Mënyra ndryshe e ikjes së Ramës
Artur KOPANI
Edi Rama ka gjetur një mënyrë disi origjinale për të bërë dorëzimet e detyrës së tij, duke iu shmangur formave klasike të rotacionit. Pasi e la "de facto" drejtimin e Bashkisë së Tiranës me emërimin e tij si kryetar i PS-së, (edhe kjo origjinale) Rama po e dorëzon edhe "de jure" detyrën e tij. Në ditët që i kanë mbetur deri më 18 shkurt, Rama ka vendosur që kryetarit të ri të Bashkisë, Sokol Olldashi, t'ia japë gjithçka rrugëve të Tiranës. Aty, mes pluhurave të helmta, rrugëve të ndyta, në vështrimet e urryera dhe përbuzjen e qytetarëve, ai po lë dita-ditës dosjet e tij me dështime, grabitje dhe abuzime. Edhe atje ku nuk e qasin brenda, ku e përzënë dhe i hedhin mallkime për paudhësitë e tij të shumta, ai nuk ndalet së bëri dorëzimet e fundit. Mbi rrugët që iu ka zënë kolektorët dhe rrjedhin ujërat e zeza; mbi urat që iu ka vjedhur paratë dhe iu çahet asfalti një orë pas inaugurimit; në shkollat që i përuron dhe s'kanë nxënës, banga, ngrohje dhe dije; në çerdhet dhe kopshtet që i shemb për të shitur troje dhe shtuar pasurinë e tij afro një qind milion dollarëshe; anës qytetarëve që i ka grabitur, mashtruar dhe dekurajuar për të vazhduar jetën në Tiranë, Rama është duke bërë inventarin e dështimeve të tij, është duke iu përmendur qytetarëve një mijë e një qind arsyet që ata kanë për të mos gabuar për të tretën herë.
Në javën që i ka mbetur, do ta shohim Ramën në majë të pallatit të Dash Pezës për të na kujtuar se është nga ata që e përgjunj shtetin, qytetin, ligjin për mikun e tij, është nga ata që bën edhe të pabërën (shitblerje reale të rrugëve nuk është dëgjuar të ketë bërë njeri deri më sot) për interesat e tij dhe të sektit. Ai do të na tregojë edhe fotografitë me sopatë në dorë, do të na tregojë edhe filmimet mbi bunkerin e dikurshëm në ish-"Zogun e Zi", do të na tregojë shumë nga ato që ka bërë.
Si njeri i të shkuarës do të na flasë për të shkuarën dhe vetëm për të. Në këtë fushatë, të gjitha historitë e Ramës fillojnë me "kur isha unë kryetar i Bashkisë së Tiranës". Ne nuk kemi asnjë arsye të jemi të vëmendshëm dhe të dëgjojmë se si do të donte Rama që t'i bënte gjërat, pasi jo vetëm ai, por edhe të tjerët e stanit të tij që shkërmoqën pasuritë e këtij vendi në tetë vitet e qeverisjes famëkeqe të së majtës, kanë modelin "vidh e ik". Vrapi i tij për të kapur karrigen bosh të kryetarit të PS-së, përdorimi i parave të krimit për të ngritur Byronë dhe për t'u mbyllur gojën zërave kritikë brenda partisë dhe gjirit të së majtës, shpërndarja e zonave elektorale brenda vetes si ndarje plaçke mes kaçakësh që të ngopen kapot dhe të kënaqen larot, i kanë shërbyer Ramës për ngritjen e një llogoreje-strehëzë për veten dhe të ngjashmit e tij. Si edhe shumë të tjerë të sojit të hajdutëve dhe banditëve, kujdesi i tij i vetëm është se si e qysh të ruajë paratë e pista dhe interesat kriminale që krijoi.
Rama po ikën edhe "de jure", sepse nuk i ka mbetur rrugëzgjidhje tjetër që të mbajë zyrën e kryetarit të Bashkisë. Banditët e tij nuk mund të bredhin lirisht dhe të grabisin votat e qytetarëve, paratë e tij janë identifikuar me paratë e mafias dhe nuk mund të qarkullojnë më lirisht në rrugët e Tiranës, jo vetëm socialistët që patën kohë ta njohin edhe më nga afër, por të gjithë e kanë braktisur atë dhe mendjen e tij të çoroditur, që prodhon vetëm energjinë e të keqes, e cila nuk ka lënë pa prekur të gjithë ata që natyralisht ose jo i janë gjendur pranë.
Rama po ikën "de jure" dhe "de facto", në një mënyrë tërësisht origjinale, por ne të gjithë e dimë fundin e tij. Dështaku lë karrigen, ndërsa hajduti përballet me drejtësinë.
Krijoni Kontakt