Miting i jashtëzakonshëm. Mbi 100 mijë vetë përmbytin Sheshin "Skënderbej"
Tirana vulos fitoren e PD
Qindra mijëra qytetarë të Tiranës veshën me ngjyrën blu dje Sheshin "Skënderbej" në qendër të kryeqytetit, në mitingun përmbyllës të Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore të 18 shkurtit. Kushtet e papërshtatshme atmosferike nuk penguan grumbullimin e qytetarëve të shumtë, të cilët vërshuan nga të gjitha anët e kryeqytetit për t'u stacionuar në sheshin qendror të Tiranës, I cili kishte marrë ngjyrat e një arene festive madhështore, në pritje të mitingut përmbyllës të fushatës zgjedhore të koalicionit të djathtë. Por, nuk ka qenë vetëm Sheshi "Skënderbej" ai që u mbulua i tëri në blu, pasi qytetarët mbuluan dhe akset e Bulevardit "Zogu i I-rë", Bulevardit "Dëshmorët e Kombit", Rrugën e "Durrësit", Rrugën e "Kavajës" dhe Rrugën e "Dibrës". Një flamur gjigand i Partisë Demokratike, që mbulonte hapësirën nga Bashkia e Tiranës deri tek Hotel "Tirana", valëvitej nga pjesëmarrësit e shumtë, që me një entuziazëm të papërmbajtur brohorisnin pa pushim për fitore. Dekori i përgatitur me një finesë prej artisti, me shije të hollë në stendën qendrore ku ishin shënuar siglat e partive përbërëse të koalicionit dhe shkrimet shumëngjyrëshe me rreze lazer, ku lexoheshin qartë "Sokol Olldashi, fytyra e re e Tiranës" dhe "Vazhdojmë së Bashku", në fasadën kryesore të Hotel "Tiranës" dhe në dy anët e stendës, ia shtuan edhe më tepër madhështinë mitingut. Siparin e hapi zëdhënësja e fushatës së PD-së, Majlinda Bregu, e cila, nën himnin e triumfit, ftoi kandidadët e fitores në platformën e vendosur në sheshpushimin e shkallëve të Teatrit të Operas dhe Baletit. Turma shpërtheu në ovacione të papërmbajtura kur në skenë u shfaq kryeministri Sali Berisha, i cili, i shoqëruar nga Olldashi, përshkoi gjithë hapësirën e podiumit duke përshëndetur me ngazëllim pjesëmarrësit e shumtë.Duke kujtuar me nostalgji ditët e shkurtit të 16 viteve më parë, ku më 20 shkurt u rrëzua busti i diktatorit më famëkeq të Europës, kryeministri Berisha iu drejtua Ramës, për të cilin u shpreh se ka kaluar rininë e tij duke lustruar bustet e ish-diktatorit komunist, se do të largohet në të njëjtën mënyrë të turpshme nga Bashkia e Tiranës më 18 shkurt për të jetuar në muzeun e Pezës. Kreu i partisë më të madhe të vendit, duke shprehur sigurinë e plotë në fitoren e zgjedhjeve, uroi gjithë qytetarët e Shqipërisë për fitoren e thellë më 18 shkurt. "I dashur zoti Olldashi, Tirana me padurim po pret fitoren tënde. Fytyra e vërtetë e saj je ti. Pastërtia e saj qytetare je ti. Respekti i saj familjar je ti. 18 shkurti është fitorja e Tiranës, e mbarë Shqipërisë", u shpreh kreu i ekzekutivit, duke nënvizuar se mesazhi i fitores po dërgohet në çdo vatër shqiptare nga kryesheshi i kombit. Berisha theksoi se Tirana po numëron sekondat e fundit të Edvin Ramës, ndërsa i kujtoi atij se do të jetë "kurbani" i 18 shkurtit. "Të vazhdojmë së bashku, sepse Tirana, kryeqyteti i vendit, po numëron sekondat dhe orët e don Edvinit. Zoti Edvin kriza, atje ku je, në atë shesh, që sot, për fat të keq, e ke shndërruar si shesh të kuq, në një kohë që është Sheshi i "Nënë Terezës", do të të them se bëre çdo gjë të mos lejosh qytetarët të votojnë, të mos lejosh qytetarët të fitojnë. Por ja ku jemi, më shumë se kurrë, ja ku jemi më të bashkuar se kurrë, ja ku jemi këtu me mbarë Shqipërinë, për të votuar si qytetarë të lirë, si qytetarë evropianë, qytetarë të denjë, për të numëruar çdo votë, për të bërë që vota e çdo qytetari të ketë peshën e saj. Ndërsa ti, "kurbani" i 18 shkurtit, do të dalësh në profesion të lirë, si piktori më i dështuar i këtij vendi", tha Berisha, duke iu adresuar Ramës. Më pas, kryeministri ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë për rrugën e shpresës, besimit, begatisë, sigurisë dhe integrimit në BE dhe NATO, drejt prosperitetit, sigurisë, paqes, stabilitetit, punësimit, shkollimit e begatimit më të madh. Ndërsa kandidati për Bashkinë e Tiranës, Sokol Olldashi, duke shprehur bindjen e plotë në fitore, premtoi qeverisje "me duar të pastra" dhe çlirimin e Bashkisë së Tiranës nga korrupsioni, abuzimi dhe klientelizimi i deritanishëm. "Ne do t'i japim Tiranës "duart e pastra" të qeverisjes, duke e çliruar Bashkinë nga korrupsioni, abuzimet, klientelizmi. Ne do t'i japim Tiranës qeverisjen e duarve tona të pastra dhe kjo është ajo që çdo qytetar i Tiranës kërkon. Prandaj ne do të fitojmë", u shpreh Olldashi, duke nënvizuar se beson tek mençuria, eksperienca dhe instikti qytetar i banorëve të Tiranës për të zgjedhur të ardhmen më të mirë. Ai u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që të vendosin vetë për qytetin, pasi Tirana nuk është pronë e kryetarit të Bashkisë. Mitingun madhështor e përshëndetën edhe krerët e partive të koalicionit, të cilët përccuan mesazhet e fitores së thellë dhe të merituar më 18 shkurt. "në këtë shesh 16 vjet më parë filloi historia e demokracisë dhe nga ky shesh do të fillojë edhe historia e ndryshimit të faqes së Tiranës", u shpreh kreu i LZHK-së Dashamir Shehi. Ndërsa kreu i PLL-së Ekrem Spahiu u kërkoi qytetarëve të Tiranës që të votojnë për ti mbyllur ciklin politik përfaqësuesit të abuzimit dhe korrupsionit në Bashkinë e Tiranës. "Rruga drejt Brukselit po bëhet më e shkurtër falë reformave që ne si qeveri e koalicionit kemi ndërmarrë", u shpreh kreu i PAA-së Lufter Xhuveli. Kreu i BLD-së Arian Starova theksoi se Olldashi do i japë fund aksidentit Rama I cili shpërdoroi Bashkinë e Tiranës në 6 vjet. "Vetëm pak orë na ndajnë nga shkëputja me krimin dhe korrupsionin", u shpreh kreu i PDK-së Nard Ndoka ndërsa kreu i PDR-së Genc Pollo bëri thirrje për lënien mënjanë të fasadave dhe për mbështetjen e integrimin në BE dhe NATO. Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, tha se fitorja e 18 shkurtit do të jetë fitorja e radhës në rrugën e integrimit të shqiptarëve si qytetarë të lirë europianë.
Rd
Krijoni Kontakt