Sigurisht qe ka te ardhme
Sigurisht qe ka te ardhme
Hotelet shqiptare së shpejti me yje të vërtetë
Pas datës 15 shkurt të këtij viti do të nisë procesi i heqjes së yjeve në të gjitha njësitë hoteliere dhe moteliere në Shqipëri
Brenda datës 15 shkurt të gjitha njësitë hoteliere duhet t’i heqin yjet e vetëvendosur dhe të fillojnë procedurat me Ministrinë e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit për lincensimin e aktivitetit të tyre. Kjo ministri ka nisur kontrollin në të gjitha njësitë hoteliere që ushtrojnë veprimtari turistike për të hartuar një listë përfundimtare të hoteleve dhe moteleve që do të përfshihen në listën turistike shqiptare. Kjo fazë përgatitore do të pasohet më pas me kontrollin, licensimin dhe kategorizimin me yje të të gjithave hoteleve dhe moteleve që zhvillojnë aktivititet turistik në Shqipëri. Kjo është bërë e ditur nga vendimi i fundit i dalë nga Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit. Sipas këtij vendimi, ky plan parashikon që do të ndiqet e njëjta procedurë edhe për vetëvendosjen e yjeve të njësive moteliere shqiptare, ku vlerësohet e njëjta situatë. “Pas zhvillimit të aktivitetit privat turistik është vënë re një tendencë e subjekteve për të vetëkategorizuar aktivitetin e tyre, pavarësisht nëse ky kategorizim i përgjigjej ose jo nivelit të komfortit apo shërbimeve që ato ofrojnë”, bëjnë të ditur burime zyrtare nga Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit. Po sipas këtyre burimeve, këto yje të vetëvendosura do të hiqen për t’u rivendosur pas licensimit të aktiviteteve turistike të njësive hoteliere në bazë të shërbimeve që këto njësi ofrojnë.
Faza e parë: licensimi i aktiviteteve turistike
Për licensimin dhe kategorizimin me yje të hoteleve dhe moteleve ekziston një vendim i Këshillit të Ministrave “Mbi kategorizimin, klasifikimin dhe regjistrimin e njësive akomoduese turistike (NJAT)”, i vitit 1996, ku thuhet: “Njësitë akomoduese turistike që nuk plotësojnë kriteret dhe normativat e përcaktuara, nuk do t’i nënshtrohen kategorizimit dhe klasifikimit dhe për pasojë nuk do të lejohen të përdorin asnjë nga shenjat dalluese për kategorizim dhe klasifikim”.
Në vazhdimësi të kësaj faze ministria u ka dërguar një shkresë paralajmëruese subjekteve të cilat merren me veprimtari turistike akomoduese në qytete dhe zona kryesisht turistike. Kështu, këto subjekte duhet të zbatojnë nga ana e tyre detyrimin ligjor brenda datës 15 shkurt 2004 për licensimin e veprimtarisë turistike, si dhe njëkohësisht paraqitjen e kërkesës për regjistrim-klasifikimin e njësive hoteliere të tyre. Kjo shkresë u është dërguar bashkive dhe prefekturave të vendit, të cilat kanë turizëm të zhilluar, Drejtorisë së Policisë Ndërtimore, Shoqatës Hoteliere të Shqipërisë, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. “Këto institucione duhet të marrin masa për detyrimin e subjekteve për paraqitjen e kërkesës për licensimin e veprimtarisë dhe klasifikimin e njësive të tyre hoteliere, si dhe heqjen brenda datës 15 shkurt të yjeve të vendosura në këto njësi. Në bashkëpunim edhe me policinë ndërtimore do të zbatohen ndaj subjekteve të papajisura me licensën përkatëse dhe çertifikatën e klasifikimit të njësive hoteliere të lëshuar prej kësaj ministrie, masat administrative sipas ligjeve në fuqi deri në ndërprerjen ose mbylljen e ushtrimit të veprimtarisë turistike”, citohet në këtë shkresë.
Faza e dytë: kategorizimi i njësive hoteliere
Duke u nisur nga fakti se në Shqipëri ka një numër të madh hotelesh dhe motelesh, që janë ndërtuar në qytete turistike, ky vendim ka përcaktuar kriteret e vlerësimit dhe të klasifikimit me yje të hoteleve dhe moteleve.
Problemet
Arben Çiço, kryetar i Shoqatës Hoteliere të Shqipërisë, lidhur me licensimin dhe klasifikimin e hoteleve dhe moteleve, i cili do të fillojë së shpejti, është shprehur se një gjë e tillë pritej, pasi dhe vendimi për të kategorizuar hotelet ka dalë prej kohësh, “por gjithsesi është një vendim i cili do të ndihmojë shumë për ecurinë sa më të mirë të turizmit”. “Një problem që paraqitet në licensimin e njësive hoteliere është fakti se për t’u pajisur me licensë, fillimisht duhet të pajisesh me dokumentacionin përkatës. Një dokument i rëndësishëm mbetet vërtetimi për pronësinë, i cili si dokument merret pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme”, shprehet Çiço. Sipas tij, ky është një problem i hallkave të shtetit, të cilat duhet t’i ndihmojnë në njëfarë mënyre këto subjekte për t’u licensuar. “Problem tjetër mbetet dhe kontrolli sa më i mirë që duhet të kryejë grupi i vlerësimit, i ngritur nga Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, për klasifikimin e hoteleve, pasi mund të ketë hotele të cilat nuk i përmbushin kriteret e caktuara nga ministria dhe që kanë po aq klientelë sa dhe një hotel i cili i plotëson këto kritere”, thekson më tej zoti Çiço.
Hotelet
A- Elementet e jashtme: venndodhja, pamja e jashtme arkitektonike, mjedisi rrethues, etj.
B- Elementet e brendshme: recepsioni, holli, dhomat, apartamentet, ballkonet dhe verandat, banjat dhe tualetet, korridori dhe kalimet, sallat për mbledhje, seminare dhe konferenca, sekretari, kuzhina, restoranti, personeli i shërbimit, furnizmi me ujë, ndrçimi elektrik, izolimi elektrik, masat kundër zjarrit, sistemi i ventilimit, trajtimi dhe magazinimi etj.
Hotel me një yll:
- kapaciteti pritës jo më pak se 7 dhoma;
- recepsion i kompletuar me të gjitha pajisjet bashkëkohore;
- dhoma të kompletuara, moket ose shendileta pranë krevatit;
- ngrohje e mjaftueshme në dhoma dhe mjediset e brendshme;
- telefon/faks në dispozicion të klientelës
- zyrë për administratorin ose menaxherin;
- ashensor kur godina ka mbi tre kate;
- holl me sip.16-25 metra katrorë, me kënd pushimi komod me vende ulje sipas kapacitetit;
- sallë për ngrënien e mëngjesit, restorant;
- sistem komunikimi me sportelin për raste emergjence;
- TV në holl ose në mjedise të përbashkëta;
- ofrimi i ndihmës së shpejtë.
Motelet
Një motel që të jetë turistik, duhet të ketë kapacitet prej një minimumi 5 dhoma, ndërsa në elementet e përgjithshme për vlerësimin dhe klasifikimin bëjnë pjesë:
Elementet e jashtme: vendndodhja, pamja e jashtme arkitektonike e strukturës, materiali i përdorur në ndërtim, parkingu, mjedisi rrethues, niveli i higjienës, ndriçimi, kënde sportive, rrugën për në motel, reklamën që është një element i rëndësishëm etj.
Elementet e brendshme: recepsioni, holli, dhomat të cilat duhet të jenë 100 për qind të pajisura me banjë, ballkonet dhe verandat, korridoret, shkallët, ashensori, salla për ngrënien e mëngjesit, salla e restorantit, kuzhina, furnizimi me ujë, ndriçimi dhe izolimi elektrik, masat kundër zjarrit, sistem ventilimi, magazinim dhe ruatje të artikujve ushqimorë dhe industrialë, nivelin e higjenës, personelin e shërbimit et
PAUCA SED MATURA
Turizmi
Llambi Kallço - 06/04/2004
Durrës, Task Force për thithjen e turistëve
Struktura e re do të shërbejë jo vetëm për promovimin e turizmit durrsak, por dhe për rehabilitimin e kanalizimeve, shpërndarjen e energjisë elektrike etj.
Në prag të sezonit të ri turistik në kuadrin e masave që po merr pushteti lokal në Durrës për thithjen e një fluksi më të lartë turistik se në sezonin e kaluar është dhe krijimi i një Task Force. Detyra e kësaj strukture do të jetë thithja e turistëve shqiptarë dhe të huaj në plazhet e Durrësit. Përveç kësaj, Task Force do të ndërhyjë në infrastrukturën rrugore, në sistemin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza në zonën turistike, në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike etj.
Sipas përfaqësuesit të kësaj Task Force në prefekturën e Durrësit Zeqir Vrijonit, pas krijimit të komitetit kombëtar të turizmit në shkallë prefekture, Task Force po përgatit strategjinë afatshkurtër të menaxhimit të sezonit turistik në qarkun e Durrësit. Kështu, nga kjo strukturë, me asistencën e projektit të UNOPS-it, janë përgatitur materiale për propagandën turistike, dokumentarë turistikë mbi Durrësin, fletëpalosje, guida etj., të cilat brenda muajit prill do të ekspozohen në Kosovë në një vizitë që do të bëjnë përfaqësues të biznesit dhe pushtetit lokal në Durrës në Odën Ekonomike të Kosovës.
Ndërkohë, për mbështetjen financiare të projekteve të Task Forcës për promovimin e turizmit në Durrës, përfaqësuesit e grupit kërkojnë një mbështetje më të madhe nga Ministria e Turizmit dhe Rregullimit të Territorit. Mungesa e fondeve mund të bëjë që një pjesë e këtyre projekteve të mos realizohen dhe si rrjedhim kostoja do të rëndonte mbi vetë turizmin.
Sipas burimeve zyrtare, kjo strukturë do të ndërhyjë dhe në realizimin e projektit për tensionin e ulët nga stacioni i plazhit, në ndarjen e furnizimit me energji elektrike të zonës së Shkëmbit të Kavajës nga zona e banuar, ndriçimi i rrugës Durrës-Plepa, ndriçimi i mbikalimit te Ura e Dajlanit, aktivizimi i semaforëve etj. Po kështu, një nga prioritet e përcaktuara nga grupi Task Force në shkallë qarku është dhe realizimi i projektit për shfrytëzimin e plotë të ujësjellësit të Fushëkuqes, hartimi i projekteve për burime alternative uji në zonën turistike etj.
Komente
Polo Cakalli - 07/04/2004
Kush e pengon zhvillimin e turizmit në bregdetin Jon?
Dr. Polo Çakalli
Duke vonuar ligjin e ri pa fund, shteti, nga paaftësia apo ndikime të ndryshme, fovorizon mafien që të zgjerohet dhe fuqizohet në bregdet dhe demoralizon emigrantët, që shpresojnë e presin të investojnë për të lulëzuar e jo për të kriminalizuar zonën, siç kërkon ta katandisë mafia
Zhvillimi i turizmit elitar në bregdetin Jon do të mbetet në kuadrin e demagogjisë bajate e slloganeve boshe po qe se shteti nuk merr masa tërësore e të shpejta për të plotësuar detyrat e tij të drejtpërdrejta, siç janë: rrugët, uji, dritat dhe planet urbanizuese të zonës dhe të çdo fshati në veçanti, si dhe sigurimin e një menaxhimi bashkëkohor
Shkaqet që kanë penguar deri tani zhvillimin e turizmit në bregdetin Jon janë të shumta. Në këtë shkrim do të përmëndim vetëm disa prej tyre, ata më kryesorët.
Shkaku i parë është moskthimi i pronave të zotit, çka duhet të ndodhte menjëherë me shfuqizimin e Kushtetutës së vitit 1976. Megjithëse i vonuar, por si e keqja më vogël, kthimi duhet të ndodhë tani me projektin e ri, i cili po piqet e po digjet nëpër duart e komisioneve të politizuara, që nuk u vjen hiç keq që po e raskapisin pa fund ekonominë e vendit dhe popullin bashkë me të! Pra, edhe tani vazhdon të diskutohet e mohohet.
Sipas radhës, edhe shkaku i dytë pengues për shvillimin e turizmit në bregdet është përsëri shteti, qeveria. Kjo sepse të pesë detyrat kryesore të drejtpërdrejta të saj për t’i paraprirë zhvillimit të turizmit në bregdet, siç janë infrastruktura rugore, uji, dritat, projektet urbanistike dhe menaxhimi i përgjithshëm nxitës, mbështetës dhe i kualifikuar mungojnë gati totalisht. Kështu, infrastruktura rrugore vashdon të jetë e vjetër dhe e amortizuar. Mikrosegmenti i Llogarasë, i cili u bë boll i mirë, çeli një rreze drite, por përfundoi si gozhda e … Për ujin asnjë hap s’po duket, qoftë vetëm për të zbuluar burimet rrëze maleve që nuk mungojnë. Pra, shteti në këtë fushë noton jashtë loje.
Pengesa e tretë kryesore që frenon zhvillimin e turizmit në bregdet, është perseri shteti, sepse i ka lënë fushë të lirë mafias. Kjo e fundit, me veprimet e saj të dukshme e të padukshme, ka terrorizuar banorët e paktë të zonës dhe ngjall panik e pasiguri për të ardhmen. Kjo situatë transmetohet përditë tek emigrantët, të cilët presin të kundërtën, dritën jeshile, ligjin, sigurinë, politikat favorizuese. Pra, duke vonuar ligjin e ri pa fund, shteti, nga paaftësia apo ndikime të ndryshme, fovorizon mafien që të zgjerohet dhe fuqizohet në bregdet dhe demoralizon emigrantët, që shpresojnë e presin të investojnë për të lulëzuar e jo për të kriminalizuar zonën, siç kërkon ta katandisë mafia.
Diçka mbi kthimin dhe kompensimin e pronave në bregdet
Së pari, bregdetasit nuk kërkojnë as kthim dhe as kompensim të pronave të tyre, sipas konceptimit në projektligj që pritet të diskutohet në Kuvend. Kjo sepse në bregdet nuk ka tokë për kthimin, kurse kompensimi në monedhë është shumë i madh dhe i papërballueshëm nga buxheti i shtetit. Ata kërkojnë nga Kuvendi i Shqipërisë të bëjë një formalitet shumë të vogël, që nuk kushton asgjë dhe ndreq shumë punë. Të legalizojë njohjen e pronësinë të çdo trungu familjar, sipas kadastrës më 1945. Këtë zgjidhje bregdetasit e kanë vendosur me konsensus në kuvendet e vogla të çdo fshati dhe nuk krijojnë asnjë shqetësim e kosto për shtetin.
Duhet mbajtur parasysh se kostoja e kompensimit në vlerë për bregdetin është e lartë, mbasi do të kompensohet diçka më shumë se gjysma e pronarëve, të cilët projekligji i ri i lë pa pronë. Kjo zgjidhje është baras me disa mijë ha toke turistike, rreth 200.000 rrënjë ullinj etj.
Këto pasuri që kërkojnë kompensim me çfarëdo çmimi që të vlerësohen, vlerat e tyre janë të larta dhe të papërballueshme për buxhetin. Ndërkohë, me zgjidhjen që japin bregdetasit, këto para shteti mund t’i investojë po në bregdet për të plotësuar detyrimet e tij. Kështu, me mirëkuptim dhe zgjidhje ligjore e demokratike dhe duke luftuar efektivisht korrupsionin, krijohen të gjitha kushtet që punët të ecin mbarë.
Disa përfundime
1. Vlera e lartë e tokës në bregdetin Jon, e cila lidhet me pozicionin gjeografik,
bukurinë dhe virgjërinë e mjedisit, praninë e detit dhe të maleve etj., i bën pronarët e ligjshëm të tyre shumë të ndjeshëm dhe të papërmbajtur karshi çdo padrejtësie të mundshme, kurse prekja direkt e pronës së tyre të trashëguar është absolutisht e papranueshme. Po qe se ligji i ri për pronat do të përmbajë tjetërsimin, siç është projektuar, ai nuk do të pranohet dhe pasojat do të jenë tejet të rënda në të gjitha drejtimet.
2. Zhvillimi i turizmit elitar në bregdetin Jon do të mbetet në kuadrin e
demagogjisë bajate e slloganeve boshe po qe se shteti nuk merr masa tërësore e të shpejta për të plotësuar detyrat e tij të drejtpërdrejta, siç janë: rrugët, uji, dritat dhe planet urbanizuese të zonës dhe të çdo fshati në veçanti, si dhe sigurimin e një menaxhimi bashkëkohor.
3. Duke e marrë të mirëqenë kthimin e tokës, pronë individuale private te trashëgimtarët ligjorë, të njëjtin
trajtim kërkon edhe prona kolektive e fshatrave: kullotat, livadhet, pyjet. Këto kategori tokash përbëjnë hapësira jetike të fshatrave, banorëve të tyre. Ato janë pjesë përbërse e jetës, harmonisë së atyre komuniteteve dhe çdo prekje e tyre prish këtë harmoni dhe e bën të pamundur jetesën. Ato janë të krahasueshme me fabrikat, uzinat dhe aktivitetet e tjera të shumta në qytet, sepse për fshatin në to prodhohet, shërbehet etj. Edhe në kushtet dhe konceptet e reja të kohës, me zhvillimin e turizmit, në vend të blegtorisë ato mbeten persëri hapësira jetike për fshatin dhe banorët e tij.
4. Për fshatin turistik të Kakomesë, i cili tashmë është miratuar të bëhet pa pyetur të zotët. ka vetëm një
zgjidhje, ku rolin e personit të stimuluar, origjinal e ligjor mund ta kryejnë jo shoqëritë më origjinë e emërtime fantazme, por fshatarët e Lukovës, Shenvasisë e Nivicës, të cilët e kanë në pronësi në shekuj atë vend. Për këtë qëllim ata kanë mundësi të krijojnë institucionin e tyre ligjor parfaqësues, i cili të hyjë në marrëdhënie me investitorët nën drejtimin këshillimues e menaxhues të dikasterit përkatës. Në këtë rrugë komunitetet fshatare do të fitojnë nga e drejta e pronësisë mbi tokën që vënë në përdorim, pushtetet vendore e qendrore nga taksat e tatimet që do të aplikojnë. Në të njëjtën kohë shteti shpëton nga e keqja e madhe, lakmia për t’u bërë pronar atje ku nuk i takon dhe shoqëria në tërësi shpëton nga tmerri i korrupsionit dhe misteri i transparencës. Po qe se kjo nuk do të ndodhë dhe strukturat e shtetit do të insistojnë të disponojnë territoret, ku nuk kanë pronësi, fshatrat pronare, me siguri do të nisin procedurat ligjore dhe do ta fitojnë të drejtën e tyre.
5. Organet e shtetit që merren me punët e turizmit, duhet të heqin dorë si nga
koncepti i të qenit pronarë në tokat, mushatë, livadhet e pyjet e fshatrave të bregdetit dhe nga çdo mënyrë manovrimi për të përdorur tokat që trajtohen nga Ligji 7501, edhe po qe se ai nuk shfuqizohet në bregdet, sepse ato do t’i gëzojnë vetëm pronarët e ligjshëm dhe askush tjetër.
Së fundi, një sukses, ndofta më të rëndësishëm në këtë drejtim, shoqata “AK Bregdeti” ka konsideruar krijimin e lobit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët duke u bindur për drejtësinë dhe të mirat që sjell në bregdet kthimi i pronave te të zotët dhe për të penguar të këqijat që sjell e kundërta, na kanë mbështetur dhe inkurajuar fuqimisht në punën tonë. Jo vetëm kaq. Ata firmosën dy projektligje të depozituara në Kuvend më datën 16.03.2001 dhe datë 04.11.2002. Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që ndërmorën këtë akt të drejtë, fisnik e qytetërues janë zotrinjtë: Paskal Milo, Neritan Ceka, Vangjel Dule, Nard Ndoka, Petro Koçi, Stefan Çipa, Arjan Starova, Qazim Tepshe, Bardhyl Londo, Gaqo Apostoli, Spartak Ngjela, Arbër Qilimi, Vasil Melo, Sabri Godo, Dritan Shehu, Lekë Gjiknuri. Populli mbi 60 mijësh banorësh i bregdetit do t’u jetë mirënjohës atyre sepse mbështetën një aspiratë, të drejtën më themelore të tyre për pronën e trashëguar brez pas brezi për identitetin e tyre me të cilën krenohen.
Zyrtarët e Durrësit promovuan ofertën turistike në Prishtinë
Prishtinë, 14 prill - Përfaqësuesit qytetit të Durrësit promovuan sot në Prishtinë ofertën e tyre turistike për sezonin e sivjet shëm. Në këtë promovim zyrtarët e qarkut të Durrësit thanë se zona e tyre turistike është shumë atraktive për turistët e Kosovës, dhe sipas tyre kushtet e infrastrukturës janë përmirësuar dukshëm. Niveli i sigurisë për turistët do të jetë i lartë, thanë mysafirët nga Durrësi, duke shtuar se janë bërë të gjitha përgatitjet që pritja e pushuesve nga Kosova të jetë më e mirë se viteve të kaluara.
Prefektja e Durrësit, Ingrid Shuli, tha se kosovarët tashmë i njohin bukuritë e plazhit të Durrësit si dhe mikpritjen e këtij qyteti. "Qeveria shqiptare ka vlerësuar turizmin si degë prioritare të ekonomisë dhe i kushton vemendje të posaçme", tha zonja Shuli, duke shtuar se po zhvillohen politika të tilla zhvillimi që plotësojnë kërkesat e çdo turisti. Ajo tha se janë harmonizuar programet e disa ministrive, si për infrastrukturë, në ruajtjen e rendit, të shëndetit, mjedisit, sigurimin e lehtësisë së hyrjes së turistëve në Shqipëri nëpër pikat doganore etj.
Ndërkaq kryetari Bashkisë së Durrësit Lefter Koka tha se zona turistike do të zgjerohet dhe do të bëhet rritja e cilsisë së shërbimeve publike, ngritja e kontrollit të ushqimit, përmirësimi i gjendjes me ujë të pijshëm etj.
Drejtori i drejtorisë së policisë së qarkut të Durrësit Milto Korda përkujtoi se gjatë vitit të kaluar nuk është shënuar asnjë incident, duke premtuar se niveli i sigurisë edhe gjatë këtij viti do të jetë i lartë ngase janë marrë një sërë masash.
Leje mos m'trano, pashe zotin!!!!
Rrofte Shqiperia Etnike
Mendoj se përveç infrastrukturës shqiptarët duhet të ofrojnë edhe argëtim për turistët shqiptar dhe të huaj që të jetë në gjendje që të tërheq sa më shumë turist.
Mendoj se për këtë gjë duhet të marrin mësim nga ulqinakët, ku psh. ata me disa investime të vogla fare që edhe shëngjinasit, durrsakët, vlonjatët, sarandasit mund t'i bëjnë fare lehtë dhe angazhimin e këngëtarëve, valltarëve lokal por edhe të ftuar nga më të mirët këngëtarë dhe valltarë ofrojnë jetë nate në Ulqin deri në mëngjes.
Mbaj mend që kur shkoja në Ulqin, më shumë bëja jetë nate se plazh e po kështu edhe shumica e pushuesve qofshin këta shqiptar apo të huaj.
Kur isha në Durrës, përveç një shëtitoreje të vogël prej orës 7 deri në ora 8 në mbrëmje nuk kishte kurrfarë jete, argëtimi. Pushuesit nuk duan vetëm plazh por duan edhe argëtim, shlodhje nga streset dhe monotonia e jetës rutinore.
Duhet të hapen lokale me muzikë të gjallë shqiptare dhe valle shqiptare në qytetet bregdetare për të tërhequr më shumë shqiptarë të jashtë kufijve por edhe të huaj. Këtë vit, Shqipëria mund të përfitoj shumë edhe nga lojërat olimpike për shkak të afërsisë gjeografike prandaj restorantet me muzikantët dhe valltarë shqiptar do të rrisnin të ardhurat nga turizmi duke i dhënë shërbime më të larta pushuesve shqiptar dhe të huaj, dhe me investime shumë të vogla.
Tung
Leje mos m'trano, pashe zotin!!!!
Rrofte Shqiperia Etnike
Turizmi
Geron Koço - 20/05/2004
Turizmi, Shqipëria me një paketë të re guidash
Në këtë paketë të re guidash turistike është bërë një prezantim i qyteteve më të bukura të vendit tonë
Një hartë rrugësh, një guidë informative, një guidë për të gjitha monumentet kulture, si dhe një sërë broshurash për çdo qytet të veçantë janë pjesët përbërëse të paketës më të re të nxjerrë në qarkullim nga Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit për këtë sezon të ri turistik. Kjo paketë përfshin një set me guida turistike për vendin tonë me anë të së cilës të huajt apo dhe vetë shqiptarët mund të orientohen më mirë për sa u përket vendeve turistike apo qyteteve që mbartin mbi vete historinë e Shqipërisë.
Në hartën e rrugëve, e cila është me një raport 1 me 350 mijë metra katrorë, tregohen të gjitha rrugët e mundshme nga ku mund të lëvizet për të arritur destinacionin e dëshiruar.
Për sa i përket guidës informative, mund të thuhet se ajo përmban informacionin kryesor: si mund të udhëtohet drejt Shqipërisë, si mund të lëvizet brenda vendit etj. Në këtë guidë ka informacion mbi muzetë, qytetet antike apo dhe parqet e mëdha që gjenden në vendin tonë. Gjithashtu, janë publikuar një sërë agjencish udhëtimi apo kompani ajrore, me anë të të cilave mund të shkohet drejt pikave turistike: monumente kulturore ose qytete antike. Guida e monumenteve kulturore dhe e qyteteve antike është një tjetër paraqitje që i bëhet vendit tonë. Aty mund të gjesh informacion duke filluar që nga kalaja e Skënderbeut në qytetin e Krujës dhe deri te qyteti antik i Butrintit në Sarandë.
Në grupin e broshurave pasqyrohen pikat turistike dhe me vlera kulturore, qytete si: Tirana, Durrësi, Shkodra, Berati, Korça, Kruja, Pogradeci, Gjirokastra, Saranda, si dhe krejt riviera shqiptare. Ato janë të pajisura me foto nga vendet më interesante dhe që në një mënyrë apo në një tjetër do të arrijë të tërheqë vëmendjen e vizitorëve të huaj.
Leje mos m'trano, pashe zotin!!!!
Rrofte Shqiperia Etnike
Mbrëmje promovuese dhe mini-panair për turizmin shqiptar me operatorët turistikë shqiptarë dhe shtetasit e diplomatët e huaj në Shqipëri. Që destinacioni “Albania” të figurojë në hartën e turizmit ndërkombëtar. Një nismë me mbështetjen e EDEM për të tërhequr turistë të huaj në Shqipëri
“Welcome” në Shqipëri!
Belina Budini
TIRANË – Fushatat e publicitetit turistik kanë nisur. Por nuk na ftojnë as në Durrës, as në Vlorë, as në Sarandë. Nga agjencitë turistike shqiptare të gjitha ofertat janë për në Turqi, Egjipt, Spanjë... Ndërsa institucionet shqiptare të turizmit nuk na grishin gjëkundi. Megjithatë, në prag të stinës së pushimeve, ka edhe agjenci turistike shqiptare që të ftojnë për fundjava turistike shqiptare apo pushime e ture historike në Shqipëri. Ndonëse pikë e fundit në program, destinacioni Shqipëri është shfaqur në guidat e këtyre agjencive. Kryesisht për të tërhequr të huajt. Këtë ka patur për qëllim edhe një mbrëmje promovuese e turizmit shqiptar, e zhvilluar në ambientet e hotel “Rogner Europa Park” me pjesëmarrjen e disa operatorëve turistikë, përfaqësuesve të hoteleve si dhe shtetasve e diplomatëve të huaj. Që të ketë edhe një destinacion “Shqipëri” në hartën e turizmit ndërkombëtar. Po cila është arsyeja për të cilën një turist i huaj të planifikojë pushimet e tij në Shqipëri? Sipas guidës në anglisht, të hartuar nga “Albturist” pikërisht për turistët e huaj, ka disa sepse: Sepse ky është një itinerar i ri dhe interesant. Sepse mund të vizitoni shumë vende historike. Sepse mund të vizitoni objekte me vlerë: ilire, romake, helene dhe otomane. Sepse Shqipëria ka një reliev të bukur ku ndërthuret mali me liqenin, fushat, lumenjtë dhe detet. Sepse Shqipëria ka një klimë të mrekullueshme mesdhetare. Sepse ka një kuzhinë të pasur dhe të shijshme: tradicionale, italiane, turke, meksikane, etj... Sepse... Ndërkohë që sipas Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, të huajt dhe shtetasit e huaj me kombësi shqiptare kanë edhe ca lehtësira të tjera që ua bëjnë më të lehtë mbërritjen në destinacionin “Albania” për pushime. Për sezonin turistik të verës nga 1 qershori deri në 30 shtator shtetasit e huaj me kombësi shqiptare mund të hyjnë në territorin shqiptar pa vizë vetëm me një dokument të vlefshëm udhëtimi. Ndërkohë që për vizë nuk kanë nevojë as shtetas të një sërë shtetesh si ato të vendeve fqinje, por edhe pjesa më e madhe e shtetasve evropianë e deri nga Australia, Zelanda e Re e Malajzia.
Atraksione malore
Po cilat janë “atraksionet” turistike shqiptare? Nga deti në mal e mandej në liqen, Shqipëria i ka të gjitha atraksionet. Pikat e vizitueshme malore janë që nga Mali i Dajtit në Tiranë, Llogoraja në Vlorë, Radha e Bozdoveci në Korçë, Valbona në Tropojë, Thethi në Malësinë e Madhe, etj. Ndonjëherë pika që edhe vetë shqiptarët nuk i kanë vizituar. Parqe për t’u vizituar? Ka, si nuk ka. Është Parku Kombëtar i Dajtit, pra, ku ka pemë ahu më shumë se 200 -vjeçare që përfaqësojnë monumente natyrore të çmuara. Është edhe Parku Kombëtar i Thethit që ndodhet në Alpet e Shqipërisë, pranë Bjeshkëve të Namuna, i cili përshkohet nga lumi i Thethit dhe ku mund të shijohet pamja e ujëvarës së Grunasit. Pastaj është Parku Kombëtar i Lurës që ndodhet në faqen lindore të masivit “Kunora e Lurës” dhe ku ka 14 liqene akullnajore. Ka edhe park kombëtar në Divjakë, pjesë e kompleksit Laguna e Karavastasë me një faunë tepër të pasur, si edhe Llogoraja e famshme në kufirin hapësinor midis detit Adriatik dhe detit Jon me vlera klimaterike të padiskutueshme. Ka edhe një sërë parqesh të tjera të harruara nga vetë shqiptarët, që figurojnë në guidat turistike të hartuara rishtas: si parku “Bredhi i Drenovës”, “Lugina e Valbonës”, “Mali i Tomorrit”, “Bredhi i Hotovës”, “Qafë Shtama”, “Zall Gjocaj”, “Prespa”, “Butrinti”, etj.
Aventura shqiptare për të huajt
Në mbrëmjen promovuese ku paraqitën ofertat dhe guidat e tyre shumë agjenci shqiptare, njëra prej tyre, “Albes Turist”, ftoi të huajt e pranishëm në ture katërditore luksoze në veri të Shqipërisë. Turi në fjalë fillon me zbarkimin natën e parë në hotel “Sheraton”, me një vizitë historike të Tiranës, vazhdon me Shkodrën, vizitë në Koman-Fierzë, mandej në Bajram Curri, në lumin Valbona me akomodim në shtëpi tradicionale vendase. Oferta tjetër i ftonte të huajt në jugun e Shqipërisë duke zbritur nga Durrësi në Berat, Apolloni, Vlorë, Llogora, Sarandë e Butrint, Gjirokastër për nëntë ditë, por guidat nuk shoqëroheshin me çmimet përkatëse. Ndërsa nga një agjenci tjetër si ajo ATHS, një fundjavë për të huajt në Pogradec kushton 295 euro për person dhe fillon të premten deri të dielën. I njëjti çmim për një fundjavë në Berat e në Korçë. Ndërsa fundjava në Krujë e Durrës ofrohet nga kjo agjenci për 119 euro për person. Ndërkaq week-endi në Shkodër kushton 289 euro për turistin e huaj.
AKTIVITETI
37 agjenci turistike, hotele, operatorë turistikë nga i gjithë vendi patën rastin të prezantojnë për rreth 300 vizitorë të huaj dhe shqiptarë paketat dhe shërbimet e tyre turistike duke sjellë një mundësi më shumë për të gjithë ata që njohin pak ose aspak natyrën dhe kulturën shqiptare.
Paketat turistike që u prezantuan ofruan destinacione për njohjen dhe shijimin e bukurive të natyrës, historisë, si dhe trashëgimisë së pasur kulturore shqiptare duke përfshirë udhëtime në qytetet kryesore të Shqipërisë, qendra historike, kulturore, udhëtime në natyrë e vende të pashkelura më parë për shtetas të huaj që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.
Të gjithë pjesëmarrësit, agjencitë turistike, hotelet, operatorët turistikë, etj, paten rastin të bisedojnë, shkëmbejnë informacion për shërbimet e ofruara e të vendosin bashkëpunime të ardhshme me vizitorët që ndaluan me interes në secilën prej stendave.
Një ekspozitë me fotografi nga Shqipëria e fotografit Roland Tasho dhe muzika shqiptare live e ofruar nga kuarteti i harqeve në kuadrin e shoqatës “ Miqtë e muzikës” shoqëruan dhe gjallëruan edhe më shumë këtë mbrëmje kushtuar turizmit.
20/05/2004
Leje mos m'trano, pashe zotin!!!!
Rrofte Shqiperia Etnike
Gjeja qe Shqiperia ka nevoje me shume eshte te dashurohet nga Shqipetaret.....dhe atehere mireqenia dhe te gjitha te mirat e saj, psh turizmi, vijne vete.
Qeveria shqiptare duhet të ketë prioritet infrastrukturën në zonat turistike dhe atë që lidhet me Kosovën dhe Maqedoninë sepse shumica e turistëve po vijnë nga ato zona. Kështu edhe pushues të huaj do të ketë më shumë pastaj.
Gjëja tjetër që duhet bërë është lufta ndaj disa personave të papërgjegjshëm që po krijojnë përçarje ndërshqiptare dhe po pengojnë turizmin patriotik të shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia. Kjo jo vetëm që do të rrisë edhe më shumë numrin e turistëve nga ato zona në bregdetin shqiptar por në të njëjtën kohë edhe nuk lejon problemet ndërshqiptare që aspak nuk na duhen dhe nuk janë në interes tonin fare dhe poashtu sjell edhe ribashkimin kombëtar më shpejt.
Leje mos m'trano, pashe zotin!!!!
Rrofte Shqiperia Etnike
Krijoni Kontakt