sipër). Çdo njeri mund ta bëjë këtë, çfarëdo qoftë profesioni apo pozicioni në jetë. Kjo tregohet, gjithashtu në "Rruga e Pelegrinit".

    Qëllimi dhe rezultatet e kësaj metode lutje janë ato të çdo lutje në përgjithësi: që njerëzit të jenë vazhdimisht të bashkuar me Perëndinë nëpërmjet kujtimit të pandërprerë të pranisë së Tij dhe thirrjes së përhershme të emrit të Tij, kështu që një mund t'i shërbejë gjithmonë Atij dhe të gjithë njerëzve me virtytet e Krishtit dhe frytet e Shpirtit.

    Metoda e tretë e përdorimit të Lutjes së Jisuit është ta kesh gjithmonë gati për momentet e tundimit. Në këtë mënyrë, ashtu si Shën Joani i Shkallës ka thënë, ju mund t'i "kamzhikoni armiqtë tuaj, d.m.th. tundimet, me emrin e Jisuit, sepse nuk ka armë më të fortë në qiell ose në tokë" (Shkalla e Ngjitjes Hyjnore, shkalla 21) Kjo metodë punon më mirë kur një praktikon lutjen pa ndërprerje, duke bashkuar "në çdo marrje fryme një thirrje të esëllt të emrit të Jisuit" (Evagri i Pontit). Kur një praktikon "lutjen e zemrës" të vazhdueshme dhe kur tundimet për të mëkatuar hyjnë në zemër, ato përballen me lutjen dhe munden nga hiri.

    Njerëzit nuk mund të jetojnë në këtë botë pa qenë të tunduar. Kur tundimet vijnë tek një person, ka vetëm tre rezulatate të mundshme. Ose personi i dorëzohet përnjëherë tundimit dhe mëkaton, ose ai përpiqet ta shmang tundimin me fuqinë e vullnetit të tij dhe përfundimisht mbas një shqetësimi dhe përpjekje të madhe mundet, ose ai e lufton tundimin me fuqinë e Krishtit në zemrën e tij, e cila është e pranishme vetëm nga lutja. Kjo nuk do të thotë se ai "e lut tundimin tutje." Ose që Perëndia mrekullisht dhe magjikisht zbret për ta çliruar. Por, do të thotë që shpirti i tij është kaq i mbushur me hirin dhe fuqinë e Perëndisë saqë tundimi nuk mund të ketë efekt. Në këtë kuptim ka shkruar Apostulli Joan: "kush qëndron në Krishtin nuk mëkaton" (1 Joani 3:6).

    Kush kryen mëkat është nga djalli. . . prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit. Kush lindi nga Perëndia nuk kryen mëkat, sepse fara e Perëndisë qëndron në të dhe nuk mund të mëkatojë, sepse lindi nga Perëndia. Prej kësaj njihen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit... (1 Joani 3:8-10).

    Një bëhet një bir i Perëndisë, i lindur nga Perëndia në Kishë nëpërmjet pagëzimit. Një vazhdon si një bir i Perëndisë dhe nuk mëkaton vetëm nëpërmjet lutjes së pandërprerë: kujtimi i Perëndisë, banimi në Atë, thirrjen e emrit të Tij pa pushirn në shpirt. Përdorimi i tretë i Lutjes së Jisuit, ashtu si dy të parat, është të arrihet ky qëllim: që njeriu të mos mëkatojë.

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,346
    Postimet në Bllog
    17
    Lutja Liturgjike

    Lutja liturgjike nuk është thjesht lutja e individëve të krishterë të bashkuar në një. Nuk është një "shërbesë lutje" e bashkuar e shumë njerëzve së bashku. Më saktë, ajo është lutja zyrtare e Kishës e mbledhur zyrtarisht; lutja e Krishtit në Kishë që ofron "trupin" e Tij dhe "nusen" tek Ati në Mbretërinë e qiellit (kr. Hebrenjtë 7:24-25, 9:24). Modeli i lutjes liturgjike është në librin e Zbulesës dhe jo në ngjarjet e ungjillit të Jerusaiemit ose Galilesë.

    Në Kishën Orthodhokse nuk ka traditë të lutjes së bashkuar që nuk është liturgjike. Disa e shohin këtë si një mungesë, por ka shumë mundësi të jetë bazuar në mësimin e Krishtit që lutja e individëve duhet të bëhet "në fshehtësi" (Matheu 6:5-6), Kjo të ruan nga përsëritja e kotë dhe nga shprehja e kërkesave personale që nuk kanë kuptim për të tjerët. Ajo i mbron, gjithashtu, njerëzit që të mos jenë të varur nga përcipshmëria dhe cektësia e atyre, të cilët në vend që të luten, thjesht shprehin opinionet dhe dëshirat e mendjes dhe zemrës së tyre.

    Kur një person merr pjesë në lutjen liturgjike të Kishës, ai mund ta bëjë këtë me frytshmëri vetëm përsa ai lutet vetë, në shtëpi dhe në mendjen dhe zemrën e tij. Ai që lutet "pa ndërprerë" është ai që ofron dhe merr më shumë në lutjen liturgjike.

    Kur një merr pjesë në lutjen liturgjike të Kishës, ai duhet të bejë çdo përpjekje për ta bashkuar veten plotësisht me të gjithë anëtarët e trupit. Ai nuk duhet "të thotë lutjet e tij" ne kishë, por duhet të lutet "me Kishën". Kjo nuk do të thotë se ai i harron nevojat dhe dëshirat e tij, as që e depersonalizon veten dhe bëhet veçse një zë më tepër në turmën. Por, do të thotë se duhet të bashkojë personin e tij, nevojat dhe dëshirat e tij, të gjithë jetën e tij me ata që janë të pranishëm, me kishën nëpër tërë botën, me engjëjt dhe shenjtorët, me të vërtetë me Vetë Krishtin në një "liturgji" madhërisht "hyjnore" dhe "qiellore" të të gjithë krijimit para Perëndisë.

    Praktikisht, kjo do të thotë se një që merr pjesë në lutjen liturgjike duhet ta vendosë tërë qenien e tij, tërë mendjen dhe zemrën e tij, në çdo lutje, kërkesë dhe veprim liturgjik, duke e bërë atë të gjallë në veten e tij. Nëse çdo person e bën këtë, atëherë thirrjet liturgjike bëhen të vërteta dhe të sinqerta dhe tërë bashkësia si një trup do ta lavdërojë Perëndinë me "një gojë, një mendje dhe një zemër" (Mesha e Shën Joan Gojartit, kr. Vëllimi II, Adhurimi).

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,346
    Postimet në Bllog
    17
    Meditimi


    Meditimi ndryshon nga lutja, edhe nga lutja në qetësi, në atë që meditimi është mendim rreth Perëndisë dhe soditje e fjalës dhe veprës së Tij.

    Normalisht meditimi fillon me lexime nga Shkrimet e shenjta, Fjala e Perëndisë. Kjo quhet në traditën shpirtërore lectio divina. Është leximi i ngadaltë dhe i vëmendshëm i Biblës, ose ndoshta i shkrimeve të etërve të kishës dhe shenjtorëve, jo për të fituar informacion, por për të patur kungim me Perëndinë.

    Një lexim meditativ i tillë mund të jetë i llojit ku një person përpiqet, me fuqinë e mendimit dhe imagjinatës së tij, të hyjë brenda ngjarjes rreth së cilës po lexon për t'u bërë pjesëmarrësi bashkëkohor i saj. Ose, mund të jetë i llojit ku personi thjesht lexon dhe dëgjon në qetësi, pa imagjinim ose mendim racional, me qëllim që Fjala e Perëndisë të hyjë në mendjen dhe zemrën e tij që të mbeten atje, për të prodhuar fryte në kohën e caktuar.

    Psalmodia, e bërë vetëm apo në bashkësinë kishtare, ekziston për këtë qëllimin e fundit. Kur bëhet leximi ose këndimi i psalmeve, personi nuk përpiqet të mendojë rreth çdo fjale dhe fraze. Për më tepër, ai këput çdo arsyetim dhe e hap zemrën e tij te Zoti, duke e bashkuar "gojën e tij me mendjen e tij," (Shën Benedikti) dhe duke e lejuar Fjalën e Perëndisë të mbillet brenda tij për të çelur në shpirtin e tij me frytet e Shpirtit. Është e njëjta gjë edhe me himnologjinë kishtare. Ajo këndohet për lavdinë e Perëndisë dhe për ndërtimin dhe zgjerimin e shpirtit nëpërmjet soditjes së Zotit në fjalët dhe veprat e Tij të shpëtimit, shumë më tepër sesa nga çdo udhëzim intelektual. Ky tip meditimi këshillohet veçanërisht në kohët e dëshpërimit.

    Ka, gjithashtu, një tip meditimi dhe sodilje e bërë krejtësisht në qetësi, pa asnjë fjalë, imazh ose aktivitet, as edhe psalmodi. Personi, thjesht, ulet në qetësi, shpesh në praninë e ikonave të shenjta dhe duke e zbrazur mendjen e tij nga çdo mendim, imagjinatë dhe dëshirë, dëgjon Perëndinë në qetësi, "gjuhën hyjnore të Mbretërisë së qiellit" (Shën Isaak Siriani). Ky tip meditimi, për një person të lutjes së pandërprerë, do të jetë "lutja e qetësisë", me "burimin gurgullues" të Lutjes së Jisuit, si i vetmi themel dhe sfond i saj, Në një lutje të tillë meditative dhe meditim lutës, shpirti i njeriut bëhet një me Shpirtin e Perëndisë (kr. 1 Korinthianët 6:1 7).

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,346
    Postimet në Bllog
    17
    Lutja në Frymë


    Të gjithë të krishterët duhet të luten në Frymë; dhe çdo lutje e vërtetë është me siguri kështu. Njerëzit luten tek Ati, nëpërmjet Krishtit Birit dhe Fjalës së Perëndisë në Frymën e Shenjtë. Kështu është kurdoherë kur njerëzit luten, çfarëdo qoftë metoda e tyre, qoftë kur e dinë atë apo jo. Sepse. lutja nuk është një thirrje e vetmuar e njeriut përmes hapësirës boshe tek një Perëndi që është larg. Lutja është njeriu që është në Perëndinë; që është në Frymën e Shenjtë, si i bërë në shëmbëlltyrën e Krishtit, vendbanim i Perëndisë.

    A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju? ... tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtë (1 Korinthianët 3:16-17, kr. Ligji i Përtërirë 30:9-14, Psalmi 139:7-14, Romanët 10:5-13).

    Lutja e krishterë bëhet në mënyrë të ndërgjegjëshme në Frymën e Shenjtë, me të gjithë besimin dhe vetëdijen. Ajo i drejtohet tek dhe nëpërmjet Krishtit, tek Ati. Në Kishën Orthodhokse ka vetëm një lutje ndërmjet të gjitha lutjeve të Kishës drejtuar Shpirtit të Shenjtë. Kjo është lutja O Mbret Qiellor me të cilën fillon çdo lutje dhe krijon qartë kushtet në të cilat të gjitha lutjet kryhen.

    O Mbret Qiellor, Ngushëllimtar, Shpirt i së Vërtetës,
    Që ndodhesh kudo dhe i mbush të gjitha,
    Thesar i të mirave dhe Jetëdhurues,
    Eja e bano ndër ne dhe pastrona nga çdo njollë
    Dhe shpëto o i Mirë shpirtrat tanë.


    Edhe në të Dielën e Pentekostisë në Kishën Orthodhokse tre lutjet e veçanta të festës i drejtohen Krishtit dhe Atit.

    Lutja tek Perëndia për ardhjen e Shpirtit është në vetvete një shenjë se Shpirti është tashmë në njeriun, duke e aftësuar atë të thërrasë tek Ati. Ky është misteri i natyrës dhe i ekzistencës së njeriut; që ai është me të vërtetë njeri, vetëm kur Shpirti i Shenjtë ndodhet tek ai. Ky është misteri i veprës së hirshme të Perëndisë tek njeriu. Është misteri i lutjes dhe i vetë jetës.

    Një e quan Perëndinë "Ati ynë" vetëm në Frymën. Një e quan Jisuin "Zot" vetëm në Frymën. Një lutet tek Perëndia në çfarëdo mënyre apo forme vetëm në Frymën. Fjalët e psalmeve, lutjet e shenjtorëve, adhurimi liturgjik i Kishës, është "frymëmarrja e Frymës së Perëndisë" në njeriun (At Joani i Kronshtadit, Jeta ime në Krishtin). Sepse të gjitha lutjet, ashtu si vetë shkrimet, janë nga frymëzimi i Perëndisë.

    Edhe kur njerëzit nuk e dinë sesi të luten ose për çfarë duhet të kërkojnë, është Shpirti i Shenjtë që lutet në ata që ata të kenë çfarë u nevojitet, që të bëhet vullneti i Perëndisë.

    Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme. Dhe Ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës, sepse Ai ndërhyn për shenjtorët, sipas Perëndisë (Romanët 8:26-27).

    Kështu lutja në Frymë, si edhe lutja për Frymën, ka si qëllimin e saj "fitimin e Frymës", që nga "frytet e Frymës" njeriu të bëhet i shenjtë dhe hyjnor nga hiri i Perëndisë. Ky është misteri themelor i jetës shpirtërore. Sepse, ashtu si Shën Agustini ka thënë, personi që kërkon Zotin është gjetur tashmë nga Ai. Vetë kërkimi në lutje, kur një nuk e di sesi të lutet, e bën një person tashmë vendbanimin e Perëndisë.

    Në letrën e tij të parë drejtuar Korinthianëve, Apostull Pavli flet për një lloj të veçantë lutje në Frymë. Është dhurata shpirtërore e "të folurit në gjuhë." Me këtë dhuratë të veçantë personi e lavdëron Perëndinë në një gjuhë që ai nuk e kupton. "Shpirti i tij lutet" me thënie mahnitëse, por "mendja e tij mbetet e pafrytshme." Sipas apostullit, i cili vetë e kishte këtë dhuratë dhe thotë se nuk duhet ndaluar, një lutje e tillë në frymë është pa përfitim për njeriun në mos qoftë e shoqëraar me "ndonjë zbulesë ose njohuri ose profeci (d.m.th. Fjala e Perëndisë e frymëzuar direkt) ose mësim." Ai thotë se nuk duhet bërë në mbledhjet publike të kishës nëse nuk do të ketë ndonjë shpjegim, edhe atëherë kjo duhet të bëhet vetëm "nga dy ose më të shumtën tre" dhe ata që "duan fort të kenë dhunti shpirtërore, të kërkojnë të kenë të bollshme për ndërtimin e kishës" dhe nuk duhet "të bëhen kalamaj nga mendja . . . por burra të pjekur nga mendja." Ai thotë se të gjithë duhet të kërkojnë me tepër të profetizojnë, d.m.th. ta flasin qartë dhe kuptueshëm Fjalën e Perëndisë, që ata që i shikojnë të krishterët të shpallin "se Perëndia është me të vërtetë ndërmjet" atyre dhe të mos i konsiderojnë ata "të dalë nga mendtë." Ai thotë, më së fundi, se "të gjitha gjërat duhet të bëhen me hije dhe me rregull" (kr. 1 Kormthianët 12-14).

    Eshtë e qartë se dhurata e lutjes në Frymë me gjuhë ishte shkaku i një pështjellimi dhe çrregullimi jo të vogël në Kishën e Korinthit dhe se ata që kishin këtë dhuratë të lutjes dalldisëse po turbullonin dhe po e përçanin bashkësinë, ngaqë e konsideronin veten më shpirtëror se të tjerët. Shën Pavli ngulmon që jo të gjithë kanë të njëjtat dhurata dhe që dhurata e gjuhëve është veçse njëra prej tyre, më e vogla e atyre të përmendura, për të shërbyer si shenjë jo për ata që tashmë besojnë, por "për jobesimtarët" (1 Korinthianët 14:22). Në përgjithësi, është e qartë se i vetmi qëllim i fjalimit të gjatë të apostullit mbi dhuratat shpirtërore, dhe këmbëngulja e tij për të hequr dorë "nga "mënyrat foshnjarake" në kërkimin e përsosjes kur një bëhet i pjekur, ishte të qortonte anëtarët e Kishës së Korinthit për keqpërdorimin dhe shpërdorimin e tyre të dhuratës shpirtërore të gjuhës.

    Nuk ka evidencë në traditën shpirtërore të kishës që ndonjë shenjt ka patur dhuratën e lutjes në gjuhë ose që një lutje e tillë ka qenë ndonjëherë pjesë e liturgjisë së kishës. E vetmja përmendje e saj që mund të gjendet, përsa dimë ne, ishte në pagëzimin e Montanit, një heretik i shekullit të tretë, i cili e la kishën për të themeluar sektin e tij spiritualist. Nëse ndonjë nga shenjtorët ose mjeshtërit shpirtëror e ka patur këtë dhuratë, ata nuk kanë shkruar rreth asaj as e kanë shpallur haptazi. Kjo ishte e panjohur, për shembull, tek Shën Joan Gojarti, sipas raportimit të tij (kr. Komentari mbi Korinthianët). Meqenëse një numër besimtarësh e kanë këtë dhuratë në kohën tonë dhe meqenëse ka persona që e kërkojnë atë, është jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo metodë e lutjes të kuptohet sipas këshillave të Shën Pavlit dhe në aspektin e mësimit të mjeshtërve shpirtërortë lutjes.

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,346
    Postimet në Bllog
    17
    Agjërimi


    Vetë Jisui agjëroi dhe i mësoi nxënësit e tij të agjërojnë.

    Dhe kur të agjëroni, mos u tregoni të pikëlluar si hipokritët; sepse ata shfytyrohen për t'u treguar njerëzve se agjërojnë; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Kurse ti, kur të agjërosh, vajose kokën dhe laje fytyrën, me qëllim që të mos u tregosh njerëzve se ti agjëron, por Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, i cili shikon në fshehtësi, do ta japë shpërblimin publikislit (Matheu 6:16-18).

    Qëllimi i agjërimit është të fitosh kontrollin mbi veten dhe t'i mposhtësh pasionet e mishit. Është të çlirosh veten nga varësia në gjërat e kësaj bote që të përqëndrohesh në gjërat e Mbretërisë së Perëndisë. Ështe që t'i japë fuqi shpirtit që të mos i dorëzohet tundimit dhe mëkatit. Sipas Shën Serafimit, agjërimi është një "mjet i domosdoshëm" për të fituar frytin e Shpirtit të Shenjtë në jetë (kr. Bisedë me Motovilovin), dhe Vetë Jisui mësoi se disa forma të së keqes nuk mund të mposhten pa atë (Matheu 17:21, Marku 9:29).

    Njeriu nuk agjëron ngaqë i pëlqen Perëndisë që shërbëtorët e Tij të mos hanë, sepse, siç na kujtojnë hymnet e kreshmës së madhe të Kishës, "djalli, gjithashtu nuk ha kurrë" (Triodi). As agjërojnë që t'i shkaktojnë vetes vuajtje dhe dhimbje, sepse Perëndia nuk kënaqet në shqetësimin e njerëzve të Tij. As agjërojnë me idenë se uria dhe etja e tyre mund në njëfarë mënyre të shërbejë si "riparim" për mëkatet e tyre. Një kuptim i tillë nuk është dhënë kurrë në shkrimet e shenjta ose në shkrimet e shenjtorëve, që shpallin se nuk ka asnjë "riparim" për fajin e njeriut, përveçse kryqëzimit të Krishtit. Shpëtimi është një "dhuratë e lirë e Perëndisë" që asnjë "vepër" e njeriut nuk mund ta kryejë nga merita (kr. Romanët 5:15-17, Efesianët 2:8-9).

    Prandaj, njerëzit agjërojnë dhe duhet të agjërojnë, vetëm që të çlirohen nga pasionet mishore, që dhurata e lirë e shpëtimit në Krishtin të mund të prodhojë fryte të mëdha në jetën e tyre. Njerëzit agjërojnë që të mund t'i shërbejnë Perëndisë më me shumë frytshmëri, i Cili i do ata dhe i ka shpëtuar në Krishtin dhe Shpirtin. Të agjërosh pa përpjekje në virtyt është tërësisht e kotë.

    Ata thonë: "Pse kemi agjëruar, dhe Ti nuk e ke parë? Pse kemi hidhëruar shpirtrat tanë dhe Ti nuk e ke vënë re?".

    Ja, ditën e agjërimit tuaj ju bëni atë që ju pëlqen dhe i detyroni punëtorët tuaj të kryejnë një punë të rëndë. Ja, ju agjëroni për grindje dhe mosmarrëveshje... Duke agjëruar ashtu si bëni sot, nuk bëni që zëri juaj të dëgjohet lart...

    Agjërimi që më pëlqen a nuk është vallë ky: të thyesh zinxhirët e ligësisë . . . t'i lësh të lirë të shtypurit. . .A nuk qëndron vallë në ndarjen e bukës sate me atë që ka uri, në sjelljen në shtëpinë tënde të të varfërit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq ...

    Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi dhe shërimi yt do të mbijë menjëherë, drejtësia jote do të të pararendë dhe lavdia e Zotit do të jetë praparoja jote. Atëherë do të thërrasësh dhe Zoti do të të përgjigjet, do të bërtasësh dhe ai do të thotë: "Ja ku jam!" (Isaia 58:3-9).


    "Duke agjëruar në trup, o vëllezër, le të agjërojmë gjithashtu nga mëkati." Kjo është kënga e Kishës në periudhën kreshmës. Ai është, gjithashtu, edhe mësimi i shenjtorëve.

    . . . në agjërimin një nuk duhet vetëm të bindet ndaj rregullit kundër grykësisë në lidhje me ushqimin, por të frenohet nga çdo mëkat, kështu që, ndërsa agjëron, gjuha të agjërojë gjithashtu, duke u frenuar nga shpifjet, gënjeshtrat, keqfolja, poshtërimi i vëllait, zemërimi dhe çdo mëkat i kryer nga gjuha. Një duhet të agjërojë, gjithashtu, nga sytë, domethënë, të mos shohë gjëra të kota . . mos të shohë asnjë pa turp dhe pa ndrojtje. Duart dhe këmbët duhet të ruhen, gjithashtu, nga çdo veprim i keq.

    Kur një agjëron nëpërmjet kotësisë ose mendimit që ai po kryen diçka veçanërisht të virtytshme, ai agjëron marrëzisht dhe shpejt fillon të kritikojë të tjerët dhe ta konsiderojë veten si të madh.

    Një njeri që agjëron urtësisht... fiton pastërti dhe përunjet... dhe e provon veten një ndërtues të aftë (Shën Aba Dorotheu
    , shek 7, Drejtime në Stërvitjen Shpirtërore).

    Vetë Shën Pavli agjëroi dhe në mësimin e tij mbi ushqimin ngulmonte që njerëzit të agjërojnë dhe ta bëjnë këtë në fshehtësi, pa këqyrjen dhe gjykimin e njëri-tjetrit.

    Bëhuni imituesit e mi, vëllezër, dhe vëreni ata që ecin kështu, sipas shëmbullit që keni në ne. Sepse shumë nga ata, për të cilët ju kam folur shpesh, edhe tani po jua them duke qarë, ecin si armiq të kryqit të Krishtit, dhe fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësore.(Filipianët 3:17-19).

    Çdo gjë më lejohet, por jo gjithçka është e dobishme; çdo gjë më lejohet, por unë nuk do t'i nënshtrohem asnjërës. Gjellët janë për barkun dhe barku për gjellët; por Perëndia do të shkatërrojë edhe këtë edhe atë; por trupi nuk është për kurvëri, po për Zotin, dhe Zoti për trupin (1 Korinthianët 6:12-13).

    Ai që ha të mos e përbuzë atë që nuk ha, dhe ai që nuk ha të mos gjykojë atë që ha, sepse Perëndia e ka pranuar. Kush je ti që gjykon shërbyesin e tjetrit?

    Ai që e çmon ditën, për Zotin e çmon; ai që nuk e çmon ditën, për Zotin nuk e ruan; kush ha, për Zotin ha dhe i falet nderit Perëndisë; dhe kush nuk ha, për Zotin nuk ha dhe i falet nderit Perëndisë.


    Mos e bëj atë të humbasë me ushqimin tënd, atë për të cilin Krishti vdiq . . . sepse Mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët dhe të pirët, por drejtësia, paqja dhe gëzimi në Frymën e Shenjtë. Sepse ai që i shërben Krishtit në këto gjëra, është i pëlqyer nga Perëndia dhe i miratuar nga njerëzit.

    Mos e prish veprën e Perëndisë për ushqimin... Mbaje besimin për veten tënde përpara Perëndisë... dhe çdo gjë që nuk bëhet me besim (qoftë ngrënie ose agjërim) është mëkat (shih Romanët 14).

    Etërit shpirtëror, sado që ishin asketë të rreptë, janë shumë të qartë në mësimin e tyre rreth agjërimit. Ata ngulmojnë së bashku me Zotin dhe shkrimet, se njerëzit duhet të agjërojnë që të çlirohen nga pasionet dhe epshi. Por ata ngulmojnë, gjithashtu, se gjëja më e rëndësishme është të jesh i çliruar nga mëkati, përfshirë krenarinë, kotësinë dhe hipokrizinë, që vjen nga agjërimi i marrë dhe i mëkatshëm.

    ... ngrënia përtej masës së ngopjes është dera e marrëzisë nga ku hyn epshi, sepse barku është mbretëresha e pasioneve që një njeri i shërben si skllav.

    Por ju, të forcuar në këtë dituri, zgjidhni çfarë është e mirë për ju, sipas fuqisë suaj . . . sepse personi i përsosur, sipas Shën Pavlit duhet të jetë si "i ngopur ashtu dhe i uritur . . . dhe të bëjë gjithçka me anë të Krishtit që forcon . . ." (Filipianët 4:12-13)

    Kështu një njeri që përpiqet për shpëtimin . .. nuk duhet ta lejojë veten të hajë në ngopje . . . por duhet të hajë nga të gjitha llojet e ushqimeve që nga njëra anë të shmangë krenarinë mburrëse dhe nga ana tjetër të mos tregojë përbuzje për krijimin e Perëndisë, që është më i shkëlqyeshmi ... Ky është arsyetimi i atyre që janë të mençur (Shën Grigori i Sinait, Instruksione Hezikastëve)!

    Shën Isaak Siriani thotë: "Ushqimi i varfër në tavolinën e të pastrit e pastron shpirtin e atyre që pjesëmarrin nga të gjitha pasionet... sepse puna e agjërimit dhe e agripnisë është fillimi i çdo përpjekje kundër mëkatit dhe epshit... pothuaj të gjitha pasionet pakësohen nëpërmjet agjërimit."

    Sepse etërit e shenjtë na mësuan të jemi vrasës të pasioneve dhe jo vrasës të trupit. Merr pjesë në gjithçka që lejohet me falënderim, për lavdinë e Perëndisë dhe për të shmangur arrogancën mburravece; por frenohu nga çdo teprim (Murgjërit Kalist dhe Ignat,
    shek. 14, Porosi Hezikastëve).

    Nëse është i tillë mësimi për murgjërit, sigurisht që është e zbatueshme edhe për të gjithë të krishterët. E gjithë esenca e problemit tregohet qartë në këto dy histori të shkurtëra nga etërit e shkretëtirës.

    Një vëlla solli shumë copa buke të freskët dhe ftoi jerondët e tij. Kur ata hëngrën shumë, vëllai duke e ditur mundimin e madh të agjërimit të tyre, filloi t'u lutej përunjësisht që të hanin më shumë. "për hir të Perëndisë, hani sot dhe ngopuni." Dhe ata hëngrën dhjetë të tjera. Shiko sesi këta që ishin murgjër të vërtetë dhe të sinqertë në agjërimin e tyre hëngrën më shumë se kishin nevojë, për hir të Perëndisë.

    Epifani, peshkopi i Qipros, e ftoi igumenin Hilarion për ta parë. Një pjesë pule u vendos para tyre dhe peshkopi e ftoi igumenin të hante. Jeronda i tha: "Më fal, Atë, por qysh prej kohës që kam marrë këtë rrobe kurrë nuk kam ngrënë ndonjë gjë që është therur."

    Dhe Epifani i tha atij: "Dhe unë qysh prej kohës që kam marrë këtë rrobe nuk kam lënë asnjërin që të flerë që ka patur diçka kundër meje, as unë nuk kam fjetur duke mbajtur diçka kundër dikujt."

    Dhe jeronda i tha atij: "Më fal, Atë, sepse mënyra juaj e jetës është më e madhe se e imja"
    (Thëniet e Etërve).

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,346
    Postimet në Bllog
    17
    Lëmoshë-Dhënia


    Në mësimin e Krishtit, lëmoshë-dhënia shkon së bashku me agjërimin dhe lutjen. Ne e pamë që ky ishte, gjithashtu, edhe mësimi i Isaisë (shih më sipër) dhe i Dhiatës së Vjetër, në përgjithësi. Kur një lutet dhe agjëron, duhet të tregojë dashuri nëpërmjet bujarisë aktive tek të tjerët.

    Mos e jepni lëmoshën tuaj para njerëzve, me qëllim që ata t'ju admirojnë; përndryshe nuk do të shpërbleheni te Ati juaj, që është në qiej. Kur do të japësh lëmoshë, pra, mos i bjer borisë para teje, ashtu siç bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugët, për të qenë të nderuar nga njerëzit; në të vërtetë ju them, se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Madje, kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç'bën e djathta, që lëmosha jote të jepet fshehurazi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas (Matheu 6:1-4).

    Ashtu si me agjërimin dhe lutjen, dhënia e ndihmës për të varfërit duhet të bëhet rreptësisht në fshehtësi, sa më shumë që të jetë e mundur, si të thuash, edhe ta fshehësh nga vetvetja atë që po u jep të tjerëve, duke mos lejuar një dorë të dijë se çfarë po bën tjetra. Duhet bërë çdo përpjekje, nëse do që dhurata të jetë e pëlqyeshme nga Perëndia, të shmanget çdo demonstrim dhe mburrje në dhënien e saj.

    Ashtu si e kemi parë tashmë, nuk ka dashuri të vërtetë, nëse nuk ndan atë që ke me të varfërit.

    ... nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë (1 Joani 3:17)?

    I tillë ishte urdhërimi edhe në ligjin e Moisiut.

    Në rast se ke ndonjë vëlla nevojtar midis jush, midis ndonjë prej qyteteve që Zoti, Perëndia yt, po të jep, nuk do të fortësosh zemrën dhe nuk do të mbyllësh dorën para vëllait tënd nevojtar; por do t'i hapësh me zemërgjerësi dorën tënde dhe do t'i japësh hua aq sa i nevojitet për të përballuar nevojat që ka. Ki kujdes që të mos ketë asnjë mendim të keq në zemrën tënde, i cili të të bëjë të thuash: "Viti i shtatë, viti i familjes, është afër", dhe ta shikosh me sy të keq vëllanë tënd nevojtar dhe të mos i japësh asgjë; ai do të bërtiste kundër teje para Zotit dhe ti do të mëkatoje. Jepi me bujari dhe zemra jote të mos trishtohet kur i jep, sepse, pikërisht për këtë Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë në çdo punë tënden dhe në çdo gjë që do të të zërë dora. Sepse nevojtarët nuk do të mungojnë kurrë në vend, prandaj unë po të jap këtë urdhërim dhe të them: "Hapja me bujari dorën tënde vëllait tënd, të varferit tënd dhe nevojtarit në vendin tuaj".(Ligji iPërtërirë 15:7-11).

    Po ashtu edhe mësimi i Diturisë.

    Të varfërin e urren vetë miku i tij, por i pasuri ka shumë miklues.

    Kush përçmon të afërmin e vet, mëkaton, por ai që ka mëshirë për të varfërit është i lumtur.

    Ai që përqesh të varfërin fyen Atë që e ka krijuar; ai që kënaqet me fatkeqësinë e tjetrit nuk do të mbetet pa u ndëshkuar (Fjalët e Urta 14:20-21,17:5).


    Sipas Shën Joan Gojartit, asnjë nuk mund të shpëtojë pa dhënë lëmoshë dhe pa u kujdesur për të varfërit. Shën Vasili i Madh thotë se një njeri që ka dy pallto ose dy palë këpucë, kur i afërmi i tij nuk ka asnjë, është një hajdut. Të gjitha gjërat tokësore janë pasuritë e Perëndisë. "I Zotit është dheu dhe gjithçka që është në të, bota dhe banorët e saj" (Psalmi 24:1). Njerëzit janë vetëm kujdestarë të asaj që i përket Zotit dhe duhet t'i bashkëndajnë dhuratat e krijimit të Tij me njëri-tjetrin sa më shumë që të mundin. Të grumbullosh pasuri tokësore, sipas Krishtit, është përmbledhja e marrëzisë dhe një njeri i pasur do të shpëtojë me vështirësi (kr. Lluka 12:15-21).

    Sa është e vështirë për ata që kanë pasuri të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë! Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë.

    Dhe ata që e dëgjonin thanë: "Po kush, pra, mund të shpëtohet?".

    Por ai tha: "Gjëra të pamundshme për njerëzit janë të mundshme për Perëndinë" (Lluka 18:24-27, Matheu 19:23-26, Marku 10:23-27). Mjerë ju, o të pasur, sepse e keni ngushëllimin tuaj! Mjerë ju, që jeni të ngopur, sepse do të keni uri (Lluka 6:24 - 25).

    Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë, por të pasurit i ktheu duarthatë (Lluka 1:53).


    Arsyeja përse një i pasur do të shpëtojë me vështirësi, sipas Jisuit, është, sepse kur një ka pasurira, ai do t'i ruajë ato dhe grumbullon akoma më shumë. Sepse "mashtrimet e pasurisë ia mbysin fjalën e Perëndisë; dhe ajo bëhet e pafrytshme në zemrën e njeriut (Matheu 13:22, Marku 4:9, Lluka8:14).

    Sipas Apostullit Pavël, "lakmia për para" - jo paraja në vetvete - është "rrënja e të gjitha të këqiave"

    Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka. Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete; por, kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq. Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim. Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqiave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje (1 Timotheu 6:6-10, kr. Hebrenjtë 13:5-6).

    Vetë apostulli mblodhi para për të varfërit dhe lavdëroi shumë ata që ishin bujarë në dhënie.

    Dhe ju them këtë: Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell dorëhapur edhe do të korrë dorëhapur. Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën as me keqardhje, as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar. Dhe Perëndia mund të bëjë... të keni gjithnjë mjaft, në çdo gjë, t'ju tepërojë për çfarëdo punë të mirë, sikurse është shkruar: "Ai ndau, u ka dhënë të varfërve, drejtësia e tij mbetet në përjetësi" (Psalmi 112:9).

    Dhe atëherë do të pasuroheni për të qenë dorëdhënë ... por sjell edhe një mbushulli falënderimesh ndaj Perëndisë... (2 Korinthianët 9:6-12).


    Personi shpirtëror duhet të ndajë çfarë ai ka me të varfërin. Ai duhet ta bëjë këtë me gëzim dhe jo duke hezituar, ta bëjë në fshehtësi dhe jo për t'u lavdëruar nga njerëzit. Ai, gjithashtu, duhet ta bëjë këtë, ashtu si e veja e varfër në ungjill, jo nga teprica e tij, por nga ajo që i nevojitet.

    Dhe Jisui u ul përballë arkës së thesarit dhe vërente se njerëzit hidhnin aty denar; shumë të pasur hidhnin shumë. Erdhi një e ve e varfër dhe hodhi dy monedha të vogla, domethënë një kuadrant. Dhe Jisui i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha atyre: "Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët. Sepse të gjithë hodhën aty nga teprica e tyre, kurse ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte për të jetuar" (Marku 12:41-44, Lluka 21:2).

    Prandaj, dhënia e lëmoshës duhet të jetë një akt flijimi, nëse do të ketë ndonjë vlerë shpirtërore. Një nuk mund të japë thjesht çfarë ka mbetur, mbasi i ka plotësuar gjithë nevojat e tij. Një duhet të marrë nga vetja dhe t'ua japë të tjerëve. Në traditën shpirtërore të Kishës është mësimi se çfarë dikush kursen nga agjërimi dhe mosngrënia, për shembull gjatë periudhave të kreshmës, nuk duhet ta mbajë për vete, por t'ua japë të varfërve.

    Në kohët e fundit, mësimi është zhvilluar se njeriu shpirtëror duhet të punojë brenda proceseve dhe mundësive të shoqërive të lira për të bërë struktura sociale të veçanta, në të cilat të varfërit të mos jenë thjesht objekt bamirësie nga të pasurit, por ata vetë të kenë shansin të punojnë dhe të bashkëndajnë pasurinë e përbashkët të njeriut. Në këtë mënyrë të varfërit do të kenë dinjitet dhe vetë-respekt nëpërmjet marrjes së vendit që iu takon si anëtarë të shoqërisë. "Ne nuk duam shpërndarje ndihmash", thonë të varfërit, "ne duam të jemi në gjendje të mësojmë dhe të punojmë për vetet tona." Njeri shpirtëror është ai që punon që të ndodhë kjo; dhe është e drejtë dhe e lavdërueshme të bëhet kjo. I vetmi tundim këtu do të ishte të kishe këtë qëndrim dhe ta ndërmerrje këtë veprim pa sakrifica personale dhe të mendoje se kur do të ekzistonte një e tillë "shoqëri e drejtë" - nëse do të ekzistojë ndonjëherë - të gjitha problemet e njeriut do të zgjidhen. Rënia shpirtërore e shumë njerëzve të pasur e tregon se kjo nuk është e vërteta. Kështu fjalët e Krishtit mbeten përgjithmonë të vlefshme dhe të vërteta:

    Të varfërit do t'i keni gjithmonë me ju, por mua nuk do të më keni gjithmonë (Joani 12:8, Marku 14:7).

    Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç'të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua (Matheu 19:21, Lluka 18:22).


    Ai që është me të vërtetë i përsosur, ashtu si Ati në qiell, është ai që jep gjithçka për hir të të tjerëve, në emrin e Krishtit, me Atë dhe për hir të Tij. Një person i tillë po jeton me të vërtetë jetën shpirtërore.

Tema të Ngjashme

  1. Agjerimi Dhe Urtesia E Tij
    Nga xhenisi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 72
    Postimi i Fundit: 12-08-2009, 09:27
  2. Fetva te dijetareve islame ne lidhje me ceshtjet Islame
    Nga aluando në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 29-03-2005, 14:50
  3. Urtesia e Agjerimit te Ramazanit!
    Nga Klevis2000 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 15
    Postimi i Fundit: 17-11-2004, 13:36
  4. Agjerimi per Kreshmet
    Nga Seminarist në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 18-03-2003, 09:33

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •