“Edhe nga krenaria shpëtoje shërbëtorin tënd o Zot"


Të nderuar lexues ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës.

Me këtë të diele fillon muaji tetor, të cilin Kisha në mënyrë të posaçme ia kushton nderimit të Shenjtënueshmes Virgjërës Mari e Misioneve. Përmes Ungjillit të Liturgjisë së Fjalës vijon mësimi i Jezusit mbi atë që duhet të karakterizojë jetën e bashkësisë së tij, e të çdo bashkësie që don të quhet dhe të jetë kristiane.

Pas thirrjes për të marrë mbi vete kryqin çdo ditë e për t’u bërë, më përvujtëri, shërbëtor i të gjithëve, në pjesën ungjillore të kësaj së diele, Jezusi na mëson se bashkësia e tij duhet ta ketë zemrën e hapur për të pritur e pranuar të mirën kudo e ajo lulëzon nga kushdo që bëhët, sepse e mira nuk është pronë eskluzive e një grupi apo ndonjë tjetëri; e kësaj apo asaj kishe të veçantë. E mira është e Zotit e vetëm Zoti e ka të drejtën e autorësinë mbi të mirën, kudo e nga kushdo që ajo bëhët.

Dashuria për të dalluar e njohur në fytyrën e çdo njeriu vet fytyrën e Zotit, dhe radikalitetin për të ecur gjurmëve të ungjillit; një radikalitet kaq të nevojshëm që shërbën për të përforcuar në fe të krishterët e ligshtë e të paqëndrueshëm e të luhatshëm.

Zemra e hapur; dashuria; radikaliteti ungjillor: janë një projekt që nuk realizohet kurrë njëherë e përgjithmonë por lypet realizuar kurdoherë me ndihmën e Zotin. Për këte të kërkojmë me lutje mbështetjen dhe hirin e tij Hyjnor.



Tundimi i monopolizimit të Zotit


Kush është Zoti i vërtetë, a mund ta shtrembërojë njeriu imazhin e tij të vërtetë?

Janë këto pyetjet dhe drita që liturgjia e kësaj të diele dëshiron të na japë.

Shpirti i Zotit vepron lirisht, ai mund të nxjerrë bij të Abrahamit edhe nga gurët, zëri i tij mund të dëgjohet dhe të bëjë të dëgjohet nga njerëz dhe mjete njerëzore të paparashikuara dhe të pamenduara. Zoti është i lirë në dhënien e dhuratave të tij, duke vepruar përtej skemave mendore dhe strukturave të ngurtësuara, duke e lejuar profecinë edhe jashtë “tendës”.

Leximi i parë nga Libri i Numrave na paraqet zemërimin e Jozuehut, i cili duke parë se Shpirti i Zotit shkon përtej kufijve të ngurtë të rendit të shtatëdhjetë pleqve, i drejtohet Moisiut me kërkesën e tij integraliste “Ndaloji!”. Përballë këtij këndvështrimi të shërbesës së shpëtimit si zotërim dhe privilegj, Moisiu i përgjigjet duke kremtuar shkëlqimin e lirisë dhe të bujarisë së Perëndisë.

Ky është edhe qëndrimi i Jezusit në ungjillin e Markut. Ai i fton dishepujt e tij të respektojnë dhe të presin me besim, duke parë në ata “që nuk janë të tanët” jo një armik ose konkurrues, por një sintoni të brendshme që mund t’i shndërrojë në miq dhe bashkërrugëtues të besimit. Jezusi i fton dishepujt e tij të ekzaminojnë sjelljen e tyre shoqërore (këmba dhe dora) dhe personale (syri) për të shmangur që siguria e krenarisë vetjake të kthehet në një rrënjë ligësie për vëllezërit që janë ende në kërkim të Zotit.

Institucionet janë nisëm e Zotit, por është e rëndësishme edhe përdorimi i tyre. Profetët nuk pushojnë së kujtuari se Hyji është i lirë në mënyrë sovrane. Ai mund të heqë dorë nga tempulli, nëse ai nuk i shërben adhurimit të tij, mbretëria e Davidit mund të mbarojë, nëse mbretërit nuk i shërbejnë atij. Zoti Jahve mund të arrijë edhe të dëshirojë tejkalimin e kufijve të ngurtë të popullit të Izraelit.

Edhe Krishti i përdor insitucionet fetare të kohës së tij, por me liri dhe duke i tejkaluar ato. Shpirti fryn aty ku dëshiron dhe nuk është i lidhur nga asnjë strukturë njerëzore.

Tundimi i përhershëm i besimtarit është ajo e “sekuestrimit” të Zotit, e monopolizimit, duke e mbyllur Zotin në siguritë vetjake, duke e ezauruar atë në strukturat dhe institucionet tona.

Për ne atëherë bëhet urgjente nevoja njohjes dhe e pranimit të përtejshmërisë së Zotit dhe lirisë së tij, e kërkimit të vullnetit të tij në jetën tonë të përditshme. E kishte kuptuar më së mirë Shën Tereza e Lisieux-së, të cilën Kisha e përkujton sot, e kuptojnë të gjithë ata besimtarë që nuk pretendojnë ta bëjnë Zotin pjesë të skemave të tyre mendore, por qëndrojnë në kundrimin magjepsës të përtejshmërisë dhe të lirisë së tij, që është burim shpëtimi për të gjithë. Për këtë arsye kremtojmë eukaristinë e ditës së dielë, për këtë arsye edhe për ne besimtarë të këtij çasti historik, eukaristia kthehet në një përvojë çliruese dhe hiri, për t’u mbushur dhe për të bërë të tonën mendësinë dhe këndvështrimin e Zotit të vdekur dhe të ngjallur për shpëtimin tonë.


“Edhe nga krenaria shpëtoje shërbëtorin tënd o Zot që të mos ketë pushtet mbi mua. Atëherë do të jem i panjollë, do të jem i pastër nga mëkati” (Ps. 18/19)