Berisha demagog, zero gra kandidate
Data e Publikimit: 02/02/2007
Autori i Lajmit:
A.K.
Tiranë- Kryeministri i vendit, ka vijuar dje me marrëzinë e radhës, në momentin që ka dalë dhe ka thënë se ndjen një keqardhje shumë të madhe për mospërfshirjen e grave në politikë, në ditët e sotme. Berisha u shpreh dje lidhur me këtë temë se ndjehemi lënduar për mospjesëmarrjen e grave, por më i lënduar ndjehem kur marr vesh se kush janë shkaqet që gratë nuk marrin pjesë. Ndërkohë që ka bërë një deklaratë të tillë, kryeministri Sali Berisha, nuk dha asnjë shkak, se për pasojë të kujt vjen kjo. Kjo për vetë faktin, se ky është Berisha, një demagog i përshtirë deri në neveri. Del e thotë që ndjehem i lënduar nga mospjesëmarrja e gruas në politikë, kur në 390 kandidatë që ka nxjerrë tani në zgjedhje partia Demokratike, për kryetarë bashkish dhe Komunash nuk ka asnjë grua që të kandidojë. Ky është kryetari i koalicionit të djathtë që nga njëra anë shpreh keqardhjen, dhe nga ana tjetër, vazhdon me idenë se duhet të jenë vetëm meshkujt, pasi nuk figuron asnjë grua në listat e përgatitura nga ai dhe vartësit e tij për komuna apo Bashki në të gjithë Shqipërinë. A nuk është vetë Berisha shkaku i mospërfaqësimit të gruas në politikë, kur në rastin më të freskët s'ka propozuar asnjë femër në politikë, duke e propozuar si kandidate për të drejtuar njësitë vendore, për zgjedhjet e pushtetit lokal? Vetëm një ditë më parë se sa Berisha të dilte me deklaratë të tillë, partia tjetër rivale në zgjedhje me PD-në, prezantoi të paktën gjysmën e këshillit për Bashkinë e Tiranës, me gra. Por ndërkohë që kishte edhe kurajo që të fliste, të paktën familja Berisha në atë konferencë ishte përfaqësuar 50 % me 50 %, meqë merrte pjesë edhe bashkëshortja dhe në këtë mënyrë, pretendonte kryeministri të mbulonte anashkalimin që u bën grave, dhe tentativave të tyre për të hyrë në politikë.
Krijoni Kontakt