Bathorja kërcënon Qeverinë me protestauam çmime si të ‘92

Tiranë- Banorët e Bathores kanë kundërshtuar sërisht cmimet e vendosura nga qeveria për të paguar legalizimin, madje duke paralajmëruar edhe protesta. Ata kanë këmbëngulur se qeveria duhet ta vlerësojë tokën me 200 lekë për një metër katror, pikërisht sa ka qenë vlera e saj edhe në kohën kur ajo është zaptuar nga të ardhurit nga zonat malore të vendit. Pothuajse të gjithë banorët e zonës informale të Bathores ka vetëdeklaruar sipërfaqen e zënë, sipas formularëve të plotësuar më parë apo edhe me formularët e shpërndarë së fundmi nga Agjencia e Legalizimit. Megjithatë ata kundërshtojnë cmimin e përcaktuar nga Komisioni i Kthimit të Pronave, 1 deri në 4 milion lekë për 100 metër katror. Gjithashtu është vendosur që për cdo metër më tepër të respektohet cmimi i tregut. Banorët e zonës informale të Bathores e pranojnë se qeveria i ka favorizuar deri diku por sipas tyre kjo nuk është një arsye për të hequr dorë nga kërcënimi me protesta nëse qeveria do t'i detyrojë që të paguajnë një cmim më të shtrenjtë se ai i vitit 1992. Kjo për arsyen kryesore se pjesa më e madhe e tyre kanë zënë një sipërfaqe më të madhe se 200 metër katror me ndërtimet e tyre. Sipas deklaratave të deritanishme të zyrtarëve, cmimi i tokës në Bathore do të variojë sipas zonave dhe se cmimi përfundimtar do të përcaktohet në bazë të metodikës që do bëhet nga ALUIZNI. Banoret e Bathores kanë kundërshtuar gjithashtu edhe ndërprerjen e ndërtimeve sic është deklaruar nga kryetari i Agjensisë së Legalizimeve Shaban Memia, madje edhe kryeministri. Ata shprehen se me qeverinë që kanë votuar do të ketë kompromis vetëm nëse zbatohen kërkesat e tyre, të cilat i kanë dërguar në letër në të gjitha institucionet e larta shtetërore.