I lumte mafies.. i ka mobilizuar te gjithe tartabiqet..
dhe Gsh e alb malltez bollinos korr hasudet per edvinin..
edhe ne amerike i ka ven ne levizje zef tartabiqin sikur vuri ne shqiperi bac Kopilkopilikun.. e tash dhe kokolari shkund dardha per PS-ne..
i lumte..
deri sa gjejne trullana..
--
GSH
---
Veprimtari Gery Kokalari kërkon sqarime: Ku i keni gjetur paratë për t’i blerë
Tri orët milionëshe në dorën e ministrit Fatmir Mediu
“Mund të vlejnë të paktën 45 mijë dollarë”
--------------------------------------------------------------------------------
TIRANE – Shqiptaro-amerikani Gary Q. Kokalari i ka ngritur një kurth të vërtetë gazetaresk Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mehdiut, por duke ja shndërruar kurthin në një sulm të vërtetë politik. Kokalari ka identifikuar në kyçin e dorës së Ministrit të Mbrojtjes, nëpërmjet fotove, por dhe takimeve me të, të paktën tre orë të kushtueshme të markave nga më seriozet. Me një llogari të thjeshtë aritmetike, ai ka nxjerrë totalin e mundshëm të kostos së tyre, ka llogaritur të ardhurat legale të ministrit dhe ka nxjerrë një problematikë që ngjan e vështirë për t’u shpjeguar. Gary Q. Kokalari thotë se nëse orët janë autentike, ministri duhet të shpjegojë mënyrën sesi i ka siguruar ato dhe burimin e këtyre të ardhurave. Në rast të kundërt, nëse ato janë fallso, ministri do të konsiderohej vanitoz në Shqipëri, por do të merrte dhe përqeshje të hidhura në sallonet ndërkombëtare të politikës ku atë tashmë e çon detyra zyrtare.
Teksti i vënë në dispozicion të Gazeta Shqiptare është shkruar në formën e një letre të drejtpërdrejtë për zotin Mehdiu dhe është i përshkruar nga konsiderata të forta politike. Zoti Kokalari, një kritikues agresiv i ish-kryeministrit Nano, por tashmë dhe i zotit Berisha, kërkon shpjegime për atë që ai i konsideron si lidhje të drejpërdrejta me krimit të Ministrit shqiptar të Mbrojtjes.
Nga Gary Q. Kokalari
I dashur Fatmir, Shihet që ke ecur goxha që nga hera e parë që jemi takuar në 1998. Në atë kohë ne diskutuam mbi shqetësimet tona të përbashkëta mbi faktin sesi pa-aftësia dhe natyra diktatoriale e Sali Berishës solli shkatërrimin e Shqipërisë në 1997.
Atëherë rashë dakord me ty në disa ide mbi politikat që mund ta kthenin Shqipërinë në një vend më të mirë për të gjithë Shqiptarët. Nëse Shqipëria ka përparuar, se në cfarë shkalle, mund të jetë e diskutueshme, por është tepër e dukshme se pozita juaj dhe jeta juaj janë përmirësuar mjaft. Në fakt, më duhet të pranoj se e kam admiruar së tepërmi stilin dhe shijen tuaj të shkëlqyer, sidomos për orët e çmuara që ju kam parë të mbani.
Por nuk mund të mos e pyes veten dhe të dyshoj për mënyrat se si ju keni arritur të siguroni një jetesë kaq luksoze. Si rrjedhojë, në përpjekje për të sqaruar punët, po ju kërkoj të komentoni mbi disa informata që janë sjellë në vëmendjen time.
Bashkangjitur do të gjeni fotografitë tuaja duke mbajtur dy ora të ndryshme. Njëra është një fotografi e juaja ku me sa duket po mbani një orë Breguet. Faqja e Breguet në internet është www.breguet.com, dhe nëse do të hyni në këtë faqe dhe të krahasoni logon Breguet me logon e orës që ju po mbani në këtë fotografi (mund të shihet nëse hapni imazhin me zmadhim 200 për qind), do të mund të kuptoni se si arrita në përfundimin që ora juaj është e markës Breguet. Nuk munda të gjej një përfaqësues të modelit tuaj në këtë faqe, i cili mund të jetë i një stili më të vjetër, por kur zbulova një faqe interneti që është e specializuar në shitjen e orëve Breguet, http://www.thefinestëatches.com/inde...et_Marine.html mund të shihet qartë se shumë nga modelet kushtojnë nga $10,000 në $25,000. Pra nëse ora juaj është Breguet, mund të ketë kushtuar rreth $15,000.
Po ashtu, bashkangjitur do të shihni një foto tuajën ku po mbani një orë tjetër, të cilën nuk isha në gjendje ta identifikoja, kështu që ndoshta mund të më ndihmoni ju. Kam qënë vetë dëshmitar kur keni mbajtur këtë orë, dhe megjithëse nuk mund të përcaktoja markën, dukej që ishte e një cilësie shumë të mirë, ndoshta 18 karat ar. Ora të këtij stili, nga firma si Cartier, Breguet apo Patek Phillipe shiten në çmime nga $10,000 në $30,000 pra mund të themi se edhe ora tjetër e juaja e këtij lloji mund të ketë kushtuar $15,000.
Është edhe një orë e tretë që ju kam parë ta mbani me sytë e mi, dhe dukej sikur ishte një orë ari Rolex. Edhe persona të tjerë ju kanë parë me këtë orë. Për qëllime verifikimi, një orë shumë e ngjashme me atë që kam parë në kycin tuaj të dorës, dhe që shitet me $16.450 mund të gjendet në këtë faqe interneti:
http://www.thefinestwatches.com/inde...olex_Day-Date_
Nëse marrim parasysh orët që ju keni në pronësinë tuaj, si mund të vërtetohet nga fotografitë e bashkangjitura (dhe më thonë që mund të keni në pronësi edhe të tjera), dhe, për hir të kësaj bisede, mendojmë që nuk janë ora fallco, atëherë kjo do të nënkuptonte që ju keni një koleksion orësh që vlen $45.000 ose më shumë se kaq.
Nëse kjo është e vërtetë, do të ishte një habi e jashtëzakonshme për mua sepse unë di ca gjëra mbi të kaluarën tuaj dhe ju na detyroheni një shpjegim për pasurinë tuaj të re. E di që jeni lindur në Durrës dhe rritur në Fier, por si shumica e Shqiptarëve, ishit mjaft i varfër. Keni mbaruar shkollën e mesme në Fier dhe vazhduat shkollën e lartë për inxhinieri në Tiranë, duke marrë diplomën në 1990. Që atëherë ju shkuat të punoni në një qytet të vogël në afërsi të Fierit, dhe duke marrë parasysh kushtet e përgjithshme ekonomike të Shqipërisë dhe natyrën e punës suaj, është e pamundur që ju të merrnit më shumë se $100 në muaj. Në 1990 ju u përfshitë me degën vendore të Partisë Republikane, dhe i ngjitët shkallët e komitetit drejtues të partisë duke u bërë Zv. Drejtues në 1992; por ata që e njohin Partinë Republikane më thonë se gjatë asaj kohe, nuk ka gjasa që ju të keni pasur një rrogë më të madhe se $700 në muaj. Në 1997, mbas dorëheqjes së Sabri Godos, ju u bëtë kryetar Partisë Republikane dhe sipas një burimi të afërt me PR, rroga juaj mujore nuk ishte më shumë sesa $500.
Deri në atë periudhë, me sa kam kuptuar, ju nuk kishit asnjë pasuri.
Thuhet se gjatë kësaj periudhe ju krijuat marrëdhënie të ngushta me anëtarë të mafies Shqiptare, trafikantë nga Fieri, Berati dhe Shijaku.
Këto zona janë njohur si baza të operacioneve për gangsterë që ishin të specializuar në trafikimin e grave të reja të cilat më tej shfrytëzoheshin si prostituta në rrugën e qyteteve perëndimore evropiane. Në disa raste, viktimat e këtyre krimeve ishin vajza të reja shqiptare nga fshatrat përreth, që mashtroheshin për të udhëtuar jashtë shtetit me premtimin për martesë apo punë. Këto vajza më tej transportoheshin në vende të tjera ku përdhunoheshin nga grupe meshkujsh, rriheshin dhe shfrytëzoheshin si prostituta.
Në 1998, thuhet se ju jeni arrestuar në aeroportin e Malpensës, në Milano bashkë me Gazmend Mahmutaj, një bos i njohur i mafies shqiptare i cili kërkohej në Itali për komplot kriminal dhe trafik njerëzor, ndërkohë që në Shqipëri mund të kishte mbi vete akuza për vrasje. Rrethanat e përfshirjes tuaj me Mahmutajn nuk janë tepër të qarta, por spekulime te shumta thonë se ju e përfshitë Mahmutaj si pjesë të delegacionit tuaj si “Truproja” juaj, dhe sipas “San Francisco Cronicle”, ai po udhëtonte me një pasaportë diplomatike. Nuk jam shumë i sigurt për fatin që pësoi Mahmutaj, por shumë burime thonë se ai është dënuar nga autoritetet italiane me burgim në një burg në Itali.
Gjithashtu, media Shqiptare ka raportuar se ju jeni dënuar në lidhje me çështjen Mahmutaj, por akuzat ndaj jush u rrëzuan më vonë, ndoshta për shkak të bashkëpunimit tuaj me autoritetet italiane. Këto janë dyshime tepër serioze, të cilat duhet të sqarohen menjëherë sidomos për shkak të pozitës suaj të tanishme. Edhe nëse këto akuza ndaj jush janë rrëzuar, natyra tepër delikate e pozitës suaj dhe e pasurisë suaj të pashpjeguar, kërkon që rrethanat e arrestimit tuaj, nëse jeni arrestuar, dhe natyra e marrëdhënies suaj me Mahmutaj kërkojnë një hetim të plotë. Për këtë arsye, ju duhet të autorizoni në mënyrë të menjëhershme lëshimin e një dosje të plotë nga ana e agjencisë përkatëse e ligjit italiane dhe Interpolit, në të cilën të përshkruhen të gjitha ngjarjet e lidhura me këtë incident. Disa vite përpara ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë në 1999, qarkullonin thashetheme se ju po i shisnit naftë serbëve. Kjo kontrabandë kalonte nga Greqia, përmes Shqipërisë, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me sanksionet ndërkombëtare ndaj regjimit të Milloshevicit. Unë shpresoj që këto pretendime të mos jenë të vërteta, sepse në të kundërt, do të thotë që ju keni siguruar karburant për makinerinë ushtarake serbe duke fuqizuar fushatën gjakatare të spastrimit etnik dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve të ndërmarrë nga Milloshevici.
Ndoshta rastësisht, pikërisht në këtë periudhë mënyra juaj e jetesës nisi të përmirësohej dukshëm dhe ju nisët të shfaqnit pasuri të cilën nuk mund ta justifikoni. Ju nisët të vishnit kostume të shtrenjta, ju kishit në pronësi disa Mercedesë, një prej të cilëve thuhet të jetë një dhuratë e një prej gangsterëve të Fierit; dhe shtëpia juaj gjithashtu ishte shumë më e rehatshme. Gjithashtu ju nisët të koleksiononit objekte tepër të shtrenjta dhe të një cilësie tepër të lartë.
Rreth vitit 2001, ju arritët në përfundimin se Partia Republikane nuk do të ishte kurrë parti me pushtet, por gjithsesi uria juaj për pushtet nuk u shuajt.
Pragmatizmi juaj bëri që ju të krijonit aleancë me Sali Berishën, pavarësisht se keni shprehur përçmim ndaj tij. Ju bashkuat forcat me Berishën dhe u bëtë pjesë përbërëse e koalicionit të tij, që me anë të fushatës anti-korrupsion, arriti të heqë nga pushteti Fatos Nanon dhe Socialistët. Në fakt, në Maj 2004 ju udhëtuat në Washington për të dëshmuar pranë Komisionit të Helsinkit dhe në Seancën Dëgjimore të Kongresit Amerikan ju u shprehët: “Sot, Shqipëria po përballet me një situatë të vështirë si pasojë e një qeverisjeje të papërshtatshme, e paaftë për t’i shërbyer qytetarëve të vet dhe në të njëjtën kohë tepër e aftë për të shërbyer interesat e jashtëligjshëm të një grupi njerëzish me pushtet. Kjo, në shkallë të gjerë, është rezultat i ndikimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit në qeverinë Nano, i cili po shkatërron themelet e vendit tonë dhe të së ardhmes së popullit tone”.
Ndihmesa dhe mbështetja juaj ndaj fushatës së Berishës u shpërblye nga Berisha me postin e Ministrit të Mbrojtjes. Si Ministër i Mbrojtjes dhe Anëtar i Parlamentit, sipas deklaratës suaj në Parlament, fitimet tuaja vjetore për 2006 arrijnë në $16,700. Sipas deklarimeve tuaja në Parlament në vitet e kaluara, fitimet tuaja vjetore si Anëtar i Parlamentit ishin $13,500 për 2005 dhe $15,000 në 2004.
Nëse analizojmë deklaratat tuaja të pasurisë, gjatë tre viteve të fundit ju keni fituar rreth $45,000. Sipas këtyre deklaratave dhe llogaritjeve të tjera, mesatarja e fitimeve tuaja në muaj, për të gjithë familjen tuaj është disa qindra dollarë në muaj. Gjithsesi, ju jetoni në një shtëpi të madhe dhe të rehatshme (më thonë që ju mund të keni në pronësi më shumë se një shtëpi), dhe veshjet tuaja janë tepër të shtrenjta edhe sipas standardeve amerikane. Më tej janë edhe orët tuaja, të cilat, nëse janë autentike, mund të vlejnë më shumë se $45,000, shifër kjo që përkon me fitimet tuaja gjatë tre viteve. Si është e mundur kjo?
Patjetër që mund të ketë shumë shpjegime për koleksionin tuaj të çmuar të orëve të dorës.
Mund të ketë ndodhur që këto ora zbritën nga qielli dhe u ulën në kyçin tuaj. Mundet që ato të jenë thjesht replikime me pak vlerë, dhe në këtë rast, krimi juaj i vetëm do të ishte ai i vanitetit të paorientuar.
Mund edhe të përdornit justifikimin e preferuar të Fatos Nanos duke thënë se orët janë dhurata nga ‘miq’. Nëse kjo është e vërtetë, do të doja shumë të më prezantonit me miqtë tuaj sepse edhe unë do të doja të përfitoja nga bujaria e tyre. Por edhe nëse do ta besonim këtë justifikim klasik të Nanos, përsëri nuk do të ishit me të drejtën. Nëse një zyrtar i nivelit të lartë do të shfaqej me një orë të vetme të shtrenjtë sa e juaja dhe nëse do të rezultonte se ishte një dhuratë, Kongresi do të kishte dyshime tepër serioze në lidhje me vlerën e dhuratës, kush e bëri këtë dhuratë dhe pse-në e saj. Dhe në varësi të ‘kush’ dhe ‘pse’, mund edhe të cilësohej si një veprim anti-ligjor.
Unë mendoj se duke pasur parasysh përfshirjen tuaj në politikë, do të ishte shumë naive të besonim se një mik, sado i mirë të jetë, do t’ju jepte një “dhuratë” prej $15,000 (jo më tre të tilla) pa kërkuar asnjë në këmbim. Sic themi ne këtu në Amerikë, ‘nuk ka kurrë drekë falas.’
Shpjegimi i fundit i mundshëm, që shpresoj të mos jetë i vërtetë, është që akuzat ndaj jush për përfshirje në aktivitete kriminale janë të vërteta dhe orët tuaja janë pjesë e shpërblimeve tuaja për përfshirje në të njëjtat praktika kriminale dhe korruptive për të cilat ju akuzuat paturpësisht Nanon, pranë Komisionit të Helsinkit. Në këtë rast, fjalët që ju përdorët kundër Nanos mund të përdoreshin për t’ju përshkruar edhe juve.
Cka është edhe më shqetësuese është fakti se, nëse ju jeni përfshirë në aktivitete korruptive, si Ministër i Mbrojtjes, ju tashmë keni rastin e shfrytëzimit të një organizate gjigande, që mund të abuzohet dhe përdoret për avantazhet tuaja në mënyrat nga më të poshtrat.
Si rrjedhojë e përgjegjësive të pozitës suaj si Ministër i Mbrojtjes dhe dyshimet që ngrihen si pasojë e konsumit tuaj të fshehtë, populli i Shqipërisë ka të drejtën të ketë përgjigjen e kësaj pyetjeje: Si mundet që një person me të ardhura modeste të mund të ketë një koleksion orësh dore tepër të shtrenjta, të cilat zakonisht janë pronë e personave tepër të pasur?
Ndoshta mund të shpjegoheni për orët tuaja, edhe nëse do t’ju duhej të vërtetonit se kanë rënë vërtet nga qielli. Por edhe nëse e arrini këtë, a është e përshtatshme që një ministër të shfaqë pasuri kaq të madhe në mënyrë vulgare ndërkohë populli i vendit të tij lufton përditë për bukën e gojës? Le të përballemi me faktet, dëshira juaj e madhe për të urdhëruar djemtë e rinj shqiptarë të vënë jetët e tyre në rrezik në vende si Afganistani dhe Iraku nuk ka shumë të bëjë me luftën ndaj terrorizmit ndërkombëtar; më shumë ka të bëjë me faktin që ju dhe Berisha po përpiqeni të qetësoni administratën e Bush-it në përpjekjet tuaja patetike dhe të dëshpëruara për të mbajtur pushtetin, njësoj si në rastin e Fatos Nanos. Dhe njësoj si Fatos Nano, ju e dini se qëndrimi në pushtet në Shqipëri të jep mundësinë të shtosh edhe më shumë koleksionin tuaj të orëve. Por nëse një djalë shqiptar vritet në Irak, unë shpresoj që ju do t’i tregoni familjes së tij nga një orët tuaja të shtrenjta, në mënyrë që ata ta dinë se për çfarë u sakrifikua jeta e djalit të tyre.
Krijoni Kontakt