24-09-2006
Në Shqipëri Lëvizja MJAFT, aktivistë të shoqërisë civile dhe analistë të mediave prezantuan sot nismën qytetare “Aksioni Civili”. Kjo nismë siç u deklarua prej tyre, ka për synim të mbrojë demokracinë në vend, pavarësinë e institucioneve dhe shtetin e së drejtës. Përfaqësues të ndryshëm i bënë thirrje kryeministrit Sali Berisha të heqë dorë nga arroganca dhe autoritarizmi në qeverisje.
Erion Veliaj, drejtues i Lëvizjes MJAFT shpjegoi se një nga temat që i bashkoi të gjithë në Aksionin Civil ishte ajo e Skandalit Albatros, duke njoftuar se aktiviteti i parë i nismës së re qytetare do të ketë në fokus pikërisht këtë temë të nxehtë.
Ai tha se javën e ardhshme do të protestohet për të kërkuar largimin nga detyra të të gjithë zyrtarëve të përfshire në shantazin ndaj institucioneve, duke iu referuar bisedës së publikuar në shtyp mës drejtorit të Avicionit Civil dhe pronarëve të Kompanisë ku bëhej presion që presidenti Alfred Moisiu të firmoste shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku.
Sipas nismëtarëve të Aksionit Civil Çështja Albtaros nuk është një çështje financiare por politike.
Deri më tani drejtuesit e qeverisë kanë anashkaluar thelbin e bisedës së publikuar duke thënë se do të presin vendimin e organeve të Drejtësisë, ndërsa ministri i Transporteve Lulezim Basha është pozicionuar hapur se nuk sheh asnjë arsye për largimin nga detyra as të drejtorit të Aviacionit Civil.
Nisma e re e shoqërisë civile shqiptare përkon me daljen në publik sot pasdite të kryeministrit Sali Berisha për të bërë analizën e një vjetorit të qeverisë së tij
Zëri i Amerikës
Krijoni Kontakt