Të afërmit: Një mënxyrë, ndaj Akile Ramës
L.Cela
31-01-2007
TIRANË- Tre ditë më parë askush nuk do të kujtohej që një 74-të vjeçar po shtyn ditët e fundit të jetës në një banesë të vjetër tiranase. Akile Rama do t'i gëzohej atyre pak ditëve që i kanë mbetur në heshtje të plotë nëse nuk do të përfshihej në listat e garës më të ethshme elektorale për postin e kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit. E që prej tre ditëve emri i 74-të vjetarit, të cilin as fqinji i tij më i afërt nuk e njihte përflitet në të gjithë zonën e sheshit "Avi Rustimi" në Tiranë. Për Akile Ramën, banor pranë shkollës "Ismail Qemali" të tregojnë menjëherë sapo pyet me saktësi banesën e tij. E ndërsa në zonën gjithkund flitet për kandidatin e dalë nga Partia e Ballit Kombëtar Demokrat,Akile Rama nuk pranon të bëjë asnjë koment për kandidimin e tij për kreun e bashkisë së kryeqytetit. Njerëz të afërt të tij thonë se 74- vjeçari është rëndë nga gjendja shëndetësore, ndërkohë që bashkëshortja e tij nuk pranon të japë asnjë prononcim. I vetmi që flet për të është i afërmi i tij, Alqi Kareco, dirigjenti dhe orkestruesi i njohur i muzikës. " Akilia është tepër rëndë dhe nuk mund të flasë më askënd. Po kështu edhe e shoqja nuk ka asgjë për të thënë pas asaj mënxyre që i kanë bërë. Është në ditët e fundit të jetës dhe ju e kuptoni që asgjë tjetër nuk i intereson jo më të japë deklarata për median"- të thotë në prag të derës dirigjenti i njohur. Nga ajo sa thotë Alqi Kareco duket se kandidimi për postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës ka qenë e tëra një sajesë. Prej kohësh 74 vjeçari është në gjendje të rëndë shëndetësore ndërkohë që personi i vetëm që kujdeset për të është gruaja e tij me profesion mësuese, por që tashmë të dy pensionistë.
Krijoni Kontakt