Berisha thyen etikën: Në listën e Ramës, një homoseksual
Kryeministri nuk përmbahet më, u rikthehet akuzave personale
Në vijim të turit elektoral, Kryeministri Sali Berisha ka prezantuar dje kandidatet e Aleancës së Madhe në bashkitë dhe komunat e rrethit të Pukës. Ndërsa ka numëruar arritjet e qeverisë dhe ka kritikuar qeverisjen e socialistëve në pushtetin lokal, Berisha nuk u ka shpëtuar edhe sulmeve personale ndaj kreut të opozitës, Edi Rama, të cilin e quajti "kundërshtar vetëm de jure". Duke folur për Ramën, Berisha u shpreh se "problemet e tij janë jo vetëm politike, por dhe psikologjike, pasi me komplekset që ka, ka kandiduar një këshilltar në kryeqytet, që bashkëjeton me një mashkull, gjë që pasqyron vetë moralin e Ramës". Në udhëtimin e tij verior, Kryeministri është ndalur fillimisht në Fushë Arrës, ku ka prezantuar kandidatin e PD-së për kryetar bashkie, Ndue Palucaj. Berisha ka premtuar se vota për të djathtën do të bëjë që të shtohet vëmendja për këtë zonë të harruar nga qeverisja socialiste. Ai ka përmendur premtimet e mbajtura në këto 18 muaj qeverisje, mes të cilëve rritjen e pensioneve dhe të rrogave të administratës shtetërore. Gjithashtu, ai u ka kujtuar qytetareve të Fushë Arrësit vëmendjen ndaj biznesit. "Një vëmendje të veçantë qeverisja e djathtë i ka kushtuar luftës me zero tolerancë ndaj korrupsionit, bandave dhe krimit të organizuar, të cilat shtuan besimin e ndërkombëtarëve ndaj Shqipërisë", tha Kryeministri. Ai premtoi investime të reja në Pukë dhe Fushë Arrës. "Turizmi malor do të këtë pikë referimi pikërisht në këtë zonë. Rrugët nacionale Fushë Arrës - Kukës, Pukë - Fushë Arrës, Durrës - Morinë dhe Pukë - Vau i Dejës do të përmirësojnë qarkullimin e qytetarëve, pa harruar rrugët dytësore, ato rurale që lidhin fshatrat me njëri-tjetrin", tha Kryeministri. Në fund të fjalës së tij, ai është ndalur dhe te kandidatët e opozitës, të cilët, megjithëse nuk kanë drejtuar me sukses, kanë abuzuar me fondet dhe investimet, kanë kurajën qytetare të kërkojnë sërish votën e elektoratit. Berisha ka shfaqur siguri për kandidatët e së djathtës, të cilët do të kenë përkrahjen e pamohueshme të qeverisjes qendrore. Kryeministri është ndalur dhe në Pukë, ku ka prezantuar kandidatin Ferit Ringaj dhe atë të Vaut të Dejës, Gjon Marku. Në këto takime ishin të pranishëm dhe Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli dhe kryetari i Lëvizjes së Legalitetit, Ekrem Spahia.
Krijoni Kontakt