Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Promete (i lidhur) Maska e Kryeplaku
    Anëtarësuar
    12-09-2002
    Vendndodhja
    në realitetin e hidhur
    Postime
    2,218

    Çështja energjitike dhe konkurencat për hegjemoni

    Erjus Mezini
    gazeta Koha Jone



    Pa dyshim Revolucioni Industrial do të mbetet një nga ngjarjet më domethënëse dhe themelore të Historisë Moderne. Shpikja e makinerive dhe teknologjive të ndryshme do e pajisnin njeriun me vegëla të reja të cilat do hidhnin poshtë kufinjtë tradicionalë të aftësisë apo arritshmërisë njerëzore. Sigurisht që entuziazmi fillestar i atyre pionierëve inteligjentë -që besonin se me teknologjitë dhe arritjet e reja do zgjidheshin një herë e përgjithmonë preokupimet e njerëzimit- megjithëse dha shumë rezultate, vazhdon akoma edhe sot të mbetet utopi e rrezikshme.



    Revolucioni Industrial dhe arritjet e reja nuk mundën të ndrojnë “ADN-ën” e njeriut por thjesht i shtuan mjetet që vën në shërbim për të realizuar prirjet e veta. Kështu tendencat dhe epshet e vjetra njerëzore që shtyejnë drejt pushtetit, fuqisë, pasurisë dhe konkurencës jo vetëm që nuk u zhdukën por me mjetet e reja industriale u përforcuan në mënyrë të pandreqshme.

    Njëkohësisht, njeriu duke zbuluar tek industria armën e re të fuqisë dhe të trajtimit të shumë aspekteve të jetës do krijoj një varësi –në shërbim, gjithmonë, të të njëjtave tendenca- që nuk njeh kthim mbrapa por veçse zmadhim mbytës.

    Kriza energjetike e viteve 1973-74 -pas vendimit të shteteve arabe të OPEC që të ndalojnë eksportimin e naftës tek aleatët e Izraelit dhe të ngrijnë me një herë çmimin e fuçisë si kundërshtim për Luftën e Yom Kippurit- tregoi me mënyrën më të qartë varësinë e njerëzimit dhe e ekonomisë botërore nga energjia, pa të cilën industrializmi nuk nënkuptohet. Aq shenja të medhaja do linte kriza energjetike e 1973-shit tek industritë/ekonomitë perëndimore sa që shumë analistë dedikojnë tek kjo krizë dobësimin e shtetit social/kejnsian në Europën Perëndimore. Megjithatë nuk ishte kriza e fundit që do shqetësonte Perëndimin.

    Dy kriza të tjera energjetike do pasojnë, njëra në 1979-ën si pasojë e revolucionit islamik të Iranit, shtet me prodhimtari nga më të lartat të naftës, dhe tjetra si pasojë e Luftës së Gjirit Persik në 1991, me rrjedhoja më pak shqetësuese. Gjithashtu invazioni i Irakut në Kuvejt në 1990-tën shpjegohet si sulm për shkaqe që totalisht lidhen me energjinë –ngase diktatori Sadam Husein synonte nga njëra anë që të thyente disfavoret që kishte krijuar Kuvejti në tregun e naftës dhe nga ana tjetër kërkonte të sillte nën pronësinë e tij depozitat e pasura kuvejtiane në naftë.

    Mesazhet në lidhje me të ardhmen veçse shpresdhënëse nuk mund të quhen. Sipas të dhënave të International Energy Agency kërkesat ditore ne naftë gjatë fundshekullit të 20 i afroheshin shifrës të 70 milionë fuçive. Kjo nevojë pritet që te arrij shifrën e 92 me 97 milionë fuçive në ditë pas 2010-ës, si pasojë e rritjes demografike dhe si pasojë e industrializimit të Botës së Tretë duke përfshirë shtete që me popullsinë e tyre mbulojnë reth një të tretën e njerëzimit (Kina me Indinë). Pra siç kuptohet krizat energjetike jo vetëm që nuk kanë mbaruar por munden të bëhen më të rrezikshme dhe mund të marrin formë të armatosur.

    Çështja ndërlikohet akoma më tepër nëse marrim parasysh se pjesa më e madhe e depozitave energjetike gjënden përtej kufinjëve të Perëndimit të industrializuar. Reth 63% e depozitave të zbuluara të naftës ndodhen në Lindjen e Mesme –vetëm Arabia Saudite zotëron 25% të depozitave botërore të naftës (që përkthehet në 261 miliardë fuçi)- ndërkohë që shtresa të konsiderueshme nafte apo gazi natyror vazhdojnë të mbeten po në kontinentin aziatik, kryesisht në ish-republikat e Bashkimit Sovjetik.

    Pra kemi të bëjmë me një paradoks me rëndësi kosmogonike. Pjesa e industrializuar e planetit mbijeton në sajë të “serumeve energjetike” të pjesës tjetër. Ndërkohë që shtetet që gëzojnë depozitat më të mëdha energjetike nuk munden të arrijnë industrializimin pa ndihmën e të parëve. Megjithëse varësia duket e dyfishtë në të vërtet është e pabarabartë, nëse kemi parasysh se industria i shtoi shteteve mjetet që disponojnë për të imponuar qëllimet e tyre. Pra me përjashtim raste të radha - si p.sh. qëndrimi i OPEC-ut në 1973-shin, ku mbase shpjegimi gjendet tek sistemi dypolar i fuqisë- bota e industrializuar duket se është ajo që vendos ligjet e kësaj varësie.

    Po të kemi parasysh edhe rolin e madh që luajnë mbi ekonominë botërore organizma si G8, Banka Botërore dhe Organizata Botërore e Tregëtisë, ku shtetet më të industrializuara gëzojnë fjalën e parë, atëhere pak dyshime na mbeten mbi ngjarjet. Megjithatë i’a vlen të referohet se me globalizimin çështjet po i largohen gjithnjë e më tepër shpjegimeve tradicionale.

    Faktikisht përtej konkurencës midis shteteve importuese me ato prodhuese të naftës ekziston dhe një konkurencë akoma më e fortë dhe më interesante. Bëhet fjalë për konkurencën midis importuesve/transportuesve kryesorë, ku bëjnë pjesë shtetet e industrializuara të Perëndimit (bashkë me Japoninë) dhe shtetet më të fuqishme aziatike, Rusia me Kinën. Kjo konkurencë bëhet më interesante dhe më e fortë për shkakun e thjesht se këto shtete potenciale zotërojnë shumë mjete për të sfiduar njëri tjetrin (në kundërshtim me shtetet disponuese të energjisë që zoterojnë vetëm lëndën energjetike si mjet sfidues, me mangësinë e madhe se lënda energjetike e tyre gëzon vlerë vetëm përsa i nevojitet shteteve të industrializuara).

    Që të kuptoj dikush rëndësinë e madhe të kesaj konkurence mjafton të konceptoj vetëm dy aspekte të thjeshta dhe të vetkuptueshme : 1) ndërprerja me furnizim në lëndë energjetike paralizon industrinë dhe ekonominë e këtyre gjigandëve botërorë (me pasoja të papërshkrueshme për këta popuj që mbijetesën e tyre i’a kanë dorëzuar industrisë) dhe 2) shtetet përballë sfidave zgjedhin konkurencën në vend të bashkpunimit duke synuar gjithnjë tek avantazhi midis njëri tjetrit e jo tek përfitimi i përbashkët/barazpeshues dhe sigurisht që kjo konkurencë bëhet shumë herë më e ashpër kur bëhet fjalë për energjinë, e cila për këto shtete ngjan siç ngjan ajëri për njeriun.

    Pra ata dokumentarët mbi “luftrat e naftës” që na ofrohen midis TV-ve, megjithëse me ngjyra të forta mediatike, nuk ndodhen edhe aq shumë larg realitetit.

    Duke vërtetuar të sipërpërmendurat erdhi edhe citimi i Komisionit Europian : “nafta është aq jetike për ekonominë sa edhe buka” si dhe “çdo ndërprerje e furnizimit apo luhatje e papritur e çmimeve mund të shkaktojnë trazira sociale të cilat mbase do lindin kërkesa popullore që mund të bëhen të paplotësueshme” (Commission of the European Communities, Green Paper, 29/11/2000). Dhe kur flitet për zonën më të industrializuar të planetit, Bashkimin Europian, sigurisht që qëndrime të këtilla nuk përbëjnë aspak stërmadhim.

    Megjithatë Bashkimi Europian vazhdon akoma të mos ket siguruar kontrollin e depozitave apo kanalizimeve që sjellin naftën dhe gazin natyror në territorin e vet. Ajo që mungon nuk është rruga hyrëse në këto shtete/rajone që disponojnë lëndë energjetike. Përkundrazi, hyrjet në këto burime rriten aq shumë sa rritet edhe numri i kompanive -të nxjerrjes, përpunimit dhe transportimit të naftës dhe gazit natyror- të cilat ndodhen nën interesat europiane apo euroamarikane.

    Shtete si Franca, Anglia, Gjermania, Italia, Hollanda dhe Suedia i dhurojnë B.E.-së një arsenal kompanish energjetike që do duhej të lakmohej nga çdokush. Gjithashtu shtetet e mëdha të Bashkimit Europian gëzojnë aq shumë përfaqësira dhe mjete diplomatike sa që e bëjnë prezencën e B.E.-së të ndjeshme në çdo anë të globit.

    Ajo që i mungon B.E.-së është politika e përbashkët në çështjet e jashtme, një ushtri e fortë europiane si dhe shuarja e prirjeve hegjemonike të fuqive europiane mbi kontinentin e vjetër. Kështu, për sa kohë që fuqitë europiane nuk gjejnë fjalën e përbashkët kontinenti i vjetër do mbetet viktimë e zgjidhjeve amerikane dhe e intrigave ruse si edhe viktimë e trazirave rajonale që po bëhen fenomen i përditshëm në zonat e naftës. Krizat energjetike të 1973-shit dhe 1979-ës ishin mbase mësimi më i shëmtuar për ekonomitë europiane, megjithatë askush nuk është i sigurtë se ç’mund të pasojë.

    Nafta dhe burimet e tjera energjetike përbëjnë synim jetik edhe për shtetin më të pasur të planetit, Sh.B.A-të. Por sigurisht që këndvështrimi amerikan mbi nevojën energjetike është krejt i ndryshëm nga ai europian. Shtetet e Bashkuara, me ushtrinë më të mirëfilltë të planetit, me teknologjinë më të rëndë luftarake, me një teknologji të lartë nukleare, elektronike/informatike dhe spaciale që vështirë se mund të konkurohet si edhe me një numër të madh bazash ushtarake dhe mjetesh mbi-moderne transportimi që i lejojnë aksion luftarak në çdo cep të planetit dhe në çdo moment, gjenden në një pozitë që asnjë fuqi tjetër e Historisë Botërore nuk u gjend kurrë.

    Pra domosdo që duke pasur këtë privilegj Sh.B.A.-të nuk interesohen thjesht për mënyrën se si nafta do arrij tek qytetari amerikan. Pozita në të cilën gjenden i’u jep të drejtën që të pretendojnë një hegjemoni globale. Dhe nuk ka dyshim që kontrolli i energjisë, e cila vën në funksion industrinë e sfiduesve të mundshëm, është vegla më e fortë për të rrënjosur këtë hegjemoni. Megjithatë ajo që duhet përmendur është se në kundërshtim me hegjemonitë/perandoritë e së kaluarës historike Sh.B.A-të kanë “difektin” e së qënurit shtet demokrat.

    Pra politika amerikane nuk është e pakushtëzuar. Këtë e njohin edhe vet vendim-marrësit e Uashingtonit dhe kështu mundohen vazhdimisht të përdorin mbulesa të ndryshme si p.sh. “aleanca e shteteve që duan lirinë”, mbrojtja e “drejtësisë ndërkombëtare”, mbrojtja nga “kërcënimet” e ndryshme etj. Në rastin e luftës së fundit kundra Irakut si justifikim u përdor vet demokracia, që i mungonte popullit irakien. Sidoqoftë askush nuk mundet të jet i sigurtë për qëndrimin/presionin e publikut amerikan nëse gjërat nuk shkojnë mirë në fushbetejë dhe nëse publiku nuk shikon interes nga lufta.

    Synimet kryesore amerikane mbeten mbrojtja e lëvizjes të pandërprerë të naftës nga vendet e prodhimit drejt industrive perëndimore, parandalimi i rritjes së çmimit për fuçi si dhe kontrolli i rrugëve me të cilat furnizohen fuqitë e tjera. Për të arritur këtë qëllim Sh.B.A-të bëjnë ç’është e mundur që të realizohet liberalizimi i depozitave energjetike duke i’u lejuar kështu firmave amerikane të drejtat e nxjerrjes, përpunimit dhe transportimit të naftës. Gjithashtu qëllimi amerikan është që të mos ket kombëtarizime të këtyre depozitave dhe të pengohet krijimi i kushtëzimeve të papëlqyeshme nga aleanca apo fuqi të tjera, si psh. Rusia, Kina, Irani, Arabia Saudite etj.

    Krizat energjetike të 1973-shit dhe 1979-ës i demonstruan Uashingtonit se pavarsisht përpjekjeve të mëdha që kishte vënë për të kontrolluar depozitat e Gjirit Persik gjendja për një moment i’u largua kontrollit amerikan me pasoja tepër të rënda për ekonomitë perëndimore.

    Në kushte të tilla dukej e domosdoshme gjetja e një zgjidhjeje tjetër alternative e cila nga njëra anë do i lejonte Perëndimit rrugëdalje në rast se përsëriteshin krizat në Lindjen e Mesme dhe nga ana tjetër do i bënte shtetet prodhuese të rajonit më të gatshme për negociata duke ditur se Perëndimi mund të furnizohet me naftë apo gaz natyror edhe nga shtete të tjera. Shansi i madh erdhi për Sh.B.A.-të dhe Perëndimin në vitin 1991, që shënonte rrënjen e Bashkimit Sovjetik dhe shfaqjen e shteteve të pavarura të Kaspikut dhe Azisë Qendrore.

    Sipas Wood Mackenzie, zona e Kaspikut përmban shtresa nafte që i afrohen shifrës së 28 miliardë fuçive plus 243 trilionë metër kub me gaz natyror. Pjesa më e madhe e depozitave të naftës ndahen midis Kazakstanit dhe Azerbajxhanit kurse gazi natyror ndodhet poshtë shkretëtirës së Turkmenistanit, shtetit të katërt në botë me prodhimin më të lartë të gazit natyror. Gjithashtu Kaspiku sipas kërkimeve sizmologjike fsheh edhe shtresa të tjera nën-ujore me naftë të cilat nuk mund të përcaktohen me saktësi.

    Sipas disa tezave optimiste këto sasi të fshehura të naftës mund të arrijnë deri në shifrën e 70 miliardë fuçive. Por edhe nëse vërtetohen këto supozime përsëri pasuritë energjetike të Kaspikut, mëgjithëse janë të konsiderueshme, nuk mund të zëvëndësojnë rëndësinë e Gjirit Persik. Megjithatë Kaspiku dhe Azia Qendrore po kthehen gjithnjë e më tepër në një fushë konkurence. Sepse përtej rëndësisë energjetike ato që e bëjnë më tepër të lakmueshëm këtë rajon janë aspektet gjeostrategjike.

    Azia Qendrore -e vendosur mbi rrugët që lidhin Detin e Zi me Kaspikun, Kaspikun me Gjirin Persik dhe Oqeanin Indian dhe mbi rrugët që lidhin Gjirin Persik me Rusinë dhe Kinën- ishte është dhe do të mbetet zonë ku takohen ambiciet për influencë. Aq më tepër kur sot ky rajon krijon një boshllëk të volitshëm për konkurencë midis dy fuqive aziatike, Rusisë dhe Kinës, dhe midis dy fuqive rajonale, Turqisë dhe Iranit. Në të njëjtën kohë përbën zonë me interes për Perëndimin dhe dy shtetet e mëdha -që zotërojnë fuqi nukleare- Indinë dhe Pakistanin.

    Gjithashtu mungesa e stabilitetit për shkak të shteteve të dobëta pas-sovjetike të cilat nuk munden të vendosin rendin mbi shoqëritë e tyre, të përçara në kombe, fe, besime, kultura, ideologjira dhe ambicie të ndryshme, e bën këtë rajon të ndjeshëm përballë sfidave të reja me domethënje globale.

    Kështu rreziku që krijojnë luftrat ndër-etnike dhe mungesa e ligjit në këto shtete nxjerrin në pah problematika të reja që kërkojnë vëmendje të veçantë siç janë fondamentalizmi fetar apo kombëtar, terrorizmi, trafiku i opiumit dhe i qënjeve njerëzore, shpërbërja e shteteve, trafiku i armëve dhe më kryesorja, trafiku i armëve të shkatrimit masiv.

    Gjithashtu frika e fundit që lidhet me trafikun e armëve të shkatrimit masiv shtohet akoma më tepër nëse mendojmë se kjo zonë lidhet me Rusinë dhe Pakistanin -dy shtete me fuqi nukleare ku të parit i mungon disiplina ushtarake kurse të dytit i mungon rendi dhe harmonia politikoshoqërore- ndërkohë që është e ndjeshme përballë veprimtarive fondamentaliste/terrosiste që kanë si vatër Lindjen e Mesme. Pra në rajonin e Kaspikut dhe të Azisë Qendrore, në kundërshtim me Gjirin Persik, energjia nga qëllim kthehet në mjetin e hegjemonisë sepse sfidat e shumta arrijnë ta shtojnë më tepër se sa vet burimet energjetike rëndësinë dhe shqetësimin e fuqive të ndryshme.

    Në këtë pikë do ishte e vendit të shqyrtohen disi edhe qendrimet e shteteve që u përmendën si konkurente/sfiduese në këtë rajon. Duke filluar me Turqinë do thonim se pavarsisht optimizmit që lindi në Ankara me rënjen e Bashkimit Sovjetik dhe dobësimin e Moskës, rivalit shekullor, Turqia nuk mundi të kapërcej kufinjtë e fuqisë rajonale me aftësi të përkufizuara. Lidhjet tradicionale, historike, kulturore, fetare, dhe gjuhësore të Turqve me shumicën e kombësive që shtrihen nga Kaukazi deri në Kinë megjithëse i lejuan Turqisë hyrje dhe influence në këto shtete, nuk mundën të kënaqin optimizmin e nacionalistëve turq që flisnin për një “perandori turanike nga Europa e deri në Kinë”.

    Problemet e brendëshme dhe kriza ekonomike nuk i lejuan Ankarasë që t’i përgjigjet mjaftueshëm sfidave dhe qëllimeve që i kishte caktuar vetes dhe njëkohësisht uli besimin e fqinjëve aziatikë tek mundësitë dhe aftësitë e Turqisë. Gjithashtu në rastin e përleshjeve rajonale -si psh. përleshja midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për zonën Nagorno Karabah- ku dukej qartë ndërhryrja ruse, Turqia u frikësua të përballoj haptazi Rusinë duke i lejuar kësaj të fundit të ket fjalën kryesore mbi krizat e zonës.

    Sidoqoftë Turqia mbetet fuqi rajonale me rëndësi të madhe strategjike dhe njëkohësisht është mbrojtës i interesave perëndimore në rajon. Por përmirësimi i rezultateve turke kërkon bashkpunimin e gjërë me Perëndimin, mjafton që Perendimi dhe Turqia të kuptojnë nevojën dhe rëndësinë që fsheh njëra palë për tjetrën.

    Përsa i përket Iranit shumë thuhen dhe shumë priten. Gjithashtu propaganda që prodhohet nga udhëheqësi i ri i Iranit, M. Ahmedinexhad, dhe ngjyrat e saj fetare vështirësojnë së tepërmi ndarjen e qëllimeve të vërteta nga hiperbola. Sidoqoftë askush nuk mundet të mohojë rëndësinë e madhe strategjike dhe energjetike të këtij shteti. Irani duke qënë njëkohësisht shtet që laget edhe nga Gjiri Persik edhe nga Kaspiku dhe duke u renditur në postin e gjashtë, me shtresa të vertetuara që kalojnë shifrën e 89 miliardë fuçive, midis shteteve me depozitat më të mëdha të naftës sigurisht që nuk mund të mbetet jashtë vëmendjes së Sh.B.A.-ve dhe Perëndimit.

    Aq më tepër kur ekziston një e kaluarë e hidhur midis Uashingtonit dhe Teheranit, për shkak të Revolucionit Islamik dhe rëmbimit të diplomatëve amerikanë në 1979-ën. Gjithashtu Revolucioni Islamik dhe nacionalizmi i tepruar kanë ngjallur në Iran ndjenja anti-perëndimore dhe prirje hegjemonike mbi rajonin dhe mbi botën muslimane duke kthyer kështu mallëngjime mbi një epokë kur Iranianët ishin perandori e fuqishme.

    Sidoqoftë përtej ëndërrave dhe iluzioneve dallojmë një Iran që kërkon të thyej izolimin diplomatik të Perëndimit duke i’u afruar fqinjëve rajonalë siç janë Rusia, Kina, Armenia, Azerbajxhani dhe Turkmenistani apo duke propaganduar bashkimin e botës islame nën frymëzimin shi’ito-iranian. Gjithashtu Irani mundohet të përdori letrën më të fortë të tij diplomatike, energjinë, për të tejkaluar problemet ekonomike dhe për të krijuar një post të volitshëm rajonal.

    Qëllimi Iranian është që nafta të mbetet pasuri kombëtare e pavarur nga firmat dhe kushtëzimet perëndimore në të njëjtën kohë që Teherani kërkon të vëj ligje të reja në tregun energjetik dhe në çmimet dhe në të njejtën kohë që Irani kërkon të kthehet në furnizues energjetik i Kinës –me të cilën janë mbyllur disa marrëveshje fitimprurëse mbi naftën dhe mbi gazin natyror- dhe synon të bëhet rrugedalja e energjisë së Kaspikut në Gjirin Persik si psh. midis kanalizimit të gazit natyror ndërmjet Iranit dhe Turkmenistanit.

    Por politika të tilla që kërcënojnë monopolin e synuar prej Sh.B.A.-ve mbi energjinë sigurisht që sjellin armiqësinë midis dy shteteve, pavarsisht se ekzistojnë edhe pika të tjera fërkimi midis Iranit dhe Perëndimit. Sidoqoftë konkurenca do bëhet më interesante dhe më e rrezikshme nëse Irani do arrijë të prodhojë armë nukleare.

    Në lidhje me Kinën vërehet një dialog i gjërë, midis analistëve të çështjeve ndërkombëtare, i cili mbulon një kolazh të gjerë temash e qendrimesh qysh nga lidhjet e Kinës me Tajvanin e deri tek “rivaliteti” me Sh.B.A.-të për rolin e hegjemonisë globale. Sidoqoftë është fakt që ekonomia dhe industria kineze zhvillohet vazhdimisht duke u stabilizuar këto vitet e fundit në një ritëm zhvillimi prej reth 10% për vit. Pra me këtë industrializim të shpejtë sigurisht që nevojat e Kinës për burime energjetike rriten vazhdimisht, aq më tepër kur ajo nuk mundet t’i plotësojë këto nevoja me depozitat e brendëshme.

    Kështu domosdo dhe Kina ka hyrë në konkurencën e shteteve të industrializuara për të siguruar burime energjetike, midis dy kompanive të saj madhështore Sinopec dhe Petrochina. Gjithashtu vazhdimisht vijnë në skenë senare mbi ndërtimin e kanalizimeve të ndryshme që do i sigurojnë Kinës naftë dhe gaz natyror nga zonat e Kaspikut dhe Gjirit Persik, apo më hollësisht nga shtete si Irani, Rusia dhe Kazakstani.

    Gjithashtu në 1997-ën Kina nënshkroi një marrëveshje me Kazakstanin që parashikonte nga njëra anë blerjen e disa territoreve me qëllim përdorimin e shtresave të naftës dhe nga ana tjetër ndërtimin e një tubacioni që do lidhte Kazakstanin me Kinën dhe i cili mendohet se do i kushtojë Pekinit më tepër se 5 miliardë dollarë. Siç kuptohet Kina ka tepër rrugë përpara për të vazhduar politikën e saj mbi energjinë. Sidoqoftë do doja të theksoj mëdyshjet e mija në lidhje me shumë kolegë të marrëdhënjeve ndërkombëtare të cilët shikojnë tek Kina një superfuqi të ardhëshme.

    Zhvillimi i shpejtë ekonomik i Kinës, i cili dedikohet deri diku edhe tek dorlëshimet amerikane dhe europiane, mund të kthehet nga lehtësi në pengesë për Pekinin. Nevojat e një ekonomie të fortë mund të lindin kërkesat për liberalizim dhe mund të sjellin një dallim të thellë dhe pabarazi midis qendrave industriale dhe zonave bujqësore. Këto aspekte në bashkpunim me inatet ndër-etnike mund te kthehen në faktor destabilizues për pushtetin qendror. Gjithashtu nuk duhet harruar se qeverisja e një popullsie prej 1.3 miliardë banorë nuk është aspak gjë e lehtë, aq më tepër kur në Pekin ekzistojnë zëra që thonë se mbijetesa dinjitoze e popullsisë kineze do ishte e mundur vetëm nëse përgjysmohej.

    Me këto probleme serioze të brendëshme të cilat vështirë se mund të shmangen kam besimin se Pekini nuk do arrij kurrë të kthehet në sfidues serioz i Sh.B.A.-ve dhe Perëndimit. Një gjë të tillë mbase do mundej t’a arrijë vetëm me krijimin e një blloku të përbashkët anti-amerikan bashkë me Moskën, megjithëse diçka e tillë duket e pa’arritshme për momentin. Në këtë pikë do ishte e vendit të shqyrtohet edhe roli i Rusisë, pa dyshim sfiduesi më interesant i Sh.B.A.-ve dhe i Perëndimit. Ndarja e Bashkimit Sovjetik në 1991 sigurisht që dëmtoi prestigjin e Moskës por megjithatë nuk arriti ta vrasi, përkundrazi.

    Nga kjo ndarje Federata Ruse trashëgoi 60 % të popullsisë, 76% të territoreve ish-sovjetike, reth 90% të depozitave energjetike dhe 80% të fuqisë nukleare. Gjithashtu Rusia gëzon nën pronësinë e saj reth 40% të depozitave botërore në gaz natyror, 48 miliardë fuçi nafte si edhe sasi nga më të mëdhajat mineralesh, qymyresh dhe metalesh. Pas të papriturave që solli politika e liberalizimit ekonomik, Rusia gjeti tek këto pasuri natyrore rrugëdaljen e shumë mangësive ekonomike. Kështu mbi 50% e eksporteve ruse sot mbulohen nga produktet energjetike dhe nga mineralet apo metalet e ndryshme, njëkohësisht që kompania e kontrolluar nga shteti Gazprom përmblidhet në listën e më të kamurave të planetit dhe i furnizon Europës me tepër se 25% të sasisë që i nevojitet në gaz natyror.

    Rëndësia e madhe e Rusisë gjendet edhe tek kontrollimi prej saj i pothuajse të gjithave kanalizimeve që shpërndajnë gazin dhe naftën e Kaspikut drejt Perëndimit, me përjashtim kanalizimin e ri Baku-Çejhan i cili për shkaqe praktike/teknike ende nuk është në gjëndje të uli rëndësinë e kanalizimive ruse. Vetëm se favori strategjik i lidhjes së Kaspikut me Detin e Zi midis tubacionit Baku-Norovossiysk kishte të papriturat e veta, luftën e Çeçenisë nga kryeqyteti i së cilës kalon ky tubacion. Dhe po të kemi parasysh se Çeçenia ishte e vetmja nga 21 republikat e Federatës që kërkoi ndarjen midis armëve atëhere mund të kuptojmë lehtë se inatet historike bëhen më të thella kur lidhen me plane fitimprurëse.

    Pra burimet energjetike sjellin fitime në zonë por sjellin edhe luftra, gjë që vërtetohet edhe nga krizat e tjera të rajonit. Sidoqoftë qeveria e re ruse e drejtuar nga një udhëheqës intrigant si ish agjenti i KGB-ës Vladimir Putin arriti më në fund të imponoj “logjikën” në Çeçeni dhe gjërat duket se rrjedhin në favorin e Moskës. Këmbëngulja e z. Putin tek politika energjetike duket edhe tek fakti se dy kompanitë më të mëdha energjetike ruse, Gazprom dhe Rosneft, që po shtrijnë kapitalet e tyre mbi gjithë Europën drejtohen nga dy kolegë të ngushtë të presidentit rus (Alexei Miller dhe Igor Sechin), njëri prej të cilëve po ashtu ish agjent i KGB-ës.

    Rreshtat e sjellur më sipër por edhe shumë të dhëna të tjera na dëshmojnë për rolin kyç që zën Rusia në lojrat energjetike. Favori i madh i Rusisë është se -në kundërshtim me rivalët e saj europianë, amerikanë e kinezë- na shfaqet si industri që nuk varet nga importimi i energjisë dhe i pasurive të tjera nëntokësore por përkundrazi është kthyer në eksportues të madh të këtyre pasurive

  2. #2
    Promete (i lidhur) Maska e Kryeplaku
    Anëtarësuar
    12-09-2002
    Vendndodhja
    në realitetin e hidhur
    Postime
    2,218

    pjesa e dyte:

    Kriza e disa muajve më parë që u krijua në Europë për shkak të ndërprerjes së furnizimit të Ukrainës me gaz prej Gazpromit, nga njëra anë na vërtetoi se sa kërcënuese mund të bëhet Rusia për nevojat energjetike europiane dhe nga ana tjetër na tregoi se -në kundërshtim me ç’supozohet nga shumë analistë- Moska jo që nuk i ka dorëzuar armët për hegjemoni por po mundohet t’i modifikojë me mjete të reja.

    Privilegji rus demonstrohet edhe tek fakti se Rusia ushtron ende kontroll në zonën e Azisë Qendrore (ky kontroll vërehet qysh nga prania e forcave ruse në shumë shtete të rajonit e deri tek krijimi i Commonwealth of Independent States apo tek influenca e madhe e kulturës dhe e mediave ruse në këtë rajon) si edhe tek “sekreti i përbashkët” i këtyre shteteve se shumë kriza rajonale -

    si psh. kriza midis Armenisë dhe Axzerbajxhanit për zonën Nagorno Karabah, përpjekjet separatiste të Ajarisë, Ossetisë dhe Abhazisë në Gjeorgji etj.- varen nga “zemërgjerësia” apo “zemërngushtësia” që do tregojë Moska në çdo rast. Gjithashtu i’a vlen të referohet se Rusia gëzon lidhje të ngushta dhe mjete influencimi me dy shtete të rëndësishme të Lindjes së Mesme, Iranin dhe Sirinë. Këto dhe shumë detaja të tjera vijnë në kundërshtim me tezat që e shikojnë Rusinë si “humbësin e madh” apo si “shtetin e sëmurë” dhe me pyetjen se a do të jet Rusia prezente në sfidat e shekullit 21.

    Këto teza megjithëse bazohen diku harrojnë një hollësi historike… Rusia ishte aty -jo më pak “e sëmurë” se sot- kundra dy pushtuesve më të mëdhenjë të Europës dhe dy sfiduesve më të mëdhenjë të Historisë Moderne, Napoleonit dhe Hitlerit. Pra siç duket ekzistojnë edhe mekanizma të tjerë, përveç përshkrimeve komforte statistikore, që shpjegojnë rrjedhën historike.

    Pas gjithë këtyre lajmesh edhe mendimesh do ishte më praktike dhe më rezultative të mblidhen me pak fjali konkluzionet e autorit dhe të parashtrohet këndvështrimi themelor i këtij shkrimi, duke i dhënë kështu një rrugëdalje lexuesit nga konfuzioni që krijon bombardimi me lajme. Parimi themelor i kësaj analize është se mekanizmat me të cilat veprojnë njeriu dhe shtetet dhe mekanizmat që vëjnë në lëvizje Historinë pak kanë ndryshuar nga lashtësia deri më sot, pavarsisht se ngjarjet historike janë të ndryshme dhe teoria hegeliane thotë se Historia shkon vetëm përpara.

    Ëndërrat humaniste të një bote ku do zotëroj paqja dhe iluzionet futuriste të luftës së njeriut me qënje të tjera jashtëtokësore dita ditës po fiken. Luftrat dhe konkurencat duken prezente midis njerëzve/shteteve në shekullin e 21 dhe po zëjnë vend mbi Tokë dhe për Tokën. Pra bota e sotme duket se shpjegohet më tepër nga doktrinat e vjetra si ajo e Sir Halford Mackinder, mbi “Tokën Qendrore”, sesa nga iluzionet futuriste të fundëshkekullit të 20.

    Qëllimi i konkurencave hegjemonike mbetet Eurazia -“Toka Qendrore” të cilën sipas Mackinder kush do arrijë t’a kontrollojë do të ket në dorën e tij fatet e botës- e cila pa dyshim përbën nga çdo aspekt zonën më interesante të planetit. Konkurentët kryesorë janë shteti më i fortë i planetit, Sh.B.A.-të, zona më e pasur, Bashkimi Europian, shteti me popullsinë më të madhe, Kina, dhe shteti me sipërfaqen më të madhe, Rusia. Zonat e lakmueshme mbeten të njëjtat me zonat ku zunë vend konkurencat më të forta të Historisë së Lashtë, të Historisë Mesjetare dhe të asaj Moderne: Europa, Lindja e Mesme dhe Azia Qendrore.

    Ajo që ka ndryshuar sot është mënyra me të cilën kërkohet realizimi i synimeve të çdo pale. Megjithëse shtetet –shëmbëllesa të njerëzve- u treguan të pa’afta që të heqin dorë nga botëkuptimet tradicionale që shtyejnë drejt fuqizimit, influencimit, ekspansionizmit, konkurencës, armiqësisë dhe mosbesimit midis tyre, në të njëjtën kohë treguan një inteligjencë të shkëlqyer për të shtuar mjetet që disponojnë me qëllim që të këmbëngulin mbi të njëjtat prirje.

    Këto mjete janë aq të shumta dhe të ndërlikuara në kuptim sa që shumë herë i’a arrijnë të krijojnë konfuzione midis analistëve të ndryshëm të cilët të pushtuar nga një naivitet sentimental nuk ngurojnë të na flasin për përpjekjet që disa shtete perëndimore bëjnë për të sjellur demokracinë, paqen apo pasurimin e të varfërve në të njëjtën kohë që disa të tjerë mallëngjehen nga lufta midis “barbarëve” dhe civilizimit, lufta midis “errësirës” dhe “dritës” etj.

    Duke u kapur pikërisht tek këta shembuj lehtë do mundeshim të zbulonim disa mjete të reja politike -përveç mjetit më të vjetër dhe më rezultativ, dmth. luftës- midis të cilave do rreshtonim propagandën ideologjike dhe ekspansionin kulturor, ekspansionin ekonomik, pjesëmarrjen në organizatat e ndryshme ndërkombëtare –ku pjesëmarrja vetëm e barabartë nuk mund të quhet- dhe inisiativat rajonale dhe globale të shtyera zakonisht nga një fuqi, konkurencat teknologjike, operacionet paqëruajtëse, “ndihmat ekonomike” kundrejt shteteve të varfëra që i shtojnë varësinë nga shtetet e fuqishme etj.

    Duke vërejtur me kujdes këto mjete do konstatonim postin e veçantë që gëzojnë Sh.B.A.-të në skenën ndërkombëtare të shekullit të 21, ngase gëzojnë hyrje në të gjitha këto mjete. Gjithashtu arma më e fortë e Shteteve të Bashkuara, siç u përmend më sipër, është industria e saj luftarake.

    Me këto vegëla Uashingtoni synon të ndërtoj një hegjemoni globale e cila do i lejojë kontrollin e sfidave të mundëshme dhe do i lejojë vazhdimin e politikës ekonomike e cila mbron mirëqënjen e popullit amerikan si dhe përkrah interesat ekonomike perëndimore. Justifikim i kesaj politike duket se po kthehet nevoja e industrive perëndimore për burimet energjetike të Eurazisë.

    Gjithashtu kontrolli i energjisë duket si vegla më e mirë për vendosjen e kësaj hegjemonie, qysh nga momenti që një kontroll i tillë të lejon paralizimin e ekonomisë/industrisë së rivalit dhe të lejon që të bllokosh apo ngadalësosh veprimtarinë e tij luftarake. Vetëm se politika amerikane nuk është e pakushtëzuar dhe fuqia e saj luftarake nuk mundet të përdoret pa kufinjë. Kështu edhe fuqia nukleare amerikane më shumë vlen si presion psikologjik se sa vlen si armë frytdhënëse. Ngase në një botë ku fuqia nukleare disponohet nga një numër i konsiderueshëm shtetesh përdorimi i armëve bërthamore do kishte pasoja shkatruese për njerëzimin.

    Edhe nëse Sh.B.A.-të do i’a arrinin krijimin e një çadre anti-balistike ajo që nuk mund të arrijnë është ndalimi i pasojave shkatruese që mund të shkaktojë radienregjia tek ato apo tek aleatët e tyre.

    Gjithashtu përdorimi strategjik i këtyre armëve bëhet i pamundshëm për shtete me sipërfaqe të madhe siç janë Rusia dhe Kina, pra ajo dogma e armëve strategjike bërthamore që po themelohet në Uashington nëse fsheh vlera fsheh vetëm për shtete të vogëla. Pra me sa duket Sh.B.A.-të, paçkah fuqisë që gëzojnë, janë të detyruara t’i drejtohen luftrave dhe armëve konvencionale me gjithë rreziqet që ato fshehin.

    Kështu konkurenca për hegjemoni bëhet akoma më interesante dhe mjetet akoma më të shumta në numër nëse kemi parasysh se një luftë konvencionale e përmasave moderne midis Sh.B.A.-ve dhe sfiduesve aziatikë, Kina dhe Rusia, jo vetëm që nuk do siguronte fitoren amerikane por do ishte idiotësi. Në këtë pikë kuptohet se politika amerikane njeh kufinjtë e vet dhe hegjemonia globale nuk mund të vendoset me gangsterizëm apo luftë ndaj çdokujt sepse bota është ndërlikuar në një mënyrë të papërshkrueshme dhe një shtet serioz nuk mundet ndryshe veçse të konstatoj këto ndërlikime.

    Pikërisht këto pengesa të politikës amerikane i’u lejojnë një rrugëdalje fuqive euraziatike dhe sidomos Rusisë e cila nga aspekti gjeopolitik është një nga shtetet më të privilegjuara të planetit. Dhe nëse rrjedhat e ngjarjeve tregojnë se fuqia amerikane nuk do mundet të tejkaloj faktorin gjeopolitik atëhere nuk do të jet ëndërr dita kur një ose më tepër fuqi euraziatike të kthehet në përgjigjen alternative ndaj hegjemonisë amerikane.

    KJ

Tema të Ngjashme

  1. Çështja shqiptare në polemikat e studiuesve anglezë
    Nga Davius në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 08-08-2006, 17:29
  2. Ceshtja Shqiptare,detyrim Per Cdo Shqiptar
    Nga DARDAN PEJA në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 14-09-2005, 07:33
  3. Feja Islame
    Nga Muslimane në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 28-07-2005, 21:23
  4. Çështja e kombit nga vështrimi Islam
    Nga ORIONI në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 25-02-2005, 11:24
  5. Çështja çame: PS rrëzon projektrezolutën e opozitës
    Nga Albo në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 25-02-2004, 17:22

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •