Sondazhi.
Demokratët udhëheqin në 80% të territorit. Fitore në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë dhe Sarandë
NDI: PD, fituese e zgjedhjeve të 2007-ës
Instituti Demokratik Amerikan, NDI, publikoi dje një sondazh për mbështetjen e partive në elektorat, sipas të cilit Partia Demokratike vazhdon të kryesojë dhe ketë mbështetje maksimale në të gjitha bashkitë kryesore të vendit, duke filluar nga Tirana në Sarandë. Sondazhi konstaton se PD del fituese në zgjedhjet lokale në Durrës me 23 përqind më shumë, në Sarandë me 13 përqind më shumë, në Elbasan me 7 përqind më shumë, në Tiranë me 4 përqind më shumë, në Korçë me 3 përqind më shumë, ndërkohë që vetëm në Vlorë sondazhi tregon një diferencë në favor të PS-së. Në Durrës, Partia Demokratike kryeson me 51% të votave përballë vetëm 28% që ka PS, në Elbasan 53% e qytetarëve mbështesin kryeministrin Berisha, ku 51% prej tyre shprehen se puna e tij në krye të qeverisë është e shkëlqyeshme ose e mirë. Gjithashtu 53% e tyre mbështesin Partinë Demokratike. Në Korçë Partia Demokratike ka mbështetjen e 43% të zgjedhësve kundrejt 40% që ka PS. PD ka më shumë mbështetje tek të rinjtë dhe gratë dhe tek ata që janë në gjendje të mirë ekonomike. Ndërsa në Sarandë 66% e popullsisë vlerësojnë figurën e kryeministrit Berisha si shumë të favorshme, ndërsa 64% e tyre e konsiderojnë punën e tij si të shkëlqyer ose të mirë. Partia Demokratike kryeson me 46% të votave në Sarandë kundrejt vetëm 33% mbështetje që ka PS. Në Tiranë, Partia Demokratike kryeson me 44% të votave kundrejt 40% që ka PS, ndërkohë që kjo e fundit ka mbështetje tek mbi 50-vjeçarët. Ndërkaq vërehet një rritje e konsiderueshme e mbështetjes ndaj kandidatit të koalicionit të djathtë për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Sokol Olldashi. Sondazhi i NDI-së konstaton gjithashtu se optimizmi tek qytetarët shqiptarë është rritur krahasuar me dy vite më parë, ku në 6 qytetet e studiura, 56% e të anketuarave thanë se gjërat në Shqipëri po ecin në "drejtimin e duhur", ndërsa vetëm 40% thanë se po ecin në "drejtim të gabuar". Përbrenda këtyre prirjeve të përgjithshme, ka ndryshime të rëndësishme ndërmjet grupeve politikë dhe demografikë, ndërmjet komuniteteve dhe brenda komuniteteve. Ndryshimi më i dukshëm lidhur me këtë pikë kishte të bënte me mbështetjen ndaj partive politike. Në të gjashtë qytetet e studiuara, 85% e atyre që mbështesin Partinë Demokratike besonin se Shqipëria po ecën në "drejtim të duhur" përkundrejt 11% që thonin se po ecën në "drejtim të gabuar". Ndërsa shumica e atyre që u shprehën se Shqipëria po ecën në drejtim të gabuar ishin mbështetës të Partisë Socialiste. Brenda kategorisë së atyre që thonin se do të votonin patjetër, 61% mendonin se Shqipëria po ecën në "drejtim të duhur", përkundrejt 36% që mendonin se po ecën në "drejtim të gabuar". Mes atyre që thonin se, "nuk do të votojnë", 75% mendonin se Shqipëria po ecën në "drejtim të gabuar" përkundrejt 17% që thanë se po ecte në "drejtim të duhur". Ka ndryshime të mëdha nga një qytet në tjetrin. Në Sarandë, 73% e të anketuarve thanë se Shqipëria po ecën në "drejtim të duhur" krahasuar me 23% që thanë se po ecën në "drejtim të gabuar". Megjithatë në Shqipëri është rritur në progres gjeometrik edhe besimi tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Lidhur me zgjedhjet lokale, qytetarët shqiptarë mendojnë se ato do të jenë të drejta. Në të gjashtë qytetet e studiuara, 62% e të anketuarve besonin se zgjedhjet do të mbahen ose "shumë të drejta" ose "disi të drejta", ndërsa 27% thanë ose "jo aq të drejta" ose "aspak të drejta". Faktorë të tillë si përkatësia politike, mosha, vendbanimi dhe prirja për të dalë ose jo në votim, kishin ndikim mbi faktin se sa të drejta mendonin njerëzit se do të jenë zgjedhjet. Tirana tregoi nivelin më të lartë të besimit elektoral, me 76% të të anketuarve që thanë se zgjedhjet e ardhshme lokale do të mbahen ose "shumë të drejta" ose "disi të drejta". Në Vlorë, 43% e të anketuarve thanë se zgjedhjet do të mbahen të drejta.
Krijoni Kontakt