Dalngadalë zërat për zhvillimin e një miqësoreje të mundshme mes kombëtares sonë dhe asaj argjentinase po e prekin realitetin. Gjithçka ka trokitur e beftë në fillim në dyert e Federatës Shqiptare të Futbollit, teksa krerët e saj nuk i kanë kushtuar ndonjë vëmendje të madhe ftesës së amerikano-latinëve. Megjithatë, edhe kësaj here duket se gjërat do të ndjekin zhvillimet që çuan në miqësoren me Breshian në Tiranë. Burime të ndryshme në Federatë kanë pohuar së fundi se miqësorja me përfaqësuesen e Argjentinës mund të bëhet në muajin shkurt dhe ajo mund të kushtojë 100 mijë euro. Kaq mund të thuhet deri tani për këtë problem, edhe pse gjërat janë akoma në ajër. Sipas gjasave, ftesa argjentinase mund të jetë tunduese mes të tjerave, të mbërritura nga Andaluzia dhe përfaqësuesja e dytë e Bullgarisë. Në këtë mes mund të ketë ndikimin e vet edhe ndonjë llogari e thjeshtë e bërë nga Federata Argjentinase e Futbollit për të pranuar zhvillimin e ndeshjes në Tiranë. Krerët e futbollit të këtij shteti, duke pasur parasysh se shumica e lojtarëve të përfaqësues së tyre luajnë në Evropë, e kryesisht në Itali, e dinë mirë se shpenzimet do të ishin të thjeshta në krahasim me shumën që kanë kërkuar, 100 mijë euro. Nga ana tjetër, edhe krerët e Federatës sonë të Futbollit, pas miqësores me një ekip italian të serisë A, si Breshia, kanë rastin të sjellin të tjerë kampionë me emër evropian dhe botëror në Tiranë, si Batistuta me shokë. E gjitha kjo do të bënte që stadiumi ku do të luhej kjo ndeshje të mbushej plot e përplot, për të bërë të mundur mbulimin e "haraçit", të vënë si kusht nga argjentinasit
Krijoni Kontakt