Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 15 prej 15
  1. #11
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Shtëpia-shkollë


    Kryetari i Këshillit Kismet Hakani, erdhi në shtëpinë tonë qysh pa aguar dita. Nëna i bëri një çaj mali që e rrufiti ashtu të nxehtë duke përplasur buzët e trasha. Gëzonte nam të mirë në fshat, i ngjiste fjala aty për aty, si dhe babai i vet ish kryeplak. Doli ndër të parët partizan, kur më parë bëri edhe gjashtë muaj burg si gjimnazist turbullues dhe u kthye nga lufta pasi u end edhe një vit me forcat e ndjekjes. Çdo libër e lexonte rrjedhshëm e me zë bubullitës, veçse për të shkruar përdorte gërma kapitale dhe fletoret i mbaroheshin shpejt. Aty nga viti 1947 e kërkuan me ngulm të punonte me detyra të rëndësishme, deri nënkryetar prefekture në Durrës (kur e kujtonte më vonë pëshpëriste se mund të qe bërë si i ndërkryer, sos të tjerat e pushtetit, pritje – përcjelljet, varvingot nëpër zyra, hajde moj zonjë, dil more zotëri, po na edhe arap nga plazhi), megjithatë ai nuk pranoi dhe u kthye në vendlindje duke menduar vetëm për të.
    Ne fëmijët nxorëm kryet nga jorgani dhe shikuam nga ai që po dridhte një purro të trashë si shtupellë, të cilën e ndezi me urë zjarri.
    - Kam mejtuar të bie nja dy arsimtarë, - i tha babait. - Vrava mendjen tërë natën dhe m’u bë lëmsh, m’u kokoleps. Ja i prura mësuesit, po ku t’i shtroj për të fjetur?
    - I mbajmë me sira në shtëpitë tona. Bulmet kemi se bagëtia po mëkëmbet, fruta sa të duash, - tha babai.
    - Nuk është fjala për një vit, ata do të rrinë gjatë. Tërë fshati bëhet nja treqind e ca shpirt. I shënova një ditë në katërshor, - Kismeti nxorri nga xhepi i prapmë i pantallonave të shajakta, ku dy pulla rrinin të zbërthyera, një fletore të palosur më katërsh.
    - Le të futen dora - dorës te çatorja e Filatit, ndjestë pastë. Si karabina është e mbajtur, meremetohet një çikë dhe vjen në torua, - babai ndezi cigare.
    - Mos thonë gjë Bellajt? E kanë të tyre.
    - Sa ishte gjallë, nuk e donin. Për të qenë brenda bisedo njëherë me Arifin; po ta dha ai fjalën asnjë nga vëllezërit nuk të hedh vickla.
    - Mirë më flet. Do vete të piqem me Arifin. Shtëpia e Filatit na zgjidh punë, në një dhomë flejnë e gatuajnë e në të dytën japin mësim, tha Kismeti dhe doli nga shtëpia jonë.


    * *
    *

    Në mbrëmje fshatarët u mblodhën te rrepet e fshatit dhe Kismeti nisi t’u fliste:
    - Kemi vendosur si pushtet të sjellim dy arsimtarë. Ata janë nga qyteti dhe jo shumë të sajdisur me kushtet tona. Do i kemi si djemtë tanë. Për fjetje do të rrinë te shtëpia e Filatit. Asnjë shaka me ta!
    - Si do të bëjmë për lapsa e fletore? - pyeti një fshatar.
    - Do t’i përdorim me kursim. Nga një laps e nga një fletore do t’jua jap unë, po ato të përdoren për fëmijët. Të mëdhenjtë ta kuptojnë mësimin që në klasë.
    - Në ç’klasë?
    - Në dreq, në hauret e Filatit. Hapni veshët kur të spjegojnë arsimtarët.
    - Po ku na nxë të gjithëve shtëpia e Filatit, - tha Qenami.
    - Ca brenda e ca jashtë. Të fillojmë njëherë pa shohim e bëjmë më tutje. E bëjmë edhe me radhë, - Kismeti dukej i emocionuar e i sigurt.
    Pas ca ditësh, të dy dhomat e banesës së vjetër të Filatit, u rregulluan disi, u pastruan, u lyen me gërqere të bardhë e u gatitën deridiku. Nuk vonuan dhe ia behën mësuesit së bashku me Kismetin që i priti deri poshtë në Qendër me dy mushkat e tij.
    Lajmi u hap sa të hapësh e mbyllësh sytë dhe një pjesë e mirë e katundarëve doli te Lëmi i Hajdutit për t’i pritur me një farë kërshërie. Kur panë atë mori njerëzish, dy mësuesit u bënë me turp, zbritën nga mushkat dhe u përshëndetën me ata më të vjetërit.
    Në shtëpinë e Kismetit u bë një vakt darke, u therën dy - tri mishra dhe si padashje u dehën nja pesë burra. Kur darka ish në të shuar dhe nëpër shkallët e drunjta përcillej i dehuri i fundit, Kaloja me shumë fëmijë, dy mësuesit duke shëtitur në kopshtin e gjethuar bisedonin me sho - shoqin se këtë mesnatë askush nuk do të flinte. Edhe ata që do dremisnin sapak në ëndrra të trazuara, do mërmërisnin në gjumë fjalë të gjata e të mistershme (gjërat e reja ngrejnë shkulme të forta në botën e fukarait), do shfletonin me kapakët e syve libra të verdhuara e të zgjyrosura, copëza reklamash, gazetash e revistash të ruajtur me fanatizëm në sepete e vrima të padrita. Për vite me radhë, në shumë fshatra e qytete shqiptare, ishte grumbulluar ajo ndjenjë e vlimtë e paduruese që priste çastin për të shpërthyer duke çelur fletët e Zotit, botës dhe vetvetes.
    Të nesërmen thuajse tërë njerëzia ishte mbledhur te shtëpia e Filatit dhe prisnin me padurim të vinin dy mësuesit. Bagëtitë ishin shpërndarë sa andej-këtej në gjunjët e malit, pa i shoqëruar kush si çdo radhë tjetër. Ishte maj e megjithatë mëngjesi bënte i freskët dhe dielli shfaqej aty nga ora dhjetë.
    Në krye të udhës u duk Kismeti e pas tij dy mësuesit. Burra, gra e fëmijë përplasën duart e lëshuan britma të zhurmta hareje. Dikush shtiu me armë në drejtim të një dardhe gushtare.
    - T’u flasim dy llafe, - u tha të sapoardhurve Kismeti.
    - Fillojmë drejt e në mësim, - ia ktheu një nga mësuesit.
    - E pamundur! I kanë qejf fjalimet, këta. Ja i them vetë dy fjalë, - këmbënguli Kismeti dhe hipi mbi një sop. - Dy arsimtarët t’i kemi si drita e syrit. Këta janë të parët. Sot që hapim shkollën, na shket dheu nëpër këmbë; e hapim dhe nuk do ta mbyllim më. Të mësojmë shokë, të vimë me radhë te shtëpia e Filatit dhe të hapim sytë.
    - Rroftë pushteti! Na ktheje një herë paguren e rakisë, më qafsh! - tha Kaloja me shumë fëmijë.
    Kismeti e shikoi vëngër e vazhdoi:
    - Të mësojmë e të mos bëjmë llazurë. Filatin, ndjestë pastë, nuk e kish njeri në hesap po tani do të hyjë në historinë e fshatit.
    Sërish u shkrehën disa armë dhe u përplasën shuplakat me forcë.

  2. #12
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Requiem


    Profesori frëng i gjimnazit më këshillonte shpesh se duhet të ruhesha mjaft nga shpirti rebel i malësorit të pabind; në ndonjë rast mund të të krijohen edhe situata të vështira, të pakëndshme që do t’i vuash gjatë. Unë po Kismet që Kismet, mbeta. Shokët më donin dhe çdo moment gëzoja autoritet të plotë. Çuditërisht, në kohën më të madhe të ditës e zotëroja veten, po diku më shpëtonte një triminutsh që e lëshoja gojën e sytë më flakëronin me inat të papërmbajtshëm; një lloj tërbimi i beftë më kapëlonte krejt trupin çka më detyronte të vuuaja së brendshmi. Vuajtja e parë niste pikërisht atë çast; një zjarrmi e brendshme dukej se vinte nga të gjitha poret e trupit, mobilizonte një minimum fjalësh nga ato më ciniket e deri te fyerjet që s’përtonin askënd.
    Me shokët e mi të gjimnazit, ata të trupës amatore të teatrit, po vinim në skenë një pjesë të huaj. Ishin ndarë rolet, qenë sajuar disa mizaskena dhe po bëheshim gati të jepnim provat. Ish marrë leje në shkollë po edhe në parinë e qytetit që nuk i shpëtonte as miza. Një pasdite vjen në prova një xhandar prefekture ku na urdhëron prerë se pjesa teatrale nuk do të shfaqej. Ne e rrethuam të shqetësuar dhe iu lutëm me njëqind rixha, po pa dobi. Më sa merr vesh muri, aq kuptonte burri. Atëhere unë u nxeha dhe thashë vendosmërisht se urdhrin e donim me shkrim, jo nga kushdo po nga dora e prefektit. Më përjashtuan nga shkolla. Pastaj më kapën në demostratë e më rrasën gjashtë muaj në burgun e Kalasë.
    Në atë kohë, për habinë e të gjithëve e për kundërshtimin e pjesës më të madhe të qytetit sedërqar, u çel shtëpia publike, një shtëpi dykatshe e me oborr të gjerë përpara. Hapja e të parës shtëpi qejfi pikërisht në qytetin tonë dhe askund tjetër që mund të kapërdihej edhe më lehtë, pa u konsideruar aspak si një privilegj, u quajt edhe një shëmtim që po bëhej sërish kryeqendrës jugore pas gati një mijëvjeçari. Në stërmoçminë e qytetit, si edhe Durrësi apo ndonjë qytet tjetër, prostiutimi publik në shtëpi të apostafatshme, ishte mjaft konkurues përkundër shumë shteteve të tjera, pasi kalimi i disa çasteve eksitimi mund të gërshetohej edhe me shëtitje në zona tepër të qeta dhe të hijshme. Kuptohet se marrja me qera e femrës në një skutë të humbur dhe të pazëshme kushtonte më shtrenjt, por mes kavalierëve dhe pronarëve bëheshin të tilla ujdi ku asnjë palë nuk mbetej e pakënaqur.
    Pra me riçeljen e shtëpisë publike u ngul një çiban që do trazonte shumë mendje njerëzish, do shtonte mërinë e fanatikëve e sidomos të plakave, ndërsa për ne do të ish një ngazëllim turfullues.
    Qysh pa zbardhur mirë, kur prostitutat flokëverdha dremisnin të kapitura nga ditët e netët e mundimshme (ato kishin një normë të caktuar ushtarakësh që duhet t’i kalonin çdo ditë), ne fëmijët mblidheshim rreth banesës e vështronim të nemitur. Ushtarët palë - palë ktheheshin nga fronti i luftës të lodhur e të raskapitur dhe prisnin epshndezur radhën para portës së drunjtë.
    Shtëpia publike, për inatin e të gjithëve, vazhdonte të sfidonte vetë luftën apo krijonte pështypjen e gënjeshtërt për diç të normalshme, por edhe më tepër acarohej mbarë qyteti. (Ajo shtëpizë e frikshme dhe enigmatike ndoshta zbuloi edhe një pjesë të pandertë të qytetit që deri atëhere mbahej si mëse i kulluar, i moralshëm, serioz, gati gati i virgjër; bashkëshortë të lumtur, bashkëshorte besnike, vejusha që qanin ende burrat e vdekur- në të vërtetë burra që mezi ç’prisnin të kalonin një natë me vajzat e pudruara, gra që shkuan të regjistrohen vullnetarisht por s’i pranuan për shkak sëmundjesh, vejusha që nxirrnin sisët e shalët qysh në oborr, vajza që u ngjiteshin italianëve si rrodhe qoftë edhe për ta provuar me një të huaj e që i hidhnin kopilët, kur kish mbaruar lufta, nga teqeja e Zallit).
    Ne gjimnazistët i njihnim për fytyrë të gjitha të huajat, i përshëndesnim kohë pas kohe, ndryshonim me mendje dashnoret e mundshme e megjithatë mikesha s’i bëmë që s’i bëmë dot. Shtëpia publike kishte ditë e orë të veçanta për ushtarakët e kohë të caktuar për civilët.
    ....Një ditë që zbardhte tabela prej peçikllazi “Vetëm për civilat”, i mbushëm mendjen Lubo evgjitit për të provuar shansin me kusht që paratë t’ia paguanim ne, ndërsa ai të flirtonte në dhomën e anës nga ku mund të vërehej disi; ne ishim shumë të sigurt se ai do të qejflisej nga cepi ku mund të vërehej lehtësisht paçka se këtë dëshirë ia kishim përsëritur deri në çastin kur do të hynte brenda.
    Para hyrjes në shtëpinë publike Luboja u betua e stërbetua se do të bënte namin, do i merrte vajzat me radhë, do u griste të linjtat pasi edhe kish ngrënë mish të pjekur prej Lazarati. Mua më ngrefet me dhallë e jo me mish në hell që më rri dru gjithë ditën, tha ai. Po gjeta rast, njërën prej tyre do e nxjerr në dritare lakuriq, më këmbë përpjetë, do t’ia bëj këmbët bigë dhe do ia shtrëngoj sa të mos ketë kohë të lëvizë as qafën, na siguroi ai.
    Ne përplasëm duart dhe ai hyri brenda duke turfulluar si dash ndërzimi. Të kacavjerur në mur, pritëm tërë ankth për britmat a fëshfërimat që do të vinin andej, nga shtëpia e qejfit të papaguar. Natyrisht nuk dukej asgjë, nuk kish klithma femre, as ih, as oh, as lermë se më shqeve, po vetëm ngashërimet jargashe të Lubo evgjitit: oh i ziu unë, ç’m’u desh që erdha, m’u prish vendi i fëmijëve, kot që të rroj!
    Pas disa minutash ai doli nga banesa i shfryrë dhe si i këputur; me dorën e majtë mbante oshkurin e pantallonave, kurse poshtë tyre kopsat ishin shkalafitur; tërë ajo ngehosje dhe vetëdukje e disa çasteve më parë ishte platitur dhe kapedani ynë dukej si i ardhur nga humbëtira.
    Më duket se linda edhe një herë, na tregoi ai. Do vete të shkarkoj ndonjë makinë me çimento e me lekët e fituara do vete t’i prish atje. Vajza ishte lakuriq, siç e kish bërë nëna dhe unë nuk kisha çfarë t’i grisja. Hera e parë më shkoi dëm. Kurva më dha një mushama të hollë e të tejdukshme në formë kaçupi, pa këllëf - mushamaje s’të linte për kiamet. Eh, jam bërë tërë gjak nga poshtë, Luboja desh të ulte pantallonat për të qenë sa më i vërtetë, po ne na u pështiros; në shpinë e në gjoks ndjenim mornica e dridhje të lehta.
    Por ngjarja më e pazakontë ishe parada e prostitutave një të shtunë mbrëma; tri prej tyre zbritën në sheshin e Çerçizit nga një makinë ushtarake; pothuaj hapën tri dyer si me komandë dhe dolën serbes – serbes, krejt lakuriq dhe pa grimë drojtjeje morën përgjatë rrugës që të shpinte te Qafa e Pazarit. Të dalë enkas pikërisht në orën më të populluara me njerëz, ato baritën mespërmes rrugës duke krijuar rreth tyre një kordon kalimtarësh që gati sa s’ngrinë nga pamja e pazakontë; askush nuk u besonte syve që para tyre të kalonin tre vajza të hajthme me gjoksin zbuluar, me shalët gjithashtu, me organin femëror pa mbulesë ku dritat e neonit herë zbulonin një pjesë pushi të vesuar dhe herë fokusoheshin në siluetat e tyre si për t’u ndriçuar edhe poret më të padujkshme të lëkurës tejet të lëmuar.
    Qyteti më i zhurmshëm ku të gjithë donin të dukeshin ngapak protagonistë, ku shtëpitë e mëdha dhe të vogla nuk luanin ndonjë peshë të përfillshme në spikamën e personalitetit, kishte rënë befas në një heshtje të thellë, një lloj nemitjeje sikur kuvendon me xhindët apo me shpurën e djallit, dhe nuk mund të belbëzonin asgjë. Një mot eklipsi që rrallë mund të shihej nga gjithë qytetarët, ishte shumë pak përpara kësaj ngjarjeje: nuk ishte as plotësisht dritë sepse fenerët patën një veshje mizash dhe dritonin mugët, por edhe terr s’mund të quhej kur tri ëngjëj kishin fanepsur papritur, kishin bërë me këmbë rreth njëqind hapa dhe ishin zhdukur po befas në makinën ushtarake duke lënë pas një vezullim hënor që do të shihej netnetëve.

  3. #13
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Dialogë aritmetikë


    - Sa bëjnë dy edhe dy?
    - Katër.
    - Kemi dhjetë heqim pesë, sa mbeten?
    Fëmija numëronte me gisht dhe përgjigjej me një farë hutese.
    - Gjashtë heqim tre, sa bëjnë të keqen mami?
    Djali e vërente të ëmën në sy.
    - Ke gjashtë kopsa në pantallona, shkopsit tre dhe numëro sa ngelen?
    - Tre.
    - E gjete, të lumtë! Eja të të përqafoj mami!
    Në rrugët e fshatit, në shtëpi duke punuar kopshtin, në kullotje me bagëtitë - dëgjoheshin tashmë dialogë aritmetikë: dikush numëronte me fiq të tharë, me stafidhe qershish, me qepujka ose thelpinj hudhre, me patate të vogla të farës dhe çdo përgjigje e saktë përbënte për secilin një zbulim të mahnitshëm.
    Megjithëse në shkollë venin rregullisht nga shtatë deri në dyzet vjeç, gjithë banorët e fshatit ishin përfshirë në vorbullën maramendëse të saj. Dy mësuesit përgatitën numëratorët e parë me gogla lisi, po shpirti praktik i fshatarit shkoi më tej: ato mjete aq të dëshiruara i sajoi me gjithfarë sendesh, me guaska kërmilli e me lënde dushku që i quanin buçko, me manaferra e kumbulla të pabëra, me fiq të egër, me çfarëdolloj kokrre që bënin pemët sipas stinëve. Kaloja me shumë fëmijë përgjigjej në klasë me goglat duke i lëvizur dalë-ngadalë me ato gishtat e trashë e të përzhitur vende-vende, ndërsa në shtëpi vazhdonte përgatitjen me gotat e rakisë derisa gjithçka i bëhej lëmsh e rrokopujë në numrat me dy shifra. Qenami, me rroba të leshta e çizme të përgjysmuara në dimër e behar, kish mbushur një trastë me mbeturina dhish, të cilat i hidhte dhe i priste sa në një dorë në tjetrën duke mos shkuar më shumë se trembëdhjetë, çka e irritonte dhe i zbraste mbetjet ne tokë. Arifi i më!
    hallës së Dinajve kish përparuar në të shkruar e në mbledhje e zbritje; ai hipte majë lisit ndanë shtëpisë, pyeste e gjegjej vetë me zë bubullitës sa e dëgjonte tërë fshati. Mësuesi Themo e nxirrte Arifin pak mënjanë duke i vënë në patronazh jo pak po shtatë burra. Këtë detyrë e bënte me shumë qejf, madje po ta pyesje në rrugë thoshte me vetësakrifikim: po merrem me ata të shtatët, nuk hanë pyka fare! Edhe nëna ime përgjigjej pa gabime, saqë mësues Sotiri i shënonte notën “5” me zbukurime. Babai, nja pesëmbëdhjet e kusur më i madh, i shfletonte në vetmi fletoret e saj dhe bëhej më i heshtur. Kur e gjente nëna ashtu, të përkulur e meditues, i thoshte me humor se martesat nuk duhen bërë me mosha të paafrueshme, të paktën jo më shumë se shtatë -tetë mote.
    Por më i lumtur e i shpenguar ndër fshatarët, ishte Kismet Hakani. Ai vërente tërë atë lëvizje te shtëpia e merhumit Filat dhe kalamendej nga kënaqësia, bëhej si me thënë me fletë e me flatra. Dinte fare mirë të lexonte e të shkruante, veç puna e dy mësuesve i dukej si s’ka më mirë, një punë e paqme që s’pranonte as floririn. Fillonte ora e mësimit dhe ai thithte gjithë ëndje purron e trashë dhe shikonte si flisnin bashkëfshatarët e tij; herë-herë kur ata ziheshin ngushtë, ndërhynte vetë dhe qeshte si fëmijë. “Eshtë e lehtë more, e lehtë”, thoshte. Nga dhoma matanë , dy shtretërit i punoi me merak po askush nga fshatarët nuk i linte mësuesit atje, i merrnin me radhë për darkë dhe të nesërmen ngrinin dorën të parët për t’u përgjigjur në mësim.
    Si padashje lajmi u hap në fshatrat fqinjë, kureshtarët erdhën për ta parë me sytë e tyre dhe Kismeti hyri në biseda nga mëngjesi deri në mbrëmje. Qoftë edhe për këtë ai ndihej i lumtur dhe vriste mendjen se çfarë mund të bëhej tjetër për fshatin e tij.

  4. #14
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Rruga dhe ngjarje të tjera


    Kushedi se çfarë i ka pjell mendja, ajo kokë sa një grusht e Kismet Hakanit? Mos rrëmbejnë ndonjë nuse? Janë ngritur që me natë sikur do grabisin një fshat me nuse?! Janë maskuar si lugetër me pëlhura mjegulle dhe duken me keq se fantazmat! E hapën shkollën sa për xanxë, për të inatosur fshatrat përreth duke nisur një zinxhir letrash, telegramesh e peticionesh në Komitetin Egzekutiv e më lart...
    Një mori pyetjesh silleshin e përsilleshin rrotull-rreth, teksa ai vargan me kuaj, pela e mushka zbriste për në Qendër. Kafshët ndaluan dhe të pesë burrat, në krye të vargut, zbritën prej tyre si me komandë e mospërfillje sikur tej e tutje të mos pipëtinte asgjë. Në të vërtetë murmuritjet vazhdonin, hamendjet e pandehmat vejevinin me ritëm të lartë. Bënte ftohtë, në tokë zbardhëllonte një ciknirë e thëllimtë dhe nga gojët e kafshëve dilnin pareshtur duhme ajri valëngrohta duke lënë në qimet e gjata të nofullave eshtake pikëza vesore.
    Kismeti, me duart që i dridheshin, lidhi kapistrën e pelës larashe pas një cung shelgu dhe u zgjati kutinë e duhanit shoqëruesve të vet. Ajo pelë kish sjell në fshat mbarësi dhe kish shpërndarë po ashtu në vise të tjera; gjithato nuse tylbardha, në muajt e vjeshtës, lotët e parë i derdhnin mbi jelet e saj të feksitura dhe ajo hijerëndë e fisnike, perëndeshë e krejt kafshëve, printe çaplehtë shtegun e dasmorëve të pafund. Kismeti, hem besonte e hem nuk besonte, po kjo kafshë shtatdrejtë e lidhte me gjëra tepër të shtrenjta e ngazëlluese, me ca fijekapje të paspjegueshme dhe, si çdo pjesë e zemrës, do të shënonte përherë fillimin e diçkaje tepër-tepër të bukur apo të hidhur. Sot, nga orët e para të ditës, ata do të prisnin ardhjen e disa vullnetarëve, një kamion me tridhjetë - dyzet të rinj nga qyteti.
    Dy sahat e më ku do vemi, pyeti Kismeti më shumë veten se të tjerët.
    E kishim bërë me fjalë të rrugtonim kur të binte dita tamam, po askush nuk e mbajti premtimin (teksa po zbrisnin nga fshati, të pesë burrat treguan radhazi se qenë përpëlitur në shtrat për orë të tëra, kishin dëgjuar edhe piskamën e këndezave të parë, kishin parë allosoj ëndrrash apo fillimet tronditëse të tyre), thuajse kishin mbetur syzgjuar dhe shpëtimi i vetëm nga stërmundimi natësor ishte ngritja, hedhja tej e mbulesave të dragura dhe lajmërimi i tjetrit që nga gardhi: o filan, zgjuar je more, eja të nisemi se nuk qenka e thënë të flemë sot!
    Eja e jepu xhevap këtyre sojllive të Qendrës, mllefoi Kismeti. Të pyet samarxhiu, kovaçi, marangozi, të gjithë duan të dinë për të mësuar një sekret. Pale, edhe berberja kërkon hesap ku sipas mendimit tim, njëmijë herë që joejo s’duhej hapur berberhana; ajo mblidhte përtacukë e dembelë; nuk shkonte që në duart e një femre të koloviteshin mjekrat e nxira e të palara të soj-soj burrave, por edhe se gomngjitësi të plaste buzën për të mos i hedhur shpejt ato të shkreta arna në gjyma e potisirë duke nxjerr si preteks vonesën në të rruar.
    Sikur ta bënin me fjalë e për të mbushur atë boshësi të pritjes -katundarët merren vesh qoftë edhe me sy apo me shenja - të pesë burrat u futën në klub dhe porositën kafe.
    - Asnjë llaf të këtushmëve, - foli nën zë Qenami me një gëzim dinakëror që më kot mundohej ta fshihte.
    - Merret vesh, - sqaroi Kismeti - kemi ardhur për të sjell bereqet. Jemi karvani i Paqes.
    - Po ne i kemi shlyer të gjitha huatë shtetërore, njerëzit e dinë këtë, janë lajmëruar fshatçe dhe do të dyshojnë, - tha Kaloja me shumë fëmijë.
    - Do bëjmë sikur s’e kemi mendjen, - ndërhyri Arifi i Bellajve, - megjithëse e kemi bërë një gabim: nuk morëm me vete ca flamurë e parrulla e t’i qepnim në ballë të kafshëve.
    - Mos duhet ndonjë vendim? - u kujtua më dobti i burrave, Çorrushi.
    - Vulën me vete e kam, kam edhe letër. Ja e shkruaj fët e fët e pastaj të na marrin pleshtat, - tha Kismeti. Ai nxorri fletoren dhe shënoi: “Për të mëkëmbur fshatin kemi rënë në ujdi me shokët e Qarkut që të na vinë nja 30-40 shpirt nga qyteti. Harxhet e fjetjes e të ushqimit do t’i heqim vetë. Të mos na kërrehet asnjë pengesë. Kryetari i Këshillit, Kismet Hakani. d. v.” I vuri edhe vulën pasi e lagu me pështymë dhe ia zgjati Arifit. - Mbaje shkresën se do të na duhet!
    Pesë burrat surbën kafe dhe dolën nga klubi sikur t’i ndiqte kush. Sakaq mbërriti kamioni me vullnetarë dhe ata nxituan hapat me një ndjenjë trembjeje se mos ua rrembente njeri. Në makinë duhet të ishin edhe një fisarmonikë e klarinetë që dëgjoheshin aty-këtu mes zërave rinorë.
    - Ejani, të takohemi me komandantin e tyre, Adifin, - tha Kismeti.
    U çel dera e kabinës dhe andej doli një djalë i gjatë si nja njëze e tetë vjeç, me fytyrë e flokë të kuq.
    - Shoku Kismet, erdhëm ne, tridhjetë e dy veta, - ai e përqafoi kryetarin e këshillit.
    - Të pushojnë zurnatë e të ikim sa më parë! - u hodh Qenami. - Më rrofshi! Po të rrimë edhe ca, do pataksen keta këtu; na zë edhe vapa.
    - Në rregull, nga do mbajmë? - komandant Adifi bëri me shenjë që vullnetarët të afroheshin.
    - T’u qepemi kafshëve, - tha Kismeti - rruga deri në fshat mban rreth një sahat.
    - Në asnjë mënyrë, - komandanti qeshi, - këta të marrin gjak në vetull.
    Aksionistët morën udhën lart, ndërsa pas tyre vinte karvani i kafshëve si zinxhir i gjatë.



    l.

    Në fshat ishte gatitur dreka, qenë therur pesëdhjetë bagëti, pothuaj nga një për çdo shtëpi, ishin hedhur nëpër furra petanikët erëmirë, byrekët e lakrorët, qenë hapur vozat e djathit e turshisë; bukët e misrit avullonin nën saçat e mëdhenj, ishin hequr mënjanë kaçupët me shëllirë e gjizë të trashë, gjithçka ishte menduar përpikmërisht për t’i gostitur sa më kënaqshëm miqtë e rinj.
    Pleq, të rritur e fëmijë shikonin me një ndjenjë padurimi aksionistët që po ngrenin çadrat fushore të fjetjes mes zallamahisë dhe poteres. U sistemuan gjashtë të tilla: tre për djemtë, dy për vajzat dhe një e vogël për shtabin. Dy mësuesit hynin e dilnin gjithherë duke ndihmuar ose duke dhënë ndonjë këshillë; më tepër se fshatarët ata i gëzoheshin ardhjes së mysafirëve.
    Dreka, duke qenë njëheri edhe darkë, filloi vonë e mbaroi aty nga mesnata. Si përherë kjo gosti pati një tog të dehurish, pati kurekur shamati e bisedë të tjerrur për mosrespektim dollish, megjithëse fundi ish prapë i këndshëm. Midis vullnetarëve ishin dhjetë vajza që deshën të flinin në çadra, po gratë e fshatit i kundërshtuan dhe i morën në banesat e tyre.



    2.

    - Ju nuk jeni bërë koperativë? - pyeti komandant Adifi.
    - Jo, jo. Asnjë fshat në krahinë dhe në rreth nuk është bërë.
    - Pse e vononi këtë punë. Të ishit të bashkuar në koperativë, do ta ndërtonit udhën më shpejt.
    - S’është aq kollaj, fshatarët sapo janë bërë me një çikë plaçkë e katandi dhe u vjen ligsht ta bëjnë kokrra-kokrra. Nga lufta ne dolëm si askush tjetër, si rruar-qethur, u bënë shtëpitë fërtele, u shkretuan ato pak ara dhe bagëtia u firua si mosmëkeq. Jo se kanë bërë ndonjë luftë të madhe, por ama fshati është djegur si mis më keq. Njëherë është djegur vetëm se një fshatar provonte të qëllonte mbi jë autokollonë gjermane dhe ata, ia filluan mbarë me bombardim. Qeveria ndërtoi falas tetëmbëdhjetë banesa për ata më të këputurit.
    - Koperativa krijon lehtësira. Andej nga Myzeqeja, janë ngritur me radhë e njerëzit rrojnë mirë.
    - Lalët janë të butë, një xhandar ruan gjithë Myzeqenë.
    - Nëse jeni fshat me traditë, duhet të shpejtoni.
    - Ke merak ti? Fshatin unë e kam në pëllëmbë të dorës,-Kismeti hapi gishtrinjtë e bymyer. - I mbledh këtë kohë, po të duhet. Plaku im ka qenë kryeplak dhe ai e ngriti në luftë me një fjalë.
    - Po gratë a të dëgjojnë?
    - E çdo bëjnë ato të shuarat, edhe ju keni bërë gabim që keni marrë vajza me vete.
    - Vajza kish edhe në luftë.
    - Kish gra e vajza, po ato lëviznin vetëm gishtin. Lëviznin edhe ndonjë gjë tjetër po do kemi kohë e do flasim. Ç’ta bësh gishtin këtu: ta tundësh apo ta fusësh nga prapa!
    Komandanti i aksionistëve qeshi. Ashtu bëri edhe Kismeti dhe dolën së bashku nga shtëpia.
    Në sheshin para çadrave, ish ndezur një zjarr i madh me degë rrapi dhe përreth tij vullnetarët ngacmonin njeri -tjetrin miqësisht.
    - Hë djema, si fjetët? - pyeti Kismeti dhe ata u ngritën në këmbë.
    - Si jo më mirë, - tha një aksionist.
    - Dihej që rehat do flinit, këtu vendi është i futur dhe nuk e kap era, - tha Adifi.
    Kismeti pohoi me krye. Më pas u ul në një gur të ngritur shtufi dhe nisi t’u tregojë disa hollësi për fshatin.



    3.

    Për dy ditë me radhë u bë piketimi i udhës deri në Qendër, rreth gjashtë kilometra e pak e gjatë. Pak a shumë u ruajt rrugina e vjetër e kafshëve me ndonjë kthim të vogël në disa pika shkëmbore që u planifikuan për t’u shembur.
    Fillimi i punimeve u krye me një ceremoni të thjeshtë. Më këmbënguljen e Kismetit, të pranishmëve u foli komandant Adifi.
    - Shokë, - filloi ai i emocionuar, - po nisin hapjen e rrugës së re që do t’ju lidhi me Qendrën, me qytetin e me tërë vendin. Në këtë aksion ka punë për të gjithë, edhe për fëmijët. Ju, shokë fshatarë keni vuajtur shumë, por edhe keni energji shumë. Prandaj të jemi të bashkuar. Me çangën e parë do të bëjmë zgjimin, me çangën e dytë do të kemi mbaruar mëngjesin dhe me çangën e tretë do fillojmë punën. Me hajër na qoftë!
    Nisi kështu hapja e udhës. Në pararojë shkonin burrat duke gërmuar me kazma dhe pas tyre të tjerë shpërndanin dheun dhe bënin sheshimin.
    Ditën e dytë të aksionit, një pjesë e fshatarëve nuk erdhi në frontin e punës, ca u larguan gjatë pushimit; katër ditë më vonë, numri i tyre ecte drejt pakësimit.
    - Pse nuk thua që na mori lumi, - i tha Adifi kryetarit të këshillit.
    - Nuk janë mësuar bashkë.
    - T’i mësojmë e t’u flasim ngapak. T’i ndajmë për ca net aksionistët në shtëpi dhe t’u bëjnë agjitacion.
    - Janë të sertë e nuk shtrohen menjëherë. Lënë kokën për bagëtinë.
    - Duhet ta kapim demin për brirësh.
    - Nga t’ia mbajmë? - Kismeti e shikoi komandantin në sy.
    - Nesër merr edhe gruan me vete.
    - Ba – ba - ba, do më turpërosh në pesëqind sy. Edhe një copë rrugë dashka flijime?!
    - Flijime jo, po do sakrifica. Asgjë nuk e gjen gruan tate të vijë në punë, po bëhet edhe shembull për të tjerët.
    - Mos e zgjat më, qoftë e bërë!
    Në ditën e shtatë disa fshatarë u shtuan dhe rruga e re automobilistike mori një farë forme. Rreth dyzet metra përfund një lugine, nuk patën shumë mundim, dheu gërmohej lehtë e duart lëviznin shpejt.
    Një ditë më pas Kismeti erdhi në punë bashkë me të shoqen. Nuk foli asnjë fjalë, nuk përshëndeti askënd dhe, ndryshe nga çdo herë tjetër, mori një kazmë e nisi të rrëmonte.
    Komandanti i vullnetarëve nuk e ngacmoi; e kuptoi gjendjen e tensionuar të kryetarit nga vështrimet bishtnore të bashkëfshatarëve apo llomotitjet e tyre nën zë. Ai shpërndau frontet e reja të punës, më shumë me lëvizjet e duarve sesa me fjalë, dhe shkoi pranë kryetarit duke gërmuar së toku.
    - Ma ke bërë qejfin sa s’bëhet,-i pëshpëriti.
    Kryetari e këqyri vëngër dhe nuk i foli.
    - Ndonjëherë, një veprim i vogël vlen shumë, - këmbënguli Adifi.
    - E mora vesh. Mirë ngordhi kali, po s’na lënë rehat as mizat, - Kismeti s’kish dëshirë të fliste.
    - Ta them me zemër të bardhë.
    - Ohu, dëngër-vëngër. Në këtë kohë fjalimet bëjnë punë.
    - Për ta thënë haptas, unë s’shoh asgjë të keqe që gruaja jote punon si shoqet tona.
    - Për ty s’ka gjë, po eja e mblidh mizat brenda meje, unë e di çfarë heq.
    - Do kalojë pak nga pak.
    - Ashtu u bëftë, - kryetari i dha të kuptonte që të mos e zgjaste më bisedën.

  5. #15
    mirandapetro
    Anëtarësuar
    28-04-2006
    Vendndodhja
    Greqi
    Postime
    2
    Urime shkrimtarit per finesen ne te shkruar.Do kisha deshire te shihja krijimtarine e tij te shprehur edhe ne vargje.Kam besim se do te dije te n'a dhuroje gjera te bukura.

    Miranda

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Tema të Ngjashme

  1. Çerçiz Topulli
    Nga shigjeta në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 31-03-2013, 03:09

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •