RD
--
Mitingje madhështore të kryeministrit dhe kandidatëve të Aleancës së Madhe në Vlorë, Lushnje dhe Fier
PD, e sigurt drejt fitores së thellë
Mijëra vlonjatë mbushën dje Sheshin e "Flamurit" në pritje të kryeministrit Sali Berisha, i cili, në atmosferën festive të krijuar, uroi qytetarët e Vlorës për fitoren e 18 shkurtit. Duke uruar vlonjatët për fitoren, kreu i qeverisë shprehu besimin se Kreshnik Alimerko, kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Vlorës, është personi që përfaqëson çdo virtyt njerëzor. "Votoni për Kreshnik Alimerkon, sepse ai përfaqëson dhuntitë, moralin dhe shpirtin tuaj qytetar, përfaqëson ndershmërinë dhe mençurinë tuaj! Zotohem para jush, se me Kreshnik Alimerkon ne do ta bëjmë Vlorën një nga polet më të fuqishme të zhvillimit të turizmit", u shpreh kryeministri Berisha dhe shtoi se Vlora do të ketë parkun e saj industrial. Në vijim, kreu i qeverisë tha se me Alimerkon preu shiritin e autostradës me 4 korsi, që lidh Vlorën me Tiranën, Prishtinën dhe botën, dhe premtoi se investime të mëdha do të vazhdojnë të bëhen edhe në të ardhmen. "Kjo është vepër e besimit tuaj. Ju na besuat, por edhe ne qëndrojmë pas interesave tuaja. Kjo autostradë përfundon për 18 muaj dhe çdo njëri prej jush, çdo qytetar i Vlorës, do të shkojë në kryeqytet shumë më shpejt, shumë më mirë, si të gjithë qytetarët evropianë, qytetarët e vendeve të zhvilluara", tha kreu i qeverisë. Në vijim, Berisha u shpreh se me besimin që dhanë qytetarët, u arrit të firmoset katër ditë më parë, këtu në Vlorë, kontrata për ujësjellësin prej 26 milion euro, i cili do ta bëjë Vlorën me 24 orë ujë në çdo kohë. "Me besimin tuaj, ne inauguruam impiantin e përpunimit të ujërave të zeza për Vlorën, do të modernizojmë shkollat e Vlorës, universitetin, infrastrukturën e saj", theksoi kryeministri Berisha dhe premtoi se besimin e vlonjatëve qeveria do ta kthejë në tapi, në leje legalizimi për të gjithë ata që vendosën të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Vlorë. "Qytetarë të Vlorës, më duhet t'i them dy fjalë vullnetarit të Mezanit, sepse në fakt ai nuk përfaqëson asnjë njeri tjetër, përveç Mezanit dhe vetes së tij. Shoku Shpëtim, për Vlorën janë qindra milion euro, por ti je njeri i rrezikshëm për paratë", tha kryeministri Berisha, duke iu referuar kandidatit të PS-së për Bashkinë e Vlorës. Gjatë fjalës drejtuar vlonjatëve, kreu i qeverisë bëri thirrje që 18 shkurti të kthehet në fitore për fëmijët dhe të ardhmen e tyre. Kryeministri Berisha shprehu gjithashtu mirënjohjen për 3 korrikun, ditë në të cilën qytetarët e Vlorës vendosën besimin dhe firmosën fitoren e koalicionit të Partisë Demokratike. Sipas Berishës, me ndihmën dhe besimin e tyre u shtyp krimi në të katër anët e vendit dhe rrugët, rrugicat, jetët e fëmijëve u bënë më të sigurta se asnjëherë më parë. Në vijim, kreu i qeverisë tha se si rezultat i qeverisjes "me duar të pastra", u shpëtuan nga kthetrat e zeza të babëzisë së korrupsionit, kontrabandës, evazionit fiskal, 600 milion euro dhe u shënuan një sërë arritjesh të tjera që ndikuan drejtpërsëdrejt në jetën e shqiptarëve. "Ne po e shndërrojmë Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet. Me besimin tuaj, ne patëm një rritje 30 për qind të turizmit të vendit dhe më e madhe do të jetë rritja vitin që vjen", deklaroi kryeministri Berisha para mijëra vlonjatëve që merrnin pjesë në mitingun elektoral të koalicionit të djathtë.
Orikumi, votë për Kanan Brahon
Kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi me banorë të Orikumit, përgëzoi kandidatin e mazhorancës për këtë bashki, Kanan Braho, duke u shprehur se tashmë në Orikum është krijuar atmosfera e shkëlqyer e fitores. Në fjalën drejtuar banorëve, kreu i qeverisë theksoi se Orikumi është bashki shumë e rëndësishme, që ka 64 kilometra breg dhe është një nga zonat më të bukura në Shqipëri. Për këtë, Berisha premtoi se pas fitores, do të bëhet çdo përpjekje për të realizuar ato që qytetarët e Orikumit presin nga qeveria. Sipas kryeministrit Berisha, për momentin është e nevojshme të përcaktohet si prioritet absolut realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dhe këtë ai e sheh si një detyrë të të gjithëve. "Ne kemi patur përballë një kundërshtar që nuk e kemi patur ndonjëherë. Kundërshtari është i çmuar dhe ne e dimë se kemi kaluar shumë vite pa kundërshtar, por ky i tanishmi, siç e shikoni, mund të marrë çdo vendim të papërgjegjshëm. Ai e ka lënë pas dore fushatën dhe për herë të parë në historinë e pluralizmit ndodh që një forcë madhore e vendit ndërpret fushatën elektorale dhe motivet për këtë është vështirë që të kuptohen", tha kreu i qeverisë, duke iu referuar ndërprerjes së fushatës elektorale nga koalicioni i majtë. Sipas Berishës, detyrë kryesore është që të ruhet integriteti i procesit zgjedhor dhe t'u faktohet qytetarëve shqiptarë se ata do të votojnë në mënyrë të ndershme dhe se çdo votë do të numërohet. "Ne jemi të përgatitur që çdo premtim ta shndërrojmë në realitet. Për këtë bashki është një projekt i Bankës Botërore prej 10 milion euro për infrastrukturën e tij. Gjithashtu, ne do të bëjmë studimin e përgjithshëm të zonës, në mënyrë që Orikumi, me bukuritë e tij përrallore, të zhvillohet", u shpreh kryeministri Berisha dhe siguroi se qeveria, në qendër të vëmendjes, do të ketë edhe problemet e tjera dhe jo vetëm të infrastrukturës.
Anila Shamku
Alimerko: Vlorën do ta bëjmë mbretëreshën e turizmit
Berisha ka ngritur peshë zemrat e vlonjatëve në mitingun e fitores së madhe, në qytetin bregdetar të Vlorës. Berisha, në këtë ditë të shënuar të Shën Valentinit, ka ardhur dy herë në qytetin bregdetar. Në orët e paradites, në këtë qytet, është inauguruar autostrada e qytetit Levan-Fier, ndërsa pasdite, Berisha ka zbritur me kandidatin Alimerko në mitingun madhështor. Sheshi historik i këtij qyteti ka qenë i tejmbushur me mijëra vlonjatë që kanë pritur me thirrjet "Kreshniku, kryetar". Alimerkon, edhe sondazhet e shpallin fitues me 70% të votave. Kryetari i PD Vlorë, Agron Sharra, ka hapur mitingun e fitores, duke uruar kryebashkiakun e Vlorës, Alimerko, për postin e ri.
Sharra ia ka dhënë fjalën më pas kryetarit të LZHK, Dashamir Shehit, i cili bëri thirrjen për të votuar më 18 shkurt Alimerkon. Edhe kryetari i PR, Fatmir Mediu, u tha vlonjatëve se më 18 shkurt duhet të largojmë të fundit e qeverisjes vendore dhe t'i hapim rrugë fitores së madhe.
Kandidati Kreshnik Alimerko, në këtë tubim, tha se "sot nis sfida jonë e madhe për një Vlorë ndryshe. Ju, këtu në këtë shesh, po tregoni se kjo nuk është më dëshirë, por bindje. Vlora e të gjithëve do të rilindë me dëshirën dhe forcën tuaj. Jemi këtu për t'i dhënë një fjalë njëri-tjetrit: Të ndërtojmë një Vlorë për të gjithë.
Një Vlorë për prindërit që kanë merituar vendin dhe respektin e tyre prej nesh, por që aq shumë u ka munguar. Një Vlorë për fëmijët tanë, një qytet që i rrit e që duhet t'u trashëgojë vlerat e tij më të mira. Vlorën e të rinjve, të cilët do ta ndërtojnë dhe frymëzojnë në shëmbëlltyrën e tyre. Një Vlorë me shkëlqim, të cilin aq shumë e ka shuar mungesa e mendjes dhe dashjes së Bashkisë që ikën. Por, mbi të gjitha, një Vlorë të trajtuar e drejtuar me respekt e jo me fodullëk, e ndërtuar me mendjen e shumë vlonjatëve, dëshirën dhe zellin e tyre, e jo me mendjen e vogël e të izoluar të deritanishme. Sot, kryeministri Berisha na dha çelësin e trekëndëshit të artë, që do ta bëjë Vlorën mbretëreshën e turizmit. Drita, ujë dhe rrugë, tanimë bëhen realitet. Vlora, mbretëreshë e turizmit, nuk bëhet me gojët e spekullatorëve, as atyre që nuk e duan apo atyre që mendojnë se janë ende duke e tallur. Vlonjati meriton dritë, nuk meriton të mbushë ujë me bidona tek tuneli i Ujit të Ftohtë, as të ecë në rrugë që e sakatojnë. Ju, tanimë, e keni bërë zgjedhjen tuaj. Ajo është nderim dhe përgjegjësi për ne. Por, po ashtu, është një sfidë e fituar dhe e garantuar. E fituar nga ne të gjithë, që do të formojmë të ardhmen tonë. E garantuar nga suksesi i qeverisjes qendrore, mbi vlerat dhe modelin e të cilës do të drejtohet bashkia e 19 shkurtit. Asaj që u tregoi vlonjatëve se cili është vendi i tyre dhe i Vlorës. Jo e përdorur, por e lartësuar, jo e konsumuar, por çelës i zhvillimit dhe qendër e investimeve. Pas 18 shkurtit, na presin punë e sfida të mëdha. Por bashkë me to pret e ardhmja e Vlorës. Më 19 shkurt, ejani të gjithë të nisim punën për ta ndërtuar atë!
GËZIM LLOJDIA
Kryeministri deklaron se në qershor nis projekti i madh i 6 mijë kilometrave rrugë rurale dhe rrugë dytësore të qyteteve tona
Fieri, votë për Ferdinand Muratin
Kryeministri Sali Berisha u tha dje mijëra banorëve të Fierit që merrnin pjesë në mitingun elektoral të koalicionit të djathtë, se më 18 shkurt, ata, me votën e tyre, do të firmosin ndryshimin e madh për Fierin. Duke përshëndetur qytetarët, kryeministri Berisha u shprehu atyre urimet në ditën që simbolizon dashurinë dhe theksoi se 18 shkurti do të jetë dita e fitores dhe e ndryshimit të madh për këtë qytet, për më shumë paqe, zhvillim dhe integrim. "Më 18 shkurt, ju, me votën tuaj, firmosni ndryshimin e madh në këtë qytet, firmosni që të vazhdojmë së bashku dhe unë jam këtu për t'ju premtuar se të vazhdojmë së bashku, që do të thotë më shumë paqe, më shumë siguri për çdo qytetar të Fierit, për fëmijët tuaj, rrugët, rrugicat, sheshet e qyteteve tuaja", deklaroi kryeministri Berisha. Ai shtoi se në mënyrë absolute nuk do të ketë tolerancë ndaj krimit, sepse jeta, siguria e qytetarëve dhe e fëmijëve është qëllimi më madhor i qeverisë. "Të vazhdojmë së bashku, sepse ne, më të çmuar dhe më të shtrenjtë se çdo gjë, kemi fëmijët tanë. Ju jap fjalën se këto katër vjet do të dyfishojmë investimet për fëmijët tanë, në mënyrë që ata të shkollohen në shkolla moderne", theksoi kreu i qeverisë. Në vijim, ai premtoi se Universiteti i Myzeqesë do të jetë një nga universitetet më të rëndësishme të vendit dhe do të ketë degët e tij në Fier, Berat, Lushnje. Kryeministri Berisha theksoi se edhe pse në 4 vitet e ardhshme qeveria do të përqëndrohet kaq shumë te fëmijët, ajo kurrsesi nuk do të lërë në harresë pensionistët dhe hallet e tyre. Kreu i qeverisë, në vijim, tha se këtë vit, në fondin e pensioneve, qeveria vendosi 94 milion euro, duke bërë rritjen më të madhe të 15 viteve të fundit dhe premtoi se përsëri qeveria do të ketë prioritet rritjen e pensioneve.
Gjatë fjalës drejtuar fierakëve, kryeministri Berisha i ftoi ata të mbështesin Ferdinand Muratin, kandidatin e mazhorancës për kreun e Bashkisë së Fierit. "Unë ju ftoj të votoni për Ferdinand Muratin dhe ju jap fjalën se do të shndërroj në realitet çdo projekt të tij, për rrugët e qytetit, furnizimin me ujë dhe kanalizimet, për Gjanicën dhe fushën e sportit, për qendrën kulturore dhe qendrën e biznesit", tha kreu i qeverisë. Në vijim, Berisha, duke iu referuar kandidatit të opozitës, shtoi se ai nuk pranon të përballet në debat me kandidatin e djathtë Ferdinand Murati. "Ne na duhen "duart e pastra", sepse shoku Baftjar nuk do debat me Ferdinandin. Unë dua t'i them shokut Baftjar se njeriu, çfarëdo që të jetë, nëse ka frikë nga kundërshtari, ka frikë nga vetja e tij. Shoku Baftjar, frika jote nga vetja jote na tremb edhe ne ndaj teje, sepse paratë e qytetarëve duhet të dalin në rrezen e diellit, duhet të përdoren për qytetarët dhe jo të përfundojnë në xhepat e klaneve të tua", theksoi kryeministri Berisha. Në vijim, ai i ftoi banorët e Fierit të vazhdojnë së bashku, sepse qyteti i tyre është një qendër e fuqishme biznesi dhe industrie. "U kam premtuar para 3 korrikut biznesmenëve të Fierit se do të përgjysmonim taksat e biznesit të vogël dhe ne e kemi bërë këtë. Kemi ulur 32 për qind sigurimet shoqërore, kemi ulur 33 për qind çmimin e energjisë për biznesin. Të gjitha këto vetëm dhe vetëm që biznesmenët e Fierit të mund të zgjerojnë bizneset e tyre, në mënyrë që të punësojnë sa më shumë qytetarë", u shpreh Berisha. Ai theksoi se qeveria që ai drejton, është e vendosur të mbajë premtimet e dhëna, ashtu siç ka bërë deri më tani me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. "Ne duam duar të pastra, sepse pikërisht lufta kundër korrupsionit ishte ajo që na bëri të mundur të rrisnim pensionet, rrogat, bëri të mundur të prokurojmë 2 muajt e fundit të vitit që shkoi dhe në 2 muajt e parë të këtij viti, rrugë, ura, autostrada, më shumë se në 50 vite të marra së bashku", tha kryeministri Berisha dhe premtoi se në mesin e këtij viti do të nisin punimet për by-pass-in e Fierit, financimi për të cilin është siguruar totalisht.
Sipas kreut të qeverisë, në qershor nis projekti i madh i 6 mijë kilometrave rrugë rurale dhe rrugë dytësore të qyteteve tona. Berisha garantoi se Lushnja, Fieri, Korça, do të jenë përfituesit më të mëdhenj të këtij projekti, ndaj dhe i ftoi kryetarët e komunave të bëjnë të gjitha projektet për rrugët e rrugicat, në mënyrë që ato të asfaltohen, ndërsa bashkia të përballojë gjelbërimin e tyre. "Këtë 4-vjeçar, për rrugë, ura dhe autostrada të Shqipërisë do të investohen 1.4 miliard euro dhe dua t'ju garantoj se investimet që parashikohen në Fier, do të jenë nga më gjigandet në Ballkan. Fieri do të ketë miliarda dollarë investime në parkun e tij industrial, që do ta inaugurojmë bashkë me zotin Ferdinand Murati", u shpreh kreu i qeverisë dhe ftoi banorët e Fierit që 18 shkurtin ta shndërrojnë në festën e gjithsecilit, duke votuar si qytetarë të lirë. Lidhur me koalicionin e majtë, Berisha u shpreh se ai është koalicioni më i sfilitur. "Dua ta pyes sërish shokun Baftjar: kolegu yt në Patos është kandidat vetëm i Ramës së madh dhe i Ramës së vogël, sepse parlamentarët e PS-së mbështesin tjetër kandidat atje. Po ty, kush të mbështet? Thuaja mirë këtë socialistëve të Fierit, sepse Rama e thërrmoi PS-në dhe jam i bindur se pas këtyre zgjedhjeve, do të bëhesh dhe ti "kurban" i zgjedhjeve, dhe do të dalësh edhe ti në profesion të lirë si piktor", tha kryeministri Berisha dhe shprehu bindjen se mazhoranca do ta çojë Shqipërinë drejt integrimit europian.
Berisha përuron poliklinikën e re të qytetit
Gjatë vizitës në Fier, kryeministri Berisha mori pjesë në përurimin e poliklinikës së re të qytetit, që është investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 24 milion lekë të reja.
Kryeministri Berisha vizitoi ambientet e reja të poliklinikës, e cila përfshin të gjitha specialitetet dhe është e pajisur me laboratorë modernë, ku në mënyrë të veçantë, kreu i qeverisë vlerësoi Laboratorin e Talasemisë, si laborator të niveleve bashkëkohore.
Kryeministri Berisha u takua edhe me personelin, mjekët, infermierët e sanitarët, të cilëve u shprehu kënaqësinë për rikonstruksionin e kësaj poliklinike, e cila u shndërrua në një ndërtesë të re, e pajisur me mjete moderne dhe të standardeve për shërbimin ndaj qytetarëve. Kryeministri siguroi se qeveria i ka të gjitha potencialet, mundësitë dhe vullnetet që çdo institucion të rëndësishëm që i shërben njeriut dhe mirëqenies së tij, ta sjellë në standardet e kësaj poliklinike. Duke vlerësuar rëndësinë dhe ndjeshmërinë që ka sektori i shëndetësisë për qytetarët, kryeministri u shpreh se qeveria është e angazhuar në dyfishimin e buxhetit për shëndetësinë. "Ne vërtet e kemi nisur me rregullimin e rrugëve dhe të infrastrukturës, por ju siguroj se brenda mandatit do të kemi dyfishuar buxhetin për shëndetësinë, sikundër do të rrisim rrogat e punonjësve të shërbimit shëndetësor, të infermierëve, sanitareve, pasi e konsiderojmë të rëndësishme rritjen e rrogave të këtij sektori", deklaroi kreu i qeverisë. Në vijim, kryeministri u ndal në projektet e parashikuara për modernizimin e sistemit shëndetësor në vend. Sipas tij, një vend të posaçëm do të zërë ristrukturimi i reparteve të reanimacionit për spitalet pediatrike në rrethet më të mëdha të vendit si dhe modernizimi, në tërësi, në mjete dhe pajisje i rrjetit spitalor në shkallë vendi. Duke theksuar përparësinë absolute që ka kujdesi shëndetësor ndaj qytetarit, në bashkëbisedimin me drejtuesit, kryeministri kërkoi hartimin sa më parë të projektit për ristrukturimin e spitalit të Fierit. "Ju kërkoj që të bëni projektin e ristrukturimit të spitalit të Fierit, sepse më lëndohet zemra kur shoh spitale të rrënuara. Ne po ndërtojmë korridore të mëdha dhe vepra të mëdha publike, por mos mendoni se ka përparësi tjetër më të madhe sesa spitalet dhe shkollat", u shpreh kryeministri.
Në kuadrin e përmirësimit dhe modernizimit të sistemit spitalor, kreu i qeverisë solli shembullin e Qendrës Spitalore "Nënë Tereza", për të cilën qeveria disponon të gjitha mundësitë financiare që të shndërrohet në një qendër moderne të standardeve evropiane, me aparatura të kohës dhe me një personel të kualifikuar. Kryeministri Berisha premtoi se pas ristrukturimit të kësaj qendre, do të shndërrohen edhe të gjitha qendrat e tjera spitalore. Duke folur për hapat e ndërmarra nga qeveria për reformën në shëndetësi, kryeministri Berisha theksoi si tiparin më të rëndësishëm të saj, luftën kundër korrupsionit në radhët e bluzave të bardha dhe siguroi se qeveria do të japë mbështetje të plotë për një shërbim modern dhe të standardeve të larta për qytetarët. "Kjo reformë është e vështirë kudo, madje edhe në vendet me standarde të larta. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se ne do të tërhiqemi nga reforma, përkundrazi, do ta vazhdojmë atë me shpejtësi. Edhe njëherë ju siguroj se do të keni një mbështetje të plotë të qeverisë, për një shërbim modern dhe të standardeve të larta për qytetarët", tha kryeministri. Gjithashtu, ai shtroi nevojën urgjente për të ndryshuar me shpejtësi qëndrimin ndaj mjedisit, i cili po gllabëron jetë njerëzish si rezultat i ndotjes së thellë. "Dikur, Elbasani konsiderohej si qyteti më i ndotur, por, për fat të keq, tani ky qytet është Tirana dhe kjo për shkak të papërgjegjshmërisë njerëzore të autoriteteve vendore", theksoi kryeministri Berisha dhe shtoi se duhet të merren masa të rrepta për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit.
Anila Shamku
Kryeministri Berisha shprehet për fitore të thellë të kandidatëve të koalicionit të djathtë në mbarë vendin
Lushnja në shesh për Florian Danin
Kryeministri Sali Berisha, gjatë një mitingu entuziast në qytetin e Lushnjes, shprehu sigurinë për fitoren e thellë të kandidatëve të koalicionit të djathtë në mbarë vendin, në zgjedhjet vendore të 18 shkurtit. Kreu i qeverisë u tha mijëra banorëve të Lushnjes që kishin mbushur sheshin, se me praninë e tyre në këtë shesh, ata i faktojnë Lushnjes dhe mbarë Shqipërisë se më 18 shkurt fitorja është e tyre, është e Florian Danit, kandidatit të mazhorancës për Bashkinë e qytetit. Kryeministri Berisha garantoi banorët se çdo votë për kandidatin e koalicionit të djathtë, Florian Dani, do të jetë votë për rritjen e pensioneve e rrogave të tyre dhe premtoi se do ta mbështesë atë në çdo projekt të tij për të ndryshuar jetën e qytetarëve të Lushnjes. "Florian Dani përfaqëson koalicionin më të madh të partive politike. Përballë tij është kandidati i koalicionit të copëtuar. Ju e shikoni Edvin Ramën se si e shformoi PS-në si askush në historine e saj. E gjithë fushata e tyre u shndërrua në një betejë të egër dhe të pamëshirshme. Të duket se kandidatët e të majtës janë vetëm kandidatët e Ramës së madh dhe Ramës së vogël", tha kryeministri Berisha, duke iu referuar koalicionit të forcave të majta. Gjatë fjalës së tij drejtuar banorëve të Lushnjes, Berisha premtoi gjithashtu se qeveria do të mbështesë kryetarët e komunave të Divjakës dhe të bashkive të tjera në të gjitha projektet për përmirësimin e jetesës, për të krijuar kushtet, infrastrukturën, shkollat, furnizimin me ujë, për të përmirësuar jetën kulturore, shërbimin shëndetësor dhe çdo gjë që ka lidhje me jetën e qytetarëve. "Ne hapëm dyert e universiteteve, themeluam Universitetin "Aleksandër Moisiu", hapëm degën Ekonomike në Sarandë dhe së shpejti, universiteti i Myzeqesë do të hapë dyert në Lushnje", premtoi kreu i qeverisë. Në vijim, kryeministri Berisha, duke e lidhur ditën e vizitës së tij në Lushnje me festën e Shën Valentinit, u shpreh se nuk ka forcë më të madhe se dashuria për të realizuar qëllimet tona fisnike. "Këtë ditë të Shën Valentinit, ne njohim fitoren e radhës, të të gjithë atyre që besojnë tek dashuria dhe vlerat e saj, tek familja dhe vlerat e saj të patjetërsueshme, që besojnë tek njëri-tjetri, që besojnë tek Zoti, qyteti, fshati dhe vendi i tyre", u shpreh kreu i qeverisë. Berisha, gjatë fjalës së tij, u shpreh gjithashtu se ai vjen në Lushnje për të ndërmarrë angazhime dhe për t'i shndërruar ato në realitet. Sipas tij, premtimi i para 17 muajve për luftë kundër krimit të organizuar u mbajt dhe si rezultat u çlirua e gjithë Shqipëria nga bandat dhe krimi. Po ashtu, kryeministri Berisha vlerësoi dhe arritjet në luftën kundër korrupsionit, dhe shtoi se si rezultat i kësaj lufte janë arritur të shpëtohen qindra milion euro, të cilat u përdorën për rritje rrogash, pensionesh, etj. Ndërsa lidhur me investimet që do të bëhen në të ardhmen, Berisha informoi se gjatë këtij 4-vjeçari, investimet dhe shpenzimet për arsimin do të mbidyfishohen. "Ne do të investojmë një sistem shkollash dhe konvikte moderne, që çdo fëmijë që mbaron shkollën 9-vjecare, të mundet të vazhdojë shkollën e mesme, që çdo i ri që mbaron shkollën e mesme, të mund të ndjekë universitetin. "Shqipëria në shkollë" - është motoja jonë", theksoi kryeministri Berisha.
Në vijim, ai u shpreh se këtë vit janë bërë investime të mëdha në vepra publike si, rrugë, autostrada, ura, porte, etj. "Ne jemi të vendosur ta shndërrojmë Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja dhe ato vendase. Sot paradite, preva shiritin e autostradës Vlorë-Fier, ndërsa në qershor do të presim shiritin e by-pass-it të Fierit", tha kreu i qeverisë dhe premtoi se vepra të mëdha do të ndërtohen në 3-4 vitet e ardhshme në rrugët e Shqipërisë, me vlerë prej 1.4 miliard euro. "Nëse sot fillon projekti i 6 000 km rrugë dytësore dhe rurale në qytete, Myzeqeja do të jetë përfituesi i parë i këtij projekti, por asgjë nga këto nuk do të na shpërqëndrojë, nuk do të na i heqë sytë nga hallet tuaja, problemet e pensionistëve tanë, të grave shqiptare", deklaroi Berisha. Sipas tij, një rëndësi të veçantë do të kenë edhe investimet në energji dhe informoi se mbi 1 miliard do të jenë investimet që do të bëhen gjatë këtij katërvjeçari në këtë fushë. Në këto investime përfshihen dhjetra hidrocentrale të vogla dhe të mesme, që do të nisin punimet deri në fund të këtij viti, si dhe disa termocentrale që do të ndërtohen në disa rrethe të vendit. Në përfundim të fjalës drejtuar banorëve të Lushnjes, kryeministri Berisha bëri thirrje që në 18 shkurt të gjithë të marrin pjesë në votime dhe mbi të gjitha, të votojnë me dinjitet, sepse18 shkurti është dita kur secili do të dëshmojë vlerat e tij qytetare.
Anila Shamku
Krijoni Kontakt